Friday, February 16, 2007

Opinion (ABC): perfaqesuesi i Karamelos ne Himare

ABC February 15, 2007


Intervistoi Bledian Koka

Ndarja politike nuk ka përfshirë vetëm partitë politike kryesore por edhe ato që përfaqësojnë minoritetin grek në Shqipëri. Bëhet fjalë për Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, partia e cila drejtuar nga Ligoraq Karamelo, u shkëput nga PBDNJ-ja e Vangjel Dules. Dy partitë, përfaqësues të këtij minoriteti, do të garojnë me kandidatë të ndryshëm në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit për shkak se ato nuk kanë arritur të lënë mënjanë, mëritë mes tyre duke bërë që PBDNJ-në të rrezikojë fitoren edhe në ato zona që njihen me shumicë minoritare. Kreu i LBDNJ-së, Ligoraq Karamelo, ka shpjeguar në një intervistë për “ABC”, shkaqet që çuan në ndarjen e PBDNJ-së dhe situatën paraelektorale në zonat minoritare.

Gara në zonën e Himarës për PBDNJ-në duket më e vështirë se kurrë në këto zgjedhje. Madje flitet edhe për një aleancë PS-PD për të mos e lënë kandidatin e PBDNJ-së të dalë fitues. Si e shikoni ju këtë fakt?
Kandidimi i LDLNJ-së në Bashkinë e Himarës, megjithëse në media ka kaluar disi në heshtje, në realitet ka ngatërruar punët dhe ka prishur balancat politike. Vetë interesimi, ofertat, joshjet, por edhe presionet, shpifjet që po bëjnë forcat rivale ndaj LDLNJ-së i argumentojnë më së miri ato. Prishja e aleancës PD – PBDNJ në Bashkinë e Himarës ka shumë domethënie. Por ajo që bie në sy është fakti se shigjetat janë drejtuar kundër kryetarit aktual të kësaj bashkie. Se çfarë misteri fshihet pas emrit të tij, mbas të cilit janë kapur fort të dyja palët nuk është e lehtë të kuptohet, sepse edhe gjatë fushatës elektorale kjo çështje nuk është trajtuar me rigorozitetin dhe thellësinë e duhur. Sidoqoftë çelësi i fitores në këtë bashki më shumë se sa nga aleanca e përfolur PS-PD me aleatët e tyre respektive varet nga himariotët emigrantë, dhe nga fakti sesa ata do votojnë kandidatin e LDLNJ-së. Është kjo arsyeja që fushata më shumë se në Himarë është zhvilluar në Athinë dhe në të janë përfshirë edhe faktorë të tjerë me influencë në problemet e Himarës dhe të himariotëve. Fakti që LDLNJ-ja mbështetet nga shoqata e të përndjekurve politikë, kryetari i së cilës është dhe kandidat për Bashkinë e Himarës, që lista për këshillin bashkiak e kësaj partie ka figura të shquara dhe me kontribut për Himarën (përfshirë dhe të atin e Pirro Dhimës), që LDLNJ-ja ka zbritur me alternativa konkrete për zgjidhjen e problemit të pronës, për projektet në fushën e turizmit, për motivimin dhe nxitjen e investimeve nga vetë himariotët dhe mbi të gjitha për një drejtim të Bashkisë së Himarës me transparencë, drejtësi, përkushtim e profesionalizëm dëshmon se ne jo vetëm që do të jemi përcaktues në fitore, por nuk përjashtohet mundësia që ne edhe mund ta fitojmë atë.

Z. Karamelo partia e juaj dhe ajo e zoti Dule po garon me kandidatë të ndryshëm. A mendoni se kjo do të sjellë një rrjedhje të votave në ato zona që njihen me shumicë minoritare për kandidatët tuaj?
Është fakt se në Zgjedhjet Lokale të 18 shkurtit Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (LDLNJ) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) po garojnë secila me kandidatët e vet ose e thënë ndryshe për hesap të vet. Megjithëse LDLNJ-ja në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2005 pësoi zhgënjimin nga PD-ja dhe dinakërinë nga PBDNJ-ja, ajo jo vetëm që nuk hoqi dorë nga alternativat e saj për të cilat mori dhe vlerësimin maksimal të OSBE/ODIHR-it, por vazhdoi përpjekjet e saj për të debutuar në skenën politike shqiptare me maturi dhe dinjitet. Ata që mendonin se LDLNJ-ja do të “shuhet” se nuk e përkrahu askush apo se do të braktiset nga elektorati i saj, gabuan. Padyshim që LDLNJ-ja me kandidatët e vet do të votohet nga një pjesë e konsiderueshme e minoritetit grek dhe ndoshta kjo mund të quhet humbje për dikë që e konsideron këtë minoritet si çifligun e vet.

Si e cilësoni thirrjen e kandidatit të PBDNJ-së në Poliçan për të votuar kandidaturën e tij në këmbim të dhënies së vizave për elektoratin e kësaj zone?

Dalja në publik e thirrjes së kandidatit të PBDNJ-së në Poliçan për të votuar kandidaturën e tij në këmbim të dhënies së vizave është dëshmi e krizës të kësaj partie e cila në mungesë të alternativave konkrete, të forcës së saj elektorale aludon për ndihmën e tjetërkujt. Abuzimit me premtime vizash, i ja në shtuar edhe presione të tilla absurde si: po votuat për LDLNJ-në do t’ju priten pensionet, nuk do t’ju jepet dyshtetësia, nuk do t’ju pranojnë nëpër Konsullata, etj. Këto tregojnë në fund të fundit se sa poshtë kanë rënë drejtuesit e kësaj partie në ide e alternativa për minoritetin duke shpresuar marrjen e votave nga “mjelja e lopës që nuk shteron”. Nga ana tjetër shtimi i premtimeve absurde është dëshmi e dështimit total në qeverisjen vendore nga ana e PBDNJ-së në pothuajse të gjitha komunat dhe bashkitë ku ajo ka fituar. Dhe konkretizimi i këtyre konstatimeve do të jetë përgjigja që elektorati do të japë kësaj partie më 18 Shkurt.

Në shumë zona minoritare janë regjistruar edhe kandidatë të pavarur. A do të thotë kjo se elektorati minoritar e ka humbur besimin tek forcat politike që i përfaqësojnë ata?

Është fakt i vërtetë që në mjaft zona minoritare garojnë edhe kandidatë të pavarur. Ajo që bie në sy nëse e krahasojmë me Zgjedhjet Lokale të 2003 është se ky numër paraqitet më i vogël, gjë që për mendimin tim shpjegohet me daljen e LDLNJ-së dhe nëse ne do të ishim treguar më “bujarë”, ndoshta ky numër do të ishte edhe më i vogël. Por kryesisht dalja e kandidatëve të pavarur demaskon: mënyrën aspak demokratike në zgjedhjen e kandidatëve që praktikon PBDNJ-ja gjoja në emër të OMONIA-s, faktin që OMONIA është krejtësisht e çorientuar, që nuk zbaton Statutin në organizimin dhe funksionimin e saj, që është e përvetësuar nga PBDNJ-ja, mungesën e një strategjie të përbashkët dhe pamjaftueshmërinë e shterpësinë e alternativave konkrete në zgjidhjen e problemeve me të cilët aktualisht ndeshet minoriteti etnik grek. Më shumë se sa humbje besimi, dalja e tyre është edhe revoltë ndaj mungesës të vlerësimit të punës dhe të kontributit të secilit, por edhe të mungesës të vënies në dukje të të metave, abuzimeve, korrupsionit e shpërdorimit të postit. Vetë fakti që pothuajse të gjithë kandidatët e pavarur janë ish kryetarë komunash i argumenton më së miri konstatimet e më sipërme.

Pse nuk u arrit një marrëveshje mes dy forcave politike që përfaqësojnë minoritetin dhe si e cilësoni fushatën elektorale të PBDNJ-së?

LDLNJ-ja paraqitet në Zgjedhjet Lokale të 18 Shkurtit e vetme për të testuar veten dhe elektoratin që ajo pretendon se ka, duke paraqitur para tij alternativat e saj. Në ndryshim nga ajo, PBDNJ-ja nga njëra deklaron se garon e vetme në Zgjedhjet Lokale , ndërsa nga ana tjetër realiteti flet ndryshe. Fakti që në Fletët e Votimit disa kandidatura të saj janë të përbashkëta me PD-në, që në Bashkinë e Sarandës dhe të Gjirokastrës braktis elektoratin e saj dhe mbështet kandidatët për kryetarë bashkie të PD-së, në disa komuna e bashki bën aleanca me PS-në, apo në disa komuna të tjera “shet komisionerët e saj” për parti të tjera politike dëshmon se PBDNJ-ja po drejtohet në mënyrën e saj më të keqe, me devizën për të mbijetuar në politikë me çdo mënyrë, me çdo kusht qoftë edhe duke braktisur interesat e elektoratit që ajo pretendon se përfaqëson.

(Postoi K. Jorgji)

No comments: