Monday, February 12, 2007

Turpi i shtypit dhe mediave tona

Shenim: u desh te shohin Edin nudo qe te kuptojne turpin e Mediave shqiptare, kurse turpin e perditshem me sulmet kunder Himares ende po e pertypin.

Nga Ardian Klosi (Shekulli)
12-02-2007

Nuk mund ta harroj një ditë të bukur tetori të vitit 1984, kur udhëtoja për herë të parë drejt panairit të Frankfurtit. Kishim ndaluar një natë në Mynih dhe të nesërmen mikpritësi ynë, librari i paharruar, Otto Sagner, na nxori për një shëtitje në Kopshtet Angleze, Parku më i madh Natyror i qytetit. Përfytyroni një delegacion shqiptar të viteve '80, veshur në mënyrë korrekte, madje shumë trashë për kohën dhe vendin, me pallto dhe pardësy, meqë një nga këshillat më të rëndomta të njerëzve tanë para se të merrnim atë udhëtim të rrallë drejt Perëndimit, ishte: Shiko vishu trashë, se andej është ftohtë. E pra ky delegacion shqiptar në një ditë të ngrohtë vjeshte, ecën mespërmes parkut gjerman dhe i mban sytë vetëm... përtokë. Po pse përtokë? Sepse shumica e shëtitësve dhe pushuesve të parkut ishte... lakuriq. Bënte banjë dielli ose shëtiste nën ato rreze të ngrohta, duke luhatur si rastësisht ato që nuk luhaten kurrë në publik, faqeza grave të ekipit tonë socialist, që kishin futur kokat thellë në jaka, për të bërë sikur nuk ishin aty...

Ngjarja e dytë që më kujtoi botimi i fotografive nudo të Edi Ramës dje në gazetën "Sot" ka ndodhur diku në vitin 1996 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Mynihut, në një gjyq ku i padituri ishte një shqiptar dhe unë përkthyes i çështjes. Shqiptari kishte rrahur gati për vdekje një djalë të ri gjerman, buzë lumit Isar. Ky lumë që kalon mes për mes kryeqendrës bavareze, njihet për ujët e tij të kthjellët e ftoritës në ditët e nxehta të verës. Ndaj janë të shumtë qytetarët që lahen në valët e tij: që lahen me të mbathura banje ose pa to, të dyja palët janë të shumta.

Mirëpo një ditë, ky shqiptari i gjyqit që kishte vajtur të lahej atje me gruan e tij, sheh në anë një çift gjerman që vjen dhe zhvishet mbi barin e bregut. Zhvishet krejt, si gruaja ashtu dhe burri, siç i kishte bërë nëna, për ta shijuar ditën dhe ujët e Isarit, sikurse bënin ndoshta çdo verë dhe çdo të diel të nxehtë të saj prej vitesh. Befas i afrohet mashkullit një person pak i errët në fytyrë, që i thotë me një gjermanishte të çalë, të vishet menjëherë. Tjetri shtang dhe i përgjigjet se s'ka ndër mend t'ia plotësojë dëshirën: atëherë shqiptari, pa një pa dy e godet me grusht drejt e në fytyrë dhe, megjithëse tjetri bie përtokë pa ndjenja, i fut edhe një shqelm në ije.

Kjo ishte vepra penale që kishte kryer bashkatdhetari i tij, për të cilin mori vetëm një vit burg, jo aq pse gjykatësit e pranuan arsyetimin e tij, që "në vendin tonë kjo është fyerje e madhe, të vjen tjetri e të zhvishet lakuriq para gruas tënde", por sepse vunë re një çoroditje të madhe psiqike në personin e të gjykuarit, ndaj dhanë një dënim relativisht të butë për të kursyer gjithë zvarritjet dhe shpenzimet me ekspertizë mjekësore etj.

Gratë që fusin kokat në jaka për të bërë sikur nuk shohin lakuriqët rreth tyre dhe shqiptari që godet me grusht hundëve gjermanin, që ka dalë të bëjë banjë nudo anë lumit të tij, është në thelb edhe momenti që shfrytëzon një paçavurë si gazeta "Sot" dhe media të tjera për të sulmuar një lider politik. Jo pse botuesit e gazetës dhe të mediave të tjera, bashkë me ata që i paguajnë nuk e dinë që në Perëndim, në plazhe, parqe, sauna e mjedise të tjera të caktuara është gjëja më normale të dalësh e të rrish nudo: Jo, ata duan t'i drejtohen pikërisht asaj pjese të popullsisë që, ca prej zakoneve dhe traditave familjare ca prej injorancës dhe mbylljes së gjatë të vendit të tyre, nuk mund ta dinë që dalja e Edi Ramës nudo në një plazh të Atlantikut 10 a 12 vjet më parë, ishte po aq e veçantë sa fryrja e erës, sa rënia e shiut ose ngritja e çadrave në po këtë plazh, ose në plazhet shqiptare 100, 50 dhe 10 vjet më parë. Çështja që këta njerëz të mbyllur ose injorantë mund të përbëjnë 100 a 1000 banorë të Tiranës që do mund të votojnë të dielën kundër Ramës, është arsyeja e vërtetë e botimit të fotove personale të një njeriu që është njeri si gjithë të tjerët, e që kurrsesi nuk mund t'ia dhunosh e t'i rrëmbesh jetën private.

Fakti që duart e ndyra të klaneve më të këqija që kanë qeverisur ndonjëherë në shoqërinë shqiptare, arrijnë të futen edhe nëpër sirtaret e fotografive personale, të fut në shpirt një pikëllim të thellë për këtë vend dhe për jetën e qetë të secilit prej nesh.

Si koleg dhe mik i Edi Ramës nëpër shumë vite, edhe pse nuk ndaj parti ose gjëra të tjera me të, mund të ndjej vetëm neveri të thellë pas atij botimi, turp që edhe unë shkruaj në një shtyp ku një gazetë si "Sot" quhet normale, turp që shoh stacione televizive ku një botim i tillë i pistë, përbën lajm.

No comments: