Wednesday, October 04, 2006

"Rebelim i domosdoshem" ne Qeparo

Mesuesi i matematikes Polo Kondi del ne pension dhe sillet nje analfabet per te dhene mesim ne vend te tij (7x6=56!!!)(ndonse veterani Polo Kondi mun te lihej gjer ne nje kanidature te pershtateshme).Rivjen ne fuqi dejtoresha Sofika Todhri qe sjell keto trazira sic thote Bruna Prifti. Lexoni me poshte...

Ndërrimi i mësuesit të matematikës me një pa arsim, rebeloi nxënësit e prindërit.
Drejtoresha: Rebelim i qëllimshëm

Qeparo, nxënësit, 2 javë pa mësim
Prindërit: Nuk duam mësues analfabetë për fëmijët tanë. Kemi fëmijë të zgjuar dhe meritojnë më të mirët

Shkolla nisi zhurmshëm në Qeparo. Veçse jo nga entuziazmi i fillimit të një viti të ri, por nga paniku që mbërtheu nxënësit dhe rebelimi i prindërve me atë që po ndodhte në shkollën ku edhe vetë kishin mësuar. Prej dy javësh, në ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare “Niko Aleksi”, me 39 nxënës dhe vetëm 4 mësues, nuk është zhvilluar mësim. Gjithçka erdhi pas ndërrimit të stafit mësimor. Sikur ta dëgjosh së jashtmi, të duket absurde. Por është ndryshe teksa i dëgjon prindërit të flasin me zëmër dhe sheh nxënësit të përloten kur tregojnë. Të dytët janë vetëm të etur të nxënë, ndërsa prindërit, të vendosur të japin ç’kanë më të shtrenjtë që bijtë e tyre të shkollohen siç duhet.

Ndryshimet
Janë zëvendësuar mësues të aftë me mësues të paaftë. Ky është shqetësimi i prindërve, pas ankesave që shfaqën vetë nxënësit, që në këto ditë pa shkollë, iu drejtuan Himarës për të zhvilluar mësim. Por për drejtoreshën Sofika Todhëri, gjithë këto janë thjesht pretekste, me qëllim mbylljen e shkollës në Qeparo. Ajo pranon se stafi nuk është ai që duhet të jetë, por shton se në një shkollë të tillë, me kaq pak nxënës, është mjaftueshëm i kualifikuar. “Nuk di nëse ndonjë tjetër shkollë si jona e ka stafin të gjithë të kualifikuar. Ndërkohë që këtu, unë jam me shkollë të lartë, edukatorja gjithashtu, ndërsa mësuesja e gjuhë-letërsisë me institut dyvjeçar. Vetëm mësuesja e matematikës ishte me të mesme, por me rezultate të mira”, - thotë ajo. “E sollën mësuesin nga Himara me shkollë të lartë për matematikë, por këta sërish nuk e duan. Ju siguroj që e gjithë kjo bëhet për të tjera qëllime dhe është iniciuar nga një grupim antishqiptar”, - deklaron Todhëri, duke akuzuar prindër e fëmijë.
Akuzë që i ka prekur fort banorët. Ndryshe nga deklarata e drejtoreshës, prindërit thonë se një mësues i profilit, si ai që erdhi nga Himara, është më se i mirëpritur”. “Natyrisht që e pranojmë dhe do t’i dërgojmë fëmijët në shkollë. Ndërkohë që kemi kërkuar nga seksioni i arsimit të na sjellin të tjerë mësues të kualifikuar”, - thotë kryeplaku i fshatit, Stefan Kokëdhima, njëherësh prind. Por pas asaj që pësuan, kanë vendosur të rrinë në pritje. Kryeplaku dhe të gjithë të tjerët pranojnë se, nëse kjo është e përkohshme, ata do të fillojnë edhe njëherë protestat. Që këtë radhë bëhen në emër të një misioni të madh, dijes së fëmijëve të kësaj zone të mbytur nga emigracioni.

Prindërit: S’duan mësues analfabetë
Mësuesi i matematikës, (ish-drejtori i shkollës), pasi doli në pension, u zëvendësua me një mësues me arsim të mesëm. Sipas prindërve të Qeparoit, mirë që nuk kishte arsimin e duhur, por zëvendësuesi nuk dinte as tabelën e shumëzimit. Foro Leka, ish-mësues i fillores në këtë shkollë, nuk e ka fshehur inatin që i bëri t’i kërcente një damar në ballë, kur djali, me sinqeritetin e një fëmije, i tregoi se, sipas mësuesit të ri të matematikës, 6 x 8 = 56....
Për këtë, ai si edhe të gjithë banorët e tjerë, bëjnë me faj drejtoreshën e shkollës, e cila bëri lëvizje krejt të pabaza. Pas mësuesit u hoq edhe një tjetër arsimtare, gjithashtu me përvojë. “U zëvendësuan mësues të aftë me të paaftë. U bënë lëvizje në emër të daljes në pension dhe u soll një mësuese që ka 16 vjet që nuk ka qenë më në arsim”, - thotë ai, mbështetur nga të tjerët që i ka mbërthyer i njëjti shqetësim. “Ne nuk jemi fanatikë për ndryshimet, por nuk pajtohemi që fëmijët tanë t’i mësojnë mësues analfabetë”, - thotë Leka, duke numëruar probleme pa fund që e kanë zënë për fyti mësimdhënien në këtë anë deti. Por që lumnisht, nuk i ka bërë të bien në pesimizëm. Pranojnë se kanë fëmijë të zgjuar dhe nuk janë vend i humbur. Dhe nuk ka sesi. “Luftojnë” për fëmijët, që e duan shkollën.

Stefan Kokëdhima: Fëmijët kërkojnë mësim cilësor, asgjë më shumë
“Në shkollën 9-vjeçare të Qeparoit kishin sjellë mësues matematike që nuk dinë tabelën e shumëzimit. Për këtë ne u revoltuam si prindër bashkë me fëmijët dhe kur nuk gjetëm zgjidhje, vendosëm që t’i nisim në shkollën 9-vjeçare të Himarës me qendër në Spile, jo me mendimet dhe idetë që ka dhënë drejtoresha, si shkollë greke, por për të qenë në shkollën shqipe, në Himarë”, - kështu thotë kryeplaku i fshatit, duke pranuar se akuzat e bëra në emër të tyre dhe fëmijëve janë absurde. “Ne na vjen keq që jemi quajtur antishqiptarë, pasi ashtu ka quajtur edhe fëmijët tanë. Por që të ngatërrojmë fëmijët në politikë është gabim. Fëmijët kërkojnë vetëm mësim dhe asgjë më shumë”, - thotë ai, duke shtuar se kjo gjë është e turpshme, e nuk do shumë mund për t’u sqaruar. “Ne jemi ata që jemi, të nxjerrim pasaportat dhe të provojmë kush është shqiptar dhe kush jo”, - deklaron ai. E përshëndet zgjidhjen e bërë, për mësuesin e kualifikuar dhe kërkon të tjera ndryshime në emër të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies. Por nuk mund të tolerojë dot ndryshimet e bëra, që i quan të pabaza. Drejtoresha ka hequr një pensioniste që ka qenë në arsim gjithë jetën dhe ka vënë një pensioniste në gjuhë-letërsi, që ka 16 vjet që s’jep mësim. Pra, e kuptoni vetë çfarë zgjidhjeje është. Dhe tani që flasim bashkë, nuk ndodhet këtu, është jashtë territorit të vendit”, - thotë ai.


Nestur Vogli: “Sa për shqiptarizëm...”
Në Qeparo, të flasësh për antishqiptarë, është diçka absurde. Nestur Vogli i ka të tre fëmijët në këtë shkollë. I ka vajza dhe është krenar. Por ka një merak, si shumë baballarë. I do me shkollë. “Drejtoresha na akuzoi se duam mbylljen e shkollës dhe jemi antishqiptarë. Ne po të duam të çojmë fëmijët në shkollë greke, nuk marrim leje as nga drejtoresha, as nga babai i drejtoreshës që është sekretari i përgjithshëm i Omonias”, - thotë ai, duke shtuar se është ajo që i ka etiketuar ata dhe fëmijët antishqiptarë. “Është absurde të akuzosh fshatin për antishqiptarizëm, pasi jemi vend që doli 250 me zero kundër Omonias”, - thotë ai, duke e quajtur këtë, as më shumë e as më pak, por mbulim politik të situatës. Kjo akuzë e ka irrituar pa masë, ndonëse e marrin qetësisht. “Ne i kemi fëmijët këtu, ajo ku i ka?” - pyet ai. Ndërsa duke iu kthyer problemit real, që sipas tij dhe të gjithë të tjerëve nuk ka se si të ketë ngjyrime, pasi bëhet në emër të arsimit, pranon se ndryshimi i mësuesve ka qenë i pamotivuar. “Puna është që ajo ka hequr dy mësues që janë profesorë shumë të mirë, mësues që na kanë mësuar edhe ne, dhe nuk pruri ndonjë specialist që ka mbaruar shkollën tani, por pruri një që ka dalë në pension para 16 vjetësh. Ky është ndryshimi”, - deklaron ai, duke mos dashur t’i shtojë asnjë presje kësaj të vërtete.

54 fëmijë numërohen gjithë-gjithë në shkollën 9-vjeçare të Qeparoit, së bashku me arsimin parashkollor
37 nxënës mësojnë në ciklin e ulët dhe të lartë të shkollës “Niko Aleksi”, Qeparo, ndërsa mësues janë vetëm 4
18 nxënës janë në ciklin e ulët apo fillor të shkollës. Janë në një klasë dhe mësohen nga një mësues me të mesme
19 nxënës mësojnë në ciklin e lartë, ndërsa shumë klasa figurojnë edhe me dy nxënës. Vjet mori dëftesë vetëm 1
12 nxënës prej 2 javësh braktisën shkollën dhe mësimin pas ndërrimit të mësuesit me një pa arsimin e duhur

Drejtoresha: Unë e pranova rotacioni, këta pse jo?
E pranon se ndryshimet e bëra “janë politike”. “Ndryshime që vijnë me ndërrimin e pushteteve”. Sofika Todhëri ka qenë drejtoreshë në këtë shkollë vite më parë dhe është larguar më 1997-ën, kur në pushtet erdhën socialistët. “Më hoqën me motiv të qartë, rotacion politik”, - deklaron ajo, duke pranuar se “është demokrate, por jashtë mureve të shkollës”. Pasi si deklaron vetë, “mes këtyre mureve është veçse drejtuese dhe mësuese”. “Drejtori që u largua, në muajin shkurt, mbushte moshën e pensionit. Ne e pritëm atë sa të mbushte moshën, madje edhe u hoq nga posti, u lejua që për plotësim të nevojave të jepte mësim deri në fund të vitit”, - thotë ajo, duke lënë hapur të kuptohet se edhe këtë radhë rotacioni ishte politik.

No comments: