Thursday, November 30, 2006

Myftaraj i ben tani "bioografine" edhe P. Mishes

note: ne shenjester te "analizes" se z. Myftaraj, nje biografisti te shquar, ka rene kete here dhe P. Misha, i cili ka nje sere mekatesh (sipas tij):
a) "eshte rreshtuar ne frontin e Helenizmit ne shqiperi"
c)Mbeshtet doktrinen e “shoqërisë së hapur” te Soros qe sipas myftaraj "është një prej alternativave ideologjike të manipulimit social të shekullit XX"
b)Akuza e siperme provohet se si drejtor i Programit të botimeve të Fondacionit “Soros” në Shqipëri (“Libra për një Shoqëri të Hapur”), lejoi botimin e librit “Historia e Bizantit” te studiuesit Nikolla. Ostrogorski. Pra sipas Myftaraj ne duhet te lexojme vetem versionet e corbave te kuzhines se tij.
Nuk mungon ketu te drejtoje shigjeten e tij ambasadorit grek ne Tirane sepse ai eshte autori i autor i një romani historik me titull “Lindja e Perëndimit- Konstantinopol 1437“.
d) Ne sistemin e monizmit ka qene pjese e "nomeklatures komuniste" dhe ne kete kuader ka perkthyer libra si Frenhej 453 (te nje amerikani "antiamerikan") qe propagandojne ide antiamerikane dhe e quan fyerje te amerikes pjesemarrjen e tij ne takimin e nje delegacioni "te shoqerise civile" në dhjetor 2003 në Departamentin e Shtetit në Ëashington. Analiza e "thelle" e parathenies se P. Mishes perben thembren e Aklit te "Mishes" e trasformuar
e) Kontributi ne botimin e nje sere librash filosofike ne shqip (ne kuadrin e Soros} eshte gjithashtu teper kompromentues per z P. Misha
f) nder mekatet e tij shume te renda eshte dhe perkrahja si "avokat mediatik" ndaj Kadarese, por qe shpjegohet sipas Myftaraj se P. Misha eshte i nje kallepi me te (Kadarene).Biles mekatet e tij e zhvleftesojne mbrojtjen qe i ben Kadarese
g) ka deshmuar kunder Bashkim Shehut.
etj etj etj
pra Myftaraj e ka lidhur P. Mishen ashtu si "Prometheun" ne shtyllen e "turpit"

Trofete e fundit te Myftaraj jane Stavri Maro, Gec Pollo dhe Pirro Misha (rastesisht qellon qe keta te fundit i perkasin fese se krishtere sipas origjines) Eshte mekat i madh qe nuk ftuan Myftaraj ne tryezen e dialogut me siguri analizat e tij shekspiriane do te zinin vend....


Nga Kastriot Myftaraj - Në 18 nëntor 2006, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, një OJF-pjesëtare e Rrjetit të Shoqërisë së Hapur të George Soros, organizoi një tryezë me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të Greqisë Konstantinos Kokosis dhe ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj, për të ndihmuar në kapërcimin e problemeve të krijuara kohët e fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke me rastin e vendimit të qeverisë greke për t’ u akorduar dyshtetësinë shtetasve shqiptare që pretendojnë se kanë kombësinë greke. Pirro Misha ishte njeriu më i papërshtatshëm për ta bërë këtë gjë, pasi ai ka kohë që është rreshtuar në anën e frontit të Helenizmit në Shqipëri, duke kontribuar për realizimin e aspiratës greke të Vorio-Epirit në Shqipëri. Pirro Misha, duke qenë Drejtor i Programit të botimeve të Fondacionit “Soros” në Shqipëri (“Libra për një Shoqëri të Hapur”), u bë përcjellës në opinionin publik shqiptar i kumteve greko-serbe për copëtimin dhe ndarjen e territorit të Shqipërisë mes këtyre dy vendeve.

Sipas atyre që shpallen në programin e fondacionit “Soros”, Misha duhet të mbështesë modelin që Soros e ofron si alternativë, që është ai i “shoqërisë së hapur”, i cili është përpunuar nga filozofi Karl Popper, që ka qenë mik i Soros, në librin e vet “Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj” (1945). Nocioni i “shoqërisë së hapur” konsiston në një model shoqëror, që është i hapur, si në aspektin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm. Në aspektin e brendshëm, “shoqëria e hapur” është një shoqëri ku nuk ka dogma ideologjike totalitare, nacionaliste, ku të gjitha idetë qarkullojnë lirisht dhe bartësit e tyre bashkëjetojnë në tolerancë. Mbi të gjitha ajo është një shoqëri mbinacionale, që e ka kapërcyer varësinë kundrejt kombit, si bazë e konstituimit të vet. Si e kundërta e “shoqërisë së hapur” paraqitet “shoqëria e mbyllur”. Ajo është një shoqëri ideologjike apo nacionale. Popper nuk bën dallim mes shoqërisë fashiste, komuniste dhe nacionale (të ndërtuar mbi bazën e një kombi). Për të të gjitha këto janë “shoqëri të mbyllura”. Por Popper nuk pranoi kurrë që ta definonte Izraelin si një shoqëri të mbyllur dhe Soros nuk tentoi kurrë që të sponsorojë zbatimin në Izrael të modelit të shoqërisë së hapur, edhe pse këtë të mirë kaq të madhe duhet t’ ia bënte në rradhë të parë atdheut të vet. Sipas Popper, trendi i së ardhmes duhet të jetë hapja e “shoqërive të mbyllura” të botës. Por ai paralajmëron edhe për rrezikun që rri mbi vetë “shoqëritë e hapura”. Ato kanë armiq që janë ideologjitë totalitare, nacionalizmi etj. Doktrina e “shoqërisë së hapur”, është një prej alternativave ideologjike të manipulimit social të shekullit XX, pra të utopive. Është karakteristike se ajo, ashtu si doktrinat e tjera, fashizmi dhe komunizmi, krijon një armik të brendshëm, pra është një doktrinë urrejtjeje, që shton konfliktin brenda vetë shoqërisë. Për Popper nuk është i keq veç nacionalizmi shovinist, i cili aspiron aneksimin e trojeve të populluara nga të tjerët, por çdo lloj ndërtimi i një shoqërie mbi bazë nacionale.

Gjithsesi, duke konsideruar këtë doktrinë sorosiane, njeriu nuk mundet mos të habitet kur sheh se si në vitin 1997, në kolanën e botimeve “Libra për një Shoqëri të Hapur” të Fondacionit “Soros” në Tiranë, është botuar libri “Historia e Bizantit”, i studiuesit Nikolla. Ostrogorski. Se ç’ lidhje ka ky libër me nocionin e “shoqërisë së hapur”, këtë nuk do mundej që ta kuptonte as perpunuesi i këtij nocioni Karl Popper, sikur të çohej prej varrit, pikërisht për këtë problem. Imperia Bizantine ishte, sipas kategorive popperiane, një “shoqëri e mbyllur”. Libri në fjalë i Ostrogorskit është një studim historik që i paraqet ngjarjet në mënyrë tendencioze nga pikëpamja e një ortodoksi pansllavist. Popper, çdo prirje për t’ iu referuar modeleve tradicionale të rregullimit shoqëror, e definon si një kthim prapa deri në barbari: “Sikur të kthehemi prapa, atëhere do të na duhet që t’ i shkojmë kësaj rruge deri në fund; duhet që të shndrrohemi në kafshë”. ( Karl J. Popper: “The Open Society and Its Enemy”, Princeton University Press, Prinston 1950, f. 195.) Por, a nuk është një ecje në rrugën e së shkuarës drejt origjinës kafshërore të njeriut evokimi i së shkuarës bizantine, në kuadrin e botimeve nën egidën e “shoqërisë së hapur”?

Por, gjëja që të bën më tepër përshtypje tek ky botim është se, në botimin shqip, në kopertinën e librit paraqitet një hartë e fillimit të shekullit XIII, ku tregohet gjendja e trevave shqiptare, në vitin 1214, kur ato u ndanë mes Despotatit ortodoks të Epirit dhe Serbisë, me kufi në Lumin Drin. Atëhere, Despotati i Epirit në aleancë me serbët pati aneksuar Principatën katolike të Arbërit. Pse prej qindra hartave të periudhës mbi 1000 vjecare bizantine, u zgjodh pikërisht kjo, e cila nuk paraqet Imperinë Bizantine por situatën e Ballkanit Perëndimor pas shpërbërjes së Imperisë Bizantine, si rezultat i goditjes nga Kryqata e Katërt? Pse nuk u zgjodh një hartë ku të paraqitej p.sh. Principata e Balshajve e shekullit XIV, e cila shtrihej nga Lugina e Preshevës në Vlorë dhe nga Shkupi në Ulqin? Sigurisht kjo nuk u bë se kjo do të konsiderohej një hartë me kumt nacionalist shqiptar. Por megjithatë u zgjodh një hartë me kumt nacionalist serb dhe grek. Arsyeja është e kuptueshme. Paraqitja e një harte ku tregohet shtrirja në veri e Despotatit të Epirit sillet si një provë e rivendikimeve historike të Greqisë në Shqipëri. Kështu u dhunua edhe një prej parimeve kryesore të “shoqërisë së hapur”.


Sigurisht që Fondacioni qe kundër nacionalizmit shqiptar, por nga pikëpamja e nacionalizmit grek. Ambasadori grek Konstantinos Kokosis, i ftuar në këtë takim, është një tjetër ndjellës i fantazmave bizantine. Ambasadori grek që na ka ardhur na qenka dhe shkrimtar, autor i një romani historik me titull “Lindja e Perëndimit- Konstantinopol 1437“.


Mes lindjes së Perëndimit si nocion kulturhistorik dhe Bizantit mesjetar, mund të ketë lidhje aq sa midis “shoqërisë së hapur“ popperiane dhe Bizantit, që na paraqet Misha. Pirro Misha e bën këtë se ai është një vlleh ortodoks, që vjen nga një familje e ish-nomeklaturës komuniste. Babai i tij Kristaq Misha ka qënë ambasador i regjimit komunist në Francë që në fillim të viteve '60.


Pirro Misha sot, në cilësinë e drejtuesit të një OJF-je e quajtur Instituti i Dialogut dhe Komunikimit është një bashkëpunëtor dhe përfitues i granteve të mëdha financiare të USAID. Kurrkush prej njerëzve me të cilët ka bashkëpunuar USAID në Shqipëri nuk është më i papërshtatshëm se Misha.


Në kohën e regjimit komunist Misha ishte një përkthyes librash, nga autorë të vendeve të ndryhsme, libra të cilët ai i përkthente nga një gjuhë e dytë, nga frëngjishtja, për të cilën ai ishte diplomuar. Në atë kohë romanet e huaja të botuara shoqëroheshin me parathënie që kishin si synim të bënin bënin sqarime ideologjike për lexuesit dhe propagandë antikapitaliste, kryesisht antiamerikane. Misha shquhej si një nga hartuesit më ekstremistë të këtyre parathënieve, gjë për të cilën mund të sillen dy shembuj. Propaganda e regjimit komunist zgjidhte për të përkthyer libra të autorëve ekcentrikë perëndimorë, siç ishte libri i shkrimtarit maoist britanik Ëilliam Ash, titulli i origjinalit “Ride a paper tiger” (1969), i përkthyer në shqip nga Piro Misha, nën titullin “Madrugada rojas” (“Mëngjeset e kuq”), botuar në 1976. Në libër tregohet për zbulimin e një agjenti të CIA-s që kishte infiltruar në revolucionin e një vendi amerikanolatin, për ta sabotuar atë. Parathënia e librit është shkruar prej përkthyesit Piro Misha. Në këtë parathënie Misha shkruan: “Amerikës Latine edhe sot i shkojnë fare mirë për shtat fjalët e thëna nga një shkrimtar për Meksikën gati një shekull më parë: ‘E shkreta Meksikë, kaq larg nga zoti e kaq afër nga Shtetet e Bashkuara”. (“Madrugada rojas”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, f. 3) Misha, më tutje shkruan në parathënien e librit: “Me El Hueron autori është përpjekur të na japë një figurë sa më realiste sa më të besueshme dhe në të njëjtën kohë një shëmbëlltyrë e armikut të popujve, të imperializmit amerikan, që as duhet nënvleftësuar por as mbivlerësuar, që për individin e vetmuar mund të duket i pathyeshëm, por që për popullin s’ është veçse një tigër prej letre”. (“Madrugada rojas”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, f. 6) “Imperializmi amerikan është një tigër prej letre” ishte shprehja e Mao Ce Dunit.

Duket se propaganda e regjimit komunist shqiptar, me Piro Mishën e kishte gjetur njeriun e përshtatshëm për të bërë parathënien e këtij libri, që demaskonte CIA-n pasi Misha ishte një ekspert në çështjet e inteligjencës, në sensin e shërbimeve sekrete, pasi ai në atë kohë ishte koleg i “El Hueros” në shërbimin sekret komunist shqiptar, nën pseudonimin “Fatosi”. Nuk është ironi e vogël që Misha në dhjetor 2003 shkon në Departamentin e Shtetit në Ëashington, si pjesë e një grupi njerëzish nga “shoqëria civile” shqiptare të cilët do të jepnin mendime për çështjet e luftës kundër terrorizmit. Kjo ftesë, si dhe dhënia e parave të taksapaguesve amerikanë këtij njeriu, është një fyerje për ata 100 mijë amerikanë që dhanë jetën në luftë kundër komunizmit, si dhe për ata 16 milion amerikanë që luftuan kundër komunizmit në Kore dhe në Vietnam, si dhe në vende të tjera. Më tutje Misha shkruan në parathënie: “Autori i këtij libri, shkrimtari anglez Uiliam Esh , është një autor marksisit dhe mik i Shqipërisë. Ai është marrë si me publicistikë, ku shquhet veçanërisht për librin e tij ‘Marksizmi dhe konceptet morale’, ashtu dhe me letërsi të mirëfilltë ku gjer tani ka botuar pesë romane. Në vitin 1974 ai botoi dhe një libër mbi historinë e popullit shqiptar, të titulluar ‘Kazma dhe pushka”. (“Madrugada rojas”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1976, f. 8) Rasti e solli që Misha, gjashtë vite pasi përktheu librin “Madrugada rojas” dhe shkroi parathënien për të, të vihej në pozitën e personazhit kryesor të këtij libri, që zbulon një agjent të CIA-s, të infiltruar në lëvizjen revolucionare.


Në vitin 1982 Misha ndihmoi në zbulimin dhe dënimin e një “agjenti” të CIA-s në Shqipëri, në kohën e zbulimit të “komplotit” të “poliagjentit” Mehmet Shehu, që supozohej të ishte organizuar nga CIA. Pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe fabrikimit nga Sigurimi i Shtetit të komplotit të këtij "poliagjenti" filluan të kërkohen "prova"për të futur në burg edhe djemtë e tij, mes të cilëve dhe Bashkim Shehun. Për dënimin e këtij të fundit kontribuoi deri edhe si dëshmitar miku i tij, “Brandesi” shqiptar, "Fatosi". Bashkim Shehu pati bërë gabimin që pati folur në bisedat me “Fatosin”për gjëra të cilat regjimi i quante kriminale, si për muzikën dhe për letërsinë perëndimore moderne, jetën e mirë ne Perëndim etj. "Fatosi" e shtrydhi kujtesën e tij të mirë prej çekisti dhe i dha diktaturës së proletariatit "provat" e nevojshme në bazë të të cilave Bashkim Shehu u dënua për “agjitacion dhe propagandë.

Në vitin 1983, Piro Misha bëri parathënien e librit të përkthyer prej tij “451º fahrenajt”, të Ray Bredbury, një roman i botuar në vitin 1953 nga një autor ekcentrik ky, ku imagjinohet një situatë në të ardhmen kur librat do të jenë ndaluar me ligj dhe do të jetë krijuar një polici e posaçme për zbulimin dhe djegien e tyre. Në parathënien e librit Misha shprehet në parathënien e librit se kjo perspektivë duket qartë në të ardhmen e SHBA-ve. Në parathënien e librit, Misha shkruan: “Ky roman tronditi publikun amerikan, i cili pa aty, si në një pasqyrë magjike, një të ardhme, farat e së cilës dukej shkoqur se si kishin nisur të mugullonin në gjirin e shoqërisë amerikane, dëgjoi aty të kumbonte fort një thirrje alarmi, një britmë e hidhur e dhimbshme paralajmërimi, për t’ i bërë njerëzit të kuptonin e të mbronin ato vlera kulturore, shpirtërore që njerëzimit i është dashur shekuj t’ i krijojë”. (“451º fahrenajt”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, f. 3)

Po t’ u u besojmë atyre që shkruan Misha në vitin 1983, pas 20 vitesh, në vitin 2003, kur ai shkoi në SHBA-të me ftesë të Departamentit të Shtetit, në këtë vend duhej të qenë ndaluar librat dhe të vepronte policia e djegies së librave. Tash Ambasada e SHBA-ve në Tiranë u detyrohej për një përgjigje shqiptarëve mbi dilemën: Ose në SHBA-të janë ndaluar librat dhe vepron policia e djegies së librave, sipas parashikimit të Mishës, ose në Departamentin e Shtetit ka bufonë të çuditshëm dhe paranojakë që merren me njerëz si Misha. Se ky i fundit shkruan më tutje në parathënien e librit: “Një ëndër e makthshme, por që fatkeqësisht ja shiheni vetë, s’ është larg nga realiteti- duket sikur thotë autori”. (“451º fahrenajt”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, f. 4) Më tutje, në parathënie Misha e quan librin “një protestë kundër ‘brain Ëashing’, lavazhit të trurit që çdo amerikan e ndien çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë ta rrethojë, ta depërtojë nëpërmjet atyre dhjetëra burimeve që përbëjnë propagandën e regjimit”. (“451º fahrenajt”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1983, f. 9) Siç shihet nga parathëniet e shkruara nga Misha, për të dy librat, ky i fundit ishte një ndër propagandistët më ekstremistë dhe paranoiakë të regjimit komunist.


E çuditshme është se si i ka përkthyer këto libra që në origjinal janë në anglisht Pirro Misha, i cili ka mbaruar studimet për frengjisht dhe në kohën e regjimit komunist ka punuar si redaktor në sektorin e përkthimeve nga gjuha franceze në shqip në shtëpinë botuese "Naim Frashëri". Ai i ka përkthyer nga frëngjishtja, duke dëmtuar cilësinë e tyre dhe këtë e ka bërë nga zelli për të kontribuar në luftën kundër imperializmit amerikan, para së gjithash me parathëniet e këtyre librave. Me ndryshimin e sistemit politik, "Fatosit" iu dha një mision në shoqërinë civile. Tashmë ai kishte dhënë prova se qe i aftë për të kryer misione speciale. Me krijimin e Fondacionit "Shoqëria e Hapur për shqipërinë" (Fondacioni "Soros") në vitin 1992, Pirro Misha mori postin kyç të Drejtorit të Programit të Botimeve.Së fundmi është transformuar në "Shtëpia e Librit dhe Komunikimit", sipas strategjisë sorosiane të kamuflimit. Si pjesë e këtij Misha kryesoi dhe programin "Libra për një Shoqëri të Hapur, që konsiston përkthime të librave filozofikë, historikë, politikë etj. në shqip. Gjatë këtyre viteve Fondacioni "Soros" ka qënë qëndra që ka financuar më tepër se kushdo tjetër në fushën e botimeve dhe të gjitha këto fonde kanë qënë në duart e “Fatosit”, që tashmë u bë “El Huero” sorosian dhe grek në Shqipëri. Kjo vë një pikëpyetje të madhe mbi qëllimet e angazhimit të Fondacionit "Soros" pasi "Shoqëria e hapur" logjikisht nuk duhet të qe e tillë për njerëzit e policisë sekrete të shoqërisë së mbyllur, për të cilën e para pretendon që të jetë një alternativë. Aspekti tjetër i keq i kësaj çështje është se në 14 vitet e fundit Pirro Misha, i cili ka qënë një funksionar i lartë i Fondacionit "Soros", ç'ka e bën atë të quhet pjesëtar i shoqërisë civile, sipas rregullave të sotme, edhe pse nuk shkruan më tepër se 20 rreshta të vit në shtyp, paraqitet si një intelektual i madh, që del në ekranet e televizioneve për të folur për gjithçka, si një opinionist ekspert i të gjitha çështjeve i historisë shqiptare, që nga kryengritja e Haxhi Qamilit tek Lufta e Dytë Botërore, e më tutje, i terorrizmit islamik, i teologjisë islame, i politikës shqiptare dhe ndërkombëtare, që nga lufta në Irak tek konfliktet etnike në Ballkan, i çështjes së Kosovës, i çështjes së integrimit të Shqipërisë në Europë, NATO, madje edhe i veshjes së njerëzve. Me sa duket Misha ka marrë me vete në "Shoqërinë e hapur" parimin leninist të shoqërisë së mbyllur komuniste sipas së cilës "Komunisti duhet të njohë tërësinë e dijeve të krijuara nga njerëzimi". "Fatosi" është shembulli i njeriut sesi nuk duhet të jetë një personalitet i shoqërisë civile.


Dhe “qershia mbi tortë” për në fund: Pirro Misha është dhe një avokat i madh mediatik i Ismail Kadaresë, siç u paraqit në një debat televiziv në emisionin “Zonë e ndaluar” në Tv Klan, para disa javësh, ku u shpreh se në kohën e komunizmit vepra e Kadaresë kishte frymëzuar tek njerëzit si ai një pikëpamje tjetër për gjërat. Nëse supozohet se vepra e Kadaresë e ka bërë këtë, sigurisht që kjo nuk bëhet e besueshme kur e thonë njerëzit si Misha. Dhe qenka një rregull që të gjithë mbrojtësit e Kadaresë të jenë “kalorës” të “Urdhërit të Lugës së Çorbës të Prishur”

No comments: