Thursday, March 08, 2007

Cogito ergo sum

Shenim: Ilir Paco eshte gazetar himarjot, nje nga organizuesit e debatit Bollano Lazari (nga komuniteti himarjot )
http://www.gazetatema.net/editorial.html

Ilir Paço

Pa vënë aspak në diskutim negativitetin e videos së “famshme” të një grupi ushtarësh greke diku në ca rrugë pylli të Greqisë, duhet parë edhe diçka tjetër në këtë çorbë urrejtjeje, kusinë e së cilës e vunë në zjarr ai grup ushtarësh kokëgdhe dhe po e shtojnë dhe po e trazojnë me kujdes disa këtu në Tiranë. Reagimi gati i “stuhishëm”, në mediat e Tiranës pas kësaj ngjarjeje gjithsesi fyese për shqiptarët, nuk ka bërë aspak efekt pozitiv në lidhje me vënien në vend të dinjitetit të Shqipërisë dhe shtetasve të saj. Përkundrazi, duke e tejkaluar masën tregoi varfërinë e niveleve mbi mesatare të shoqërisë dhe të një pjese të mirë të politikës, kryesisht në parlamentin e mbushur me deputetë anonimë. Është sa qesharake, aq edhe dëshpëruese të shikosh sesi institucioni më i lartë i një vendi dhe “burrat e kombit”, deputetët, harxhojnë orë të tëra për të diskutuar, duke përdorur disa klishe bajate dhe retorika nacionaliste që të bëjnë të nxjerrësh zorrët. E për çfarë? Për budallallëkun e 15 apo 20 ushtarëve që çalltisin diku në rrugët e një pylli apo kodre të Greqisë. Dhe e di se çfarë bie në sy? Që të parët që merren me këta ushtarë janë pikërisht ajo pjesë e deputetëve që s`iu dihen as emrat dhe që nuk kanë ndonjë nivel kulturor më të lartë se ata ushtarë grekë. Janë gati njësoj si ata, nuk dinë të bëjnë asgjë më tepër sesa ata. Flasin me terma nacionalizmi e gjoja patriotizmi, duke identifikuar gjithë greket me këta ushtarë. Ashtu si ai grupi i ushtarëve që fliste për zorrë shqiptarësh që do t`i bënte lidhëse, edhe ata nuk dinë të diskutojnë për asgjë tjetër. Ja si bëhet qesharak një parlament i tërë prej disa anonimëve. Të paktën deri më sot, nuk kemi parë të mblidhet Asambleja e madhe e Turqisë dhe të harxhojë orë të tëra, të vyera për t`u marrë me ca ushtarë që bredhin pyjeve dhe çalltisin këngë të përzishme lufte të shekullit të kaluar. Madje, as ndonjë zyrtar tjetër në Ankara. Ndonëse në atë video, turqit shaheshin pafund, flitej nga fillimi në fund për prerje kokash të turqve dhe për ngritjen e flamurit në kishën e Shën Sofisë në Stamboll. Kishte vetëm disa shkrime periferike në media. Kaq meriton kjo histori. Do mjaftonte edhe këtu në Tiranë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes apo ai i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në Shqipëri mund të vësh re një fenomen që i takon në fakt sociologëve ta shpjegojnë. Nëse në vende të tjera, perëndimore përfshi edhe Greqinë fqinje, të cilën e akuzojmë vazhdimisht për shumçka, “nacionalizmi si streha e fundit e horrave” shfaqet te nivelet e ulëta dhe të pakulturuara të shoqërisë, çka nuk sjell ndonjë dëm të madh, këtu në Shqipëri ndodh e kundërta, nacionalizmi shfaqet agresivisht në nivelet në dukje më të larta të shoqërisë, sidomos te njerëzit që kanë akses në media. Kjo e bën paksa shqetësuese situatën. Është e rrallë, por jo e pamundur kuptohet, në Greqi, të ndeshësh tituj gazetash kaq përgjithësues për një komb, kur flitet për ngjarje negative nga individë të caktuar, siç ndodh këtu në shtypin shqiptar. Dje, në gazetën “Shqip” kolegu, Arben Vata, shprehte habinë e tij sesi mediat greke vënë në dyshim autenticitetin e videos me këngë antishqiptare, antiturke, antibullgare dhe antimaqedonase, të një grupi ushtarësh grekë. Dhe ishin pikërisht mediat greke, gazeta më e madhe në vend “Ta Nea” që e publikoi e para video-skandalin. Nëse hidhen dyshime mbi një material të caktuar, kjo është një nga detyrat dhe nga cilësitë më të mira që duhet të karakterizojë një gazetar dhe një organ mediatik deri në një masë logjikisht të pranueshme. “Cognito ergo sum” thotë Rene Dekarti, “dyshoj, pra ekzistoj”. Pa hyrë aspak në diskutimin mbi autenticitetin e videos dhe të pjesëmarrësve në të, duhet thënë se gjithkush që ka sado pak njohuri nga kompjuteri, e di mirë se interneti është një media, ku gjithkush ka akses të lirë të bëjë download apo të hedhë në rrjet gjithçka dëshiron, pa asnjë pengesë. Në këtë kuptim, gjithkush mund të dyshojë mbi autenticitetin e një publikimi të tillë. Por ka edhe një pikë tjetër të dyshimtë e gjithë kjo histori. Disa organe këtu në Tiranë botuan edhe emrin dhe intervista me personin që e zbuloi videon. Ishte një shqiptar nga Shkodra që jeton në Suedi, i cili duhet thënë se nuk di aspak greqisht. Edhe për një grek do ishte e vështirë të kuptonte qartë dhe që herën e parë fjalët e kësaj këngë për shkak edhe të cilësisë së dobët të videos që është regjistruar nga një celular. Pra, si mundet një njeri që nuk di greqisht, asnjë fjalë, të kuptojë se në materialin e zbuluar rastësisht në internet bëhet fjalë për shqiptarë? Kështu pra, e gjithë kjo histori nuk ia vlente të diskutohej kaq shumë nga nivelet e “larta” të politikës, por që rezultojnë mediokre, por dhe nga media. Të harxhohej kaq kohë dhe kaq letër për situata të tilla të dyshimta. Ndaj si gazetar më duhet ta mbyll këtu me thënien e Dekartit, “Cognito ergo sum”.

No comments: