Saturday, December 02, 2006

Berisha gaboi dje

note: autori i ben thirrje opozites shqiptare per te denoncuar tek organet e prokurorise shkeljen e embargos se OKB nga ish presidenti Berisha.

Juli Golemi
Dje kryeministri shqiptar zoti Berisha bëri një pohim publik që dihej praktikisht se kishte ndodhur ndër vitet 1993-1995. Është fjala për shkeljen e Embargos së OKB për ish-Jugosllavinë. Asokohe ishte vetëm gazeta “Koha Jonë” që denoncoi me fakte dhe foto shkeljen e kësaj embargo , sidomos për tonelatat me naftë që shkonin nga Shqipëria e Veriut drejt ish- Jugosllavisë së Millosheviçit.

Bile dhe për disa levizje të tjera të cilat përbënin fakte gazetareske, por që përfunduan në burg në janar 1994 ish-kryeredaktori Aleksandër Frangaj dhe ish-zv/kryeredaktori Martin Lekaj. Tani pas kaq shumë vitesh është vetë ish-presidenti i Republikës dhe tashmë kryeministër që pohon se kam lejuar kalimin e naftës për në ish-Jugosllavi duke thyer me dashje embargon e OKB .

Së pari nuk vemë në dyshim sinqeritetin e kryeministrit në këtë thyerje embargoje, pasi askush nuk e detyronte ta pohonte. Së dyti nuk vemë në dyshim patriotizmin e tij për të gjetur mënyra për të ndihmuar Kosovën atëhere, por prapë se prapë mund të shtrohet pyetja : Nafta shqiptare shkonte në Kosovë apo në Serbi kundër Kosovës? Në momentin që nafta ka kaluar kufirin shqiptar e ku në anën tjetër ishin ushtarët serbë nuk dihet nëse nafta shkonte për Prishtinë apo për në Beograd. Kryeministri gaboi dje, pasi dha një kartë tjetër për akuza ndaj tij , por këtë herë me gojën e tij ai akuzoi vetveten.

Sido që të jetë një vendim i OKB e ku Shqipëria është anëtare e saj, pra vendim i drejtë apo i padrejtë, si shtet anëtar je i detyruar ta zbatosh. Nuk mendoj kurrsesi se zoti Berisha e ka thyer embargon për të përfituar për vete apo rrethi i tij familjar, pasi atë pikë e ka të bardhë ai në krahasim me politikanët e tjerë, por nuk mund të heshtë kur kryeministri im pohon një gjë që nuk duhet pohuar, bile as t’i shkonte nëpër mendje se mund ta pohonte.

Pas tij i duhet të flasë edhe ish-kryetari i PD-së dhe shefi i kompanisë “Shqiponja” të PD zoti Tritan Shehu se ku kanë shkuar milionat e dollarëve të arkëtuara nga ky trafik me thyerje embargoje të OKB ! Ka mundësi që opozita të bëjë padi për kryeministrin Berisha tek Prokurori i Përgjithshëm zoti Sollaku për thyerje embargos të OKB prej Sali Berishës.

Nuk dihet se si i erdhën ato fjalë që nuk duheshin thënë në asnjë mënyrë. Edhe nëse ishin sinqeritet prapë nuk ka vend kur flitet për emrin e shtetit shqiptar në raport me OKB.

E Premte :1/12/2006 (Koha)

No comments: