Saturday, November 02, 2013

Zeneli, nje ze i ndryshem nga Akademia e shkencave :Shqipëri-Greqi, është koha për të parë vetëm përpara

Shqipëri-Greqi, është koha për të parë vetëm përpara
  • Papulias: “Dua ta filloj me Shqipërinë”. Takimi informal me Alfred Moisiun, Presidenti i Greqisë, hap dhe mbyll mandatin me Shqipërinë. Problemet dypalëshe, presidenca e BE-së në vitin 2014 dhe nevoja për të rivendosur dialogun dypalësh
Publikuar më 02.11.2013 | 7:15
 6  0
 
Skerdilajd Zaimi
-Vizita e Presidentit të Greqisë, Karolios Papulias në Tiranë përbën një ngjarje për raportet greko-shqiptare. Jo vetëm për tërësinë e problemeve që kanë mbetur pa përgjigje, por edhe sepse, nga njëra anë, Shqipëria ka zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ka kryer rotacionin politik, ndërsa nga ana tjetër, presidenti i Greqisë, Papulias është “shpresa e vetme” e Athinës për të rihapur diskutimin e problemeve me Tiranën zyrtare. Në këtë kuadër, ish-ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Bashkim Zeneli, në intervistën dhënë për gazetën “Shekulli” vlerëson si hap të domosdoshëm rikthimin e frymës së mirëkuptimit, uljen në tryezë për të diskutuar dhe sidomos vështrimin drejt së ardhmes e cila na bashkon. Dhe këtë frymë, të dyja vendet mund ta kërkojnë edhe në traditën e mirë që vjen nga e shkuara, edhe ajo e afërt, siç është edhe koha kur z. Zeneli ishte ambasador në Athinnë, me një mandat gjatë të cilit marrëdhëniet mes të dyja vendeve arritën nivelin më të lartë, jo vetëm në planin politike e diplomatik, por edhe atë njerëzor. Gjithsesi, sipas ish-ambasadorit tonë, koha e kërkon që “palët të mos kënaqen vetëm me artikulimin e qëndrimeve për problemet ekzistuese, por duhet të marrin përgjegjësinë e zgjidhjes së tyre”.
Z. Zeneli këto ditë mbërrin në Tiranë për një vizitë zyrtare, Presidenti i Greqisë, z. Karolios Papulias. Si e vlerësoni ju këtë vizitë?
Unë e vlerësoj si shumë të rëndësishme. Është vizita e nivelit më të lartë dhe gjatë këtyre 8 viteve si President i Greqisë, z. Papulias nuk e ka vizituar Shqipërinë. Ai është një mik i vërtetë i Shqipërisë dhe që funksionet e tij, si ministër i Jashtëm dhe si Presidenti i Republikës më shumë se askush tjetër në Greqi, ka kontribuuar shumë për forcimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve. Për këto arsye unë kam besim se vizita e tij do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve tona dhe do të duhet të hapë një faqe të re në konsolidimin dhe çuarjen e tyre përpara.
Si mund t’i përshkruani marrëd-hëniet mes dy vendeve tona? Kjo duke marrë në konsideratë edhe faktin se vizita e fundit e ministrit të Jashtëm Venizellos në Tiranë, evidentoi se ka diferenca mes Shqipërisë dhe Greqisë për disa çështje që kryesisht janë të bartura nga e kaluar.
Do të thosha se aktualisht marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk janë në ato që duhet të ishin, aq më tepër me një fqinj si Greqia. Do t’i përkufizoja si marrëdhënie të lidhura nyje prej disa vitesh. Kemi patur dhe kemi probleme dhe nuk jemi ulur të diskutojmë, të dialogojmë, të kuptojmë drejt se çfarë kërkon njëri dhe çfarë tjetri, si duhet të jetojmë si fqinj të mirë dhe si duhet të kapërcejmë mosbesimin, dasitë, problemet. E konsideroj pozitive ardhjen e ministrit të Jashtëm, Venizellos në Tiranë. Ne duhet të fillojmë të shkrijmë akujt, të zgjidhim pra atë nyjen. Popujt tanë janë miq, me tradita të lashta; Greqia gjatë këtyre viteve të demokracisë ka bërë shumë për Shqipërinë, e ka mbështetur atë në rrugën e proceseve demokratike. Pavarësisht problemeve, ajo ka bërë shumë për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, e që e konsiderojnë atë si atdhe të dytë. Ne duhet të punojmë për të vendosur besimin që na mungon përgjatë këtyre viteve të fundit, të vendosim mirëkuptimin mes nesh, si miq, por edhe si vende anëtare të NATO-s. Shqipëria pret të anëtarësohet në BE dhe kjo është një arsye më shumë për përmirësimin e marrëdhënieve. Unë mendoj se ne duhet të shikojmë përpara dhe vetëm përpara. Në Europë nuk hyhet me probleme; ato edhe kur ekzistojnë, si në rastin tonë, duhen zgjidhur në tavolinë, me dialog me mirëkuptim. Kjo është fryma europeiste, përndryshe do mbeteshim si sherrxhinj të vegjël, të gatshëm dhe të aftë për t’i zmadhuar gjërat, apo edhe për të nisur sherre të reja. Është pozitive, që në marrëdhëniet tona, në politikën zyrtare, nuk shfaqen nuanca ksenofobe apo nacionaliste. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse zëra apo qarqe të tilla ka në të dyja anët e kufirit. Vendet e mëdha europiane kanë patur historikisht shumë probleme, përplasje mes tyre dhe i kanë zgjidhur ato me durim, përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, pa nervozizëm dhe pa folklorizëm.
Cilat janë sipas jush problemet kryesore dhe si mund të ecet për t’i zgjidhur ato?
Ka probleme të vjetra midis vendeve, të njohura tashmë, por edhe probleme të reja, në mënyrë të veçantë ai që ka lindur për marrëveshjen detare. Gjej vendin të theksoj se për vite nuk ka patur shkëmbime vizitash, as nënshkrime marrëveshjesh si më parë. Diskutimi i këtyre problemeve, pavarësisht se në pozicione të distancuara, nuk përbën asnjë pengesë për t’u ulur dhe për t’i diskutuar me vullnet të mirë, më dëshirë të mirë dhe ajo që është më e rëndësishme me frymë europeiste. Ne nuk duhet të mbesim reciprokisht në frëngji për të qëlluar vetëm me deklarata. Nuk ka problem i cili nuk ka zgjidhje dhe natyrisht zgjidhja nuk vjen menjëherë për çdo problem; në radhë të parë duhet mirëkuptimi reciprok, besimi reciprok, mosthënia e fjalës së fundit si fjalë e parë dhe, e përsëris edhe njëherë, shikimi vetëm përpara dhe jo mbrapa. Është tepër e vështirë dhe duhet shumë mund të krijohen marrëdhënie të mira, të forcohen ato, të jesh mik dhe partner i vërtetë dhe është shumë e lehtë t’i cenosh marrëdhëniet, t’i prishësh ato me qëndrime të papërgjegjshme apo me frymë agresive. Ne nuk duhet të kënaqemi që i shprehim qëndrimet tona për problemet që kemi, por duhet të kënaqemi kur të marrim përgjegjësinë dypalëshe për t’i zgjidhur ato.
Duke patur parasysh tërësinë e problemeve që u përmendën më sipër, si gjykoni se duhet pritur presidenca greke e BE-së për ecurinë e procesit të Integrimit të Shqipërisë?
Mendoj se duhet ta shfrytëzojmë mirë marrjen e Presidencës greke të BE-së, në fillim të janarit të vitit 2014 dhe po ashtu edhe më pas, presidencën italiane të gjashtë mujorit të dytë. Të mos harrojmë se greqia ka patur një koncept dhe axhendë europeiste që me Samitin e Selanikut në vitin 2003, kur mori presidencën e BEsë. Që nga ajo kohë edhe zhvillimet në rajon kanë ecur padyshim përpara. Ndaj jam i bindur se në gjashtë mujorin e presidencës greke të BEsë, Greqia do t’i kushtojë vëmendje konstante edhe problemeve që lidhen me integrimin evropian të Shqipërisë. Greqia asnjëherë nuk e ka penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin evropian të vendit tonë. Kësisoj nuk kemi pse t’i druhemi edhe fjalës së Greqisë në dhjetor të këtij viti. Kjo pasi edhe vetë Greqia është shumë e interesuar që fqinji i sja verior, një vend mik si Shqipëria, të jetë i anëtarësuar në BE.
Z. Zeneli po flitet së fundmi për partneritet strategjik dhe për një marrëdhënie preferenciale me Turqinë. Si ndikon kjo në klimën e përgjithshme rajonale?
Unë kam mendimin se rajoni i Ballkanit e ka marrë rrugën e vet të anëtarësimit në strukturat euroatlantike; Ballkani nuk është më as rajoni i një dekade më parë. Vëmendja e SHBA-ve dhe BE-së për të integruar rajonin ka qenë e veçantë. Nga ana tjetër, nuk mund të ketë Europë të civilizuar jashtë përfshirjes së Ballkanit në gjirin e saj. Në këtë kuadër është për t’u vlerësuar Politika e Jashtme e Shqipërisë në marrëdhëniet me fqinjët, e cila i ka shërbyer stabilitetit rajonal. Është e natyrshme që për interesa apo fusha të caktuara, mundet që të kesh marrëdhënie preferenciale me njërin, apo tjetrin shtet, por politikisht, nuk ka vend, as për të nxitur xhelozinë dhe aq më keq, për t’i shkelur sot syrin njërit dhe nesër tjetrit.
Ligji i luftës, çështja çame, pakti detar dhe vizita e z.Papulias
Ju vlerësuat rolin e z. Papulias në raport me Shqipërinë. Çfarë konkretisht mund të thuhet për vullnetin e tij politik në funksion të përmirësimit të marrëdhënieve me vendin tonë gjatë këtyre viteve?
Këtu mund të kujtoj fillimin e mandatit të tij në Presidencën greke. Vetëm pak javë pasi kishte marrë detyrën, unë jam thirrur nga z. Papulias në një takim ku më shprehu kënaqësinë për një takim informal që do të kishte me Presidentin Alfred Moisiu. Kujtoj që më tha: “Dua ta filloj me Shqipërinë, si një vend që e vlerësoj shumë”. Kjo kërkesë u mirëprit nga presidenti Moisiu dhe takimi u zhvillua në Janinë. Kujtoj që u zhvillua një bisedë mjaft miqësore, shumë konstruktive dhe shumë e hapur. Të dy presidentët nuk patën nevojë të hapnin dosjet e përgatitura nga Ministritë e Jashtme. U zhvillua pra një bisedë shumë miqësore, pa harruar që në këtë frymë, nuk mbeti asnjë çështje pa u diskutuar në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Nëse marrim parasysh diskutimin publik në Shqipëri shpesh kur vjen puna për Greqinë kujtohet ligji i luftës, një ‘nyje’ historike që duket se ui vështirëson marrëdhëniet tona. Në fakt, a mund të themi se fqinji ynë jugor mban në fuqi një gjendje lufte me ne?
Unë nuk mund ta pranoj që ne jemi në gjendje lufte me Greqinë. Siç është e njohur, me një vendim të qeverisë greke të vitit 1987, kur ministër i Jashtëm ishte Papulias, është hequr ky ligj. Kemi një Traktat të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit të firmosur në vitin 1996, jemi të dyja vendet, anëtare të NATO-s, ulemi në një tavolinë në Bruksel, pra në këtë mënyrë nuk mund të them se jemi në gjendje lufte. Megjithatë, për të shmangur çdo keqkuptim, mendoj se kalimi në Parlament i heqjes së këtij ligji, do të ishte një hap shumë pozitiv edhe në planin politik, juridik, por mbi të gjitha, në dimensionin njerëzor midis popullit shqiptar dhe popullit grek, që nuk duhet kurrsesi ta mendojnë dhe gjykojnë veten si në gjendje lufte. Kjo mendoj se do t’i shërbente shumë forcimit të marrëdhënieve tona.
Akti i vitit 1987, i qeverisë greke, lidhet me emrin e z. Papulias. Mendoni se pezullimi i procedurave parlamentare lidhet edhe me situatën e brendshme të Greqisë, sesa nga mungesa e vullnetit politik?
Për t’u përgjigjur, dua të kujtoj atë që shprehu z. Papulias në takimin e sipërcituar me z. Moisiu në Janinë. Kur folëm për forcimin e marrëdhënieve z. Papulias tha se “atë ditë që qeveria hoqi ligjin e luftës, Athina u gdhi e mbushur me parulla armiqësore kundër meje, ku më quanin tradhtar. Jam akuzuar edhe nga shtypi, por ja, që sot, jemi bashkë në një tavolinë”. Në atë takim, z. Papulias i cilësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet tona dhe për herë të parë e vlerësoi Shqipërinë si një aleat strategjik. Një vlerësim që do ta përsëriste më vonë edhe kryeministri Karamanlis. A mund të shërbejë ky model edhe për tema të tilla si çështja çame apo marrëveshja detare? Pa asnjë diskutim që në këtë mënyrë duhen zgjidhur, me vullnet të mirë dhe duke u përpjekur që të shumohen pozicionet e kundërta.
Ditët e fundit shtypi ka publikuar një letër të diplomatëve të vjetër grekë për qeverinë, ku bëhen sugjerime dhe përkufizime për Shqipërinë të cilat nuk janë pritur mirë në opinion. Cili është gjykimi juaj për përmbajtjen e letrës?
Unë do ta gjykoja atë letër të diplomatëve grekë si shumë të lodhur për ta. Ato që kërkojnë dhe pretendojnë t’i rekomandojnë qeverisë së tyre, janë vërtet mjerane për diplomatë të karrierës. Diplomatët kur dalin në pension, si rregull, kapërcejnë edhe qëndrimet politike që kanë qenë të detyruar të zbatojnë, pra bëhen më të lirë. Unë njoh ambasadorë të Greqisë që kanë shërbyer në Shqipëri dhe që tani që janë në pension, flasin me një gjuhë europeiste dhe miqësore, të cilën shpesh e kanë të vështirë përdorin kur kanë qenë në detyrë.

No comments: