Tuesday, December 05, 2006

Skulptura e Himerës (Himerës)

Nga Dr. K. Jorgji

Hyrje.
Pamja e himerës – kësaj kafshe mitollogjike, si simbol i krahinës së Himarës, u lançua për herë të parë në Konferencën Pan-Himariote të mbajtur në datat 16-17 Dhjetor 2005 në
Tiranë. Ftesat e bëra si dhe posteri i Konferencës sillnin ndërmjet të tjerave edhe figurën e himerës (shpesh të quajtur edhe kimera). Lançimi i kësaj figure në Konferencës Himariote, bëri që në takimet e mëpasme të grupit negociator të Konferencës (siç ishte vënë detyrë), bëri që grupi të përgatiste edhe kardvizitat, ku Himera qe vënë si simbol i Konferencës. Mbaj mënd se kur takuam me përfaqësues të Ambasadës Italiane, pjesë e takimeve të inicuara pas zhvillimeve të Konferencës Pan-Himariote, konsulli i Republikës Italiane në Vlorë, Lorenzo Tomasoni, (gruaja e të cilit qe këshilltarja politike e Ambasadës Italiane), shfaqi një interes të veçantë për të, duke pyetur për të dhe lidhjen e saj me krahinën e Himarës.

Ekipi i Vetetimes???
Kjo pamje më pas u bë edhe një nga figurat e përdorura nga Prof. Dr. Priamo Bollano në librin e tij “Himara – Potencialet Ekonomike dhe Sfidat e Zhvillimit”, të botuar në vitin 2006.
Kjo u ndoq edhe nga paraqitja disi më përfaqësuese e Himerës në Guidën Turistike të Himarës (botuar nga Bashkia e Himarës në korrik 2006), ku kafsha mitollogjike shfaqet me këmbët e zhytura në det dhe këmbët në male duke patur në sfond malet e Akrokerauneve. Në guidë cilësohet (f.9) se “emri Himarë rrjedh nga bisha mitollogjike që u vra nga Velerefonti (apo Belleferonti KVJ)”.

Por ç’është Himera dhe ç’përfaqëson ajo në mitollogji?
Miti i Himerës dhe origjina e tij
Himera ( greq. Χίμαιραν) përshkruhet fillimisht mitollogjinë greke, por ndoshta rrënjët vinë nga vende të tjera. Grekët e lashtë, të dashuruar pas gjeneollogjisë dhe fantazisë, e bëjnë atë bijë të gjysëm-gjarpërit Ekidnë me Taifonin (të njëjtët që lindën edhe luanin e Nemeas- vrasja e të cilit është një nga trimëritë e Herakliut (apo Herkulit tek Romakët), një qënje tepër illogjike). [Taifoni (ang. Typhone) është ndërmjet të tjerave edhe prindi i Sfinksit, është bir i Gjeas dhe Tartarit, një qënje me 100 duar, që nisi luftën kundër perëndive dhe për këtë ata e dërguan në Tartar nën Malin Etna,ku eshtë edhe vullkani i famshëm. Në Egjipt, Tifoni quhet Set dhe është vrarësi i vëllait (apo babait) të tij Osiris. Shpesh ai identikohet me Taifinuin, një naga erërat e fuqishme, që kishte si baba, Eolin, apo perëndinë e erërave]. E thënë shkurt, Himera është një nga krijesat më të çuditshme të fantazisë orientaliste të krijuar në Greqi e lashtë.
Ndonëse në thelb është një dhi, përshtypja e parë që krijohet kur e sheh Himeren, është ajo e një luani, për shkak të kokës së luanit , e cila është vendosur mbi trupin e dhisë. Ajo ka një bisht, shpesh në formë gjarpëri dhe në trup i del edhe një kokë dhie. Ndërkaq ka një armë të fuqishme - nga goja lëshon flakë të tmershme. Tërë pamja e saj, të duket tepër jo-logjike (si i ati i saj Taifoni) sikundër për syrin ashtu edhe për mendjen. Si Homeri dhe Hesiodi e përshkruajnë si femër. Kjo, mbase, ka lidhje me emrin e saj që nga greqishtja mund të përkthehet si “dhi-femër”.
Si për çdo krijim tjetër, edhe himera, ka një histori krijimi.Grekët e lashtë e vendosin këtë kafshë në Licia (vendosur në Azinë e Vogël). Kafshë, të cilët kanë ngjajshmëri me të, janë gjetur në monumentet e Hititëve. Koka e gjarpërit përmëndet si nga Hesiodi dhe Homeri dhe misteri më i madh ngelet koka e luanit. Në një vazo protokorinthiane jepet një luan mbi kurrizin e të cilit ka “mbirë” një kokë njeri- shenjë kjo e fillimit të mpleksjes së tipareve të kafshëve të ndryshme, për të krijuar qënje mbinaturale. E njëjta gjë është gjetur edhe në disa zbukurime të hershme etruske. Sfinksi i famshëm mund të klasifikohet si i tillë, ku koka e njeriut dhe ajo e luanit këmbejnë vëndet për rëndësi, duke vënë atë të njeriut në vëndin më të rëndësishëm. Arkeollogët kanë gjetur një tip himere ku luani ka krahë, krahë që përfundojnë në fund me kokën e një dhie.

Burimet e mitit
Dy autorë të rëndësishëm janë nga të parët nga ata që njohim për këtë mit : Homeri dhe Hesiodi.
Homeri (shek 9 pes.) e përmënd fillimisht tek Iliada kënga 6, 181 kur r përshkruan “Ajo vjen nga raca hyjnore, jo njerëzore, nga koka është luan dhe në mes ëshë dhi, e nxjerr me forcë në mënyrë të tmershme zjarr.”
Hesidoi tek Kozmogonia, 319, shekulli 8-të p.e.s. shkruan “ Himera që fryn zjarr,një krijesë e frikshme, e madhe, e shpejtë nga këmbër dhe e fortë, që ka tre kokë- një luan gri-eyed, një tjetër të dhisë dhe një tjetër të një gjarpëri. Nga përpara është luan, nga pas dragua, në mes dhi dhe fryn fuqishëm zjarr të tmershëm”.
Por edhe Platoni, Tit Lukreci, Lukreci, Virgili, Pseudo Appollodori, Anaksilasi, etj citojnë në punimet e tyre himerën dhe mitollogjinë e saj.

Shpjegimi i Himerës
Shpjegimi i parë modern mbi Himerën është dhënë nga italiani F. Inghirami tek “Monumenti Etruschi o di Etruschi Nome” , vol. 2, f. 379-384, botuar në vitin 1824. Duhet thënë se Inghirami nuk ishte në dijeni të plotë të mitollogjisë sumeriano/Babiloniase dhe shpjegimi i tij është pak a shumë skematik. Shpjegimi bazohet në Seviusin, e cila e nxjerr këtë mbi historinë Liciane sipas së cilës ekzistonte një vullkan, që besonte se qe Himera, ku në majë të malit ndodheshin luanët, në mes të këtij mali kishte dhi dhe kudo kishte të përhapur gjarpërinj.
Bullfinch, në veprën e tij monumentale “Koha e Fabulave apo historitë e Perëndive dhe heronjve”, padyshim citon Himerën, duke e klasifikuar si monstër. Monstrat klasifikohen si qënje me përpjestime jonaturale të trupit, zakonisht të shikuar me tmerr, meqë kishin fuqi të mbinatyrshme dhe mizore, të cilat mund të dëmtonin apo edhe të bezdisnin njerëzit.
Kjo qënje ishte vendosur në Licia, ku mbreti i këtij vëndi Jobati, po kërkonte një hero që të mund të çlironte vëndin prej saj. Ndodhi që në oborrin e tij, arriti një luftëtar i ri i quajtur Bellerefon, që i paraqiti letrat nga Proetusi, dhëndrri i Jobatit, me anë të të cilave ai e rekomandonte atë si një luftëtar të pamposhtur. Këtu fillon edhe intriga pasi letra përveç rekomandimit pozitiv, përmbante edhe kërkesën që vjehrri ta vriste heroin. Arsyeja ishte se Proetusi dyshonte shumë se gruaja e tij Antea e shihte me shumë “dashamirësi heroin”. (Këto fillon edhe përdorimi i shprehjes “letra Bellefonike”, me të cilët kuptohet çdo lloj komunikimi mbartur nga një person pa paragjykuar fare vehten).
Iobati ishte në pozitë të vështirë pasi duhet edhe të kënaqte si kërkesën e dhëndrrit si dhe duhej të tregonte mikpritjen e nevojshme. Iobati mendoi gjatë dhe i ra ndër mënd t’i zgjidhte të dy këto njëherësh – duke e çuar Beleferonin të luftonte me Himerën, sfidë e pranuar nga heroi.
Sidoqoftë, para luftimit Bellefoni u konsultua me orakullin Poseidus, i cili i këshilloi që për këtë qëllim duhej të përdorte kalin Pegas. (Në mitollogjinë greke Pegasi është kali fluturues i përdorur për të mbuluar distancat e gjata (apo një lloj aeroplan primitiv?), i përdorur edhe në ndërmarrje të tjera heroike sikurse luftën e Perseut me Gorgonën etj). Për këtë duhej të flinte një natë në tempullin e Athinës. Sugjerimi u pranua dhe ndërsa heroi flinte, perëndesha i la në dorë një fre të artë, i cili u gjënd në dorë edhe kur u zgjua. Në ëndërr, perëndesha Athina tregoi se Pegasi pinte ujë në burimin e Pirenesë dhe me të parë frerin, kali fluturues erdhi dhe pranoi frerin me plot dëshirë. Heroit nuk i ngeli gjë veçse të hypte në kalë, i cili morri fluturimin, dhe me të gjetur Himerën, ndodhi një fitore e lehtë.
Një detaj i rëndësishëm i luftës së bërë është mënyra se si Belleferoni arriti të shmangte flakët qënxirrte Himera. Mënyra e përdorur qe duke hedhur një grumbull plumbi në drejtim të përbindshit, plumb i cili bie në kontakt me flakët duke e bërë vdekjeprurës për të.

Domethënja e Mitit të Himerës
Si interpretohet himera? Kjo është një pyetje e natyrshme, meqë qenja në fjalë nuk është e natyrshme.
Që në fillim pati një interes të madh për këte kur u zbulua një mbishkrim në këmbën e parë të statujës. Shkrimi nuk qe i qartë dhe interpretimet për të lulëzuan – Timmsifil, Taninhesel, Tiumquil dhe të tjerë. Disa propzuan që këto qenë emra e autorit, të tjerë propozuan emra si “dhi” apo “hakmarrje”. Sot ka një pajtim në atë që interpretimiduhet të jetë ai i propozuar nga L.A. Milani në 1912 se mbishkrimi tek statuja duhet të lexohet Tinscvil apo Tin’svil që do të thotë “ofruar zotit Tin”në gjuhën etruske. Tin apo Tinia është zoti suprem i fiseve etruske, apo Zeusi i grekëve dhe Jupiteri i romakëve.
Sipas kësaj hipoteze, himera është ofrimi i bërë ndaj perëndisë supreme. Sot ne dimë se ofrimi i statujave qe zakon tek këto fise dhe ata i vendosnin këto statuja prej bronxi në tempujt e tyre. Histori dëshmon se mbi 2,000 statuja qenë në Fanum Voltumnae, tempulli më i madh etrusk, i plaçkitur dhe i shkatëruar nga romakët.
E megjithë këtë është e vështirë sit të kuptohet se ç’do të thoshte kjo statujë për etruskët. Gjëja e parë që të bie në mënd është se do të jetë e vështirë të bëhet një ofrim i një përbindëshi tresh për perëndinë supreme. Ndaj është e vështirë të bëht interpretimi, ndonëse ka një sërë hipotezash, që vështirësohen akoma më shumë nga moskuptimi i psikollogjisë së 2,000 vjetëve më parë.
Natyrisht ka edhe interpretime “racionale” që kanë filluar që prej shekullit 4 të erës sonë, sikurse ka bërë Servius Honoratus, i cili mendonte se himera është produkt i etruskëve naive për të paraqitur vullaknin si një kafshë që “villte” zjarr.
.
Himera e Arecos
Himera e Arecos është pikërisht figura e sjellë në fillim të shkrimit. Në fakt është një statujë bronzi a gjetur në qytetin italian të Arecos (it. Arezzo). Ekspertët e cilësojnë si me origjinë etruske, e datojnë rreth shekullit 5 p.e.s. dhe është ekspozuar në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Firenzes. Por artistikisht është një nga shëmbujt më të mrekullueshëm që ekzistojnë në botë të artit të lashtë etrusk.

Historia e këtij objekti nis e shfletohet në arkivat e qytetit të Arecos, ku raportohet “luani u gjet jashtë portave të derës së Shën Laurentinos”. Duke nisur nga faqja 102 e këtyre arkivave, thuhet se në 15 nëntor 1553,ndërsa po gërmohej jashtë mureve të qytetit, u gjet kjo statujë së bashku me statuja të tjera të vogla. Raporti cilëson “nempe hoc qui viderunt amne admirati sunt et operis antiquitatem et elegantiam” “sa të gjithëve u kish bërë përshtypje vjetërsi dhe eleganca”. Një vit më vonë,me një shkrim të ndryshëm thuhet se statujës i mungonte bishti-gjarpër dhe se askush nuk e njihte luanin si himerë.
Historia e objektit pasurohet me Giorgio Vasarin (1511-1574), piktor arkitekt dhe historian e artit italian, nga Arezoja, i cili e përmënd në librin e tij të botuar në 1568 kur thotë se “u gjet në kohën tonë, që është 1554, një figurë brozi i bërë për Himerën e Belleferonit, ndërsa po gërmohej në transhetë dhe muret e Arecos” . Në një libër tjetër të tij, Vasari na informon se janë gjetur edhe pjesë të bishtit të skulpturës ndërmjet pjesëve të sjella në Firenze. Siç mund të shihet lehtë, data e Vasarit është një vit pas asaj të raportuar nga arkivat, që mund të argumentohet se ai raporton vitin që është sjellë në Firenze .
Dihet gjithashtu se himera të ndryshme janë gjetur dhe datuar para kësaj date, që ka çuar në hipotezën e debatuar nga Ricci (1928), që mundohet të argumentohet se skulptura është “rizbuluar’ pasi është varrosur rreth shekullit të 10-të.
Sapo u zbuluan, himera dhe statujat e tjera të zbuluara, u çuan në Firenze, për faktin e thjeshtë se Areco në atë kohë qe nën sundimin e Firences prej mëse një shekulli e gjysëm. Por kur lajmi arriti dukën Kozimon I të familjes së famshme de Mediçi, ai i kushtoi një vëmëndje të veçantë. Shpejt statuja u vendos në sallën e qytetit (të famshmin Palazzo Vecchio) duke e cilësuar si “mrekulli” dhe statujat më të vogla përfunduan në “studiozën” e dukës, koleksionin e personal të tij.
Në bashkinë e qytetit nuk ka të dhëna për këtë mbritje, por arritja raportohet nga Vasari. Po ashtu, kjo raportohet edhe nga i famshmi Benvenuto Cellini, që shpesh përmëndet si restauruesi i statujës. Ajo që dihet, është se ai nuk është marrë me bishtin, i cili i’u vu statujës vetëm në shekullin 18-të. Sikurse ka mundësi që të ketë riparuar këmbën e pasme dhe të parme të majtë. Le të shikojmë se ç’shkruan ai në librin e tij “Vita’ “Jeta” e botuar në 1558.
“ Meqë këto ditë u gjetën disa gjëra të vjetra në kontenë e Arecos, ndërmjet të cilave ishte një Chimaera, që është ai luan bronxi që shihet në dhomat afër sallës të madhe të pallatit (dhe së bashku me të lartpërmëndurën Himerë u gjetën edhe një numër i madh statujash të vogla, gjithashtu të vogla, që qenë të tëra të mbuluara me dhe, apo me ndryshk, dhe secilës prej tyre u mungonte ose dora, apo këmba) Duka qe tepër i kënaqur kur i pastroi vetë ato, duke përdorur veglat argjendari”.
Fakti që vetë Duka u morr me të, është tregues i popullaritetit që morri kjo statujë. Kjo u ndihmua edhe nga situata pro-nacionaliste e shekullit 16-të kur qe koha e një interesimi të madh për gjithçka qe etruske. Kjo”modë” u ndih edhe nga publikimi i bërë nga një murg domenikan, Annio di Viterbo (1432-1502) me veprën e tij “Antiquitates”. Annio qe një njeri i pasionuar pas Lindjes dhe një kabilist, i cili në librin e tij hedh teorinë fantazi se si Hebraishtja dhe gjuha Etruske e kanë origjinën nga një burim i vetëm, gjuha “Aramaike”, e cila është folur nga vetë Noeja dhe pasardhësit e tij. Murgu kish filluar edhe një punë arkeollogjike duke zbuluar varret etruske, nxjerrë sarkofage dhe mbishkrime si dhe u përpoq të deshifronte gjuhën etruske. Duhet thënë se ai qe pika fillestare e një interesi të madh për këtë periudhë, që zgjati gjatë tërë periudhës së Rilindjes, që i ndihmuar nga klima politike, ndihmoi në rritjen e nacionalizmit toskan në kërkimin e një identiteti kulturor të ndryshëm nga ai romak. Statuja e Himerës, ndonëse nuk duhet të ketë qenë pika e vetme e interesit, duhet të ketë ndihmuar në këtë klimë dhe ka qenë një element i rëndësishëm i “revival-it” etrusk.
Me kohë, ky interes për Himerën e Arecos (Arezzo) si simbol i nacionalizmit Toskan u shua. Kështu edhe skulptura u hoq nga Palazzo Vechio në shekullin 18të dhe u vendos në galerinë Uffizi. Kjo qe koha kur u bë edhe restaurimi i statujës nga ana e skulptorit fiorentin D. Karradori (it.D. Carradori) (ndoshta së bashku me mjeshtrin e tij i Spinazzi), kur i shtoi bishtin, i cili shihet edhe sot. Në shekullin e 19-të, Himera kaloi në vëndin në të cilin ndodhet edhe sot, në Muzen Kombëtar Arkeollogjik të Firenzes, ku është një nga krenaritë e tij, duke u ndodhur në një dhomë vetëm për të në hyrje të muzeut.
Interesi për Himerën duket edhe në riprodhimet e statujës. Duhet thënë që në fillim se riprodhimet janë bërë vetëm pas viti 1930, natyrisht me interesimin e madh për çdo gjë të lashtë të treguar nga qeveria fashiste. (Ndërkohë që tani nuk lejohen të merren mostrat nga origjinali). Në atë kohë, nga origjinali, u morr stampa, dhe u bënë dy replika, të cilat u vendosën në stacionin e trenit të Arecos. Ndërsa cilësia e riprodhimeve është e lartë, vendosja e tyre le për të dëshëruar. Sheshi i madh i stacionit, trafiku i madh, rrugët që priten nga njëra anë dhe përmasat e vogla të statujës,nuk duket se shkojnë mirë. Një riprodhim tjetër u vendos në 1998 në harkun e Portës San Laurentino (po në Areco) për të përkujtuar zbulimin e statujës origjinale. Riprodhime të përmasave origjinale përveç Italisë, ka edhe Brazil, Meksikë dhe Japonia. Ndersa ka riprodhimet më të vogla tregëtare të shumta dhe në shitje, cilësia e tyre le për tu dëshiruar.
Himera e Arecos nuk është veçse një nga paraqitjet artistike të himerës të gjëndura në pjata, monedha, vazo dhe shumë sende të kohëve klasike. Nuk ndryshon shumë nga to. Pra kemi të njëjtën figurë –pra luani, dhia dhe koka e gjarprit pothuaj në të gjithë rastet. Bile ngelen të njëjta edhe raportet dhe forma si dhe postura e gjoksit, trupi ingritur lart,goja e hapur. Duket se tërë artistët kishin rënë dakord që ta paraqisnin atë në mënyrën tradicionale.
Por nga të të tëra paraqitjet e saj, himera e Arecos, ngelet më e bukura dhe më përshtypje-lënëse. Nuk kemi asnjë skulpturë me këtë shkallë perfeksionimi dhe rafinatese që është tipike e periudhës së fundit greke dhe romake. E parë kështu, himera e Arecos ëhstë pak e ashpër,ndoshta edhe primitive, por ama kjo i shtin asaj më shumë karakter. Aq sa kur autori i shekullit XIX, A. della Seta, në veprën e tij “I monumenti dell’arte classica” “Monumentet e artit klasik” krahason ulkonjën e Kapitolit ne Himerën.
Ja se ç’shkruan M. Mandel në “Të kuptuarit e artit Etrusk” më 1989 – “Origjina etruske e këtij bronzi i të mrekullueshëm ka qenë objekt diskutimesh të gjata; i ëshstë atribuar një punishteje Siçiliane,pao nga Peloponezi, apo edhe në artisti grek emigrant”.
Thamë më sipër se Himera e Arecos është më e bukura. Ajo shkon tej ikonografisë standarde të shumë prej kimerave të tjera. Në shumë prej tyre, himera mund te jetë plot jetë e lëvizje, apo e ngurtë dhe e palëvishme.
Por asnjë prej tyre nuk është aq shprehëse dhe intense sa ajo e Arecos. Këtu artisti ka dashur ndoshta që të japë një mesazh. Përbindëshi krenar, që mund të nxirrte flakë nga goja, është treguar si një krijesë e dobët, ndoshta e uritur, në një çast dhimbjeje. Trupi i është përkulur në një pozicion që të sjell ndër mënd një mace të zëmëruar, ndërsa ka hapur gojën sikur është duke vajtuar,ndërkokë që koka e dhisë është duke pikuar gjak, që çfaqet në qafën e saj. Kështu, kjo himera nuk i ngjan fare përbindëshit dhe ndaj nuk të sjell ndër mënd ndonjë krijesë dashakeqëse. Ngjan më tepër me një luftëtar që ka luftuar ashpër dhe plot pasion, por që po humb betejën. Mbase artisti i panjohur i lashtësisë, kushdo qoftë ai, ka dashur të tregojë fatin e popullit Etrusk, i cili në atë kohë po pushtohej dhe po i nënshtrohej Romës që po forcohej. Apo ndoshta donte të tregonte fatin e tij, te njeriut, që pashamngmërisht pasi ka luftuar me dallgët e jetës, ndoshta edhe me trimëri, është ndalur dhe po pret fatin e pashmangshëm për gjthë krijesat e gjalla..

Botime mbi Himerën.
Përveç autorëve të lashtësisë, Nathaniel Hawthorne shkroi për Himerën dhe Belleferonin në librin e tij “A wonder-book for girls and boys””Libër përrallash për djemtë dhe vajzat” në 1852, i njëjti vit botimi me atë të Mitollogjisë të Bullfinch-it. Hawthone i mshon idesë (gjithmonë nuk duhet harruar se është në libër për fëmijë) se Himera ka krahë, ide që ka munduar për shumë shekuj interpretuesit e mitit.
Arthur Charles Fox-Davies botoi në 1925 “Complete Guide to Heraldry” “ Guidë e plotë e emblemave”, të të cilën citohet si Chimera. Ai e përshkruan si kafshë që ka kokën dhe gjoksin e një femre, panxhat e një luani, trupin e dhie, kembët e pasme të një grifini dhe bishtin e një dragoi, dhe është aq e shëmtuar sa nuk bëhet.
Robert Graves shkroi në 1960 “The Greek Myths” “Mitet greke”, ribotim i punuar. Ai bën përpjekjen e parë në shekullin e shkuar për të bërë një shpjegim të Himerës duke ju përmbajtur linjave të mitollogjisë të lashtë. Kështu, për të ajo është simboli i Treshes së Perëndeshës së Madhe të Viti të Shenjtë-luan në pranverë, dhie në verë dhe gjarpër në dimër. Pas në viti Graves i referohet sërish Himerës në librin e tij “The white Goddess” “Perëndesha e Bardhë’ ku përshkruhet histori e Belleferonit. Këtu Pegasi citohet si Aganippe, e rrjedhur nga mbiemri me të cilën Homerin quan heshtën e Artemisit dhe të Apollos, trem i cili do të thotë “që sjen një vdekje të ëmbël”. Kështu Pegasi “ripagëzohet” si “mushka që sjell vdekje të ëmbël”.
Në 1977 antropologu italian Alessandro Ferrari sjell një hipotezë interesante për mitin e Himerës në librin e tij “Carta canta” “Letra folëse” – a mund të ketë mbijetuar miti gojor që nga kohët e Etruskëve? Fornari përshkruan historinë e Luiginos me përbindëshin që jeton në Toskani dhe që i ngjan shumë histoisë Sumeriane të Innanës dhe të zogut Anzu.
Fizikanti dhe studjuesi i mitollogjië Stephen Wilk, në lirin e tij “Medusa, solving the mystery of the Gorgons” “ Meduza, zgjidhja e e misterit të Gorgoneve” përpiqet të bëjë një interpretim astronomist të miteve të tillë si Perseut, Medeas dhe Andromeda. Kështu, duke cituar mitin, thekson se Belleferoni e vret Himerën duke i gjuajtur me shigjeta dhe së fundi duke i hedhur një top plumbi që e vrai përbindshi. Stefeni beson se shigjeta janë meteroidet e Perseut me të cilët lidhet edhe emri i Belleferonit që mund të shpjegohet me termin “lëshues shigjetash”se sa vrasës i Bellerus-it . Po ashtu ai beson se masa e plumbit është ylli Mira, i cili një herë në vit kthehet i kuq në barkun e përbindëshit.
Borges, nobelisti i famshëm , në librin e tij “El aleph” shkruar në 1946, përshkruan pa e përmëndur Himerën në tregimin e tij “El immortal”. Po kështu ai e rimerr mitin në librin “Thë book of immaginary beings” (Libri i qënjeve immagjinare), botimi anglisht në 1969, përkthyer në shqip në qershor 2006. Borges citon të përmendurit e Himerës nga Homeri, në këngën e gjashtë dhe Virgjili tek Eneida, (përsëri tek kënga e gjashtë) si dhe sjell në kujtesë mbiemrin “himerik”. Ai sjell edhe një shpjegim tjetër kur thotë se Himera qe një pirat i cili e kish zbukuruar anijen e tij me figurat e luanit, dhisë dhe të një gjarpri. Borges thotë se fjalorët dhe diksionarët japin përshkrime të kota të himerës qënuk duhen besuar.
Po kështu, Gary Gygax me “Monster Manual for D&D” “Manuali i Monstrave për Didin” botuar në 1978, John Barth me “Chimera” botuar në 1972, Evan Morris me “The word detective” botuar më 1996, Bernard Evslin me “The Chimaera” botuar më 1988 kanë bërë shpjegime për Himerën.
Barry Kahan në gusht 1989 boton shkrimin kryesor tek periodiku për kirurgjinë e transplanteve, shkruan se Himera është logoja e Shoqatës Amerikane të Kirurgëve të Transplantimeve “si simbol që jo vetëm trupëzon thelbin por edhe shpirtin (spirit) e specialitetit”.

No comments: