Monday, January 29, 2007

Dhe ne të tjerëve që nuk ndërruam emrat, pse nuk na detyruan Grekët?

Ballkan, dashuria ime

Nga Gazmend Kapllani (Shekulli)
28-01-2007
gazikap@gmail.com

Ka gallatë Ballkani. Para disa ditësh më marrin në telefon nga një shoqatë greke e Përkthyesve të Letërsisë dhe më thonë që do më japin çmimin e parë. Në anën tjetër të telefonit ishte një zonjë shumë e sjellshme dhe bujare. Për çfarë do t'a marr çmimin e pyes. Për përkthimin e librit tuaj 'Ditar i vogël kufinjsh' në greqisht më përgjigjet. 'Zonjë, po t'a hapni librin në faqe të parë do lexonit 'letërsi bashkohore greke'. Zonja hesht. 'Nga e morrët vesh që unë e përktheva librin nga shqipja?'. Kështu na thanë përgjigjet. Bukur. Kështu i thanë dhe sigurisht që kështu e imagjinoi. Sepse e ka të vështirë të mendojë që një emigrant shqiptar, arrin dhe shkruan një libër në greqisht i cili madje, fatmirësisht për mua, bëhet best seller.

Por nuk mjafton kjo. Pas disa ditësh më merr një miku im në telefon. Shkova në një librari në qendër të athinës, më thotë, kërkova librin tënd dhe e gjeta tek letërsia e huaj. Ishe madje përbri Xhojsit. I pyeta ata të librarisë përse Kapllanin e keni tek letërsia e huaj, sepse libri është shkruar në greqisht dhe ata u përgjigjën 'nuk ka rëndësi, ne i shikojmë nga emrat. Gazmend nuk është emër grek'. Shkëlqyeshëm. Përveç budallëkut, nëpunësit e librarisë vuajnë edhe nga një ndjenjë e theksuar anti-profesionalzmi.

Ballkani që ndryshon, pra. Ballkani që është në Europë. Ballkani që kërkon të hyjë në Europë. Në prezantimet e librit kudo që shkoj një nga pyetjet kryesore është 'çfarë je?'. Sepse, dihet që në Ballkan duhet të jesh ose kjo ose ajo. Përgjigjem se jam hibrid kulturor, Shqiptar dhe Grek, Grek dhe Shqiptar. Si mund të jetë ndryshe? Gjysmën e jetës sime e kam kaluar në Shqipëri, gjysmën në Greqi. Flas të dyja gjuhët, shkruaj në të dyja gjuhët. Endërroj në të dyja gjuhët. Por në Ballkan nuk jemi mësuar kështu. Jemi mësuar që ai që ka dy identitete është diçka e ngatërruar. Shpesh është diçka e dyshimtë. Më shpesh akoma është diçka si bastard. Në Ballkan jemi mësuar që identiteti nuk gjendet në mendjen tonë, nuk është çështje vlerash, është çështje gjaku. Sepse në Ballkan jemi mësuar me identitete vrastare. Dhe në rregull, se në se je Shqiptar dhe Grek nuk quhet edhe aq shumë skandal. Imagjino ama, ditari im i dashur, se çfarë heq ai që deklaron se është Serb dhe Shqiptar, Turk edhe Grek?

Nuk janë të paktë ata 'patriotë' Shqiptarë që direkt apo indirekt më 'qortojnë' sepse deklaroj një identitet të dyfishtë, Shqiptar edhe Grek. Në Ballkan gjëra të tilla nuk lejohen. Në Ballkan i nderuar është ai që shet patriotizëm. Këta lloj 'patriotësh' do donin që unë të thosha 'jo vetëm që jam Shqiptar, por që atëherë që kur kam shkuar në Greqi jam bërë më Shqiptar se ç'isha!'. Sepse këto budallëqe u mësojmë fëmijëve tanë në shkolla. Njeriu shkon ku shkon dhe nuk ndryshon. Këtë lloj përfytyrimi mësojnë për emigrantët grekë në botë këtu në Greqi. Këtë lloj përfytyrimi mësojnë edhe për emgirantët Shqiptarë në Shqipëri. Por a ka dështim më të madh se sa të shkosh diku dhe mos të ndryshosh? Se sa të shkosh në një vend tjetër dhe mos të marrëshë asgjë? Me mijëra e mijëra vite njerëzit emigrojnë. Asimilohen atje ku venë, të tjerë fitojnë një identitet të dyfishtë, të tjerë të trefishtë. Të tjerë, fatkeqësisht, përfundojnë në geto. Vetëm ne Ballkanasit duhet të jemi ndryshe.

Kam vënë re, ditari im i dashur, që shumë prej këtyre 'patriotëve' që më 'qortojnë' se unë, ngaqë deklaroj identitet të dyfishtë, e kam tradhtuar 'kauzën e shqiptarizmës' (në fakt terminologjira të tilla mua më shkaktojnë të qeshura), shumë prej këtyre 'patriotëve' pra, i kanë ndryshuar emrat. Nga Meti i kanë bërë Peti, nga Qani Jani, nga Bora Dhora. Po t'ua thuash diçka të tillë, atëherë këta tipat fillojnë e gërthasin: 'na detyruan Grekët t'a bëjmë këtë!'. Dhe ne të tjerëve që nuk ndërruam emrat, pse nuk na detyruan Grekët? Sigurisht, ditari im i dashur, nuk kam asgjë me ata që kanë ndryshuar emrat. Eshtë e drejta e gjithkujt të zgjedhë emrin që do dhe mënyrën që kërkon të mbijetojë. Por me këta 'patriotët' që nga Meti bëhen Peti dhe pastaj të thonë 'e tradhtove kauzën e shqiptarizmës' kam shumë problem. Sepse ky lloj individi është njeriu i ri që rriti Nëna Parti për pesëdhjetë vjet. Një njeri me dy personalitete. Një njeri me një cmirë të pashtershme ndaj gjithkujt që nuk i bindet rregullave të 'masës', por që deklaron se është në radhë të parë individ i pavarur. Me një cmirë të pashtershme ndaj gjithkujt që bën pak prokopi në jetën e tij. Kush nuk është si ata, është i dyshimtë. Me njerëz të tillë janë të mbushura në Shqipëri mediat, dikasteret, Partitë politike. Njerëz që deri dje e kishin ëndërr të bëheshin anëtarë të partisë e të Byrosë sot mbajnë flamurin e anti-komunizmit. Njerëz që deri dje spiunonin fqinjin, befas na u bënë ithtarë të kapitalizmit. Hipokrizia, sporti ynë kombëtar.

Por që të kthemi përsëri tek Ballkani. Po t'a kisha shkruar librin në anglisht, frëngjisht, hollandisht apo italisht, 'patriotët' nuk di kishin problem. Problemi i tyre është që e kam shkruar në greqisht. Eshtë e çuditëshme por edhe 'patriotët' grekë kanë të njëjtin problem. 'Pse e shkruajti librin në greqisht?' thonë. 'Gjë e dyshimtë kjo. Dhe si guxon dhe blihet libri i tij? Kjo është akoma më e dyshimtë. Nuk do t'a ketë shkruar vetë librin'.

Dhe vijmë përsëri tek problemi i identiteteve. Kohërat ndryshojnë por mendjet e 'patriotëve' janë akoma në vitin 1945. Për të treguar se çfarë është Ballkani, ditari im i dashur, unë gjithmonë tregoj një histori që lidhet me mbiemrin tim. U gjenda njëherë në një takim gazetarësh ballkanikë dhe atje dikush më pyeti për mbiemrin. Kapllani u përgjigja unë. Kapllani, u hodh turku, është turqisht. Jo tha një grek, është greqisht. Jo tha një bullgare, është bullgar. Vetëm shqip nuk ishte! Në fakt është që të gjitha bashkë. Kapllan në Shqipëri, Kapllanoglu në Turqi, Kaplanis në Greqi, Kaplanoviç në Serbi, Kaplanofski në Bullgari e kështu me radhë. Sepse Ballkanasit kanë dalë nga e njëjta mitër historike. Ky është bekimi dhe mallkimi i tyre. Ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, janë pothuajse e njëjta gjë. Prandaj edhe sot e kësaj dite rivendikojnë të njëjtët heronj, të njëjtët shenjtë, të njëjtët demonë. Kur erdhi koha e formimit të shteti-komb duhet të bindnin vetvehten që janë krej të ndryshëm. Sikur kishin zbritur në tokë seicii prej tyre nga planete të ndryshme. Si mund të bëhej kjo përveçëse duke sajuar dokrra dhe mitologji të jashtëzakonshme? Deri në budallepsje. Më qëlloi një herë në Zagreb, pyeta disa nacionalistë Kroatë në se gjuha e tyre ishte e ngjashme me Serbishten. Desh m'u hodhën në grykë. Çfarë thua - më thanë – gjuha jonë nuk ka asnjë lidhje me serbishten. Dhe më dhanë një shembull. 'Serbët i thonë kohës Vreme. Ne i themi Vrieme'. E keqja ishte që e kishte seriozisht i biri i botës!

Ky pra është Ballkani. Dhe nuk ka ndonjë habi pse në ballkan kacafytemi kaq keq me njëri-tjetrin. Sepse luftrat më të tmerrshme janë luftrat vëllavrasëse. Po intervistoja Kadarenë pardje në Athinë për gazetën 'TA NEA' dhe e pyeta për Ballkanin. 'Edhe pse Shqiptarët kanë probleme pothuajse me të gjithë fqinjët e tyre' m'u përgjigj'kur ndodhem në Europë i ndjej popujt e Ballkanit si kushërinjtë e mi. Dhe i mbroj kur i sulmon dkush'. Sepse Ballkani ka histori tragjike, prandaj ka nevojë edhe për dashuri dhe dhembshuri. Por mbi të gjitha ka nevojë të çlirohet nga tutela e 'patriotëve', mendjekotëve dhe mafiozëve. Ka nevojë që t'i kurojë plagët e veta gjithseicili, duke parë më shumë vetvehten. Duke e kërkuar të keqen në radhë të parë tek vetvehtja dhe jo tek tjetri. Për herë të parë në historinë e tij, me ekzistencën e B.E.-së, të kësaj B.E.- je që ngjan me një foshnje zevzeke por që për ne Ballkanasit është bekim, mund të kapërcejmë kufijtë hermetikë, tragjiko-komikë, që i vumë dikur njëri-tjetri. Mund t'a bëjmë historinë tonë me të vërtetë histori dhe jo histeri. Do na marrë kohë, do na marrë breza por nuk ka rrugë tjetër.

A edhe diçka tjetër, ditari im i dashur. Një nga pyetjet që më drejtojnë më shpesh është në se jam më shumë Shqiptar apo Grek. Varet se kush më pyet. Kur pyetjen m'a drejtojnë 'patriotë' Shqiptarë jam më shumë Grek. Dhe kur m'a drejtojnë patriotë Grekë, jam më shumë Shqiptar... Mirupafshim të Djelën tjetër.

2 comments:

Anonymous said...

Nuk janë të paktë ata 'patriotë' Shqiptarë që direkt apo indirekt më 'qortojnë' sepse deklaroj një identitet të dyfishtë, Shqiptar edhe Grek. Në Ballkan gjëra të tilla nuk lejohen
-----------------------------------

Ka te drejte z. Kapllani. Mund t'ju sjellim Arvantiasit si shembull. Cudi se si i kerkon Shqiptareve ky te sillen me nje standard me te larte se Greqeria, kur modus operandi ne Balkan eshte: askush nuk eshte me i mire se tjeteri, te gjithe jemi po aq te keqinj.

Se dyti, une mund te them lehte se jam Kanadez, se fundi i fundit nuk te kerkojne asgje tjeter keta pervec pagimit te taksave ne menyre shembullore. Po ti or derezi nuk e ditke qe Greki as vete nuk e ka perkufizuar se c'eshte?

hajt me mend ne koke
Kreshnik Kanadezi

Anonymous said...

Jo se jam kundra ketyre mendimeve qe ke shkruar, por sikur ta kishe derguar kete shkrim diku tjeter, ne nje faqje me asnjanese, do ti kushtoja me teper vemendje.

Ketu, i bie vlera nga ditar i sinqerte ne propagande.

..sidoqoft, urime per librin, shpresoj te botohet edhe ne gjuhen shqipe qe ta lexojme edhe ne.