Friday, December 29, 2006

Shirin Neshat, një artiste kurajoze (Rubrika: Nga Bota)

Vasil QESARI (marre nga Tirana Observer)

Shirin Neshat ka lindur në Qazvin (Iran) më
1957-ën dhe jeton në Shtetet e Bashkuara qysh prej vitit 1974. Pesë vjet para se Ajotollah Khomeini të merrte pushtetin, ajo shkoi në Nju - Jork për të studiuar Artet e Bukura. Pas revolucionit islamik të vitit 1979, lidhjet e saj me vendin u shkëputën e ajo mundi të kthehej aty vetëm pas vitit 1990. Irani kish ndryshuar. Në mënyrë të veçantë, ajo u shokua nga gjendja dramatike e grave si edhe ndryshimet që kish provokuar në shoqëri regjimi fondamentalist. Për Neshatin, transformimi i Persisë së vjetër në një Republikë Islamike, shkaktoi një tronditje te madhe. "Ajo qe një nga përvojat e mia më tronditëse të cilën nuk e kisha përjetuar kurrë, kujton ajo. Diferenca midis asaj çka unë mbaja mend nga e kaluara, vetë kulturës iraniane në tërësi dhe asaj çka pashë ishte e tmerrshme. Një ndryshim i frikshëm dhe tepër prekës … Nuk kisha parë kurrë një vend të tillë të bazuar aq thellësisht mbi një ideologji të tillë. Kur u ktheva në Shtetet e Bashkuara, u bëra me fiksime nga përshtypjet prej vendit tim e, kështu, nisa te shkoj here pas here në Iran".
E pasionuar pas artit fotografik, Shirin Neshat, nisi punën për të pasqyruar pikërisht shokun e përjetuar në vendlindje. Punimet e saj të para u kryen në fillim të vitit 1990. Ajo realizoi një seri fotografish bardh' e zi, duke paraqitur në to fytyrën dhe pjesë të ndryshme të trupit të saj, zbukuruar me shkrime në gjuhën persiane. E tillë ishte, bie fjala, seria "Women of Allah" (1994) ku pasqyrohen konditat e jetës në një shoqëri islamike, ku pas shumë dekadash lirie e reformash të ndërmarra prej Shahut Reza Pahlavi, gratë qenë detyruar të rivishnin përsëri perçen. Ishte gjatë asaj periudhe që Shirin Neshat, nisi të vërë në jetë projekt-idenë e saj të cilën e realizoi me një seri fotografish të titulluara "Unveiling". Pamjet e grave të mbuluara bëhet epiqendra e krijimeve të saj. Në pjesën më të madhe të punimeve, përsëritet vazhdimisht i njëjti motiv. Gra të veshura me perçe, me një pëlhurë e zezë e cila e mbulon trupin e gruas nga koka gjer në kërcinjtë e këmbës e që mbahet e shtrënguar me dorën nën buzë. Shumë foto të kësaj natyre, nuk janë veçse autoportrete të saj, disa herë të shoqëruara dhe nga gra të tjera të veshura me perçe e që tregojnë të zbuluara vetëm pjesët anatomike të lejuara nga ligji islamik (sytë dhe duart). Në to, si në pjesën më të madhe të fotove të tjera, duart dhe fytyrat e imazheve janë të mbushura me kaligrafi në gjuhën persiane. Shumë mendojnë se ato, nuk janë gjë tjetër veçse fragmente të marra nga krijimtaria e poetes emblematike iraniane Forough Farokhzad (1935-1967) e cila, bënte pjesë në atë gjenerate grash që punuan shumë për zgjimin dhe sensibilizimin e grave në atë vend, në mënyrë që të bëheshin të ndërgjegjshme e të kundërshtonin nënshtrimin ndaj shtypjes politiko - fetare.
Pa u larguar nga pasioni i saj i madh, fotografia, e duke ndjekur gjithmonë të njëjtën tematikë, Shirin Neshat, ka realizuar gjithashtu edhe një sërë instalimesh audiovizuale, ndër të cilët atë me emrin "Shadow under the web" (1997). Në katër burime projektime të ndryshme videosh, e veshur me perçe të zezë, artisja paraqitet duke u endur nëpër vende publike, private e të shenjta, ndër të cilat edhe në labirintet e rrugëve të vjetra të Stambollit. Ndërsa instalimi video "Turbulent" (1988), trajton problemet thelbësore të shoqërisë patriarkale e fondamentaliste prej vendit nga është edhe origjina e vetë artistes në fjalë. Ky punim, i njohur në shkallë botërore, përveç të tjerash është shtysë për një refleksion më të thellë, për një bote ku përpjekja për një identitet kulturor është në zhvillim të përhershëm. Po ashtu, ajo është autore e shumë videove të tjera të vlerësuara si, "Anchorage" (1996) dhe "Shadow under the Web" (1997). Krijimtaria e Shirin Neshat trajton tërësisht temën dhe çështjen e gruas në shoqëritë e sotme islamike, parë kjo në dimensione shoqërore, politike e psikologjike. Edhe pse Shirin Neshat reziston në mënyrë tepër aktive kundër paraqitjeve stereotipe të Islamit, objektivat e saj artistike nuk janë përbërë me qëllim për të shkaktuar thjesht polemika mbi këtë teme. Puna e saj, ndër të tjera, merr në konsideratë edhe forcën e inteligjencës intelektuale e fetare, të cilat përbëjnë identitetin e vërtete të grave myslimane në botë.

No comments: