Sunday, May 25, 2014

A nuk duhet te marrin pjese gjithe Himarjotet ne nje lloj te tille referendumi?-Atehere venodosni ne Internet nje mundesi te tille votimi

Kokëdhima: Marrëveshja jonë për të rimëkëmbur pasuritë e banorëve të Himarës
Konferenca për Rehabilitimin Arktitektonik të Bregdetit (RAB), e iniciuar nga deputeti i Sarandës. Prezantohet projekti që do të zbatohet në zonën e Himarës. Banorët nënshkruajnë marrëveshjen për mbrojtjen e territorit nga ndërtimet abuzive, bathorizimi dhe betonizimi
Publikuar më 24.05.2014 | 14:53
 57  0
 
Etleva Bragjeçi
- Banorët e Himarës nënshkruan dje marrëveshjen për mbrojtjen e Bregut, si dhe zhvillimit të zonës turistike, duke hapur një faqe të re në historinë e zonës turistike, pas mëse dy dekadash shkatërrimi në arkitekturë dhe urbanistikë, që ka dhunuar ndërtimet karakteristike dhe historike të zonës. Konferencën për Rehabilitimin Arktitektonik të Bregdetit (RAB), projekt që do të zbatohet në zonën e Himarës dhe që u iniciua nga deputeti i Sarandës, z. Koço Kokëdhima, e hapi zv.ministri i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, z. Gjon Radovani, i cili e vuri theksin në rëndësinë e kësaj nisme gjithëpërfshirëse. Zv. ministri Radovani u shpreh se me ndërrimin e qeverisjes në Shqipëri ka ndërruar 180 gradë edhe mënyra e konceptimit për zhvillimin e vendit, pasi qytetarët marrin pjesë drejtpërdrejt në debatet dhe problematikat e vendit. Ndërsa kryetari i bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, i pranishëm në konferencë, tha se deri më tani në zonën e Himarës ka pasur ndërhyrje kaotike nga ana e banorëve, përsa i përket ndërtimit të banesave, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me arkitekturën institucionale dhe kanë prishur dhe dëmtuar ndërtimin arkitekturor të fshatrave të Himarës. Goro tha se fillimi i kësaj nisme nga zoti Kokëdhima është një moment historik, pasi qeveria aktuale i ka kthyer sytë nga kjo zonë, për ta pasuruar e për t’i ruajtur vlerat e saj. Kryetari i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve që ta mbrojnë territorin e tyre. Më pas e mori fjalën deputeti i PS-së në Sarandë, z.Koço Kokëdhima, që është edhe iniciator i nismës për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej fshatrat e Bregut, përmes zbatimit të projektit RAB.
Fjala e deputetit të Sarandës, z.Koço Kokëdhima 
Kjo konferencë është një mundësi që vetë banorët, të marrin pjesë drejtpërdrejt në bërjen e gjërave. Është shumë me rëndësi që në kulturën e punës të të gjitha organeve të pushtetit dhe veçanërisht të pushtetit vendor të ketë një bashkëbisedim të sinqertë dhe të hapur me të gjithë dhe t’i jepet përgjigje dhe zgjidhje kërkesave të drejta të njerëzve. Ne do ta bëjmë rregullisht këtë. Do të marrim seriozisht çdo ankesë dhe kërkesë të çdo qytetari, me qëllim që pushteti të jetë në shërbim të njerëzve. Dua t’ju falënderoj të gjithëve që jeni sot në këtë takim. Ne jemi të përgatitur dhe me vullnet për të përballuar sakrifica të mëdha. Dua që në emrin tuaj të falënderoj të gjithë miqtë që kanë ardhur sot këtu, një pjesë e të cilëve folën dhe dhanë kontributin e tyre, bënë edhe informim, dhanë gjykime, na hapën edhe horizontin për mënyrën si t’i bëjmë më mirë punët tona. Veçanërisht dua të falënderoj kryetarët e komunave të tjera që janë sot këtu të ftuar. Nuk do zgjatem tek tranzicioni dramatik i këtyre 25-viteve që kemi kaluar dhe as nuk dëshiroj që të jap këtu përgjigje veprimeve ose sjelljeve të diskutueshme të forcave të diskutueshme në këtë vend. Dua të shpreh këtu dëshirën se në qendër të bisedimeve tona do të jenë njerëzit e thjeshtë. Nuk do merremi me Saliun, do merremi me qytetarët dhe me nevojat e tyre. Nuk do humbasim kohën. Rruga jonë është që të përmbushim premtimet që i kemi bërë popullit në 23 qershor. Qeveria e Republikës së Shqipërisë, drejtuesit e koalicionit të majtë, kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta janë shumë të përkushtuar t’i kthejnë bregdetit në përgjithësi dhe Himarës në veçanti vëmendjen e munguar të gjithë këtyre viteve dhe mbështetjen e merituar. E gjithë periudha, pa filluar deri në fund të këtij 4-vjeçari zgjedhjesh, do t’i japë popullit të Himarës sprova të plota që ne do t’u përmbahemi të gjitha premtimeve që kemi bërë këtu. Kemi qenë në të gjitha fshatrat dhe kemi bërë premtime të cilave do t’u dalim për zot. Është në funksionim një program i qeverisë sonë që quhet Programi i Kapitaleve në Infrastrukturë. Në tre vitet e ardhshme në këtë program do të hidhen të gjitha vërejtjet që ka bërë populli i Himarës dhe i të gjithë fshatrave për ujësjellësa, kanalizime dhe ujëra të zeza. Në këto tre vite të mbetura qeveria jonë besoj se do t’i përmmushë të gjitha premtimet që i ka bërë popullit të Himarës në 23 qershor, mbajtur shënim në librin e artë të premtimeve elektorale të koalicionit të majtë. Edhe unë, si bir i Himarës, shpresoj dhe besoj të përfundoj të gjitha kërkesat që kanë fshatrat e Himarës për ujë me vetërrjedhje dhe me sasinë që i nevojitet. Nga vjeshta e këtij viti do të ulemi këmbëkryq për çështjen e pronave. Kryeministri ynë ju ka premtuar që do të pajisë me dokumentin e pronësisë çdo qytetar të Bregut me qëllim që ai t’i investojë gjithë energjinë e tij, mbështetjen e tij, financat e tij në pronën e vet dhe ta bëjë pronën si të dëshirojë ai. 
Nuk ka qenë e mundur këto muaj që ta çonim punën përpara, por i kemi premtuar kryetarit të bashkisë se brenda këtij viti do të fillojë kjo punë, me shpresë që në një vit ne ta kryejmë këtë kërkesë aq të domosdoshme të qytetarëve tanë. Ndoshta ne nuk i rregullojmë dot të gjtha paudhësitë që janë bërë me pronat, por dua t’ju garantoj për vendosmërinë e qeverisë që të rivendosë shumë të drejta sidomos me abuzimet e rënda që janë bërë nga shumë sekserë të qeverive të mëparshme, të cilët, në bashkëpunim edhe me një numër banorësh, kanë falsifikuar dhe kanë grabitur pronat e shtetit dhe të banorëve të kësaj zone. Kanë marrë pasuritë e më të dobtëve dhe në këto histori janë përfshirë jo vetëm të korruptuarit e qeverive që kaluan, por edhe banorët e zonës sonë, shumë herë edhe pushtetarë vendorë që kanë qeverisur këtë zonë, kryepleq, kryetarë komunash, kryetarë komisionesh. Ne do luftojmë që t’i rregullojmë sa më shumë këto padrejtësira. Nuk them që do t’i rregullojmë dot të gjitha, por nuk do të ngelet asnjë abuzim i madh të dhjetëra e më shumë hektarë, pa e kaluar në filtrin dhe në përpjekjen tonë në mënyrë që pasuria e grabitur t’i kthehet popullit. 
Është e vërtetë që po bëhet Reforma Territoriale dhe është e vërtetë që kjo është një ngjarje me shumë rëndësi për të gjithë Shqipërinë, por ne këtu flasim për rëndësinë që ka kjo ngjarje për popullin e Himarës dhe të fshatrave të bregut të detit. Himara nuk do të ndjekë dëshirat e asnjë personi politik për interesa partiake dhe politike, por do të ndjekë interesat e popullit të vet. Duhet të ndjekë interesat e ekonomisë së vet, do të ndjekë interesat për sot dhe vitet e ardhshme. Ne kemi nevojë për një jetë më të mire të popullit tonë, edhe për kullota edhe për pyje, edhe për ujëra. Kemi nevojë për një bashki të një niveli më të lartë, kemi nevojë për një fuqi më të mirë drejtuese, kemi nevojë për një ekonomi më të mirë. Këto interesa do të ndjekin këtë reformë. Do t’i japim çfarë i takon Himarës pa pasur merakun se asnjë nuk mund të cënohet nga interesat e tij partiake. Qeveria do të ndjekë dhe do të mbështesë nevojën, dëshirën dhe interesin e popullit të Himarës. Projekti që u prezantua sot këtu është Rehabilitimi Arkitekturor i Fshatrave të Bregut. Janë bërë në këto vite shumë dëme përgjithësisht fatmirësisht të kthyeshme, të korrigjueshme, ndoshta jo plotësisht në pjesën më të madhe. Dhe ky është lajmi më i gëzuar që kemi pas këtij shkatërrimi që ndodhi këto 25 vite të kaluara. 
Sot duhet të shqyrtojmë, pavarësisht nga kostot e këtij momenti, çdo volum ndërtimi që është bërë në këto vite, çdo ndërtesë dhe çdo mur me themel duhet të analizohet nga ekspertët, specialistët dhe arkitektët. Dhe nëse ky ndërtim dhe volum, është i papërmirësueshëm, i parikuperueshëm, nuk mund të përshtatet me atë si do të donim të bëhej ky vend, ai do të hiqet sigurisht, do të pastrohet. Por çdo objekt tjetër që mund të përmirësohet, diku në një çati, diku një gjysmë kati më pak, diku duke i rregulluar ballkonet, diku duke i veshur me gurë, diku duke përdorur një pergolatë druri, diku duke hequr një cep apo një shtesë. Atëhere për këto do të përdoren ato vizatimet e sakta nga specialistët e t’i thuhet fshatarit: Po, kështu duhet të bëhet ndërtesa jote! Kjo ndërtesë duhet të hyjë në procesin e rehabilitimit, e ndryshimit, e përmirësimit. Në fund të këtij procesi ne duhet të kemi një ansambël ndërtesash në breg të detit si kjo gjëja këtu (drejtohet nga projekti) që siç e shpjegoi Shkreli, është me ndërtime kaq të thjeshta, por është kaq e mrekullueshme dhe mund të prodhojë shumë të mira për banorët tanë. 
RAB nuk është një projekt politik, një projekt ekonomik, por është një projekt për pasuri. Ëndrra për pasuri nuk është një ëndërr e keqe dhe nuk është turp për ata që e ndjekin dhe që frymëzohen nga ëndrra për pasuri. Por e dënueshme është kur ëndrrën tënde për pasuri e mbështet në ëndrrën për shkatërrimin e banorëve të tjerë. E pranueshme dhe e kërkueshme është që ta ndjekin ëndrrën për pasuri, duke prodhuar pasuri edhe për të tjerët, duke i rritur vlerën gjithë vendit, gjithë komshinjve, duke i rritur vlerën fshatrave dhe banorëve. Pasuria e Himarës, për banorët e zonës tonë është shtëpia dhe toka. Banorët e zonës sonë nuk janë kapitalistë, nuk kanë ndërmarrje të mëdha dhe shumica e tyre nuk do të kenë ndërmarrje të mëdha. Ata nuk do të jenë as punëdhënës të mëdhenj. Në jetën e tyre, shumica e banorëve të kësaj zone, kur të bëjnë bilancin e jetës së tyre, do të kenë shtëpinë dhe tokën e vetë. Ky është krimi më i rëndë që u bë në këto 25 vite, që banorëve të pafajshëm iu bie çmimi i shtëpisë çdo ditë, iu bie çmimi i tokës çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit. Pse? Iu bie nga gjithë ky invazion bathorizues dhe betonizues që bëhet gjithandej. Iu bie nga abuzimet e atyre që autorizojnë ndërtime dhe që nuk kanë fuqi që t’i ndalojnë ndërtimet abuzive. I kamuflojnë interesat e tyre në heshtje, i hapin rrugë këtij krimi mjedisor, këtij krimi për pasurinë dhe për xhepat e qytetarëve. Populli i Himarës dhe i fshatrave tona varfërohet çdo ditë sepse është rrezikuar cilësia e pasurisë. Çdo ditë që kalon, planeti ynë bëhet më i vogël. Logjika është që pasuritë e patundshme dhe shtëpitë të bëhen më të shtrenjta, që do të thotë që çdo qytetar duhet të ketë më shumë para çdo ditë të jetës që kalon. Tek ne ka ndodhur e kundërta. Çdo ditë që kalon, qytetari po varfërohet. Ky është problem i madh që kemi, e ne duhet ta ndryshojmë këtë trend. Të bëjmë që çdo ditë që kalon pasuritë e popullit të bregdetit të shtohen pavarësisht sesa atraksion prodhojnë ato përmes shfrytëzimit për turizëm ose për interesa të tjera ekonomike. Për këtë shkak, ky projekt është një projekt ekonomik, e jo një projekt për të prishur pasuritë e dikujt, as për të shkatërruar ndonjë kundërshtar, siç përpiqet ta diskretitojë Saliu këtë iniciativë dhe këtë kërkesë dhe nevojë që është në shërbim të popullit tonë këtu. Për ta rimëkëmbur dhe për ta ngritur Bregun e gjunjëzuar nga varfëria dhe papunësia në një nivel që i shkon për shtat këtij vendi. Të parët tanë na lanë një kulturë, një histori, një natyrë dhe një trashëgimi. Këto fshatra të mrekullueshme vetëm i kemi ndyrë, i kemi dëmtuar dhe i kemi shëmtuar në këto 25 vite. Do t’i çlirojmë nga shëmtimi, zotërinj. Nuk kemi qejf të prishim ndonjë ndërtesë, as t’i bëjmë dëm ndonjë kundërshtari si Saliu. Ne kemi dëshirë të ndihmojmë njerëzit tanë të pasurohen, të realizojnë ëndrrat e tyre për një jetë njerëzore që është e shkurtër. Ne duhet t’i ndihmojmë që t’i bëjnë realitet. Qeveria do të mbështesë financiarisht ndërtimin arkitekturor të bregdetit, që do të thotë se ne do t’i mbështesim shtëpitë që duhet të përmirësojmë. Nëse një shtëpi është dëmtuar gjatë viteve, por ajo është e ligjshme, është shtëpi e trashëgueshme, është shtëpi historike, ose është shtëpi e bëshme, atëhere qeveria do të hartojë disa programe dhe do të financojë në një nivel nxitës iniciativën e banorëve për t’i ribërë këto ndërtesa siç do të duhet të ishin dhe siç do të ishin shumë të kërkuar në treg dhe do të qarkulloheshin me një çmim shumë të lartë. Nuk do të futem në detaje se cilat do të jenë skemat e mbështetjes. Por dua të vë theksin në një çështje që është themelore. Nuk vazhdon dot ky projekt njëkohësisht me zakonin e keq për të vazhduar prishjet. Nuk e rregullojmë dot duke vazhduar akoma prishjet. Nuk i rregullojmë dot fshatrat historikë, duke vazhduar që çdo person është i zoti për ta bërë atë punë, të bëjë shtëpinë e tij pa pyetur për të tjerët. Foli sot këtu dhe tha një fjalë shumë të mënçur Piro Thoma. Ai ansambli tradicional i fshatrave të Bregut dëshmon shumë mirë se sa shumë respekt dhe pasuri kanë pasur njerëzit tonë që kanë ndërtuar natyrën për bashkëjetesën dhe për banorët e tjerë, për komunitetin e tyre. Prandaj kurrë jetën e tyre nuk e kanë bazuar në shkatërrimin e të tjerëve. Nuk mund të ndërtojmë dhe rindërtojmë nëqoftëse vazhdon ndërtimi pa leje këtu, nëqoftëse bëjmë themele nëpër fusha me ullinj, nëqoftëse hyjmë nëpër fshatrat tradicionalë dhe bëjmë ndërtesa të paautorizuara. Prandaj dua t’ju them se jemi në besë të njëri-tjetrit. Kush do të bëjë një ndërtim pa leje, do të rrafshohet ndërtimi që do të bëjë. Mos u gënjeni nga lojrat e Saliut nëpër vite se Saliu edhe shtëpisë së tij i ka shtuar një kat betoni. Ai është i infektuar nga kultura e betonizimit. Mos u nisni nga historitë e Saliut, i cili çdo dy vite bënte nga një legalizim. Çdo dy vjet u thoshte: Ndërtoni, vazhdoni të shkatërroni pasuritë tuaja. Mbretërinë e vetë Saliu e ndërtoi mbi injorancën dhe varfërinë. Instiktivisht ai e udhëhoqi zhvillimin e këtij vendi drejt varfërisë. Ne nuk do të vazhdojmë këtë rrugë. Mos të gënjehen njerëzit se do të vazhdojnë ndërtimet pa leje. Kjo ditë dua që të fiksohet në kokën e të gjithëve ne e t’ia bëjmë të qartë të gjithë burrave dhe grave të Bregut si një ditë që ne e kemi mbyllur një histori të errët që kaluam në këto 20-30 vite. Historinë e vetëshkatërrimit, ku shkatërruam pasuritë tona me duart tona me ato ndërhyrje brutale të gjithë sekserëve të ministrave në këtë vend të Saliut. Ne duhet që të bëjmë sot këtë marrëveshje që këtej e tutje të mos lejojmë më as pushtetarë, as të Tiranës e as të Himarës të vënë dorë mbi pasuritë e këtij populli. Nuk na mbrojnë dot pushtetarët, nuk e mbrojnë Himarën pushtetarët. Ju do ta mbroni Himarën! Nëse e doni pasurinë tuaj, familjen tuaj dhe interesin tuaj. Nuk do ta na e mbrojnë Himarën as policët e as shtetarët. Edhe pse secili prej tyre do të duhet të bëjë detyrën e vet dhe me siguri do ta bëjnë detyrën e tyre. Por të gjithë do ta bëjnë detyrën e tyre kur të shikojnë që ngrihet në këmbë një popull i vetëdijshëm për interesat dhe pasuritë e tij dhe që nuk do të lejojmë gjërat që u bënë në këto vite. Prandaj edhe kemi përgatitur një letër simbolike e cila shpreh pikërisht këtë koncept. 

No comments: