Monday, November 27, 2006

Ora e pakurdisur e z. A. Xhaferi

note: intervista e z. Xhaferi perben shembullin me klasik te anakronizmit lidhur me vizionin europian te qytetareve shqiptare te cilet jane ne emigracion.
Pra thelbi i propozimit te tij eshte pak a shume ky: qeveria greke nuk duhet ti beje emrigantet me shtetesi shqiptare qytetare me te drejta te barabarta me greket, nuk duhet ti beje ata pjestare te Komunitetit auropian, ne te kunder kjo barazvlefshmeri e tyre konsiderohet veprim armiqesor!!!!
Por duke qene se ai eshte i pafuqishem te ndikoje per te penguar kete drite jeshile te qytetarise europiane qe eshte kpmpetece e qeverise greke ne rastin konkret, ai me intervisten e tij sugjeron skenarin tjeter: heqjen e neneshtetesise shqiptare te tyre!!!!
Pra, sipas kesaj llogjike qytetaret shqiptare te FYROM qe jetojne ne Gjermani duhet tu hiqet nenshtetesia e FYROM, po ashtu e Kosovareve me neshtetesi gjermane apo franceze, zviceriane etj duhet tu hiqet nenshtetesia e tyre!!!
Vertet ta ka enda te lexosh te tilla komente...







Kreu i PDSH-së në Maqedoni, Arbër Xhaferri flet për vendimin e Athinës për dhënëien e nënshtetësisë greke minoritarëve grekë, çështjen çame dhe hapjen e dosjeve të Ish-Sigurimit

Xhaferri: Dyshtetësia, akt armiqësor

Vijon nga numri i djeshëm / Kjo është pjesa e dytë e intervistës me Arbër Xhaferrin. Pjesa e parë e botuar dje, kishte përgjigjet e z.Xhaferri mbi pyetjet e “Shekullit” për çështjen e statusit të Kosovës dhe debatin për religjionin dhe identitetin. Në këtë pjesë të dytë dhe të fundit, Arbër Xhaferri flet për vendimin e Athinës për dyshtetësinë e shqiptarëve, për çështjen çame, si dhe shkurt për situatën politike në Tiranë dhe në Shkup.

Adrian Thano

Në Shqipëri ka një debat përgjithësisht konfuz, lidhur me vendimin e fundit të Athinës, për t’u dhënë nënshtetësinë greke minoritarëve grekë dhe aplikantëve të tjerë të mundshëm, nga shtresa e emigrantëve dhjetëvjeçarë shqiptarë në Greqi. Si e shikon z.Xhaferri këtë situatë? Cilat mund të jenë pasojat e aplikimit në terren të këtij vendimi?

Së pari, vlerësoj se politika shqiptare edhe kësaj radhe është defanzive. Një politikë serioze duhet t’i anticipojë proceset që do të zhvillohen. Kjo ndikon që ne gjithmonë të jemi të befasuar nga veprimet armiqësore të dikujt kundër nesh. Kjo befasi, jo vetëm që flet për një çiltërsi naive, por edhe për mungesën e strategjisë konsistente të shqiptarëve në përgjithësi.
Së dyti, këtë akt të shtetit grek e vlerësoj si akt armiqësor që synon destabilizimin e shtetit shqiptar. Them armiqësor, ngaqë synon një pjesë të qytetarëve të Shqipërisë t’i bëjë për vete, t’ua blejë lojalitetin ndaj shtetit grek dhe objektivisht të nxisë disluajalitetin e tyre ndaj shtetit amë, shqiptar. Me këtë akt armiqësor, shteti grek nuk do të fitojë asgjë, pos thellimit të dyshimeve të ndërsjella dhe nxitjen e armiqësive të kota.
Së treti, mendoj se shteti grek në përgjithësi, manifeston shenjë shqetësuese të një antagonizmi të pariparueshëm të brendshëm. Një pjesë e madhe e popullit grek, tregon një disponim të paarsyeshëm antiamerikan, antiperëndimor, antishqiptar dhe shpeshherë jep sinjale të çuditshme, që nuk janë kurrsesi në interes të popullit grek. Me këtë mendësi, me këto botëkuptime ka pasur, ka dhe do të ketë probleme vetë shteti grek, për shkak se tanimë, si amerikanët ashtu edhe evropianët, janë lodhur me këto simptoma antiperëndimore që shfaqen sistematikisht në këtë shtet. Këto forca refraktare, qofshin politike, militare apo klerikale, për fat të keq janë të etabluar në sistem dhe kanë ndikim në vendimmarrje. Aktet e këtilla armiqësore, jo vetëm ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe më gjerë, vijnë nga këto qarqe. Nga ana tjetër, në shoqërinë greke ekziston edhe segmenti tjetër modern, tolerant, properëndimor, krijues, që japin vepra të admirueshme në çdo segment të shoqërisë. Shqiptarët, por edhe evropianët, kanë telashe vetëm me atë segment inatçor, provincial, ksenofobik, kleronacionalist grek. Këto forca nuk do të arrijnë asgjë, për shkak se janë anakronikë dhe jashtë rrjedhave moderne historike. Për t’i kënaqur tekat e tyre, ata do të harxhojnë pak para, do ta zbulojnë rrjetin e vet në Shqipëri, do të bëhen përrallë dhe asgjë nuk do të arrijnë. Shqiptarët kundër tyre do të bëjnë aleancë me grekët modernë, evropianë, të përgjegjshëm dhe bashkërisht do t’i çrrënjosin këto metoda të vjetra, shterpe.

Shumë qytetarë e akuzojnë shpesh qeverinë e Tiranës, për apati të theksuar në marrëdhëniet me fqinjët grekë. Në analizën tuaj, a është inferior raporti i Tiranës me Athinën? Pse? Nga buron kjo pafuqi e dukshme për të kërkuar së paku reciprocitet?

Të gjitha regjimet shqiptare, duke përfshirë këtu edhe atë komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha, kanë pasur një politikë miqësore ndaj Greqisë, madje, minoriteti grek në Shqipëri, në të gjitha regjimet ka gëzuar mbrojtjen e veçantë të shtetit shqiptar. Por, duhet theksuar se kjo miqësi ka qenë gjithmonë e njëanshme. Ironia, shpeshherë është shpjeguesja më e drejtë e ngjarjeve historike. Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi. Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj. Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare. Në vend që këto elemente të shfrytëzohen për një bashkëpunim të frytshëm të ndërsjellë, zgjidhet një aleancë e panatyrshme, që e vë Greqinë në rolin e shërbëtores ndaj interesave të llastuara serbe. Për të qenë objektiv, këtë strategji të gabuar e ndjek ai segment anakronik, klero-nacionalist i shoqërisë greke, që dita ditës do ta humbë ndikimin në shoqëri. Është i çuditshëm inferioriteti i disa segmenteve të shoqërisë greke ndaj interesave serbe, është e pashpjegueshme se si këto segmente nuk vërejnë sjelljen arrogante të serbëve ndaj tyre, sidomos pretendimet e tyre territoriale. Nuk duhet harruar, se luftën qytetare në Greqi e nxitën jugosllavët në krye me Titon, të cilët më vonë, pas kërcënimeve britanike i mbyllën hermetikisht kufijtë, duke i lënë “komunistët” grekë në baltë. Pasojat e kësaj lufte qytetare vërehen sot e kësaj dite, jo vetëm në Greqi.
Këtë arrogancë që e kishin jugosllavët karshi Greqisë, me siguri e kanë trashëguar edhe shqiptarët e Jugosllavisë, që nuk tregojnë as më voglën shenjë të inferioritetit ndaj grekëve dhe serbëve. Shkrimtari ynë i madh, Kadare, në analizat e tija të thella, bihevioriste, lidhur me natyrën e konfliktit shqiptaro-serb, ndriçon një detaj shumë interesant. Ai konstaton se vetëm shqiptarët nuk kanë pranuar rolin prijatar të serbëve dhe Beogradit, në relacionet ballkanike. Kjo sjellje shpërfillëse e shqiptarëve, vazhdimisht i ka xhindosur serbët.
Inferioriteti i Tiranës zyrtare është pasojë e tranzicionit dhe problemeve që janë krijuar pas ndërrimit të sistemit. Por, kjo veti shumë shpejt do të ndërrohet në varësi nga suksesi i transformimit ekonomik dhe social i shoqërisë shqiptare.
Projekti proselistist i qarqeve klero-nacionaliste greke, do të japë efektin e kundërt, ashtu si projekti i dikurshëm serb në Jugosllavi. Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro-serbë.

Ju jeni shprehur se "tragjedia çame, ngjashëm me tragjeditë e shqiptarëve në viset e tjera jashtë shtetit amë, nuk mund të shërohet me asgjë, por mund të kompensohet politikisht, moralisht dhe materialisht". Ju shpreheni gjithashtu, se "Duhet të detyrohet qeveria greke, që ta pranojë dhe të ballafaqohet me fajësinë e paraardhësve të saj, të cilët merrnin vendime që prodhuan efekte gjenocidale". Cilat janë rrugët për të realizuar këtë presion dhe konkretisht, çfarë duhet të bëjë politika shqiptare për këtë?

Shqiptarët, duke qenë popull atipik në shumë dimensione, duke mos pasur protektorë të fuqishëm pas vetes dhe duke pasur kundër vetes armiqësinë dhe aspiratat e perandorive, kanë pasur fatkeqësinë që territoret e tyre të rrudhen. Nëse e analizoni historinë më të re të Serbisë, apo të Greqisë, do të konstatoni se këto shtete, pas çdo lufte të madhe janë zgjeruar në dëm të popujve të tjerë, ndërkaq territoret shqiptare janë rrudhur. Proceset e këtilla, shpeshhere janë ireversibile. Territoret që i kanë humbur shqiptarët në periudhën e fundit historike, ato rreth Nishit, në Sanxhak, në Maqedoninë Qendrore dhe Çamëri, janë procese ireversibile, të pakthyeshme. Këto çështje më nuk mund të kenë peshën e kauzës, por kjo nuk do të thotë se këto tema do të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Gjatë procesit historik në gjithë botën, tinëzisht janë bërë krime përmasash gjenocidale dhe këto çështje nuk do të kalojnë në harresë, rrjedhimisht edhe çështja çame. Greqia do të jetë gjithnjë e më e detyruar që ta pranojë fajin, të kërkojë falje dhe në forma të ndryshme t’i kompensojë dëmet. Presionet e vazhdueshme të grekëve, aktet, që sipas drejtës ndërkombëtare mund të quhen armiqësore, bëhen për t’i zmbrapsur shqiptarët nga kërkesat për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga shteti grek. Me kërkesa të këtilla për konstatim të fajit, për vetëdijesim për krimin e bërë, ballafaqohen edhe popujt tjerë të botës. Ata që janë më të qytetëruar, arrijnë të gjejnë forca morale për distancim nga krimi, gjenocidi i shkaktuar nga një koniunkturë e vjetër politike. Gjermanët, procesin e denacifikimit e zhvilluan sistematikisht. Sot, në Gjermani konstatohet si akt penal, çdo prononcim që e mohon gjenocidin kundër hebrenjve.
Qytetërimet që kanë forca për introspekcion moral, për distancim nga krimet e gjeneratave të mëparshme, rimëkëmben dhe rifreskohen nga aspekti moral. Hë për hë, qytetërimi perëndimor gjen forca për distancime të këtilla. Armiqtë e dikurshëm të Amerikës, si bie fjala, Martin Luter King, Roza Parksi apo Muhamed Ali, sot janë simbole pozitive, pjesë tipizuese të identitetit amerikan, ashtu si Mendela, simbol i Afrikës së Jugut.
Kjo rrugë, është rruga e shpëtimit për çdo popull, qofshin ata serbë, grekë, turq, apo shqiptarë. Nëse grekët nuk do të kenë forca që të distancohen nga krimet e bëra kundër çamëve, ata deri në rraskapitje do të përkujtohen për këtë detyrim, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga aleatët e tyre perëndimorë.


Në gjykimin tuaj, përse pikërisht tani, në Shqipëri merret një vendim për hapje dosjesh? Më gjerë, si e shikoni situatën aktuale politike në Tiranë? Pse politika shqiptare, po mundet gjithmonë e më pak të prodhojë stabilitet?

Shqiptarët në përgjithësi, të ballafaquar me proceset historike që i rrënuan sistemet e vjetra të vlerave, nuk arritën, shpejt e shpejt, të krijojnë sistemin e ri të vlerave, me çka do të zvogëlonin rrezikun nga konfliktet e natyrave të ndryshme. Ashtu si nuk kemi përgjigje adekuate kundër akteve armiqësore të segmenteve të ndryshme të politikës greke, ashtu si nuk kemi projekt për transformimin ekonomik, për çrrënjosje të korrupsionit, të papunësisë, të krimit etj., ashtu nuk kemi qëndrim të qartë për çështjen e dosjeve. Shthurja vërehet natyrshëm në çdo segment shoqëror. Në emër të partisë e prishim shtetin, në emër të grupit e prishim partinë, në emër të interesit të individit prishin grupin, partinë dhe shtetin. Në Kosovë përdoret një fjalë e urtë. që pasqyron shumë drejtë mendësinë kolektive të shqiptarëve të kësaj gjenerate: “Prish shtëpinë mbaro hajat”. Nuk është dilema a të hapen a jo dosjet, por, pse dhe si të hapen! Përderisa nuk përkufizohet motivi dhe mënyra e hapjes së dosjeve, mendoj se çdo iniciativë i takon nevojave ditore të politikës.



Rreth 2 vjet më parë, keni thënë se ne vitin 1998, kur ka ardhur në pushtet PDSH dhe partia maqedonase, VMRO-DPMNE, keni biseduar me maqedonasit rreth ndarjes së Maqedonisë. Ju keni thënë se ka pasur plane me Lubco Georgievskin, "për ta bërë në mënyrë të qetë ndarjen e maqedonasve dhe shqiptarëve, duke mos besuar në shtetin multietnik, si formë e funksionimit të shtetit". Jeni shprehur gjithashtu, se "Maqedonia nuk ka të ardhme, kështu siç po shkon".
Sot, kur PDSH është sërish pjesëtare në qeverisje, jeni ende i këtij mendimi?

Pohimet e mia lidhur me brishtësinë e shteteve multietnike, mbështeten mbi analizat e sociologëve dhe politikologëve eminentë botërorë. Vazhdoj të mendoj njësoj, por, as atëherë as tani, nuk dua të marr përgjegjësinë për përshpejtimin dramatik të procesit historik. Këto procese ndërpriten po qe se arrihet një marrëveshje e ndershme për barazi, ose kur njëra palë dorëzohet dhe pranon pozitën e akulturimit dhe të asimilimit. Si gjithnjë, do të përpiqem t’i jap shans paqes. Shpeshherë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera.

Në agjencinë e lajmeve “Fokus”, thuhej se këtë fundjavë u takuat me Ali Ahmetin. Në mos gaboj, është takimi juaj i parë, pas më shumë se 1 vit e gjysmë mungesë komunikimi…

Çështja e takimit me z.Ahmeti, është ngritur fare pa nevojë, në nivel të një problemi kulmor me të cilin kinse ballafaqohet Maqedonia, rajoni dhe Brukseli. Në fillim, kjo çështje rrodhi nga dëshpërimi i krerëve të BDI-së, që nuk arritën të hyjnë në qeverinë e re. Këtë handikap ata e cilësuan si mungesë të dialogut, mes pozitës dhe opozitës, për çka u dërguan letra anekënd botës. Kërkesa e tyre për dialog, është në thelb fajësimi i qeverisë për margjinalizim të rolit të kësaj partie në shoqëri. Ata nuk kanë kërkesë për dialog lidhur me çështjet konkrete, por kërkesën për dialog, e përdorin si akuzë abstrakte. Sa më përket mua, unë nuk ndjej kurrfarë armiqësi ndaj z.Ahmeti, por nuk dua të jem figurant në mizanskenin e tij politik.


27/11/2006 (Shekulli)

No comments: