Friday, December 22, 2006

Shkarkohet shefi i komisariatit, ishte me diplomë

postuar pr blogger nga S. Marko

Anila Peçi
21-12-2006

VLORË – Me diplomë të falsifikuar është ngjitur në karrierë, por “mashtrimi” e ka shkarkuar nga detyra. Shefi i komisariatit të policisë së Vlorës, Melaim Pira, është liruar dje, pas verifikimit të dosjes së tij nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Sipas burimeve zyrtare, shkak për lëshimin e urdhrit është bërë falsifikimi i diplomës së shkollës së lartë. Ai ka paraqitur një dokument, ku thuhej se ishte diplomuar për jurist në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, por kur ka kaluar në sitën e kontrollit, gjithçka ka rezultuar e rreme.

Verifikimi
Disa ditë më parë, një ekip kontrolli i SHKB-së ka zbritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës, ku ka marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e punonjësve të policisë që punojnë në strukturat e rendit. Në shënjestër ka qenë arsimimi i të gjithë policëve në të gjitha nivelet. Kur kanë parë dosjen e shefit të komisariatit Melaim Pira, ekipi ka patur dyshime. Ai ishte paraqitur me diplomën e juristit, ku thuhej se studimet e larta i kishte mbaruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në këtë dokument thuhej se arsimin e lartë e kishte mbaruar në sistemin “pa shkëputje nga puna”. Menjëherë është kërkuar bashkëpunimi i universitetit në shtetin fqinj dhe pas verifikimeve ka dalë se amza e kësaj diplome nuk ekzistonte. Kaq ka mjaftuar që të lëshohej urdhri për përjashtimin e Pirës. Sipas ligjit, ai nuk lejohet të mbajë më asnjë detyrë në strukturat e rendit.

Karriera
Ndonëse me diplomë false, Milaim Pira ka bërë goxha karrierë në policinë e shtetit. Përpara se të emërohej shef i komisariatit të Vlorës në muajin gusht të këtij viti, ai ka qenë shef i rajonit të policisë në Portin e Vlorës, detyrë të cilën e ka ushtruar për disa muaj me radhë. Para 8 vjetësh Pira ka qenë shef komisariati në Delvinë. Në gusht të këtij viti, pas emërimit të drejtorit të policisë së qarkut të Vlorës, Astrit Mehja, Pirës iu besua detyra e numrit 1 të komisariatit të qytetit bregdetar. Gjithsesi, shkarkimi i Pirës nuk ka kaluar pa komente në radhët e efektivave, të cilët janë habitur me shkarkimin, duke pasur parasysh edhe detyrat që ka pasur përpara emërimit të tij në Vlorë.

Sinjalet
Kryetari i bashkisë, Shpëtim Gjika, në takimin që kryesocialisti Edi Rama pati disa ditë më parë me punonjësit e policisë të liruar nga reforma “Olldashi”, dha i pari sinjalet se në policinë e Vlorës ka drejtues që nuk kanë mbaruar arsimin e lartë. Ai e cilësoi reformën që po bëhet në strukturat e rendit të qarkut të Vlorës si tërësisht politike. Shkarkimi i djeshëm i shefit të komisariatit Pira shënoi edhe kontrollin e parë që po bëjnë strukturat e Shërbimit të Brendshëm në ministri në këtë qytet prej 15 muajsh. Dyshohet se ka edhe punonjës të tjerë të veshur me uniformë që nuk e kanë detyrën përkatëse.

PARALAJMËRIMI
Shqipëri-Maqedoni-Kosovë, rrjeti i diplomave false
Para disa kohësh mediat e Prishtinës dhe Shkupit paralajmëruan funksionimin e një rrjeti që ndodhet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të cilët merren me falsifikimin e diplomave të universiteteve në tre vendet. Shkas për këtë u bë verifikimi i një dosjeje të një personi që ishte punësuar në institucionet e UNMIK-ut. Ai ishte paraqitur si një person që kishte mbaruar studimet e larta në degën e farmacisë në Tiranë. Pas verifikimeve, rezultoi se gjithçka ishte e rreme. I njëjti problem është ngritur edhe me diplomat që lëshon universiteti i Tetovës.

REFORMA
Lirohen 185 punonjës policie në Qarkun e Vlorës
Në kuadrin e reformës që po bëhet në policinë e shtetit, vetëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës janë larguar rreth 185 punonjës nga të gjitha nivelet. Vetëm në komisariatin e Policisë së Vlorës janë detyruar të lënë uniformën 118 persona. Kjo ka ngjallur pakënaqësinë dhe reagime në radhët e këtyre efektivave të shkarkuara, ku nuk kanë munguar edhe akuzat, se kjo reformë po bëhet për qëllime politike. Në të gjithë vendin janë parashikuar për t’u larguar rreth 1800 punonjës policie. Të liruarit do të përfitojnë një asistencë 3-vjeçare dhe më pas do të konsiderohen të papunë.

No comments: