Sunday, January 07, 2007

Shuteriqi, ustai i fjalës së shkruar (Nga arkivi)

note: shkrimtari i njohur himarjot Anastas Kondoermend ne kete artikull dy toponimi: "mavromat" dhe "pagnanate"., qe kane egzistuar para 1432 rreth Vunoit, toponima e pare deshmon ne menyre te padyshimte prejardhjen e jlenga gjuha greke.

Anastas Kondo

Çerek shekulli më parë, në një takim me disa shkrimtarë kosovarë, shokun tim Dritëro Agolli dikush e pyeti që pse nuk ishte edhe ai akademik. Dritëroi, me humorin e tij serioz, iu përgjigj kolegut, bashkatdhetarit të përtej Drinit, se s´kishte si të qe akademik, përderisa ai shkruante libra. Kurse dihet, që akademikët tanë nuk kanë libra, por kanë artikuj pak, e tituj shumë. Të tjerët qeshën me këtë batutë devolliu, dhe në përgjithësi, u pajtuan me zë. Por ja që ishte një akademik shqiptar (asokohe) dhe çfarë akademiku se, me mbi njëqind vepra dhe ç´vepra pa; që kishte botuar libra qysh njëzet vjeç dhe do të botonte derisa të vdiste, për gati treçerek shekulli. Ky ishte miku im i nderuar, profesor Dhimitër Simon Shuteriqi...

Veç për të, nuk mund të thuhej kurrë se ishte akademik pa vepra! Jo, Shuteriqi ishte një akademik dhe shkrimtar i madh, një enciklopedi e vërtetë dhe padyshim, tregimtari më i shquar shqiptar.Dhe kur, pikërisht për këtë dhe të tjera vlera e merita të Shuteriqit, dikush nga studiuesit kosovarë pyeti: “Po profesor Shuteriqi?”, Dritëroi, pa u menduar fare, hazër xhevap, ia ktheu: “Shuteriqi është “drugoje mesele” (e tha kështu, sllavçe, e gjysëm turçe, kastile). Ai ha bukë veç, nga të gjithë ne! Ai është bash usta! Mjeshtër i madh i fjalës së shkruar!

Kjo që tregova mund të jetë një histori e sajuar në gojën e Dritëro Agollit, por dhe po qe kështu, përsa i përket Shuteriqit, unë nuk do t´i hiqja asnjë presje, edhe pas njëzet e pesë vjetësh.

Autori i rreth njëqind librave, Shuteriqi, vjet në korrik na la. Është një rastësi që ai lindi në korrik (1915) dhe vdiq po në korrik (2003), në muajin e korrjeve dhe iku me hambaret plot me libra. Dhe është nga të paktët njerëz, që vërtet të merr malli. Sot përdoret shpesh dhe është bërë modë idioma anglofone “na ka munguar”, me vend e pa vend, për turli personash, por mungesën e Dhimitrit, me hak e ndjejnë letrat shqipe; e ndjejnë, qoftë shkrimtari apo dijetari, qoftë qytetari apo fshatari që këndon ende libra. Ai qe njeri me plot gojën dhe kishte ilaç për shumë hallexhinj. Na mungon mendimi i tij i vlertë, shikimi i tij i ngrohtë; na mungon guximi i tij për ta përballur jetën dhe, veçanërisht, shembulli i punëdashjes së tij të rrallë.

Ai ishte një nga njerëzit më të vëmendshëm e më të kujdesshëm që kam njohur. Në vitin 1965, kur vdiq Noli, punoja gjeolog në naftë në Kuçovë. Më thanë në laboratorin e paleontologjisë se më kërkonte vetë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, vetë profesor Shuteriqi. Ashtu qe vërtet. Ishte ngjarje për kolegët e mi dhe për mua, një shkrimtar i ri. Në telefon ai më dha lajmin e hidhur të vdekjes në Boston, dhe më kujtoi që para pesë vjetësh i kisha treguar për një fotografi të Nolit, së toku me Anri Barbusin apo Romeo Rolandin, që e kishte botuar në vitin 1927, në Kongresin e Paqes së Berlinit, revista ruse ”Njeva”. U habita me kujtesën e tij; kushdo do ta kishte harruar pas shumë vitesh dhe i thashë që ta kërkonin në Arkivën Qendrore, sepse e kisha dorëzuar revistën atje. Biseda në telefon u bë të enjten në drekë, e të dielën në mëngjes, Noli u botua në gazetën “Drita”, në presidiumin e Kongresit të Paqes në Berlin 1927. Shembuj të tillë të vëmendjes dhe përkujdesjes së tij ka shumë, por nuk ka vend në një artikull.

Lëmi kryesor i veprimtarisë së tij enciklopedike si shkrimtar, është tregimi, ku veçohet si një nga lëvruesit më të zotë. Në prozën e shkurtër, në tregime dhe novela, ai kishte shok veten dhe asnjë tjetër.

Akademiku Shuteriqi, si shkencëtar ishte dhe mbetet një nga autorët më të shquar, në mos më i shquari në fushën e historiografisë letrare, i teksteve dhe veprave përgjithësuese të historisë së letërsisë dhe shkrimeve shqipe, i monografive të famshme për Naim Frashërin apo “Shkrimet shqipe në vitet 1392-1850”.

Vëmendjen e Shuteriqit, në ditë të lumtura dhe në ditë të hidhura, që s´qenë të pakta edhe për të, gjithnjë e kanë tërhequr ngjarje të rëndësishme të kombit (Pavarësia dhe Ismail Qemali me shokë), figura të ndritura të kulturës shqiptare (De Rada, Naimi etj.), e mbi të gjitha, jeta dhe hallet e popullit. Dhe për hallet e popullit të vet, ai nuk e ndante veprën letrare nga jeta e tij. Nuk kishte teka, dyzim të personalitetit, siç ndodh jo rrallë me njerëzit e letrave: sheqer në libra, zeher në jetë.

Elbasanlliu ynë i sojmë, që pragu i Luftës së Dytë Botërore e gjeti në Lion, ku mori pjesë në mitingun e protestës kundër pushtimit fashist të Shqipërisë (është një fotografi e asaj dite, ku e shohim djaloshin Shuteriqi pranë shqipes së flamurit, bashkë me patriotët e tjerë shqiptarë). Ai nuk ndenji e as humbi në Francën e lakmuar, por mori zjarrin e fugoi në vendin e tij “të mallkuar”, për të luftuar e për ta çliruar. Me pushkë e me penë. Kujtoni poemën e tij për Ptoleme Xhuvanin, duke vënë kështu kokën në satërin e kohës. Në kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore ai u rreshtua me fitimtarët e çlirimtarët (kujtoni romanin “Çlirimtarët”). Shuteriqi ka edhe një anë tjetër, pak të njohur për të. Ai ishte edhe një nga piktorët (portretistët) amatorë, mjaft interesant. Madje, dhe në kohën kur nuk flitej sheshit për Matisin, Pikason apo Dalinë, ai nuk e fshihte admirimin për ta. Ky hobi i tij për pikturën, na ka lënë mjaft portrete të tij, të skicuara me atë llullën e tij të famshme, nga shumë piktorë tanët. Ashtu si dhe ata, nga ai lapsi apo karboni i zi i mprehtë i Shuteriqit, kanë portretet e tyre në albumet e veta.

Shuteriqi ishte tepër fisnik, zotni burrë, që për punën dhe suksesin e tjetrit gëzohej e entuziazmohej si për veten e vet, deri në naivitet. Sot nuk para ka njerëz të tillë. Vendin e fisnikëve e kanë zënë harbutët. Një llaf, një telefonatë, një recension i tij i mirë, të bënte me krahë dhe e shtonte disafish fuqinë për të shkuar përpara.

Kështu përshembull, nja dy vite më parë, kur një ulqinak, në mos gabohem, tha në gazeta që zbuloi shkrimet shqipe të një Theodhori Shkodrani të shek. XIII, të cilat ende edhe sot nuk janë botuar. I pari që u gëzua si fëmijë qe ai, më i sakti i shkencëtarëve shqiptarë, Shuteriqi, që u entuziazmua se shqipja jonë qenka shkruar para frëngjishtes. Dhe këtu, ai për shqipen bënte një “sakrilegj” të madh, bënte “mëkat”, sepse kishte studiuar në Grenobël të Francës për filozofi dhe letërsi frënge. Por, për lashtësinë e shqipes, ai e falte edhe atë të frëngjishtes, ashtu si Rikardi i Tretë i Shekspirit, që për një kalë, falte mbretërinë, domethënë, Anglinë.

Sa e donte ai njeri fjalën dhe gjuhën shqipe! Mësuesi i Popullit, Dhimitër Shuteriqi, nuk mund të lejonte që, qoftë edhe një fjalë e lashtë të harrohej apo të hidhej jashtë si një fije kashte. Kur shkruante për “shkrimet e para shqipe”, solli ndërmend një strofë katërvargëshe që ia kisha përmendur dikur, ku tregohej për një nuse himariote, që pasi i vranë burrin, u kthye në derë babe. Kënga qe kjo: “Jeshë bijë Mavromat/vatçë nuse Pagnanat/vatçë zogë e shkruarë/ardhçë lesh lëshuarë”. Në katër vargje ishte drama dhe tragjedia, ishin fjalët e lashta: vatçë, ardhçë dhe shkuarë, si dhe dy fshatra që në vitin 1432, kur u bë regjistrimi dhe kadastra e parë osmane, nuk ekzistonin më. Mavromati dhe Pagnanati, tashmë, më 1432 qenë zhdukur. Përderisa nusja e mbetur e ve në Himarë (Vuno), para këtij viti thotë “zogë e shkruarë” për veten e saj, atëherë ajo e dinte që fjala shkruhej. Pra, shkrimet shqipe i njihnin himariotët që në atë shekull të largët. Këtë përfundim e nxirrte Shuteriqi, jo unë.

Kam qenë vetëm dhjetë vjeç kur më ka rënë në dorë libri i parë i tij. Unë bëja paradite klasën e tretë fillore te shkolla “11 Janari”, që sapo ishte çelur, kurse nëna ime shkonte pasdite, po atje, në kursin kundër analfabetizmit. Ishte vitit 1947.

Dhe në mbrëmje vonë, me fotinë me vajguri tek e ndihmoja nënën time të lodhur të mësonte shkronjat shqipe, me një abetare të vjetër, pataksesha me vajet e saj të mrekullueshme, që unë ia rrëmbeja nga goja dhe ia hidhja në letër. Ajo ishte poetja e parë që njoha unë. Ishte grua e re, e ve (babai u vra në luftë), që rriste dy binjakë në mes të Tiranës, duke u munduar e vajtuar fatin e saj “Me lotë si shpella kullova/më ra keq fleta e gjora/u jam si varka pa vela/më ka hedhur poshtë era/e kam zemrën thela-thela”, e të tjera e të tjera. Por, të gjitha këto ishin vargje popullore, vaje tetërrokëshe, bejte, ndërsa unë si fëmijë që isha, kisha ambicie të shkruaja vargje tamam, si poetët tamam. Dhe duke kërkuar për të gjetur çelësin e poezisë së vërtetë, shtiva në dorë magjinë e “Metrikës shqipe” të Shuteriqit.

Ky qe libri i parë i tij. Pastaj, në vite këndova librat me radhë; njëri më i mirë se tjetri, me tregimet e mrekullueshme si “Fylli i Marsiasit”, “Kënga dhe pushka”, “Maratonomaku ynë”, “Qafa e Botës” apo ato librat me studime nga më seriozet si “Letërsia e re shqipe”, “Shkrimet shqipe”, “Autorë dhe tekste”, “Mbi Barletin”, “Mbi Naimin” e deri te librat model për fëmijët si “Gurnecka”, “Vërshimet e vjeshtës”, “60 tregime në një”, e të tjera që po t´i shkruash, do të zësh faqe të tëra gazete; pa harruar kur qe plak i plakur, tetëdhjetë e kusur vjeç, “Sytë e Somonidhës”, një libër mjaft me vlerë, që në këtë kohë antivlerash, kaloi me pa të drejtë në heshtje.

Profesor Shuteriqi nuk gërthet e as bërtet, për atë ç´ka jetuar e ka shkruar, siç bëjnë shumë të tjerë sot. Mbi njëqind librat e penës së tij janë një bibliotekë më vete. Ai ishte i moralshëm, edhe në kohëra pa moral; ai është i vyer edhe sot në këtë kohë me pak vlera e me shumë plehra.

Padyshim, ai është patriarku i letrave shqipe. Krijimtaria e tij është minierë ari e kulturës dhe letërsisë sonë. Jam i sigurt se miniera e Shuteriqit nuk do të braktiset e as do të taposet, sepse atje ka mineral të pasur për të gjithë ata që e duan të bukurën dhe të mirën e njeriut dhe të kombit, për sot dhe për nesër. Ai nuk është nga ata që me të drejtë thuhet: “Lerini të vdekurit me të vdekurit!”, por është nga ata që jetojnë dhe mbeten të gjallë midis të pavdekshmëve të vendit të vet.

© 2003 Gazeta Panorama

No comments: