Tuesday, September 12, 2006

F. Lubonja per trashegimine kulturore greke

Në shumë shkrime tuajat flitet për një “problem kulturor” kur trajtohen çështjet e zhvillimeve në vend. Ky duket sikur bije në kundërshtim me agresivitetin që tregoni ndaj politikanëve kur shprehni pakënaqësinë apo dhe revoltën ndaj tyre. Komenti juaj?

Vazhdimi i pyetjes suaj do të ishte: a janë politikanët një pasqyrë e kulturës së shoqërisë e prandja s’kemi pse ankohemi aq shumë për ta apo duhet të jenë ata protagonistët e ndryshimit, e, prandaj, duhet të ankohemi edhe më fort? Është një pyetje e njohur ndaj së cilës vështirës se do të gjeja një përgjigje më të mirë sesa atë që i ka dhënë Haveli kur thotë: “Thuhet se një komb ka politikanët që meriton. Në një kuptim kjo është e vërtetë: politikanët janë vërtetë një pasqyrë e shoqërisë së tyre dhe një lloj trupëzimi i potencialeve të saj. Në të njëjtën kohë edhe e kundërta është e vërtetë: shoqëria është pasqyra e politikanëve të saj. Varet shumë nga politikanët se cilat forca njerëzore zgjedhin për të çliruar dhe cilat zgjedhin për të shtypur; nëse ata bazohen tek e mira e secilit qytetar, apo tek e keqja. Regjimi i kaluar [komunist] sistematikisht mobilizonte cilësitë njerëzore më të këqia, si egoizmi, zilia dhe urrejtja. Ai regjim ishte shumë më tepër se sa ajo që meritonim; ai ishte përgjegjës për atë çfarë u bëmë. Prandaj ata që janë në politikë kanë një përgjegjësi të lartë për gjendjen morale të shoqërisë dhe është përgjegjësia e tyre për të kërkruar më të mirën në shoqëri për ta zhvilluar dhe fuqizuar atë.”
Në thelb, pra, kemi një bashkëveprim për mirë ose për keq midis politikanit (por edhe njeriut publik në përgjithësi dmth. edhe intelektualit artistit etj.) dhe shoqërisë. E në kontekstin e këtij bashkveprimi, meqë pyetja juaj lidhet me kulturën, nuk mund të mos sjell në kujtesë se demokracia më e vjetër që njohim, ajo greke ishte njëherësh rezultat dhe krijuese e një kulture të re si rezultat i bashkveprimit. Eskili ngriti pyetjen: si mund ta përmirësojmë teatrin grek që është me një personazh që flet dhe korin? Përgjigja është duke shtuar një personazh tjetër. Kështu do të kemi bashkbisedim. Dhe po të vemë re bashkbisedimi, diskutimi janë shpirti i kulturës greke. Dialogjet e Platonit ngrihen mbi idenë gjeniale se e vërteta nuk mund të ekzistojnë vetëm në një anë, por ndërmjet palëve, dmth tek ai që ndryshe e quajmë ndërsubjektivitet. Kur dy persona flasin apo kur dy grupime ballafaqohen e vërteta është e pranishme, por asnjëri prej të dyve nuk e posedon tërësisht. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të grekëve që ka ndihmuar njerëzimit të krijojë ndjenjën se demokracia është e pandashme nga diskutimi e debati, nga principi që të gjithë kanë të drejtë të dëgjohen. Grekët mendonin se e gjithë kultura është politikë, sepse të gjithë së bashku po krijojmë një shoqëri dhe kultura është ajo që na bashkon. Kultura është mënyra jonë e të komunikuarit midis nesh – është një akt me natyrë shoqërore – prandaj dhe është, pa dyshim edhe një aktivitet politik. Ja, në këtë kuptim që tingëllon aq i vërtetë për ne sot, po të kemi parasysh mungesën dramatike të aftësisë për të krijuar kulturën e bashkbisedimit e bashkveprimit, them se problemet tona janë thellë thellë probleme kulturore.

Rubrika Përpjekja, Standart
26 gusht 2006

No comments: