Wednesday, November 29, 2006

Na duhet kurdoherë të shpikim një ujk

Ylber Memia (fragment nga artikull itij ne Sot-29-12-2006)

......Na duhet kurdoherë të shpikim një ujk. Që t’ja hapim gojën me zorr e t’ja hedhim vallen mu në gojë. Hajde valle, hajde! Çuditet bota. Dhe po të dalë fjala vjen Amerika, apo Anglia apo qoftë dhe Italia e të thotë se jep dyshtetësi (apo qoftë njështetësi) për shqiptarët, bobo çfar kthese të rrufeshme do të merrte vallja hibride! A thua do të mbetej ndonjë shqiptar pa u turrur drejt këtij shansi të ofruar bujarisht? Vetëm ndonjë i mbetur zgëqeve, atje ku nuk dëgjohet trumpeta zëçjerrë e mediave. Vetëm ata do të qenë “patriotët” që nuk do ta braktisnin mëmëdhenë. Nga rreth 6 milion shqiptarë në trevën ballkanike, janë gati dy milion shqiptarë të shpërndarë sot nëpër botë. Nuk është puna se kanë ikur më të mirët e kanë mbetur më të liqtë, as se kanë ikur më kozmopolitët e kanë mbetur më patriotët. Është një prirje e natyrshme për t’i ikur lodhjes e mundimit të valles hibride shqiptare dhe për t’u futur në një valle më të shtruar, më të thjeshtë, më njerëzore që luhet e pabujshme dhe nuk të merr mendjen, në vallen e madhe të njerëzimit e botës. Ky difuzion i natyrshëm është ai që do ta bëjë Shqipërinë duke zhbërë vallen e saj hibride të amokut. Këtij difuzioni i trembej diktatura komuniste kur mbyllte deri në gjakderdhje kufijtë. Ky difuzion është fitorja më e madhe e pakthyeshme e Shqipërisë në këto 15 vjet. Ai do të sjellë rilindjen e dytë kulturore të Shqipërisë, do të pastrojë ndërgjegjet e vrara e të malcuara, do të shtojë transparenten e të ndershmen në jetën shqiptare dhe do të rritë qytetërimin e një kombi vital që është ngrënë përjetësisht me veten e tij më shumë se me të huajt. Për të arritur këtë na duhet të bëjmë ca gjëra të thjeshta: Të flasim më pak e të punojmë më shumë. Të shpëlajmë trutë nga mendësitë komuniste. Shteti nuk është as prifti, as mësuesi, as beu e bamirësi ynë; është vetëm partneri ynë për ndërtimin e një jetese më të mirë. Të mos bastionizohemi si gurë shahu në skalionet e politikës duke e parë të keqen vetëm e vetëm në kampin e kundërt. T’i detyrojmë politikanët të jenë më të ndershëm e transparentë. Të luftojmë për ligje të mira dhe t’u bindemi atyre më shumë se zotave e pejgamerëve. Të inkurajojmë futjen e sa më shumë forcave të reja në jetën qytetare e politike. Të mos thashethemizojmë e përgojojmë çdo aspekt të jetës shqiptare duke përhapur ndjenjën e pështirosjes e të mosbesimit. Të mos shpikim armiq e ujqër për vallen tonë e të mos kërkojmë fajtorë jashtë nesh për ato që s’na ecin. T’u hapim udhë më të zotërve e më të diturve dhe të marrim mbi supe aq sa ç’mund të mbajnë supet tona. Të jemi më pak egocentristë e më shumë modestë: qendra e gjithësisë gjithsesi është shumë e shumë larg secilit nga ne. Kulturë, kulturë dhe vetëm kulturë. Kështu do të mund ta futim vallen hibride shqiptare në vallen e shtruar të shumicës më të kulturuar të njerëzimit e botës.

No comments: