Monday, November 20, 2006

Axhenda ekonomike greke, po tkurret

note: analisti i njohur Nazarko na ben te ditur nje fakt interesant: ate te organizimit te Konferences per marredheniet shqiptaro greke, ndonse nuk arrijme te mesojme rreth kumtesave qe u paraqiten aty.Autori i ketij artikulli ka nje numur te shumte artikujsh te tjere rreth marredhenive Greqi Shqiperi, here i moderuar e here i avancuar ne qendrimin e tij anti-grek. Nje nga tezat e autorit eshte ajo e pikepamjeve te ndryshme midis akademikeve greke dhe perfaqesuesve te minoritet. Por nuk arijme te kemi me shume informacion ne kete artikull. Mbase do te mund te kemi ne te ardhemen. Autori gjithashtu e sheh me sy te mire deprtimin e kapitalit bankar italian ne favor te tkurjes se atij grek.



Mentor Nazarko


Ideja e organizimit të një Konference për Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke është paradoksalisht e re, për vende me një volum të madh marrëdhëniesh si ato tonat dhe megjithatë, për herë të parë u bë në 2006-ën, me iniciativën e Ambasadës Greke dhe të fondacionit SOROS.
Ideja është e rëndësishme për llojin e njerëzve që bashkon: segmentet e shoqërisë civile apo akademikë, komunikojnë drejtpërdrejt pa filtra qeveritare. Ndërsa nga përfaqësues të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, aktivë në media, dëgjojmë se shumë krahina të Shqipërisë janë greke, se heronjtë kryesorë të Shqipërisë janë grekë, se Shqipëria ishte vend agresor i Greqisë në Luftën e Dytë, etj., nga profesorët e ftuar këtu dëgjojmë të ripohuar se shumë figura të historisë greke janë shqiptare. Sigurisht, ky pozicionim nderon akademikët grekë, ndërsa përfaqësuesit e minoritetit duhet t’i vejë në mendime: A mos vallë duhet të mbrojnë në lidhje me Shqipërinë pozicionet më ekstreme, më të ngurta dhe të jenë në gjykimet rreth saj, më mbrapa se segmentet përparimtare të shoqërisë së vendit amë? Ndërkohë, nuk mund të mos jesh kritik me përfaqësues të caktuar të botës akademike shqiptare apo politike, që në takime me akademikë, flasin të gjithë si politikanë, ndërsa përfaqësuesit grekë janë në pozicione natyrale. E gjitha kjo kundërvënie, pra, midis përfaqësuesish të caktuar të minoritetit dhe profesorëve të nderuar grekë, që veprojnë në liri të plotë akademike, është refleks i një axhende historike që prodhohet nga ndonjë qendër pushteti, që zakonisht nuk ndryshon me ndryshimin e qeverive.
Ideja e konferencës për marrëdhëniet midis dy vendeve është e rëndësishme dhe për temat e diskutuara, mes të cilave, përpjekja për të mundur të shkuarën në marrëdhëniet midis tyre, në emër të së ardhmes. Janë marrëdhënie mes miqsh, pra debit-krediti. Dikur, del dikush në kredit, njëherë tjetri. Sikur ta ndalim kohën tani, kush i ka borxh tjetrit dhe çfarë? Ndofta gjithsecili prej nesh, shqiptarëve, mund të jepte përgjigje automatikisht të ditur, pra se grekët na kanë borxh, por ç’ ndodh kur një grek thotë të njëjtën gjë? Kështu më ndodhi, ndërsa pyeta para disa muajsh gazetarin e njohur grek, Tasos Teloglu, i cili tha: “Ne ju kemi borxh, por ju nuk kini ditur ta merrni. Ai është në sirtar, por ju nuk e keni marrë. Keni thirrur e thirrur për ta kërkuar dhe nuk dini ta kërkoni”.
Le të shohim me këtë optikë, borxhet e së shkuarës në marrëdhëniet e së sotmes dhe të nesërmes. Në politikën e vet ndaj Shqipërisë, Greqia e 15-vjetëve të fundit ka patur dy axhenda kryesore veprimesh për t’u realizuar: një axhendë politike me sfond historik dhe një tjetër me sfond ekonomik. Me qeverisjen e zotit Simitis, axhenda ekonomike u realizua më mirë se ç’pritej, me depërtimin masiv të kapitalit grek në vend dhe në të gjithë rajonin. U tkurr axhenda historike, që sigurisht mbeti gjëkundi në zyrat e kancelarisë, që nuk lëvizin. Nga një vizion i tillë, duhet të jemi të lumtur të gjithë. Por, ç’ndodh, kur me ardhjen e qeverisë së re të Nea Demokratias, kemi tkurrje të axhendës ekonomike dhe avancim të asaj historike përballë një klase politike si e jona, që nuk ka forcë për t’u përballur me palën tjetër? Primati i kompanive greke në telefoninë celulare, mund të mbetet dhe për pak i tillë, me ndihmën e kësaj qeverie që nuk liberalizon tregun dhe bllokoi futjen e operatorit të tretë prej Callikut, por kjo nuk mund të zgjasë pafund. Dhe epërsia e bankave po ndryshon: futja e bankave të mëdha italiane, po prish epërsinë e pjesshme të bankave greke. Diçka e tillë mund të ketë ndodhur dhe në sektorin e shpërndarjes së naftës, etj. Në këmbim, Greqia mund të jetë e lumtur se po avancon në ndërtimin e 5 apo 6 varrezave të të rënëve të një lufte të lavdishme për të, në territorin shqiptar. Por ama, insistimi në një ndërmarrje të tillë, nuk pritet mirë nga shqiptarët dhe imazhi i Greqisë aq shumë i nevojshëm dhe për komoditetin e biznesit grek këtu, cënohet. Po kështu ndodh dhe kur insistohet me ndërmarrje të njëanshme të dhënies së shtetësisë për të ashtuquajturit homogjenë, ndërsa ky është një veprim totalisht në kundërshtim me dokumentat europiane, pra me konventat europiane që kërkojnë reduktimin e rasteve të dyshtetësisë. Ka reagime personalitetesh ndikuese në opinionin publik vendas, ka komente qytetarësh të frustruar nga vendimi i fundit grek, etj.; që të gjitha ndikojnë në këtë perceptim. A duhet pra, insistuar me ndërmarrje të tilla propagandistike, që provokojnë shqiptarët dhe që krijojnë klimë jomiqësore ndaj grekëve?

Sensi i drejtësisë
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, janë duke vuajtur invadencën e plotë të politikës greke që nuk tregon as minimumin e sensit të drejtësisë, në trajtimin e problemeve të së shkuarës, që mbeten aktuale. Vërtet, kur dy fqinjët janë të pabarabartë në zhvillim, ai më i madhi përfiton nga marrëdhënia, por abuzimi i paturpshëm me madhësinë, me statusin ndërkombëtar, me avantazhin e përkohshëm, nuk krijon gjithashtu përshtypje të mirë tek opinioni publik shqiptar. Për shembull, po injorohen detyrimet e Traktatit të Miqësisë, veçanërisht neni 15, “për heqjen e pengesave të gëzimit të pasurive në territoret reciproke”. Ligji i Luftës dhe kuadri ligjor i lidhur me të, bllokon funksionimin e nenit në fjalë, duke bllokuar pasuritë e shqiptarëve në Greqi. Përsëri na vijnë në ndihmë autorët grekë, që e konfirmojnë saktësisht këtë pohim: pra, që ligji i luftës ekziston dhe se ai bllokon pasuritë e shqiptarëve në Greqi, që janë shumë.
Konferenca e këtyre ditëve kishte si sfond kryesor, përpjekjet për të ndikuar rolin negativ të medias në dy vendet, rol që ndikon në keqësimin e perceptimeve reciproke, dhe mund të specifikohet dhe në perceptimin e biznesit grek të pranishëm në Shqipëri. Por, sigurisht, nëse tentohet avancimi i axhendës historike, ky perceptim publik për grekët në Shqipëri, i krijuar nëpërmjet mediave tona, nuk do të jetë më i miri. Diku nga 1999-ta, në shtypin grek botohej një dokument i rezervuar i politikës së jashtme të vendit fqinj, ku theksohej se duhej me çdo kusht të punohej për të penguar krijimin e një klime antigreke në Shqipëri, veçanërisht nëpërmjet mediave dhe kjo lidhej para së gjithash, me nevojën e biznesit për të punuar i qetë. Objektiv tërësisht i ligjshëm i fqinjëve, por kur axhenda historike dominon, atëherë ajo helmon mjedisin shoqëror me fantazmat e së shkuarës.
Siç tregoi Konferenca për Marrëdhëniet Shqiptaro-Greke, nga komunikimi i pjesës më të hapur të dy shoqërive, mund të përfitohet shumë. Jo thjesht për të mësuar të vërteta, por dhe për t’ i bërë presion politikës së prapambetur të të dy anëve. Dhe ky komunikim bëhet dhe duhet të bëhet jo në gjuhën e historisë së manipuluar që prodhon axhenda suksesi afatshkurtër, por në atë të kohës, të ekonomisë dhe të interesave të përbashkët që prodhon suksese afatgjatë. Sepse axhenda historike, dëmton atë ekonomike.
20/11/2006 (Shekulli)

No comments: