Monday, May 26, 2014

Andrea Marto: Himara jo me Vranishtin, himarjotët nuk janë vlonjatë. Vasil Bollano: Për Himarën jemi gati ta braktisim Qeverinë.

Deputeti socialist Andrea Marto vlerëson se Himara në ndarjen e re territoriale duhet të jetë një qendër bashkie më vete që bashkon sot gjithë fshatrat e Himarës së dikurshme, përfshi këtu edhe fshatrat që sot përfshihen në komunën e Lukovës. Pavarësisht se mbështet mënyrën sesi janë trajtuar zonat minoritare në këto projekte, ai thekson se sa i përket Himarës, ajo megjithëse nuk është një zonë me shumicë të theksuar minoritare, duhet trajtuar me kujdes, në mënyrë që ndarja e re të marrë parasysh historinë, traditën dhe kulturën e kësaj zone. Në këtë mënyrë ai lë të kuptohet qartë se Himara mund të jetë bashkë me Lukovën, por jo me Vranishtin siç edhe propozohet, kjo për arsye se banorët e Vranishtit e konsiderojnë veten vlonjatë, ndërsa ata të Himarës, himarjotë. Kjo në fakt nuk është as më pak dhe as më shumë sesa varianti i pestë i propozuar nga qeveria, ai me 63 njësi vendore, ku Himara propozohej të ishte bashki më vete së bashku me Lukovën.


Zoti Marto, ju jeni pjesë e komisionit për Reformën Territoriale, ndaj doja t’ju pyesja si i konsideroni dy variantet që ka përzgjedhur komisioni; ai me 39 dhe ai me 47 njësi. Keni qenë ju dakord me këtë zgjedhje?
Unë duke qenë pjesë e komisionit, jam dhe pjesë e vendimmarrjes. I kemi gjykuar më të mirat, prandaj dhe kemi vendosur për to.
Por cili do ishte më i mirë për ju, ai me 39 apo ai me 47 njësi, apo preferoni një variant të ndërmjetëm?
Diçka të ndërmjetme. Mund të bëhet ndonjë shtesë mbi 39, por duke mos shkuar 47.
Zoti Marto, ju në opinion njiheni edhe si një deputet minoritar, pavarësisht se kandiduat me listat e PS-së. Ndaj dua t’ju pyes edhe si përfaqësues i interesave të minoritetit…
Jo, unë jam një përfaqësues i PS-së dhe i zgjedhur dhe nga minoritarët.
Gjithsesi mbroni më shumë interesat e minoritarëve…
Interesat e minoritarëve i mbron edhe mazhoranca. Gjithsesi, doja të thosha që zgjidhjet që ka dhënë qeveria për zonat minoritare, konkretisht për zonën Delvinë-Sarandë, për 5 komunat minoritare që u bashkuan në një bashki, po ashtu 3 komunat në Gjirokastër ato të Dropullit dhe Pogonit që u bashkuan në një njësi më vete dhe një komunë tjetër që është lënë në Pustec, janë një veprim perëndimor i mazhorancës aktuale, europianizues me pak fjalë, dhe në përputhje me Konventën kuadër të Këshillit të Europës.
Po sa i përket Bashkisë së Himarës?
Është diskutuar që Himara, sipas ndarjes së re administrative-territoriale duhet të jetë qendër e një njësie të re, por cila do të jetë përbërja territoriale e saj, kjo do të diskutohet.
Po mënyra sesi është propozuar në variantin e tretë, se në këtë variant del për herë të parë si njësi më vete, duke patur në përbërje të saj edhe fshatrat që përfshihen sot në komunën e Vranishtit dhe ato të Lukovës, është e pranueshme për ju?
Çështja e Himarës është në diskutim dhe unë nuk mund të shprehem deri më tani dhe nuk shpreh mendimin e OMONIA-s apo PBDNJ-së. Them se ka vend për diskutim, por besoj se do gjendet një zgjidhje e arsyeshme, duke parë edhe karakteristikat e krahinës, historinë, që të jetë një zonë funksionale etj. Pra ka një diskutim të gjerë dhe besoj se do gjendet zgjidhja më e arsyeshme.
Një nga kriteret bazë që përcaktoi fillimisht komisioni ishte dhe ajo që, njësitë e reja të kishin një traditë, kulturë apo histori. Në rastin konkret, Vranishti me Himarën apo Lukova me Himarën kanë tradita të përafërta që mund t’i bëjnë ato të jenë bashkë në një njësi të re administrative?
Lukova me Himarën kanë shumë të përbashkëta. Me Vranishtin nuk e njoh mirë, ndaj është e diskutueshme. Kjo sepse kur thuhet Lukovë, diskutohet për një zonë që shtrihet apo që ka pjesë të saj Borshin dhe që vjen deri në Nivicë afër Sarandës, që dikur kanë qenë pjesë e Himarës.
Ndërkohë që Vranishti njihet si pjesë e Vlorës…
Është pjesë e Vlorës, është gjeografikisht nga ana tjetër e vargmalit. Por dua të them se nuk jam në gjendje që të jap një vlerësim përfundimtar. Por besoj se është një çështje që duhet trajtuar me gjakftohtësi dhe pa u ngarkuar me këto pasionet nacionaliste. Në rastin e Himarës nuk bëhet fjalë për një zonë që ka shumicë dërmuese minoritare, siç është rasti i Dropullit, Pustecit apo zonës Delvinë-Sarandë. Këtu kemi një zonë që ka një shtrirje të madhe, që një pjesë janë siç deklarojnë me origjinë greke, një pjesë janë ortodoksë, por jo me origjinë greke, një pjesë janë me besim fetar tjetër. Domethënë që nuk ka pse të fokusohemi vetëm tek Himara.
Pra nuk duhet të trajtohet si një zonë minoritare?
Jo, unë them që Himara duke patur një histori të gjatë, duhet të jetë një zonë më vete, ku të jetë qendër e një bashkie të re. Sesi do jetë përbërja e bashkisë, kjo duhet të diskutohet. Himarjoti me vlonjatin kanë një diferencë. Unë nuk i futem etnikisht problemit, sepse ai që është nga zonat apo fshatrat rreth Himarës thotë unë jam himarjot dhe nuk thotë si ai matanë malit, që thotë unë jam vlonjat. Në këtë këndvështrim historik, ekonomik e gjeografik, them se Himara për bukuri do të ishte një njësi më vete.

Gazeta Mapo.

Kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” paralajmëron se do të mbajë tjetër qëndrim nga mazhoranca nëse nuk merren parasysh propozimet e tyre. 

Në kërkesën zyrtare të dërguar ministrit Blendi Çuçi, OMONIA shprehet se duhet të miratohet varianti i pestë, i parashikuar nga qeveria, përsa i përket reformës territoriale. 

Në këtë propozim bëhet një ndarje e Himarës nga krahina labe e Vranishtit dhe Kurveleshit, duke lënë zonat Himarë dhe Lukovë si njësi më vete.
Krahas kësaj, Bollano theksoi se për këtë reformë, Organizata Minoriteti Etnik Grek, OMONIA dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kanë depozituar një kërkesë pranë Ministrit për Çështjet Vendore, për të bërë ndryshime në ndarjen e re territoriale në zonat minoritare greke dhe me disa shtesa të tjera.

Zoti Bollano, çfarë qëndrimi mban OMONIA përsa i përket nismës së qeverisë për ndarjen e re territoriale dhe për deklaratat që janë bërë për zonën e Himarës?

Për deklaratat e bëra për zonën e Himarës jam njohur nga raportimet mediatike dhe jo zyrtare. Ne mbështesim reformën territoriale, por për zonën minoritare kërkojmë që të miratohet varianti i pestë me disa ndryshime.

Çfarë përmbajnë këto ndryshimet të kërkuara nga OMONIA dhe a ka një bashkërendim të veprimtarisë së OMEG dhe PBDNJ-së në çështjen e reformës territoriale?

Kemi dërguar një shkresë zyrtare ministrit përkatës. Ne mbështesim variantin e 5 me 63 njësi vendore përsa i përket ndarjes së minoritetit etnik grek. Krahas kësaj, këtë variant e mbështesim së bashku me disa ndryshime që do t’i bëjmë publik në ditët në vijim. Deputeti që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipëri, Vangjel Dule, do të paraqesë këto kërkesa tona pranë parlamentit. Ne, Organizata Minoriteti Etnik Grek dhe OMONIA kërkojmë që të miratohet varianti i pestë.

Po për deklaratat e bëra nga deputeti Spartak Braho ku ka theksuar se mund të bëhet një aneksim i zonës së Himarës duke ju akuzuar?

Deklaratat e zotit Braho janë mediatike, nuk i kam ndjekur dhe nuk dua të bëj asnjë koment për to.  

Shqiptarja.com

No comments: