Wednesday, November 15, 2006

Peter Lucas per Kadarene ( The Boston Herald and The Boston Globe)

Peter Lucas gazetar veteran, The Boston Herald and The Boston Globe

Lucas:” Shkrimtari i madh është vizionar dhe i paaftë të bëjë kompromise”
Shqiptarët gjithnjë kanë qenë të ndarë në gjykimet e tyre mbi ata intelektualë si Kadareja apo të tjerë, të cilët u larguan nga Shqipëria në një kohë që ajo kishte nevojë për ta. Disa mendojnë se ata ishin të mënçur që u larguan. Të tjerë i gjykojnë ata si tradhëtarë që braktisën vendin e tyre në nevojë. Kishte nga ata që shpresonin se Kadareja do të bëhej versioni shqiptar i Vaslav Havelit të Çekosllovakisë. Me përjashtim të Havelit, unë kam kuptuar se poetët s’mund të jenë veçse presidentë dhe politikanë të këqinj.

Ka edhe sot e kësaj dite njerëz, të cilët vazhdojnë t’ia përmendin Kadaresë të kaluarën e tij komuniste, sikur ky njeri i imët të kish qenë një gjigand i komunizmit, apo sikur ai të kish qenë i vetmi anëtar partie që regjimi i Enver Hoxhës prodhoi në atë kohë. Nuk është e panjohur për askënd se Kadareja ishte anëtar i Partisë së Punës.

Por po kështu ishin dhjetra mijra të tjerë, përfshirë edhe Sali Berishën dhe Fatos Nanon. Kadaresë, ashtu si Berishës, Nanos dhe gjithë të tjerëve, u duhej të mbijetonin. Por ndryshe nga të tjerët, Kadare krijoi një prozë dhe poezi të madhe edhe në ato kohë të vështira.

Duke parë se si edhe sot disa shqiptarë kritizerë që s’kanë vetë asnjë vlerë, vazhdojnë të mbajnë po atë qëndrim dashakeqës ndaj Kadaresë, mua më përforcohet bindja se shqiptarët kanë një difekt në kompozimin e tyre gjenetik. Ky difekt në ADN-në e tyre i bën shqiptarët të urrejnë, të përbuzin dhe t’i kenë zili ata bashkëkombas shqiptarë që arrijnë sukses dhe ngrihen mbi klanin apo fisin e tyre.

Ky difekt gjenetik, i trashëguar duket brez pas brezi, bën që çdo shqiptar, si Kadareja, i cili ngrihet në madhështi, mund të shahet, të shpërfillet apo të ndëshkohet ngaqë guxon të jetë i madh. Në vend që me krenari ta ngrenë atë mbi supet e tyre, njerëz xhelozë dhe të paaftë do të preferonin ta ulnin dhe ta shanin këtë njeri të madh. Kjo më bën të mendoj se është e mundur që kur Kadare të fitojë Çmimin Nobel, atij do t’i bëhen ndere dhe respekte më të mëdha jashtë vendit të tij se sa brenda tij. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Kur Akademia Franceze e nderoi Kadarenë duke e bërë anëtar të saj, ambasadori i Shqipërisë në Paris në atë kohë Besnik Mustafaj (sot ministër i jashtëm i Shqipërisë) nuk denjoi as të shkonte në ceremoninë e organizuar me këtë rast.

Kadare do të kish dështuar nëse do të ishte bërë një drejtues politik në Shqipëri. Unë besoj se ai edhe vetë, thellë në thelbin e qënies së tij, e ka ditur këtë. Një politikan i sukseshëm duhet të mësohet të bëjë kompromise. Politika është arti i kompromisit. Dhe sa më shumë kompromise bën një politikan, aq më shumë, me kalimin e kohës, ai fillon e zhvishet nga bindjet e tij deri sa arrin një ditë që ai mbetet krejt pa to. Shikoni Nanon. Shikoni Berishën.

Shkrimtarët dhe artistët e vërtetë janë vizionarë dhe të paaftë të bëjnë kompromise. Nëse bëjnë kompromis ata humbasin artin dhe vizionin e tyre dhe shndërrohen në politikanë të rëndomtë.


Shënim i redaksisë: Gazetari i njohur amerikan me origjinë shqiptare Peter Lucas ka botuar disa muaj shkrimin e mësipërm për Ismail Kadarene. Ai mendon të shkruaj një liber për Kadarenë. Ndërkohë, i sensibilizuar nga sulmet e koheve të fundit kundër Kadaresë ai na autorizoi të botojmë një fragment të shkrimit të tij mbi Kadarenë.E

Merkure:15/11/2006 (Koha jone)

No comments: