Monday, November 11, 2013

Komuniteti himarjot: LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË SHQPËRISË



LETËR E HAPUR

                                 KRYEMINISTRIT TË SHQPËRISË
                                                 Zotit   EDI RAMA
                                                                                                      T i r a n ë

                            Zoti Kryeministër,
    Fillimisht e ndjejmë për detyrë, që me anën e kësaj Letre të Hapur, t’ju Urojmë Juve dhe kabinetit Tuaj ministror, suksese në realizimin e programit të Rilindjes së Shqipërisë Demokratike. Me këtë rast, duke u njohur me objektivat kryesore të punës, si bij dhe intelektualë të Krahinës së Himarës, dëshirojmë t’Ju tërheqim vëmëndjen, për zgjidhjen sipas dispozitave Kushtetuese, të dy problemeve, nga më Kryesoret, të këtij Komuniteti patriotik dhe atdhedashës:

  Së pari, për problemin e pronës dhe kthimin e saj tek i zotim sipas kriterit kushtetues të trashëgimnisë dhe disponimit të tokës nga pronarët himariotë në vitet 1945-1946, para kryerjes së Reformës Agrare, nga pushteti i asaj kohe. (Në një shoqëri me të vërtetë demokratike, për të cilën jeni angazhuar, që të funksionojë edhe në Shqipëri, prona është parametri me i rendësishëm dhe më karakteristik, ose me fjalë të tjera, është alfa dhe omega e të drejtave themelore të njeriut.
   Për kushtet historike dhe topogjeografike të Bregdetit Jonian, nga Orikumi e deri në Ksamil, toka në tërësinë e saj nuk është dhuratë e natyrës, siç kanë patur fatin ta kenë shumë krahina të tjera të Shqipërisë. Në të kundërtën, ajo është fituar si rezultat i një pune kolosale dhe investimit të një kapitali të madh financiar, për të shndërruar shkëmbinjtë dhe gërxhet e zonës në tokë bujqësore. Taracat, që si margaritarë zbukurojnë Zonën tonë, nga Palasa në Nivicë, e më tej, janë  krijuar duke thyer e shkulur gurët dhe shkurret, duke ndertuar ledhe e duke mbushur vendin me dhe, të transportuar me krahë, nga larg, ashtu siç punuan skllevërit në Egjyptin e lashtë për ndërtimin e piramidave. Për të përfituar një dynym tokë bujqësore, ose 1000 m2, banorëve të Zonës u është dashur të thyejnë 300-350 m3 gurë, sasi kjo e mjaftueshme për ndërtimin e një shtëpije me sipërfaqe rreth 100 m2. Në vend të shtëpise, bregdetasit preferuan të ndërtojnë ledhet  dhe muret mbajtëse të taracave, që, në disa raste, kalojnë lartësinë 2-3 ml, për të përfituar një parcelë toke bujqësore me gjërësi, shpesh herë, jo më shume se 3 ml, e domosdoshme për mbijetesë dhe për të mbajtur frymën gjallë.
    Historikisht, në Bregdet,  tokat bujqësore kanë qënë pronë e familjeve himariote, pronë e institucioneve fetare (kishës) ndërsa mushat, kullotat dhe shkurret kanë qënë pronë e përbashkët e fshatit. Bregdeti, edhe në kohën e sundimit Osman, nuk njojti çifliqe dhe nuk kishte bejlerë dhe agallarë, ashtu sikurse shteti asnjëherë nuk ka patur prona të veta. Vetëm në sistemin mono-partijak, me Kushtetutën e vitit 1976, toka, edhe në Bregdetin Jonian, u shndërrua në pronë shtetërore. Me kalimin nga sistemi mono-partiak në atë pluralist, kjo  Kushtetutë, me të drejtë, u abrogua, çka do të thotë se automatikisht u abroguan edhe dispozitat dhe normat e tjera legjislative ose ekzekutive, që i shpallnin tokat  bujqësore pronë të shtetit. Prandaj, janë absurde dhe pa baza veprimet e politikanëve dhe të qeverive para 23 qershorit, që, për të fshehur vjedhjet në mes të ditës të pronave në Bregdet, u referohen  Kushtetutës së vitit 1976 dhe, në ndonjë rast tjetër, urdhëresës të 29 nëntorit 1944 të Qeverisë së Enver Hoxhës, që shtetëzonte gjithë kullotat, livadhet dhe pyjet, për nevojat e ushtrisë kombëtare dhe të rindërtimit të vendit.
    Për tokat, që dispononin familjet himariote dhe të mbarë Bregdetit Jonian, deri në krijimin gjoja vullnetar të kooperativave bujqësare të tipit leninist të artelit bujqësor, fshatarët i jepnin shtetit, në mënyrë të detyruar, pjesën më të madhe të prodhimeve te tyre,si: ullinj, agrume, drithra, mish, lesh, vezë, etj. Në të njëjtën kohë, ata paguanin, në përputhje me politikën fiskale të kohës, tatimin financiar për ekonomitë bujqësore, që shpesh kapte shifra marrëmëndëse . Vetëm  një pjesë e vogël e të ardhurave dhe e prodhimeve të përfituara nga puna e mundimëshme, investuar në tokat bujqësore, mbetej për nevojat  familjare të banorëve të Krahinës.
    Në këtë pamje, përfitimi i tokës bujqësore në Bregdet është një rast unikal në Shqipëri dhe ndoshta edhe në shtete të tjera. Si i tillë, në kushtet e Demokracisë së vërtetë, toka duhej të ishte trajtuar ndryshe nga pjesa tjetër e vendit dhe jo siç vepruan Qeveritë e para 23 Qershorit 2013. Në shpërndarjen e tokës në Bregdet  në vend të aplikimit mekanikisht  të  Ligjit famkeq komunist 7501, më e përshtatëshme dhe e justifikueshme ekonomikisht, juridikisht dhe në aspektin historik, do të ishte aplikimi i ligjës për kthimin e ndërtesave të banimit dhe të trojeve pronarëve të vërtetë. Nga ana tjetër, ndarja e tokës vetëm për familjet  që ishin anëtarë në kooperativat bujqësore të Krahinës, u mohoi të drejtën e pronësisë shumë familjeve dhe banorëve të tjerë të Bregdetit Jonian, që për arësye pune e shërbimi punonin jashtë Krahinës dhe në muajin prill 1991 nuk figuronin në gjëndjen civile në Himarë ose në Komunat përkatëse të Bregdetit. Aplikimi i ligjit 7501, edhe në Bregdet, në asnjë rast nuk  mund të jetë veprim demokratik. Ajo është një praktikë thellësisht komuniste, gjoja si demokratike, e fshehur nën petkun e mos krijimit të problemeve sociale, të cilat në fakt u shfaqën edhe më të ashpra në Krahinën tonë, si rrjedhojë e zbatimit të këtij ligji famkeq.
     Si përfundim, praktika e ndjekur në Bregdetin Jonian, për shpërndarjen e pronave, jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin  e kthimit të tokës pronarit, por e ngatërroi edhe më tepër atë, solli pasoja negative, si në aspektin e mirëmbajtjes e të kultivimit të tokave bujqësore, në aspektin e biodiversitetit por edhe në atë social e komunitar. Mbi të gjitha, kjo favorizoi mafien, e cila, e veshur me pushtet dhe me ndihmën e tij, i hapi rrugë korrupsionit, abuzimit dhe mashtrimit, krijimit të pronarëve të rinj, që nuk kishin të bënin aspak me tokën dhe, në ndonjë rast nuk dinin as shtrirjen topo-gjeografike të saj.
      Në  furtunën e papërmbajtur, për të marrë toka në Bregdet, u turrën me të madhe, siç i turret bisha gjahut të vet, në radhë të parë politikanët dhe klanet e tyre, në nivel vendor e qëndror, duke mos ngelur jashtë kësaj gare  edhe disa organizma ndërkombëtare. I tillë është rasti i Bankës Botërore dhe i organizmave të tjera ndërkombëtare, të lidhura me shumë fije me pushtetarët qëndrorë ose lokalë. Ata, me të ashtuqujturat projektet e tyre, për menaxhimin e tokave dhe për ngritjen e fshatrave turistike etj, siç është rasti i Jalit dhe i Kakomesë, me arsyetimin se tokat ne Bregdet janë pronë e shtetit, u turrën sikur ato të ishin mall pa zot dhe shpallën veten  pronarë të ligjshëm.
     E gjithë kjo praktikë, e zbatuar në këta 23 vjet,  zhgënjeu shpresat e pronarëve të vërtetë himariotë, për marrjen e tokës së krijuar me mund e djersë nga paraardhësit e tyre. Si rrjedhojë e kësaj, sot  asnjë himariot nuk disponon titujt e pronësisë, nuk ka të hipotekuar pronat, në një kohë kur  mjaft të tjerë, johimariotë, të mbështetur e të përkrahur nga aparati shtetëror, qëndror dhe ai lokal, kanë bërë hipotekimin dhe mbajnë titujt e pronësisë, si kur të ishin pronarë e trashëgimtarë të ligjshëm!           
     Kjo është një praktikë thellësisht antidemokratike dhe që neve, në forma të ndryshme, si: takime, biseda, konferenca shkencore, etj, i kemi denoncuar dhe dënuar. Ajo, që ka ndodhur, nuk është gjë tjetër veçse shprehje adekuate e zbatimit të porosive të Katovicës, që, me një mijë mënyra, sorollatin pronarët e vërtetë të tokave në Bregdet, ndërsa pinjollët e hierarkisë shtetërore e partiake të monizmit, të shndërruar në kapitalistë, u bënë zotëruesit e një pjese të mirë të tokave bujqësore të himariotëve autoktonë.
      Duke Ju ribërë të njohur gjithë këtë praktikë, himariotët dhe gjithë banorët e Bregdetit Jonian, shprehin besimin se  mazhoranca qeveritare e kryesuar nga Ju, i nderuar z. Kryeministër, ashtu siç keni deklaruar edhe gjatë fushatës elektorale, do ta trajtojë këtë problem jetik, me përparësinë dhe vëmëndjen që meriton dhe  axhenta e Juaj do të përmbajë me siguri zgjidhjen përfundimtare, sipas parimit kushtetues të trashëgimnisë së pronave në Krahinën tonë, duke realizuar  Rilindjen e vërtetë, të shumëpritur nga çdo banor i Komunitetit tonë. Dhe, për këtë, ne kemi besim të padiskutueshëm tek Ju, Qeveria që ju drejtoni dhe tek Programi i Juaj!

        Së dyti, për problemin e statusit të Himarës dhe trajtimin e tij në kuadrin e riorganizimit administrativ të Shqipërisë.
       Historikisht Himara ka patur një status të veçantë. Në kohën e sundimit Osman ai shprehej në Venomet himariote, të fituara me gjak e sakrifica e të nënshkruara me fermanë nga Sulltanët, që sipas studjuesve  dhe historianëve shqiptarë e të huaj, i jipnin krahinës statusin e veçantë, analog me atë të një Republike.       Me organizimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës, qeveria e kryesuar nga Sulejman Bej Delvina, autorizoi Deputetin e Vlorës dhe Ministër i kabinetit të tij,  Spiro Gogo Kolekën (i pari), të hynte në kontakt me Parinë  Himariote. Si rezultat, u nënshkrua marrëveshja e Qershorit 1921, që i njihte Himarës një status të veçantë. Më vonë, Himara u riorganizua si Nën Prefekturë, status të cilin e mbajti në vitet e Monarkisë të Zogut të I-rë, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të sistemit komunist. Aktualisht, Krahina e Himarës është Bashki, që përfshin teritorin e 7 fshatrave, nga Palasa deri në Qeparo, me qëndër në qytetin Himarë.
      Në kuadrin e riorganizimit administrativ të Shqipërisë, të cilën e ka në axhentë Qeveria e drejtuar prej Jush, kërkojmë të rishikohet statusi administrativ i Himarës duke e shpallur  Nën Prefekturë ose  Rreth, që përveç teritoreve të sotme, nga Palasa deri në Qeparo, të përfshijë edhe fshatrat e Komunës së Lukovës, që njihet si Bregdeti i Poshtëm. Përfshirja e fshatrave Borsh-Nivicë në Nën Prefekturën ose Rrethin e Himarës,  do t’i japë një gjallëri më të madhe zhvillimit socio-ekonomik të Zonës, do të afrojë më shumë pushtetin lokal me komunitetin, do të lehtësojë kryerjen e një sërë detyrash afër tij dhe do t’i shërbejë  funksionimit më të mirë të pushtetit të decentralizuar. Ndërkohë, ky bashkim dhe riorganizim, mban parasysh dhe i përgjigjet më së miri vetëdijes historike, zakonore, të traditës, identitetit , besimit etj, të komunitetit , sepse janë fshatra që, në aspektin historik, kanë përbërë bërthamën kryesore të Krahinës së Himarës edhe në kohën e sundimit Osman.
      Edhe për këtë çështje po kaq të rëndësishme, për banorët e Bregdetit Jonian, ne shprehim besimin e plotë tek Ju, Z. Kryeministër, tek Kabineti, që Ju drejtoni, dhe në drejtësinë e Programit Tuaj Qeveritar.
      Duke përfunduar, pranoni, i nderuar Z. Kryeministër, konsideratat tona më të larta, nga neve, dy bij te Himarës.
      
                                                     Me respekt e nderime
                                        
                                               Prof. Dr. Priamo BOLLANO
Tiranë,më 09.11.2013             Prof. Asoc.Dr. Jorgji HANXHARI

1 comment:

Anonymous said...

himarjoti
10 Nëntor, 2013 at 4:24 pm


Ju luutemi shikoni me vemendje se cfar po ndodh. Edi Rama ka kerkuar anullmin e koncesioneve te Berishes, nderkohe qe ne Perivole po punohet per Samir Manen, nje vendim qeverie koncesional i cili eshte kundershtuar nga gjithe Himara.
Ku eshte Edi Rama, himariot ne themel, Ku eshte Koco Kokedhima qe nuk flet asnjje fjale, ku eshte Jorgo Goro qe leshon vetem flete apo shkrese per te treguar se une e bera punen time, ku eshte pretendimi i zgjidhjjes se tokave, ku jane agjenciste qe do te vendosin ligjin mbi pronen e premtuar nga Edi Rama???
Populli i Himares paralajmeron se nese nuk do te ndalen betonerite ne plazhet publike, koncesionet e mafiozeve si Zamir Mane, Alban Xhillari etj, atehere do te rebelohet me te drejten e legjitimitetit te mbrojtjes se prones, personale komunitare dhe te kishes.
Ju lutemi, merni ne konsiderate alarmin tone, ne te kundert populli i Himares do te protestoje edhe ne BASHKI EDHE NE kOMISARIAT.
nje grup qytetaresh nga Himara.