Wednesday, October 04, 2006

Dëbimi në Turqi, motivi i pengmarrjes

Hakan Ekinci, një i krishterë i konvertuar kishte kërkuar tre herë azil politik në Shqipëri. Plani, pas vendimit të dëbimit

Turku në avion: Më çoni në Romë tek Papa, ose do të hedh me eksploziv avionin në erë

TIRANË- Dëbimi në Turqi i ka rënduar më shumë se prangat, 30-vjeçarit Hakan Ekinci, mysliman i konvertuar në i krishterë. Ka tentuar të fitojë azilin politik në Shqipëri e kur nuk ia ka arritur, ka thurur planin e rrëmbimit të avionit me të cilin po deportohej, duke kthyer “sytë” e gjithë botës drejt tij. Ka kërkuar ta çojnë në Romë, për t’i kërkuar ndihmë Papës, e për këtë motiv ka detyruar ndryshimin e kursit të avionit të linjës Tiranë-Stamboll me 113 persona në bord. E gjithë historia e pengmarrjes ka nisur pak minuta së avionit, kur ai ndodhej në hapësirën ajrore të Greqisë. Ekinci, krejt i pa armatosur, ka hyrë në kabinën e pilotimit të Boeing 737 dhe është shtirur sikur kishte një shpërthyes të fuqishëm, që mund të hidhte në erë avionin, duke diktuar ndërrimin e kursit të avionit.

Kërkesa për ndihmë

Në fillim u përhap lajmi që pengmarrja po bëhej nga dy persona, bllof ky i pengmarrësit Hakan Ekinci dhe që pengmarrja po bëhej si një shenjë proteste kundër vizitës së Papës në Turqi, vizitë kjo e planifikuar për në datën 28 nëntor. Televizionet turke kanë bërë të ditur identitetin e pengmarrësit Hakan Ekinci, një dezertor i ushtrisë, i konvertuar në i krishterë në vitin 1998. Ekinci i ka shkruar Papës dhe në të shkuarën, për t`i bërë të ditur atij çështjen e tij dhe për ta ndihmuar atë që të mos kthehej në Turqi. “I dashur Papë, jam Hakan Ekinci, jam i krishterë dhe nuk dua që t`i shërbej një ushtrie myslymane”. Në mesazh, ai kërkon ndërhyrjen e Benediktit XVI, si një udhëheqës i të krishterëve dhe i botës së krishterë, për ta ndihmuar që të mos e kryente shërbimin ushtarak dhe për të mos jetuar në një vend mysliman. Pas uljes në Brindizi, devijuesi i avionit ka shfaqur menjëherë dëshirën për të kërkuar azil politik. Pas dorëzimit, i pari që ka lënë avionin ishte një anëtar i ekuipazhit, i cili u ndoq më pas nga turku që iu dorëzua policisë.

I dëbuari

Hakan Ekinci ka gabuar për herë të dytë, duke kërkuar me ngulm azilin e dëshiruar politik në Itali. Fillimisht, turku kishte dashur ta realizonte këtë në Shqipëri, pak kohë më parë, por autoritetet zyrtare të Tiranës ia kishin refuzuar kërkesën dhe pas skadimit të leje-qëndrimit, e kanë mbajtur në një kamp azilkërkuesish në kryeqytet. Dje u vendos që ai të deportohej për në Turqi dhe për shkak të mungesës së pasaportës, e kishin pajisur me një dokument identifikimi. Asnjë dyshim nuk kanë mundur të konstatojnë punonjësit e policisë dhe ata të sigurisë në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi Ekinci ishte i qetë. Burime të sigurta në Ministrinë e Brendshme thanë për “Shekulli-n” se Ekinci kishte hyrë disa herë në Shqipëri. Policia kufitare ka konfirmuar hyrjet e daljet e shtetasit turk në vendin tonë, të cilat kanë qenë plot tre. Sipas tyre, ai dispononte dokumentacion të rregullt hyrjeje. Vetëm pak kohë më parë në ardhjen e tij të fundit Ekinci, pasi i kishte mbaruar edhe leja e qëndrimit, kishte aplikuar të merrte azil politik në Shqipëri dhe si shkak për ta përfituar këtë kishte paraqitur shndërrimin e tij nga mysliman në katolik.

SIGURIA
Ndryshimi i kursit të avionit ka sjellë në të gjithë Italinë nivelin “Leonardo da Vinci”, që ka të bëjë me sigurinë kombëtare në raste të pengmarrjeve për terrorizëm. Në fund të ngjarjes, ministri i Brendshëm italian, Giuliano Amato, do të jetë në një interpelancë në Senat, të mërkurën në orën 9.30 të mëngjesit

MINISTRI TURK

“S’ka të bëjë fare me vizitën e Papës. Ishte thjesht një përpjekje për kërkimin e azilit politik nën influencën e problemeve fiziologjike”. Kështu ka pohuar për median Binali Yildirim, ministri turk i Transporteve, duke shtuar se Hakan Ekinci është përpjekur t`i shpëtojë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak

D’ALEMA

“Një ngjarje që na ka mbajtur pezull, por që për fat u mbyll mirë”. Kjo është psherëtima e lehtësimit, shprehur nga ministri i Punëve të Jashtme, Massimo D'Alema, pas mbylljes së ngjarjes së devijimit të avionit turk. “Këto janë ngjarje që sjellin shqetësim”- ka shtuar D`Alema, i cili ka shtuar se duhet kuptuar shkaku

Luan Kondi, Shekulli
04/10/2006

No comments: