Monday, December 04, 2006

Anakronizmi i nje ish Presidenti

note: Z. Meidani, ish presidenti i Shqiperise e rradhit veten ne kundershtaret e dyshtetesise se qytetareve shqiptare qe jetojne ne Greqi. Ai "bekon" heqjen e shtetesise shqiptare te rreth 600 mije kandidateve te mundshem per tu bere qytetare te EU (Europian Union). Ndersa situata politike evolon vazhdimisht z. Mejdani na paraqet si te kohes argumentat e nje artikulli te disa viteve me pare qe edhe atehere ishte anakronik. Autori pranon si te verteta theniet qe "mjafton te deklarosh se desheron shtetsi Greke dhe ajo ja jep ate kujdo" e cila eshte servire nga shtypi vulgar (autori nuk ka asnje te dhene konkrete per kete gje por merr si te mireqena hipotezat e veta te cilat nuk perputhen me te verteten).
Per te deshmuar per anakronizmin e artikullit te z. Mejdani, mjafton qe te permendim se shtetesia e dyfishte eshte e njohur dhe nga SH.B.A., Danimarka, Kanada (Canadian Citizens and Dual Citizenship: Since February 15, 1977, Canadians have been allowed to take foreign citizenship while keeping their Canadian citizenship), Hungaria, Rumania (By the way sander ROMANIA joins the EU in 2007 with its 22329977 milion Romance speakers = 1.500 000 Moldovans with double citizenship), Sllovakia etj.
Hungaria, Sllovakia, Rumania do te aplikojne dyshtetesine ne kondita krejt te ngjashme me ate qe do aplikoje Greqia per "homogjenet" greke qe z. Mejdani i vendos ne thonjeza. Autori me sa duket per keto shtete ruan ende skedare te dhenash te vjeteruara. A nuk ka ardhur koha qe te pyeten dhe vete njerezit se cfare kombesie i takojne? Sigurisht nuk mjafton vetedeklarimi per tu bere homogjen. Jane nje sere te dhenash historiko-sociale qe kondicionojne te qenit Homogjen Ndoshta zgjidhja e ketij problemi me parametrat e autorit do ta kishte rrenjen ne pengimin fillestar te emigracionit drejt Greqise duke vendosur nje barriere qe dine te vendosin sistemet totalitare.Por rivendosja e te tille sistemeve konsiderohet jo shume propabel ne konditat e sotme.

Një sugjerim i vjetër
Nga Rexhep Meidani, 03-12-2006

Përplasja politike dhe debati i shpërthyer në media, pas vendimit të qeverisë greke për dhënie të shtetësisë greke minoritarëve shqiptarë, "homogjenëve", etj., (që mesa shkruhej e deklarohej, bëhej me parapëlqimin e qeverisë shqiptare), nuk mund të thuhet aspak se ishte thjesht një "bamirësi" apo bëhej në respektim të të drejtave njerëzore. Përkundrazi. Përveç disa përfitimeve të drejtpërdrejta individuale e kolektive, nëpërmjet një veprimi të tillë, nga qarqe të caktuara, ende të mendësisë arkaike e joevropiane, fshihen dhe synime perspektive. Aq më tepër që, për hir të lëvizjes së lirë në hapësirën "Shengen", qytetari që lodhet e sorollatet dyerve të ambasadave do të pranonte (qoftë dhe me dokumente të parregullta), të merrte një pasaportë greke, pse jo së shpejti edhe bullgare e rumune!

Prandaj, krahas debatit racional, pa retorikë e mllefe, mund të shtrohet dhe pyetja: Në ditët e sotme, në kushtet aktuale ekonomike-sociale e politike-institucionale, a na duhet ne shqiptarëve, dyshtetësia?

Për të dhënë një përgjigje ndaj kësaj pyetjeje, kam bërë dhe analizën time afro 4 vjet më parë, disa muaj pas një iniciative të nisur për mbështetje ligjore parlamentare, në heqjen e dyshtetësisë (natyrisht, për atë kohë edhe pa prapaveprim). Përshtypja ime, është se aty i kam parashtruar të gjitha (duke e parashikuar dhe ngjarjen e fundit, edhe pse pa emër konkret). Prandaj këtu po riprodhoj pikërisht atë, që është botuar në atë kohë (30 gusht 2002) në gazetën" Korrieri", pa ndryshuar qoftë dhe një germë të vetme...

***

Mbi dyshtetësinë

Gjatë kryerjes së detyrës për miratimin e kërkesës së qytetarëve shqiptarë, me banim e punësim të përhershëm në disa vende europiane për lënien e shtetësisë shqiptare, m'u desh të studioja deri në detaje legjislacionin e këtyre vendeve për këtë proces, i cili në themelin e tij, me ndonjë përjashtim individual të rrallë, kishte njohjen e pranimin të vetëm një shtetësie. Pra, për të marrë shtetësinë e një vendi tjetër, krahas dëshirës individuale të shprehur zyrtarisht e të legalizuar, krahas marrjes së garancisë zyrtare, me një afat vlefshmërie deri dy vjet nga institucioni i përcaktuar i vendit pranues, kërkohet miratimi i instancës më të lartë të shtetit origjinë, madje botimi aty në Fletoren Zyrtare, i dekretit për miratimin e kërkesës për lënien e shtetësisë...

Nuk do të kishte kuptim ta lodhja lexuesin me aspektin juridik të problemit dhe analizën e detajuar të tij, por në këto kategori shtetesh gjithmonë në rritje, janë jo vetëm vende tepër të zhvilluara e të konsoliduara si Gjermania, Austria, vendet nordike, etj., por dhe vende që u shkëputën, para afro një dhjetëvjeçari nga sistemi socialist dhe aktualisht janë në një proces konsolidimi apo tranzicioni, si Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, etj., madje deri dhe vende që kanë probleme të mprehta sigurie si Izraeli. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon të operojë në kushtet e dyshtetësisë, sipas një dekreti të ish-presidentit Berisha, të firmosur vite më parë në rrethana krejt të tjera.

Natyrisht, motivet e mospranimit të dyshtetësisë në këto kategori të ndryshme vendesh, nuk janë e nuk mund të jenë të njëjta, qoftë nga pikëpamja tradicional-kulturore, qoftë nga pikëpamja formësuese institucionale-kombëtare, apo dhe për probleme të sigurisë së brendshme e konsolidimit shtetëror, por, për çdo rast, kontrolli financiar-monetar dhe lufta ndaj evazionit fiskal, paraqet në këto kushte një epërsi të dukshme, në mënyrë të veçantë me intensifikimin e proceseve integruese dhe vetë lëvizjen e lirë me zgjerimin e hapësirës Shengen. Duke gjykuar se me zhvillimin në gjerësi dhe thellësi të këtyre proceseve, duhen konceptuar vetëm dy qytetari zyrtare: ajo e vendit të veçantë dhe ajo europiane, në shumë takime ndërkombëtare, në fjalën time kam hedhur "për diskutim" pikërisht këtë ide, që, në kushtet e Ballkanit, ku përzihen mendësi të reja demokratike me ato anakronike e të natyrës bizantine, ajo merr një vlerë e rëndësi shumë të madhe për bashkëpunimin konkret rajonal, për stabilitetin e rajonit dhe mirëkuptimin etnik. Madje edhe në takimin e nivelit të lartë të SEECP, të organizuar në Tiranë më 28 mars 2002, për këto probleme, ndërmjet të tjerash, unë ritheksova, pikërisht një gjë të tillë:

"Realiteti aktual politiko-ekonomik i Europës, është shumë më i favorshëm për këtë. Përdorimi i suksesshëm i Euro-s në hapësirën europiane, përfshirë dhe atë ballkanike, është një pasqyrim kuptimplotë i këtij realiteti të ri. Nën këtë perspektivë, por dhe për të rritur efektivitetin e luftës kundër krimit e trafiqeve të paligjshme të çdo lloji, krahas "mandatit të arrestit europian", që duhet shtrirë në të gjithë hapësirën europiane, do të duhet të konvergjojmë përpjekjet për përmirësime ligjore, për të arritur, pa paragjykime e mendësi të së kaluarës, në legalizimin e vetëm dy lloj qytetarish: asaj të vendit përkatës dhe asaj europiane.

Pikërisht në këtë drejtim, në thellimin e kësaj mendësie të re, na ndihmojnë SEECP, por edhe Pakti i Stabilitetit dhe nisma të tjera rajonale që ne duhet t'i konsiderojmë si faktorë sinergjie për zhvillimin e harmonishëm politik, ekonomik dhe social të vendeve tona, që në fund të fundit, jam i bindur, do t’i kthejnë kufijtë tanë vetëm në simbole gjeografikë. Kështu, pra, veç shpresave tona tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë e institucionalizuara që Europa Juglindore, t'i arrijë të gjitha qëllimet e saj strategjike dhe atëherë ajo nuk do të quhet më, siç është thënë shpesh për të në të kaluarën; "fuçi baruti" apo "rajon që prodhon më shumë histori sesa është në gjendje të konsumojë". Këto shprehje do t'i takojnë historisë dhe duhet përfundimisht t'i takojnë historisë. Për këtë nevojitet kontributi ynë, kontributi i të gjithëve".

Por, a mjafton kjo për gjetjen e përgjigjes dhe vënien në jetë të saj? Në të vërtetë, në vjeshtën e vitit 2001, duke "lexuar" dhe disa sinjale abuzimi ballkanik-bizantin mbi të drejtën e dyshtetësisë, i bindur plotësisht, se dhe legjislacioni shqiptar duhej të lëvizte drejt këtij konceptimi europian, duke mos pasur të drejtën e iniciativës ligjore në kuadrin e kompetencave që jep Kushtetuta e Shqipërisë, organizova disa konsulta me shumë juristë të shquar të kësaj fushe, me përfaqësues të ekzekutivit dhe grupe deputetësh për zhvillimin e kësaj ideje dhe përgatitjen e amendamenteve ligjore të domosdoshme. Natyrshëm, për të mos krijuar vështirësi suplementare e për të mos prekur të drejtat e fituara, sugjerova shmangien ligjore të hapësirave të prapaveprimit, me përjashtim të rasteve spekulative dhe të dokumentuara, qoftë në mënyrë individuale, qoftë në mënyrë kolektive. Por konflikti i ashpër që shpërtheu brenda grupit mazhoritar të Kuvendit të Shqipërisë, krahas shumë projekteve çoi në "kalendat greke" dhe këtë çështje. Dhe për të qenë "luajal" me veten dhe me bindjen mbi problemet që mund të hapë potencialisht në një perspektivë të afërt e afatmesme njohja e dyshtetësisë, që nuk kategorizohet dhe nuk mund të kategorizohet në asnjë rast si e drejtë e njeriut, në muajin e tranzicionit të detyrës së presidentit, i kam sugjeruar z.Moisiu dhe stafit të tij që ta ristudiojnë këtë problem dhe nëse "leximi" i tyre do të jetë konvergjent me "leximin" tim, të veprojnë, nëpërmjet Kuvendit të Shqipërisë, në interes të qytetarit shqiptar, që ende është nën "trysninë" e fortë të varfërisë.

Pra, në qoftë se do të pyetesha si qytetar dhe si njohës, deri në njëfarë mase, i legjislacionit ndërkombëtar mbi këtë çështje, unë do të përgjigjesha thjesht: Duhet vepruar shpejt! Jemi gati një vit të vonuar! Dyshtetësia, ndryshe nga vitet e para të tranzicionit me qëllimin pozitiv për të favorizuar përfshirjen e diasporës shqiptare në proceset demokratike dhe të zhvillimit ekonomik, aktualisht e në perspektivë vetëm mund të krijojë probleme!

No comments: