Wednesday, November 22, 2006

Një, dy dhe tre-shtetësia ose europianizmi

Nga Astrit Lulushi (Gazeta "Sot"22-11-2006)-

Pa dyshtetësinë, historisë botërore, madje edhe letërsisë, sot do t’i mungonin disa prej faqeve më interesante. Lexuesit nuk do të shijonin kryevepra të tilla të Shekspirit, si Qezari dhe Kleopatra, pasi pa konceptin e dyshtetësisë (dyarkisë),kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur, Mark Antoni ndoshta nuk do të kishte hyrë në histori, hunda e Kleopatrës nuk do të ishte bërë simbol i bukurisë e flirtit, dhe letërsisë shqipe do t'i mungonin përkthimet shekspiriane të Fan Nolit. Përfshirja e Egjiptit në perandorinë Romake u krye nëpërmjet një akti tepër të pazakontë. Grindjet midis Ptolemeut dhe Kleopatrës (vëlla e motër) për kontrollin e perandorisë, bënë që kjo e fundit të kërkonte ndihmën e Romës. Ngjarjet që pasuan bënë që nënshtetasit e Egjiptit të gëzonin edhe qytetarinë e Romës. Ky është shembulli klasik.(Mommsen) Shembulli tjetër është ai i Ilirisë së pushtuar nga Roma, por me të drejtë qytetaria, në sajë të së cilës shumë ilirë arritën të bëheshin edhe perandorë. Ndryshe është shembulli i perandorisë Osmane, e cila i kthente të pushtuarit në vasalë, dhe vetëm nëse këta ndërronin fenë mund të përparonin në hierarkinë perandorake. Ndarjet arbitrare administrative, bazuar në ekonomi e jo në etni, bënë që kufijtë mes kombeve thuajse të zbeheshin dhe me shpërbërjen e perandorisë Osmane, askush nuk e kishte të qartë se ku duhej të fillonin e mbaronin kufijtë e vendit të ardhshëm. Shpërbërja e perandorisë, proces që filloi në shekullin e 19 e përfundoi në fillim të shekullit 20, beri që çdo shtet i ri në Ballkan, Greqia, Serbia, Mali i zi, Maqedonia e Shqipëria të kishin brenda kufijve të tyre pakica të vendeve fqinje.(Jacques). Kështu mund të shpjegohet edhe përse çdo vend evropiano-lindor vazhdon të aspirojë, hapur ose jo, pretendime ndaj territoreve të vendit tjetër fqinj. Por sundimi i gjatë i perandorisë Osmane la prapa edhe një ndarje tjetër duke krijuar dy botëkuptime të ndryshme rreth dyshtetësisë; konceptin perëndimor dhe atë lindor. Kur bëhet fjalë për dyshtetësinë në perëndim, ekspertët kanë parasysh vendin e origjinës dhe vendin e dërgimit të emigrantëve në vendin tjeter, i cili ndonjëherë quhet vendi marrës. Mbi këto baza është dyshtetësia që njihet sot në vende të tilla si Amerikë, Britani, Kanada, Gjermani, Francë e që në shumë vende të tjera vazhdon të debatohet.(H. Forbes). Të nohur me konceptin perëndimor janë veçanërisht shqiptarët. Megjithëse statistika të hapura mungojnë, që nga fundi i shekullit të 19 e në vazhdim, për arsye që dihen qindra mijëra shqiptarë kanë lënë trojet e veta duke u vendosur në perëndim ku gëzojnë edhe të drejtën e dyshtetësisë. Por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, bëri që debati rreth dyshtetësisë të merrte drejtimin e krijuar pas shpërbërjes së perandorise Osmane dhe të perandorise Austro-Hungareze, e cila doli e humbur nga Lufta e parë botërore. Dhe në debatet e ringjallura është fjala jo për dyshtetësine e emigrantëve që synojnë të integrohen në vendet ku janë vendosur, por për pakica etnike (minoritete) që ende aspirojnë autonominë, ndarjen dhe bashkimin me shtetin amë, siç është rasti i moldovasve rumunë apo rusëve të Ukraineë. (Brusina). Një fakt që tregon se ndjenja të tilla nuk janë shuar, ishte edhe referendumi hungarez i vitit 2004 mbi dhënien e shtetësisë pakicave hungareze në Rumani. Hungaria si vend anëtar i Bashkimit Evropian, u ofronte pakicave hungareze në Rumani shansin për tu bërë edhe shtetas hungareze e të Bashkimit Evropian. Referendumi u kundërshtua nga Rumania, pasi si vend jashtë Bashkimit Evropian, ajo shqetësohej se kandidatura e saj do të lihej në Harresë. (Ëeinstein) Fakti që Rumania pritet të anëtarësohet në BE nga viti 2007, tregon se protesta e moderuar e tërthortë e Bukureshtit i shërbeu Bashkimit Evropian si barometër për të matur dëshirën dhe pjekurinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Dhe ndoshta jo pa qëllim, mosmiratimi i dyshtetësisë në referendum, u cilësua nga Bashkimi Evropian si "një fitore e vogël e europianizmit".? Kohët e fundit qeveria e Athinës shpalli se do t'u japë shtetësinë dhjetëra mijëra shtetasve shqiptarë me prejardhje greke. Shumë vetë në Greqi e shikojnë këtë si një hap të gabuar të qeverisë greke, pasi minoritarët të shtyrë nga nevojat ekonomike, tani do të vërshojnë në Greqi duke lënë vendbanimet e tyre në Shqipërinë jugore dhe së shpejti atje nuk do të mbetet ndonjë grek. Por përkrahësit e vendimit të Athinës thonë se shumë prej minoritarëve ka kohë që ndodhen në Greqi për punë, prandaj nuk ka kuptim që të mos u jepet shtetësia. Të tjerë thonë se dyshtetësia mund të jetë një manovër elektorale e politikanëve në pushtet në Athinë.(Tsitselikis). Edhe mes shqiptarëve, vendimi për dhënien e dyshtetësisë minoritarëve grekë është pritur me reagime të ndryshme. Disa mendojnë se dyshtetësia mund të përdoret nga Athina si pykë për të ndërhyrë në politikat e Shqipërisë rreth të drejtave të pakicave, si në çështjen e shkollave apo përdorimit të flamurit grek. Të tjerë mendojnë se ashtu si Rumania, Shqipëria duhet t'a shfrytëzojë këtë rast për t'i kërkuar Bashkimit Evropian, në mënyre diplomatike, që të përshpejtoje procesin e anëtarsimit të vendit në BE.(Albanian Websites). Por përparesitë që duken qartë nga dhënia e dyshtetësisë është, se ajo pritet të rrisë krenarinë kombëtare të minoritetit grek dhe, se duke marrë një shtetësi të tillë grekët e Shqipërisë janë banorët e parë të këtij vendi që do bëhen automatikisht edhe shtetas të Bashkimit Evropian, anëtare e të cilit Greqia është që prej 1 janarit të vitit 1981.

No comments: