Thursday, September 14, 2006

Meditim ne nje koncert

Kapërxeva shkallët e mermerta të Megara Muzikis-Pallatit të muzikës ndër spektatorët e parë. Aty do të jepej një koncert nga Orkestra Shtetërore e Harqeve e Shqiperise që kishte funksion të dyfishtë, për nder të kryeminisrit shqiptar Sali Berisha dhe njëkohësisht të ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës (12 shtator). Zbrita në sallën që kishte një kapacietet rreth dyqind vende dhe u ula diku nga mesi. Ndërsa fillova të njihesha me programin, u ndala tek një emër, artistin e mirënjohur shqiptar Renato Ripo. Dhe padashur u hodha në kujtesen time njëzet vite më parë, në vjeshtën e 1986. Ishte po prapë Renato Ripo në një nga sallat e Uneskos në Paris që do të jepte një koncert së bashku me një pjesë të Ansamblit Shqiptar të këngëve dhe valleve. Ishte java e artit shqiptar në Paris e promovuar nga Unesko. Disa dite para koncertit shoqërova një të njohurin e tij per një visitë në godinën ku jetonte, një godinë studentëesh por që në holl dukej se këtu jetonin artistet e ardhshëm. Një tablo e madhe rreth dy metra ku piktori kishte pikturuar nje plakë lakuriq e mirseardhte vizitorin. Ndonse piktura kishte detaje vërtetësie mua personalisht më ngjalli një far neverie dhe ktheva kokën nga dritarja për të mos parë këtë pamje të shëmtuar. O zot, mendova, dikur piktorët “gjuanin” vajza të bukura per t'i përjetësuar në telajon e tyre, tani ata gjuajnë plakat në buzë të varrit. Renato po zbriste dhe e kuptoi turbullimin tim. “Estetizimi i së shëmtuarës!..” më tha shoku që shoqëroja- Dekandetizëm...
Ndërkaq orkestra zuri vend dhe filloi të lëshonte tingujt e fundit akordues dhe vëmendja ime u rrikthye në sallë që pa e kuptuar ishte mbushur plot. Për disa minuta u dëgjuan duartrokitje dhe spektatorët që ishin diçka më shumë se të tillë, kishin ardhur për të nderuar kryeminstrin e tyre, u ngritën në këmbë. Në rreshtin tjetër dallova siluetën e kryeministrit që për të parën herë ndodhej aq afër meje.
Ndërkaq koncerti filloi, dirigjenti që siç mora vesh nga programi ishte Ylli Leka së bashku me orkestrën e pushtuan krejt sallën me muzikën e tyre dhe ata në këto momente ishin njerezit më të shquar të sallës. Interpretimi i dyte ishte ai Renatos. Flokët e tij paksa të gjata i derdheshin prapa dhe më duhet të pranoj se e kisha harruar krejt fytyrën. Por virtuoziteti i tij ishte rritur. Ndonse ai kishte dhënë dhe herë tjetër program në Megaro muzikis në Athinë, unë nuk pata rastin ta shihja, kështu që padashur ne kujtesën time rilidhej koncerti i sotëm me atë në Paris. Edhe atëherë mbaj mend se u duartrokit mjaf. Por dëgjues shqiptarë aty ishin shume pak, as 15 veta aq sa ishin stduentët shqiptarë në Paris, kurse të tjerët ishin artdashës parisianë apo nga shtete të tjera. Edhe Irma Liboova ishte duatrokitur nxehtësisht dhe megjithë theksin jo francez kur interpretoi një këngë të Edit Piaf dis zëra thërisnin “Manjifik” (madheshtore). Pastaj vazhduan këngët glorifikuese për ata që siç doli më vonë ishin shkakëtarët e një emigrimi te tillë masif por lumturisht francezët nuk e kuptonin tekstin e tyre se përndryshe do të na shihnin me mëshirim...
Kurse sot salla ishte thuajse e mbushur me shqiptarë, aq sa me dukej se isha në sallën e Teatrit te Operas dhe Baletit ne Tiranë. Pas tingujve të ëmbël ku veçanërisht më pëlqyen pjesët e Paganinit, koncerti simfonik u myll me një pjesë të Theodhorakit Salla u elektriziua fuqishëm duke shoqëruar me duartrokitje ritmin e muzikës greke që tashmë për emigrantët shqiptarë nuk konsiderohet më e huaj.
Koncerti mbaroi dhe, ndërsa po prisja në holl, doli përsëri kryeministri i shoqëruar nga eksorta mbrojtëse. Por aty në holl ai ndjeu nevojën për t’ju dhënë dorën të pranishmëve emigrantë. Noshta është nga herët e pakta mendova që nuk ka zhurmë, shperthime patetike dashurie ndaj kryeministrit ashtu siç janë mësuar shqiptarët. Vetëm duartrokitje simbolike. E ndërsa i shtrëngoja dorën kryeministrit e harrova milionëshin që më gllabëruan piramidat dhe pensionin qesharak të nënës sime që matematikisht i del vetëm për të ngrënë bukë thatë. Mendova: shqiptarët tani më janë shëruar nga adhurimi i kultit të individit. Edhe kjo përbën një shënjë të integrimit të tyre drejt Europës. Më së fundi do ta vleresojmë të parin e shtetit amë sa është ai rezultativ në punë e tij.
Ishte hera e parë që kryemistri shqiptar shkelte në Greqinë ku punojnë më shumë se 600 000 emigrantë. E ndërsa pas 92 shqiptarët here me pasaportë dhe herë pa pasaportë ishin liruar nga vargojtë dhe derdhshin kufijve, e vetmja ofertë e shtetit shqiptar për shtetasit e vet ishte papunësia dhe pasiguria për bukën e përditëshme. E gjyhnaqarët emigrantë e të paligjshëm, të ndodhur nën furinë e fshesës së policisë, që shpesh e kishte burimin e aplifikimit pikërisht tek ky kryemistër me te cilin dëgjuan sot një kocert simfonik. Pra kohët ndryshuan. Edhe ata, emigrantët, e ndjejnë veten pjesë e Greqisë dhe presin nga ky kryeminister të nënëshkruajë marrëveshje për njohjen e punës në Greqi për efekt pensioni dhe për të hedhur ura të tjera bashkëpunimi. Presin dhe plot mareveshje të tjera që të vadisin ëndrën e kthimit në vatrat e tyre....

M. Gjoka
Athine 12-09-2006

No comments: