Tuesday, February 13, 2007

KLAN-13-02-2007:Pasaportat dritheruese

Ata dhjetra mije homogjene, minoritare apo quajini si te doni, do te vazhdonin te jetonin ne Greqi edhe pa pasaporte greke. Me kete vendim, ata integrohen teresisht ne nje shoqeri qe kane zgjedhur me vullnetin e tyre per te jetuar

nga Altin Kreka

Me mijra shqiptare, cdo vit behen shtetas amerikane apo kanadeze. Shume here me shume se kaq po “luftojne” perdite per te fituar nenshtetesine italiane, gjermane, britanike…. Suedia u jep nenshtetesine shqiptareve te Shqiperise e Kosoves, duke iu bere edhe natyralizimin. Ata qe jetojne ne kete vend nordik me pasaporte suedeze, e kane humbur ligjerisht, pra “me letra”, kombesine shqiptare. Solla keto raste ne vemendje per te ngritur disa pyetje. Pse duhet te shqetesohemi kaq shume se 30-120 apo 200 mije shtetas shqiptare do te kene edhe pasaporte greke? Perse askush nuk shqetesohet per qindra mije shqiptare ne Perendim qe humben nenshtetesine e tyre, apo per femijet qe s’dine te flasin shqip?

Vendimi i qeverise se Athines per t’i dhene nenshtetesine greke shtetasve shqiptare te cilet kane fituar statusin e homogjenit, ne fakt nuk sjell asgje me shume se statusi qe keta shtetas kane aktualisht ne shtetin fqinj. Drithmat nacionaliste e shkaktuara ne Tirane duken me shume si reagime te turbullta, te shkaktuara nga ndjesia negative per cdo gje qe vjen andej kufirit. “Nacionalistet e zjarrte” e dine shume mire qe minoriteti maqedonas ne Prespe eshte i gjithi me nenshtetesi maqedonase, por s’flasin. Argumentet qe jepen kunder, duken shume te turbullta. Askush nuk mund te thote se cfare eshte e keqja e madhe nese, ata shtetas shqiptare qe jetojne ne Greqi prej vitesh, behen edhe shtetas greke. Perkundrazi, perfitimi ne kete rast eshte i madh, si per vete ata qe e fitojne kete status por edhe per Shqiperine. Me i dukshmi eshte se nje numer i madh njerezish behen shtetas te Bashkimit Europian. A nuk eshte kjo drita e zbehte ne fund te tunelit te gjate qe quhet “proces i zbatimit te marreveshjes se asocimit”? Paralajmerimet se ky mund te jete nje precedent i rrezikshem, nuk kane shume baze. Nese shihet ne planin nacionalist tradicional ballkanik, dhenia e nenshtetesise per minoritetet mbart edhe rrezikun e nje pastrimi etnik paqesor. Mendoni se cfare do te ndodhte nese ne Shqiperi vjen nje qeveri tejet nacionaliste. Dhe nese kjo qeveri do ndryshonte Kushtetuten dhe te ndalonte dyshtetesine. Me dhjetra mije shqiptare, minoritare greke apo edhe te ashtuquajturit vorioepirote, do vraponin te leshonin pasaportat shqiptare. Por mesa duket, shteti shqiptar ka dhene nje garanci te forte qe kjo gje nuk ka per te ndodhur.

Nacionalistet ende ngaterrojne kufijte me levizjen e popullsise. Megjithese jemi shume larg te kaluares, duket se na duhet shume kohe qe te largojme psikologjine e ndarjes me kufij qe mbrohen me gryken e pushkes. Alarmi “greku po na merr jugun”, nuk eshte kali i duhur i betejes. As nuk mund te thuhet se nenshtetesia greke eshte “Kali i Trojes”. Asgje s’ka ndryshuar per Shqiperine. I vetmi ndryshim eshte bere ne Greqi. Ata dhjetra mije homogjene, minoritare apo quajini si te doni, do te vazhdonin te jetonin ne Greqi edhe pa pasaporte greke. Me kete vendim, ata integrohen teresisht ne nje shoqeri qe kane zgjedhur me vullnetin e tyre per te jetuar. Perfitimet… Mbase nje dite do te shohim ne Athine, zyrtare te larte, ministra apo edhe kryeministra nga ky brez apo pasardhesit e tyre. Tek e fundit, ne cdo rast zyrtaret shqiptare para homologeve te tyre greke kane kerkuar garantim te te drejtave te emigranteve ne Greqi. Nese ata jane cilesuar si ure lidhese mes dy vendeve, c’te keqe ka nese kjo “ure” do te jete njekohesisht edhe shqiptare, dhe greke?

No comments: