Tuesday, December 26, 2006

Petro Markoja i reve dhe gurëve

Në do të dish se cila ishte Shqipëria në vitin 1991, shih se ku dhe si vdiq një shkrimtar, Petro Marko. Javën e fundit të dhjetorit dhe, e fundit e jetës së tij, e transportuan me një ambulancë, pa barrelë në sanatoriumin e Tiranës. Ngrohje jo se jo, shtroje nga të shtëpisë, as adrenalinë, as oksigjen, as telefon që njerëzit t’i gjendeshin Arianitës vetëm, të bijës. Dha shpirt në duart e saj. 15 vjet kanë rrjedhur për familjen Marko, aq kanë rrjedhur dhe për Shqipërinë që kur duhej të bëhej demokratike. Shumë janë për të mos e besuar sa pak gjëra kanë ndryshuar. Si për Markot, si për shqiptarët e tjerë si ata kjo është një kohë që do kalonte patjetër për t’i risjellë secilit diçkanë që është nisur një rruge të gjatë, po me të drejtë kthimi.

Nesër, 27 dhjetor, në orën 11.00 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës familjarët organizojnë një përkujtimore, pa fjalime, për 15- vjetorin e vdekjes së Petro Markos. Ceremonitë mortore që i kishte ofruar në 1991 Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve familja i kishte refuzuar me amanet të shkrimtarit. I vinin nga Lidhja që i kishte hequr të drejtën e botimit. Arianita thotë se ky përvjetor po bëhet për të nderuar të gjithë ata njerëz që kanë punuar me dhe për Petro Markon në gjallje dhe pas vdekjes së tij.

Po pse Petro Markoja (1913-1991) mbetet, edhe për ata që nuk e kanë njohur (bashkëkohësit ndonjëherë s’janë për t’u marrë si burime të sigurta për shkak se prodhojnë legjenda, nga dashuria apo urrejta e madhe) një figurë kaq njerëzore, tërheqëse sot e kësaj dite?

Letërsia shqipe është kaq e varfër me modele shkrimtarësh. Nuk flasim për modelet e artit të shkruarit, po për atë model që e bën artin e fjalës në fund të fundit një art human dhe të formimit të ndërgjegjes. Sa për shkrimtarë që kanë derdhur bojë në qindra mijë faqe në letërsinë shqipe dhe atë botërore qoftë, ata janë të panumërt. Por brenda nesh rrethi është i ngushtë aq shumë sa s’ka si të mos vësh re mungesën e atij lloj modeli për të cilën fliste përfaqësuesi i Brezit të Humbur, Ernest Heminguej: i shkrimtarit koherent në jetë dhe në art. Petro Marko i përket kësaj race. Edhe teorikisht ai e ka shpalosur këtë model në publicistikën e tij. Viti 2006 ishte dhe përvjetori i shtatëdhjetë i revistës “ABC” themeluar prej Markos në janar 1936, revistë që ka mbetur në historinë e shtypit shqiptar sado që jetoi vetëm një numër.

Nëse do të dish se cila ishte Shqipëria e ditëve të para të Enver Hoxhës dhe mbretërimit të tij, duhet lexuar jeta e një shkrimtari si Markoja, kronika e gjallë dhe aspak e lavdishme, intervista e tij me vetveten “Retë dhe gurët”. Të rrëfyerit me dhimbje dhe dashuri, e para kur vjen jo prej dobësisë po prej rrethanave, dhe e dyta prej kurajos, ia japim sot lexuesit edhe në këto dy letra të shkrimtarit dhe bashkëshortes së tij, piktores Safo Marko, në 15- vjetorin e vdekjes së Petro Markos, një njeri që e preku thellë kohën që jetoi.

Revista e Petro Markos

70 vjet ABC

Në tetor të vitit 1935 Petro Marko merr një letër nga Vangjel Koça dhe Branko Merxhani që e fton të vijë në Shqipëri për të hapur një gazetë të re.

Në autobiografinë e tij, “Intervistë me vetveten”, Marko shkruan: Filloi “liria e shtypit”, pra gazetat e reja, tani shkruanin më lirisht. Pena e Tajar Zavalanit dhe Branko Merxhanit, ajo e Vangjel Koçës dhe e Ismet Totos, ajo e Nebil Çikës dhe e Gjergj Bubanit nisën të shkruanin artikuj që zbulonin gjendjen e keqe të vendit dhe polemizonin me kontradiktat e thella historike.” Markoja ndodhej në Korfuz si i arratisur pas lëvizjeve antizogiste në jug, kur mori ftesën e udhëheqësve shpirtërorë të neoshqiptarizmës. Në fillim fjala ishte për gazetën “Koha e re”organ i qeverisë liberale. Aty Markoja do shkruante ndonjë skicë me pseudonimin Demo Koti (demokrat komunist). Pas kësaj përvoje të shkurtër, në janar të vitit 1936 hidhet ideja për botimin e revistës “ABC...” në bashkëpunim me Asim Vokshin e Demir Godelli. Në 1 mars 1936 hidhet në qarkullim numri i parë dhe i fundit i revistës në përdyjavshme “ABC...” me tirazh 10 mijë kopje, një tirazh i tillë nuk ishte parë ndonjëherë. Aty shkroi Tajar Zavalani me pseudonimin ZAKS, vetë Petro Marko ishte redaktor përgjegjës. Ndërsa Migjeni, megjithë ftesën, nuk bëhet i gjallë në faqet e ABC... Merxhani ka aty një artikull kritik për rininë. Ai ishte për një lloj gazetarie që të informojë dhe të formojë. Ishin të gjithë të një mendjeje për të shfrytëzuar këtë rast të “shtypit të lirë” që krijoi qeveria liberale e Mehdi Frashërit.

Ajo që kishin paralajmëruar Merxhani dhe Migjeni do të ndodhte. Për shkak të frymës shumë kritike dhe gati revolucionare numri i dytë i “ABC...” u bllokua në shtypshkronjën “Ora”. Po aty vjen dhe një urdhër arrestimi për redaktorin përgjegjës Marko dhe për djegien e revistës. Petro Marko kujton fjalët që ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Ethem Toto, i pat thënë pas bllokimit të revistës: Jo ti, po 300 Leninë të jenë në Shqipëri nuk e bëjnë dot komunizmin. Aq sa bëhet limoni në Peshkopi, aq bëhet dhe komunizmi në Shqipëri.”

Marko u dënua me internim 6 muaj në Porto Palermo.

Por udhëtimi i tij si gazetar aspak nuk mbaroi këtu. Në fund të fundit se cila ishte bindja e tij për këtë profesion Marko na e jep me mjeshtëri në esenë “Ç’thotë një koleg”, e vitit 1937 e cila u ribotua me të tjera në vitin 2004 në përmbledhjen publicistike “Ditën që rojta unë”: “Dhe puna e tij nuk është as floridhënëse, as e mërzitshme, as edhe e kollajshme. S’është gjë për ata që e lenë me kohë këtë profesion, por është e zorshme për ata që i qëndrojnë besnik. Kërkon shumë, jep pak. Punëtori i shtypit nuk ka atë kënaqësi morale që ka shkrimtari ose cilido krijonjës. Megjithatë, edhe ky krijon. Vetëm pakëz orë jeton pjella e tij... Kështu gazetari ditën tjetër të vdekjes së tij harrohet. Ah, mjerisht s’jemi të gjithë të famshëm. Shkencëtari, shkrimtari, inxhinjeri, artisti, do të qëndrojnë para veprës së tyre dhe do të kënaqen. Gazetari s'ka kohë. Sepse në mëngjes duhet të “gatitë veprën e tij për pasdreke, dhe pasdreke veprën e së nesërmes. Luftë vrapimi është jeta e tij dhe, në fundin e rrugës është edhe fundi i qënies së tij, gjëndet harresa. Edhe ky ndihmon në ngrehjen e faltoreve. Po turmat që do të përulen nëpër faltore, kurrën e kurrës nuk do ta kujtojnë.”

Letra e Markos për të shoqen Safo nga burgu i vjetër i Tiranës në vitin 1949

Ky album

përmban pak “punë” nga dora e Safolinës s’ime. Hera-herës m’i ka dërguar me postë – portretin t’im ma dha në një takim në hekurat – dhe sa jam mallëngjyer dhe sa jam krenuar se goçja ime nisi të ecij mi rrugën e saj që e shpie në një botë krijimi të veprave të bukura e të “çuditëshme” si Dashuria jonë.

Këtë album të vogël

kur e hap dhe e shikoj me krenari, e kam më pranë Safon time që më thotë: “Tani nisa! Unë e di që ti do të më dashurosh më me pa kufi kur të shikosh nonjë-ditë vepra që do të pasqyrojnë shpirtin t’onë të pastërt, Idealin tonë, Dashurinë tonë...” Po o goçe, unë kam besim se ti do të arrish nonjë ditë të krijosh vepra që do të mbeten si dëshmi e kësaj dashurie të pashembëlltë... Po unë? A do të arrij nonjë ditë të disiplinoj me vargje vullkanin që vlon në gjirin t’im për Safolinën t’ime, për ëndrrat dhe idealet t’ona! Ah, o goçe! Tani nuk flas më, se ti je në përpjekje të përditëshme – në lodhje, mërzitje, dëshpërime – e vetme, me shporta dhe sefer-tase dhe triska... për të gjetur nonjë gjë për të ngrënë për mua. (ah dhe si nuk pëllcas -) dhe unë këtu... afrohen tre vjet ndarje! Goçe! Erdhi dita e bashkimit tonë!

Dhe ahere ti me ngjyra

dhe unë me vargje do të vazhdojmë rrugën t’onë, që u pre për tre vjet, dhe sa gjëra të bukura do të krijojmë! Dhe do të flasim me krenari (dhe veçanërisht ti) për këto kujtime të pavdekëshme që tmeronin Mortjen dhe që lartësojnë Dashurinë t’onë të përjetëshme.

Dhe për çdo “punë-bukra” nga këto unë do të përqafoj fort e fort në gjirin tim duke të thënë: “Sa nevojë kisha unë për këto... atëherë kur ishim lark njëri-jatrit.

Petro Marko

Burk

më 29-XII-1949

(sot ne u takuam pak...)

Letra e Safos për të shoqin në burg në vitin 1950

I dashur Petro

Në dritën e një kandili të vogël po ta shkruaj këtë letër. Jam shumë e lodhur se tërë ditën kam punuar dy punë të rënda. Tashti porsa i dorëzova, është ora 6 e mbrëmjes dhe nisa letrën për ty. Dje u takuam – po dje nuk të shkrojta, nuk dinja si të nisnja. Pas takimit mbetem si e hutuar. Herët e tjera ti më je dukur më i shëndoshë – dje siç ke qenë kur ishim bashkë, po pak më i zbehtë.

Sikur të besoj se me të vërtetë shqetësohesh për mua shumë, nuk të lë pa lajme... Nuk dua që ti tamam tashti që po afron Maji të fillosh – pa dalë akoma – e të mejtosh për shëndetin tim; mjaft të kam mërzitur përpara, pothuajse gjithmonë sëmurë. Të kujtohet ajo natë kur më dhimbte dhëmballa, që ti ndejte në shtrat dhe unë u nisa me anenë te dentisti? Dhe sa të tjera.

Besoj me penicilinat t’a kaloj, në rast se jo, atëherë përsëri këshillohem me Liton ose ndonjë tjetër.

Unë punoj, ecij si përpara mos mejto se e ndjej veten të dobët! Të mos kisha thermometrin nuk do të dinja gjë fare për temperaturën që kam!

Mjaft besoj se të fola për vete, të mërzita, apo jo?

Tashti që lexon këto radhë mejtoj fytyrën tënde, atë shprehjen që merrte gjithmonë kur unë të fyenja.... (apo të kur të thosha të vërtetën?)

Petrolino, sa letra të bukura më shkruan ti, si t’ishim gjithmonë në muajt e parë të njohjes! Unë nuk di të shkruaj letra, mos ma merr për keq.

Stofën për rroba ta morëm me autorizim – nuk është e keqe as si ngjyrë. Sikur të mundem do të blej edhe këpucë në Ma.Po. Të shohim. Për Maj, do pres fustanin e kuq. A mejton ti ndonjë herë sa do gëzohem unë? Po mos harro se kam vojtur pak dhe nga kjo vojtje këtë kam pësuar: nuk do di kurrë të gëzohem shumë, ose më mirë: nuk do guxoj kurrë të përqafoj tërë lumturinë, as edhe për një çast...

Kush e di se kur do ta marrësh këtë letër....

Aneja të puth sytë, Hitos* të fala shumë.

Edhe nga unë Hitos shumë të fala.

Petrolino, tani natën e mirë.

Të puth me mall

Safo

Tiranë 3 shkurt 1950

E Premte ora 7

*Fjala është për Hito Sadikun, sekretar i Faik Konicës i cili u dënua me burg në Tiranë njëkohësisht me Markon dhe doli prej andej pas 4 vitesh. (Shën E.D)

Kjo poezi e Markos është shkruar në një cepë të letrës së burgut të Safo Makos të cilës ai ia kushton

O sy të Safolinës s’ime

Ah, ku shikoni me trishtim!

E di që ju nëpër thëllime

Mua kërkoni pa pushim!

Tri herë lulet kanë çelur

Dhe ju nuk latë asnjë vend

pa lot’e papërkëdhelur

ah dhe s’më gjetët në asnjë kënd

A ka më flakë në kaminë

Për zemrën time n’agoni

Me pikëllim e me thëllime

Për zemrën t’ime në greminë

Kur sytë e Safos plot trishtime

Mbyten!.. Dhe unë në qeli!...


Gazeta "SHEKULLI"

1 comment:

Leonidas said...

Petro Marko on Wikipedia:

http://sq.wikipedia.org/wiki/Petro_Marko