Thursday, February 08, 2007

Si jetojnë grekët në jug të Shqipërisë?





Shkruar nga Administrator

Nga Georgios Pappas

Grekët janë minoriteti më i madh në Shqipëri. Minoriteti grek jeton së bashku me shqiptarët dhe jo paralelisht me ta. Në veturën e ministrit shqiptar të Punës, shoferi shqiptar dëgjon muzikë greke. Ministri quhet Kosta Barka. Eshtë me prejardhje greke dhe vjen nga Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, e cila është në koalicion me Partinë Demokratike të Sali Berishës. Eshtë kjo edhe një shenjë e ndryshimit të Berishës.

Në periudhën e pushtetit të parë, kryeministri ishte një kundërshtar i vendosur i pakicës greke. Ndërsa sot është një mbështetës i madh. Ruajtja e minoriteteve në Shqipërinë e sotme është e pakontestueshme, të paktën në teori. Por në realitet, gjendja duket më ndryshe, mendon kryetari i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

"Ekziston një humnerë e madhe midis ligjit në njërën anë dhe jetës së përditshme në anën tjetër. Nuk respektohen shumë aspekte të konventave ndërkombëtare. Për këtë ekzistojnë dy shkaqe: mungojnë mekanizmat e shtetit për zbatimin e ligjeve, por nuk ekziston as vullneti politik", thotë ai.

Librat
Kjo shihet edhe në librat shkollore të historisë. Zëvendësdrejtori i Akademisë pedagogjike në Gjokastër, Dhimitër Çiçi, thotë se këto libra prezantojnë një Shqipëri të madhe, prej Kosovës deri në Shkup dhe veri të Greqisë. Gazetari Orfea Beci, pohon se këto libra i përkasin të kaluarës dhe jo të ardhmes: "Në BE dhe UNESCO ekziston një frymë e përbashkët, sa i përket tejkalimit të urrejtjes kombëtare në librat shkollorë.

Përkthimi i këtyre librave dhe aplikimi i tyre në shkollat e minoritetit grek është një provokim i dyfishtë. Këto libra i minojnë edhe raportet e mira midis Greqisë dhe Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit në NATO dhe BE. Këto nuk janë leksione të mira për ata të cilët duan që të bashkëjetojnë me Greqinë në familjen evropiane", pohon ai.

Prej shtatorit të kaluar në Himarë ekziston edhe një shkollë greke, e para që prej 50 vjetësh. Eshtë kjo një shkollë private, ndërkohë që për pjesëtarët e minoritetit grek, por edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, pritet që shkollat të hapen edhe në qytete të tjera.

Derviçan
10 dhjetor, në Derviçan. Kisha është përplot. Metropoliti nga Gjirokastra, Dimitros lexon meshën e të dielës. Në jug të vendit, dominante është organizata OMONIA. Në zgjedhjet e fundit ka shënuar rezultate të mira, prandaj ka marrë edhe postet e prefektit të Gjirokastrës dhe Tepelenës. Spiro Ksera është greku i parë që mori këtë post. Ai nuk ngurron fare të flas për problemet e grekëve: "Çështja e pronave ende nuk është sqaruar.

Njerëzit tanë duhet të shkojnë nëpër gjyqe. Siç e dini, gjyqet, prokuroritë dhe organet e drejtësisë nuk funksionojnë tepër mirë. Eshtë ky një problem shumë i madh edhe për shoqërinë shqiptare, ndërsa për minoritetin grek është edhe më i madh", mendon ai. Në veçanti, vuan kisha ortodokse. Organet e shtetit tani kanë për obligim që të menjanojnë këtë pengesë të fundit në raporte.

Ai që sot kalon nëpër fshatra me minoritet grek në jug të Shqipërisë, e vëren menjëherë se mbishkrimet janë të shkruara në dy gjuhë, si një shenjë e vullnetit politik për tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Kryetari i komunësi Dropullit të poshtëm, Pandeli Toli thotë: "Ka pasur disa probleme me elementet kriminelë të cilët kanë shkruar gjëra të ndryshme mbi këto shenja me emra grekë. E di që tek shteti ekziston vullneti politik. Ndërsa kriminelë ka pasur dhe do të ketë gjjithmonë."

Grekët që jetojnë në Shqipëri kanë mundësinë e informimit edhe me gjuhën amtare. Botohen shumë gazeta në gjuhën greke, ndërkohë që ka dhe të tilla që botohen në dy gjuhë. Televizioni shtetëror në zonën e Gjirokastrës, emeton në ditë gjysmë ore program në gjuhën greke. Ofertat duhet të shtohen, sepse interesi është shumë i madh, thotë gazetarja Elena Kaludi.

Ndërsa Vangjel Dule nënvizon se minoriteti grek jeton së bashku me shqiptarët dhe jo paralelisht me ta. Partia e tij do të duhej të luante një rol vendimtar në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. "Ne angazhohemi në radhë të parë për evropianizimin e Shqipërisë dhe pranimin saj në strukturat euroatlantike.

Për shkaqe shumë praktike: vetëm në qoftë se vendi ynë i plotëson standardet evropiane, do të garantohen edhe të drejtat e minoriteteve. Pakica greke është angazhuar gjithmonë për përparim dhe zhvillim."

Për këtë angazhim së shpejti do të shpërblehen. Pas një marrëveshje mes qeverisë në Tiranë dhe Athinë, pjestarët e minoritetit grek që jetojnë që jetojnë në Shqipëri së shpejti mund të kërkojnë dyshtetësinë. Jorgo Vllaho dhe Jani Guco thonë se kjo ishte një ëndërr e kahershme. "Ne do të vdesim si grekë.

Për ne pensionistët nuk ka ndonjë rëndësi tepër të madhe, por mund të themi: ne si grekë jemi shtetas të Greqisë", thotë ai. Në këtë mënyrë ata do të jenë edhe qyetarët e parë të Shqipërisë që futen në BE, ndonëse vendi i tyre duhet të pret edhe një kohë të gjatë për pranim në këtë organizëm.

E Enjte 8 shkurt 2007

No comments: