Monday, November 20, 2006

Grekët e shqiptarët në sytë e njëri-tjetrit

nga OLIMBI VELAJ
Gazeta Metropol.19 Nentor

Si e perceptojmë njëri-tjetrin dhe pse? Çfarë u tha në debatin për dy vendet që ndajnë së bashku probleme dhe vlera ? Si perceptohen grekët dhe Greqia nga shqiptarët dhe si perceptohen shqiptarët e Shqipëria nga grekët?
Kjo pyetje, e cila ka marrë përgjigje të ndryshme në kohë dhe tryeza të ndryshme, ishte edhe dje kryetema e një debati dypalësh, që mblodhi bashkë shqiptarë e grekë në Tiranë. Instituti i Dialogut dhe Komunikimit dhe Ambasada e Republikës Greke në Tiranë ishin iniciueset e Debatit: " Shqipëria dhe Greqia, dy vende fqinje, që ndajnë së bashku probleme dhe vlera".

Një debat për mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin dhe se pse e shohim ashtu siç e shohim, është diçka e munguar midis grekëve dhe shqiptarëve. Por në Tiranë, dje njerëz të masmedias dhe të diplomacisë diskutuan për disa orë rreth perceptimit dypalësh. Duke filluar që nga ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, ambasadori grek në Tiranë, Kostantinos Kokoshi ( Costantinos Kokossis), drejtorit të institutit të dialogut dhe komunikimit, Pirro Misha, Sabri Godo, Artan Fuga, Blendi Fevziu, Henri Çili, Mustafa Nano e disa analistëve të tjerë shqiptarë si dhe një paneli po kaq të gjerë grekësh, gazetarë, ekonomistë, profesorë universiteti dhe njerëz të diplomacisë, debati shpalosi një tjetër përmasë perceptimi mes dy vendeve dhe popujve.

Sa i duam grekët?

Fqinjët tanë të jugut nuk janë më të preferuarit për shumicën e qytetarëve të sotëm shqiptarë. Studiuesi Artan Fuga, bazuar në një anketë lidhur me përfytyrimet që kanë shqiptarët për Greqinë, sjell disa nga rezultatet. Mbështetur në një përndarje sipas përkatësisë fetare tradicionale, rrethit shoqëror, moshës, profesionit dhe vendbanimit, anketimi i 1100 shqiptarëve bërë gjatë muajve e fundit të këtij viti, servir rezultate mbresëlënëse.

Sipas tij, imazhi ndikohet pozitivisht nga ideja se të dy bëjmë pjesë tek popujt e vjetër, se Greqia është pjesë e Evropës, se atje jetohet mirë dhe se njohja e gjuhës dhe kulturës përbën një avantazh. Por imazhi ka një bazë negative, për sa i përket impaktit të pamjaftueshëm të medias greke, përvojave personale, lidhur sidomos me dështimet e shumta të emigrantëve tanë atje, lidhur me statusin e kishës autoqefale shqiptare dhe deri diku, lidhur edhe me qëndrimin ndaj popullsisë çame.

Vetëm një e teta e të pyeturve, e konsideron Greqinë si vendin më të preferuar në rajon. Vlerësimi kulturor e vë vendin e helenëve në radhën e dytë, pas Italisë, fqinjës tjetër, vlerësimi gjeopolitik e vë në vend të tretë, pas Turqisë e Italisë. Bëhet fjalë gjithmonë, për preferenca vetëm në nivel rajonal, por gjithsesi, imazhi i shqiptarëve për Greqinë nuk është homogjen.
Adri Nurellari shprehet për një mënyrë selektive të përmendjes së grekëve dhe për një etnocentrizëm të pranishëm përgjatë historisë. Ai pohon kontekstin izolacionist të Shqipërisë në kohën e diktaturës, gjuhën e ndryshme, homogjenitetin kombëtar dhe heterogjenitetin e religjionit. Nisur nga kujtesa historike dhe roli i fqinjit tonë jugor, përshtypja jonë është një kanosje e vazhdueshme dhe një aleancë Athinë- Beograd. Greqia ka pasur gjithmonë një rol brenda konfliktit, ka qenë palë në të. Ajo nuk mund të perceptohej, si një vend lider dhe ndihmues në integrimin e Shqipërisë, marrë për shembull në rastin e BE-së. Ajo nuk mund të ishte, siç qe Suedia për vendet Baltike dhe as siç qe Gjermania për vendet e Vishegradit. Ky ishte njëri nga çelësat e perceptimit.

Greqia s'është modeli ynë

Pse e shohin shqiptarët Greqinë vetëm si vend fqinj dhe jo si paradigmë evropiane. Pse ne nuk duam t'i ngjajmë dhe pse nuk është Greqia modeli evropian që do donim të ndiqnim?

"Ka disa faktorë të brendshëm, ndër të cilët renditet këmbëngulja jonë për ta parë këtë në formë të kallkanosur të kohëve të shkuara. Por janë gjithashtu përvojat personale të viteve pas '90". Mustafa Nano, gazetar shqiptar, e sheh ndryshimin në reagimin e emigrantëve në formën e një presioni të kthyeshëm, ku aty ku mundësohet një klimë e përshtatshme dhe jopenguese ndaj emigrantëve, është e mundur që të prosperohet dhe të mos krijohen as stereotipe negative, siç është rasti i arbëreshëve të Italisë për shembull.
Por në perceptimin për grekët edhe kisha ka pasur pjesën e vet. Në rastin e Greqisë nuk kemi përpara shembullin e një vendi tipik evropian, një vendi shekullor. Por gjithashtu edhe antiamerikanizmi grek, shumë më i spikatur se antiamerikanizmi evropian, mbetet një nga pikat ku mbështetet perceptimi ynë. Nëse Greqia do të luajë rolin e vendit evropian në Ballkan, duhet ta meritojë dhe ta demonstrojë konkretisht këtë rol.

Ndërsa Remzi Lani nga Instituti Shqiptar i Medias, duke u përqendruar tek mënyra se si pasqyrohen në shtyp ngjarje të tilla si ndeshjet e futbollit, pohon se ndoshta kjo do të ishte edhe një çelës studimi për të parë se pse manifestohet një formë e tillë përballjeje, në raste të tilla. Futbolli mbetet ndoshta i vetmi skaj i fundit i nacionalizmit të pacensuruar, por në rastet e ndeshjeve të ekipeve kombëtare, problemi i perceptimit dhe pasqyrimit greko-shqiptar kalon përtej çdo kufiri. Është koha kur gazetarët harrojnë profesionin dhe sportadashësit harrojnë pozicionin. Por një vërejtje shumë e rëndësishme në diskutimin e analistit, Lani mbetet edhe ajo se, pse shqiptarët i shohin grekët si fqinjë edhe më të këqij se serbët. Ai pohon se është zona e gjerë e kontaktit, ajo që e motivon këtë reagim dhe se vazhdimisht probleme si ai "i sindromit të prishjes së kompjuterëve" në çdo kohë, kur shtohet fluksi i lëvizjes së emigrantëve, ose fakti i shtrirjes më të madhe të biznesit grek në vend dhe njëkohësisht me të edhe çmimet rekord, që mbahen në këtë vend nga kompani greke, siç është rasti i pasuportueshëm i çmimeve të telefonisë së lëvizshme. Ai e quan historinë e marrëdhënieve dypalëshe në një farë mënyre si një dualitet "intrigë e dashuri". Pavarësisht disa traktateve dhe marrëveshjeve, midis dy vendeve qëndron si një pezull i madh dhe ngërç ligji i luftës. Mbetet ende e paqartë se në ç'gjendje janë dy vendet dhe kjo lë shteg për zhvillimin e teorive të konspiracionit. Por stereotipat e shfaqura në median shqiptare shihen edhe si reagim ndaj medieve greke. Megjithatë, kohët e fundit vihet re dukshëm se situata pasqyruese në media ka ndryshuar, përmenden këtu shkrimet korrekte dhe objektive në mediet kryesore greke me rastin e ngjarjes së shëmtuar të vrasjes së emigrantit sportadashës shqiptar. Sindroma e dyshimit, i Kalit të Trojës, mbetet gjithnjë një pistë, por jo gjithë problematika pasqyrohet në shtyp dhe jo gjithmonë mediet kryesore manifestojnë një portretizim negativ të fqinjëve.

Në kufi të dy epokave


Për Antigoni Lymperaki-n, shefe e Departamentit Ekonomik dhe të Zhvillimit Rajonal në Universitetin Pantion në Athinë, çështja e emigrimit shqiptar po shihet me një sy tjetër. Ajo është ndër të paktët specialistë, në të dy vendet që ka kryer një studim për impaktin e emigracionit shqiptar në Greqi. Lymperaki merr si shembull domethënës rritjen mbresëlënëse ekonomike në Spanjë në vitet e fundit dhe faktorin emigracion në këtë hop të këtij vendi. Ajo pohon se 3,5 milionë emigrantët e Spanjës janë ata që kanë ndikuar në prosperimin e dukshëm së fundi të këtij vendi dhe pohon se rritja ekonomike është një tregues i lidhur ngushtë edhe me emigracion në rastin e një vendi si Greqia. Por ajo ndalet në një specifikë të emigracionit të Spanjës dhe atij të Greqisë. Emigracioni në Spanjë ka një natyrë mjaft heterogjene, ndërsa emigracioni në Greqi dominohet nga masa shqiptare. Ajo pohon se në nivel rajonal zhvillimet kanë qenë të dukshme, sidomos pas vitit 1999. Dhe gjithashtu Greqia ka qenë iniciuesja e më shumë se 80% të projekteve të Be-së në vendet e Ballkanit, që nga kjo kohë e në vazhdim. Ajo pohon se si është niveli i emigracionit shqiptar në Greqi. Një pjesë e mirë e emigrantëve kanë një nivel të admirueshëm ekonomik dhe nuk mungojnë shembujt e suksesit. Por gjithashtu rritja ekonomike dhe ecja e një grupi të caktuar, si rasti i emigrantëve shqiptarë, varet edhe nga reagimet sociale dhe kulturore. Frika e shoqërisë greke, e cila deri para pak kohësh është mbajtur si një shoqëri homogjene, është një frikë që manifestohet edhe në rastin e perceptimit të emigracionit shqiptar në Greqi dhe në rastin e frenimit të tij. Por gjithashtu identitetet tona në të kaluarën, identitetet tona ballkanike janë një bazë për një perspektivë tjetër. Ne s'mund të jemi evropianë të mirë, nëse nuk jemi ballkanas të mirë. Por është e rëndësishme që të mbështetemi tek të kaluarat tona pozitive, në historinë e marrëdhënieve të gjata dhe kontradiktore mes dy vendeve.

Ndërsa Blendi Fevziu, e sheh raportin e shtypit me Greqinë dhe grekët, pavarësisht orientimit ideologjik shqiptar, pavarësisht nëse në pozitë janë të majtët apo të djathtët. Ai vëren se qëndrimi medies nuk ndryshon shumë me atë të poetikës dhe në këtë kontekst risjell në vëmendje qëndrimin në kohët e tensioneve të mëdha mes dy vendeve.

Po cili do të jetë identiteti I shqiptarëve emigrantë të brezit të dytë? Kjo është një pyetje që shtrohet nga Fevziu dhe që pasohet me dilemën nëse do të mund të integrohen dot ata pa ndryshuar emrin dhe pa qenë antiamerikanë?

Sabri Godo, i cili e rimori këtë çështje, u ndal tek theksimi se marrëdhëniet tona me Greqinë janë të dorës së parë dhe se për minoritetin ka nxitje artificiale. ai u përqendrua tek ligji i luftës, tek çështja çame, tek dhënia e kombësisë greke, shtetasve shqiptarë që nuk e kanë atë dhe tek pensionet prej 240 eurosh, që marrin ata që kanë kartat. Ai pyeti nëse kjo ishte vetëm për efekte të qarqeve të caktuara në Greqi, apo më tej?
Adela Ismyrliadou, nga Qendra Kërkimore në Universitetin e Selanikut u përqendrua në rolin e teksteve shkollore dhe ngarkesën e shovinizmit në to, një ecje në retrospektivë tregon se jo vetëm në tekstet e historisë, por edhe tek tekste të tjera perceptimi shtrembërohet. Ajo përmendi edhe një histori zhvillimi në mënyrën e pasqyrimit, që mbështet në një nivel global dhe nga organizata ndërkombëtare, siç është për shembull, kujdesi i UNESCO-s.


Ministri Mustafaj dhe ambasadori grek
Të sillen nën vëmendje të përbashkëtat mes dy popujve
Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj dhe ambasadori grek në Tiranë, Kostandinos Kokosis, kërkuan dje kontribut të përgjithshëm të medias dhe shoqërisë për krijimin e një klime të qetë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Raportet politike mes dy vendeve u bënë objekt i një debati të një tryeze të rrumbullakët në Tiranë. Në takim të gjitha palët ranë dakord se është i nevojshëm një bashkëpunim reciprok mbi përmirësimin e bashkëpunimit mes të dy vendeve. "Për të gjithë së bashku mundemi dhe të ndihmojmë perceptimin që kemi për njëri-tjetrin. Nuk është fjala vetëm për të zbukuruar imazhin, por që përpjekjet të jenë të vërteta", u shpreh Mustafaj në takim. Sipas tij, procesi në të cilin ndodhemi është një fazë e "sigurt perceptive, mbi të cilën mund të ndërtohet njohja më e mirë dhe bashkëpunimi më kompleks mes të dy vendeve".
Ndërkohë, ambasadori grek i akredituar në Tiranë ka qenë i mendimit se, "ajo që duhet të bëjnë të dy vendet është të sjellin nën vëmendje të përbashkëtat mes të dy popujve, kjo duke ua bërë sa më të njohur të rinjve. Duhet të shohim nga e ardhmja. Natyrisht që nuk mund të ketë një ndryshim të menjëhershëm. Do të ketë dhe faktorë që do të punojnë kundër kësaj, por duhet të punojmë për të arritur në këtë bashkëpunim", tha dje Kokosis.
Takimi vjen në momentin kur pala greke ka vendosur të lejojë dyshtetësinë për minoritarët grekë. Një vendim i tillë ka sjellë interpretime të ndryshme, ku mbështetësit e Greqisë e konsiderojnë veprim të drejtë, ndërsa pala tjetër shikon prapaskena politike nga shteti grek.

Panorama

Pavarësisht marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, ekzistojnë katër çështje, të cilave duhet t’u jepet një përgjigje në mënyrë që mes dy vendeve të mos ketë probleme.
Sipas kryetarit të nderit të asamblesë së Partisë Republikane, njëherësh dhe bashkëhartues i Kushtetutës sonë, Sabri Godo, çështja e ligjit të luftës, njohja e problemit të tokave çame, shpjegimi i dhënies së shtetësisë për qytetarët homogjenë dhe arsimimi në gjuhën shqipe i fëmijëve emigrantë në Greqi mbeten probleme, të cilat duhen diskutuar dhe duhen zgjidhur.
Përsa i përket ligjit të luftës, që nga viti 1940, Godo tha se megjithëse qeveria greke është shprehur zyrtarisht se një ligj i tillë nuk ekziston, duhet një vendim i Parlamentit fqinj për ta shfuqizuar atë. “Mendoj se duhet të jemi të drejtë dhe të sinqertë me veten tonë dhe me të tjerët dhe të shikojmë çfarë i pengon marrëdhëniet mes dy vendeve. Ka vite që flitet për ligjin e luftës. Qeveria greke e ka shpallur që herët se ky ligj nuk ekziston, por nga pikëpamja juridike duhet që ai të kalojë me një vendim të Parlamentit”, tha dje Godo gjatë debatit me temë “Shqipëria dhe Greqia, dy vende fqinjë që ndajnë së bashku probleme dhe vlera”. Lidhur me çështjen çame, Godo tha se megjithëse ka tendencë për ta anashkaluar këtë çështje nga zyrtarë të lartë të Athinës, ajo nuk mund të anashkalohet për faktin se janë së paku 200 mijë çamë që kërkojnë tokat e tyre, sipas të gjitha konventave universale të firmosura nga të gjitha vendet. Sipas Godos, zgjidhja e kësaj çështjeje nuk duhet të bëhet në mënyrë të menjëhershme, brenda ditës, por duhet të gjehet një zgjidhje e arsyeshme e këtij problemi. Përsa i përket vendimit të fundit të qeverisë greke për dhënien e dyshtetësisë për homogjenët, Godo tha se për këtë çështje duhet folur hapur në mënyrë që të mos ngrihen dyshime dhe tymnaja, por të shpjegohet nga një zyrtar përgjegjës brendia e këtij vendimi. “Ajo që më bën përshtypje tani dhe mbetet si një pikëpyetje imja, është vetëm për efekt të ndonjë veprimtarie të qarqeve të caktuara në Greqi apo shtrihet më tej. Pyetja ime e drejtpërdrejtë dhe fare ndershmërisht është: Përse duhet kjo? Kujt i shërben? Mbi këtë mund të spekulosh sa të duash, por unë dua që hije të tilla të mos ekzistojnë”, tha Godo. Në fund ai ngriti edhe problemin e arsimimit të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë me gjuhën shqipe.

4 çështjet
1- Miratimi i një vendimi në Parlamentin grek për shfuqizimin e ligjit të luftës
2- Njohja e problemit çam nga autoritetet greke
3- Shpjegimi me detaje i vendimit të fundit të qeverisë greke lidhur me dhënien e nënshtetësisë
4- Krijimi i mundësive për fëmijët e emigrantëve shqiptarë për të mësuar gjuhën shqipe

deklaratat
Mustafaj: Të mos shmangemi nga realiteti
Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tha dje se është i rëndësishëm përmirësimi i perceptimit ndaj njëri-tjetrit për Shqipërinë dhe Greqinë. Duke folur në debatin me temë “Shqipëria dhe Greqia, dy vende fqinjë që ndajnë së bashku probleme dhe vlera”, ministri Mustafaj tha se ekzistojnë shumë arsye për të argumentuar deformimin e perceptimit ndaj njëri-tjetrit, por shtoi se dy vendet tona mund ta përmirësojnë këtë perceptim. “E konsideroj të rëndësishme një përpjekje të shumëfishtë për të përmirësuar perceptimin që kemi ndaj njëri-tjetrit. Ka 1 mijë arsye për të parë përse është deformuar ky perceptim. Të gjithë mundemi të ndihmojmë për ta përmirësuar perceptimin ndaj njëri- tjetrit”, tha Mustafaj.
Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, ndryshimi i imazhit në sytë e fqinjëve nuk bëhet duke e zbukuruar atë, por duke e njohur dhe pranuar realitetin. Mustafaj tha se lufta ndaj stereotipeve nuk fillon tani, por ka filluar kohë më parë. Sipas tij, prej një dekade e gjysmë Shqipëria dhe Greqia kanë një rrugë të përbashkët që është ajo e integrimit. “Nuk është fjala për ta zbukuruar imazhin, por për ta njohur dhe pranuar këtë realitet. Njohja e keqe dëmton marrëdhëniet politike, ekonomike dhe lë pasoja për të ardhmen. Lufta kundër stereotipeve nuk fillon tani, por duhet të vazhdojë. Shqiptarët nuk kanë stereotipe as për bullgarët, as për rumunët, por me fqinjët që kemi afër. Prej 15 vjetësh kemi një rrugë të përbashkët, që është ajo e integrimit”, tha Mustafaj.
Kokossis: Jemi popuj sentimentalë e shpërthyes
Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Constantinos Kokossis, i justifikoi incidentet e ndodhura mes dy vendeve tona me faktin se shqiptarët dhe grekët janë popuj sentimentalë dhe mund të ketë sjellje shpërthyese. Ai tha se perceptimet ndaj njëri-tjetrit nuk mund të zhduken brenda një dite, por për to duhet punuar. Sipas Kokossis, për Shqipërinë dhe Greqinë ka nisur një kapitull i ri. “Të dy popujt tanë janë sentimentalë dhe mund të ketë sjellje shpërthyese. Perceptimet nuk zhduken brenda një dite, por ne duhet të punojmë për të ardhmen. Besoj se forca për t’u afruar me njëri-tjetrin është e madhe. S’ka dyshim që të gjithë i pranojmë marrëdhëniet bilaterale. Sot jemi para një kapitulli të ri”, u shpreh Kokosis.
Ambasadori grek në vendin tonë pranoi faktin se administratat publike janë edhe trupat më konservatore, duke shtuar se edhe shtypi shpesh herë shkruan atë që do lexuesi, ndërkohë që, sipas tij, mund të gjehet rruga që shtypi të ketë më shumë përmbajtje. Kosossis tha se keqperceptimet për njëri-tjetrin janë të arsyeshme. “Eshtë e vërtetë që administratat publike janë nga trupat më konservatore. Shtypi shpreh atë që njerëzit do të donin të lexonin, por mund të gjejmë rrugë që shtypi të ketë më shumë brendësi. Eshtë e vërtetë që kuptimi gjatë këtyre viteve është vendosur në test. Do të ketë keqperceptime dhe kjo është e arsyeshme”, u shpreh ambasadori grek.

Antigoni Lymperaki
Shefja e departamentit ekonomik dhe të zhvillimit rajonal në universitetin Pantion tha gjatë debatit se “një përqindje e madhe e emigrantëve në Greqi janë shqiptarë. Emigrantët në Athinë dhe Selanik nuk janë njerëz që flenë poshtë urave, por shumë larg nivelit të varfërisë”.
Ioannis Diakogiannis
Gazetari i së përditshmes TA NEA tha se “jemi të kënaqur që ka kaq shumë shqiptarë në Greqi që punojnë për veten e tyre dhe janë pjesë e rritjes ekonomike të Greqisë. Kjo nuk ka lidhje fare me dy liderët e politikës shqiptare, Nano dhe Berisha”.
Adela Ismyrliadou
Përfaqësuesja e qendrës kërkimore në Universitetin e Selanikut vlerësoi se “tekstet shkollore kontribuojnë në kultivimin e identitetit kulturor. Në këtë fushë roli i rëndësishëm i teksteve shkollore i jepet formës dhe përmbajtjes. Tekstet kultivojnë qëndrimin e brezit të ri”.
Spyros Sfetas
Profesori i historisë moderne të Ballkanit në Universitetin e Selanikut tha në fjalën e tij se “Greqia nuk sheh asgjë të keqe te zhvillimi kulturor shqiptar. Shqiptarët shihen si aleatë të Greqisë. Ne duhet t’i shohim shqiptarët dhe grekët si një racë dhe duhet të përpiqemi për këtë me të gjitha mënyrat”.
Studimi i prezantuar nga Artan Fuga jep preferencat pozitive dhe negative për fqinjin jugor
Anketa, grekët i duam se janë në BE
Politikisht Greqia preferohet e treta pas Turqisë dhe Italisë
Perceptimi ndaj vendit tonë fqinj, Greqisë, në sytë e qytetarëve shqiptarë është sa pozitiv, aq edhe negativ.
Në një anketë të prezantuar dje nga profesori i Universitetit të Tiranës, Artan Fuga, në debatin me temë “Shqipëria dhe Greqia, dy vende fqinjë që ndajnë së bashku probleme dhe vlera” rezulton se qytetarët shqiptarë kanë të njëjtin numër arsyesh për të pasur një perceptim pozitiv dhe njëkohësisht negativ ndaj Greqisë.
Imazhi pozitiv
Në anketën e prezantuar nga profesor Fuga janë intervistuar 1100 persona, në një shtrirje të gjerë gjeografike nga veriu deri në jug të vendit. Anketa është bërë në gjashtë muajt e fundit të këtij viti. Faktorët që kanë të bëjnë me krijimin e një imazhi pozitiv të qytetarëve shqiptarë për shtetin grek kanë të bëjnë me faktin që Greqia është shtet i Bashkimit Evropian, apo edhe me bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për të emigruar. “Imazhi pozitiv për Greqinë ndikohet nga: ideja se bëjnë pjesë në kombet më të vjetra të Ballkanit; fakti që Greqia është pjesë e Bashkimit Evropian; afrimiteti në lidhjet familjare me emigrantët, prurjet ekonomike”, thuhet në anketën e prezantuar dje nga profesor Fuga.
Imazhi negativ
Por qytetarët shqiptarë kanë të njëjtin numër arsyesh, katër, për të pasur një imazh negativ për Greqinë. Kështu, imazhi negativ ndaj vendit fqinj vjen për faktin se mediat, arti dhe kultura greke nuk kanë një impakt të mjaftueshëm në Shqipëri, siç ndodh me mediat, artin dhe kulturën italiane. Gjithashtu, si një tjetër arsye për të pasur një perceptim negativ ndaj Greqisë kanë shërbyer edhe përvojat dhe eksperiencat e hidhura të qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë emigruar në Greqi për të jetuar dhe punuar. Statusi i Kishës është po ashtu një tjetër faktor që ka ndikuar në imazhin negativ ndaj fqinjit jugor, ndërkohë që një faktor i fundit, por jo për nga rëndësia, është edhe qëndrimi i Athinës zyrtare, e cila asnjëherë nuk ka pranuar të njohë çështjen çame. Këta katër faktorë kanë ndikuar në krijimin e një imazhi negativ për Greqinë.
Anketa në shkallë kombëtare
Pjesë e anketës së prezantuar dje ka qenë edhe perceptimi dhe krijimi i një imazhi për Greqinë në shkallë kombëtare. Kështu, në 1100 të anketuarit në lidhje me këtë çështje, 1 në tetë të anketuar e kanë vendosur Greqinë si të preferuarën e parë për Shqipërinë. Kjo komentohet me faktin se emigrantët mund të shkojnë në lehtë në Greqi për të punuar, si dhe ka lidhje të forta ekonomike dhe familjare. Nga ana politike, të anketuarit e kanë vendosur Greqinë në vendin e tretë. Numri më i madh i anketuesve kanë vendosur në vendin e parë dhe të dytë Turqinë dhe Italinë. Ndërsa nga ana kulturore Greqia vendoset e dyta në listë në lidhje me Shqipërinë. Sipas anketës, Greqia është më e preferuar në zonat urbane sesa në zonat rurale, ndërkohë që grupmosha që preferon më shumë Greqinë në lidhje me Shqipërinë është 35-55 vjeç.

anketa
Imazhi pozitiv për Greqinë ndikohet nga:
• Ideja se bëjnë pjesë në kombet më të vjetra të Ballkanit
• Fakti që Greqia është pjesë e Bashkimit Evropian
• Afrimiteti në lidhjet familjare me emigrantët
• Prurjet ekonomike
Imazhi negativ për Greqinë ndikohet nga:
• Impakt i pamjaftueshëm i medias, artit dhe kulturës greke
• Përvoja e hidhur personale nga emigrantët
• Fakti që ka lidhje me statusin e Kishës
• Qëndrimi ndaj çështjes çame

Preferenca për marrëdhëniet me Shqipërinë
Sondazhi, 1 në 25 myslimanë preferon të parën Greqinë
Pjesë e anketës së prezantuar dje nga profesor Fuga ka qenë edhe perceptimi për Greqinë në bazë të ndarjeve fetare. Kështu 1 në 25 myslimanë që kanë marrë pjesë në këtë anketë preferojnë të kenë Greqinë të parën në marrëdhëniet me Shqipërinë. Në të njëjtat shifra rezulton të jetë kjo anketë edhe përsa i përket katolikëve të pyetur. Ndërkohë, 1 në 18 persona të pyetur në këtë anketë që janë me besim bektashinj preferojnë të kenë fqinjin tonë jugor si bashkëpunëtorin më të afërt të Shqipërisë, ndërkohë që lidhur me këtë çështje të anketës numri i besimtarëve ortodoksë që duan Greqinë si të preferuarën e parë në lidhje me vendin tonë është në raportin ½ ose 50%. Siç shikohet nga anketa e prezantuar nga profesor Fuga në debatin e zhvilluar dje, qytetarët me besim ortodoks duan që të kenë Greqinë si të preferuarën e parë në lidhje me Shqipërinë.

Anketa
· Greqia, e para si e preferuar
· Ortodoksët 1/2
· Bektashinjtë 1/18
· Myslimanët 1/25
· Katolikët 1/25


E solli per blogger Dr. K. Jorgji

No comments: