Wednesday, March 21, 2007

Sindromi i bunkerit


Nga Gazmend Kapllani

Filmin e fundit të Klint Izvudit e pashë dy ditë para se të nisesha për një udhëtim në Ballkan, ditari im i dashur. Në atë film Izvud flet për një betejë të Luftës së Dytë Botërore mes Amerikanëve dhe Japonezëve, në një ishull në oqeanin Paqësor. Nuk e sheh betejën vetëm me sytë e Amerikanëve. E sheh me syrin e armiqve të dikurshëm, të Japonezëve. Gazetat shkruajnë që në Japoni spektatorët dalin nga salla e kinemasë të përlotur. Preken sidomos nga fakti që një Amerikan 'kapi' vështrimin dhe ndjenjat e tyre mbi luftën, mbi vdekjen, mbi humbjen...

Disa mijëra kilometra larg, në tokën e Ballkanit, librat e rinj të historisë që po ndryshohen kanë krijuar bujë. 'Patriotët' fillojnë menjëherë akuzat për komplotin e globalizmit kundër kombit. Në Greqi libri i ri i historisë së klasës së gjashtë fillore u konsiderua nga disa qarqe si 'anti-kombëtar'. Megjithatë, duket se këto qarqe nuk kanë më aq shumë audiencë. Në Turqi gjërat janë shumë më të egra. Profesorët që përkujdesen për librat e rinj të historisë kërcënohen pothuajse çdo ditë. Një gazetar turk që shkruante për genocidin e Armenëve, u vra para disa javëve, nga një dorë e armatosur prej 'patriotizmit Turk'. Çfarë po ndodh në të vërtetë? Çfarë po ndryshon në shoqëritë ballkanike.

Ndodh që ka kaluar një shekull e kusur nga koha kur shtetet e reja ballkanike, si të gjitha shtetet në rruzullin tokësor, konsolidonin ndërgjegjien e tyre kombëtare. Dhe elementi kryesor i këtij konsolidimi ishte propaganda historike dhe prania gjithkund e armikut. E atij me të cilin u ndeshën ose mund të ndesheshin në fushat e betejës. Pas kaq vitesh, duket se shoqëritë ballkanike, të paktën disa prej tyre, maturohen. Ndjehen më të sigurta në vetvehte. Dhe në se ndjehesh më i sigurtë në vetvehte, atëherë fillon e sheh historinë si shkencë dhe jo si propagandë. Kur ndjehesh i sigurtë në vetvehte e kupton që nuk është e nevojshme që ti të jesh gjithmonë heroi dhe viktima ndërsa tjetri ngaherë i ligu dhe fajtori. Bota njerëzore është më e ndërlikur se sa skema bardhë e zi. Fatkeqëisht, bota njerëzore është e mbushur me beteja, luftra, gjak, urrejtje.

Dhe në histori dihet që heroizmat e njërës palë janë tragjedi për palën tjetër. Heronjtë e njërës palë janë vrasës për palën tjetër. Vetëm gjaku i njerëzve të vrarë është i përbashkët. Sot Gjermanët dhe Francezët, që kanë derdhur lum gjakun e njeri-tjetrit, shumë më shumë se sa ne Ballkanasit, mësojnë pothuajse të njëjtat libra historie. Dhe përvjetorin e zbarkimit në Normandi sot e festojnë bashkë Aleatët dhe Gjermanët. Nuk ndryshoi historia, ndryshuan shoqëritë. Këtë pra mundohen të bëjnë këtu e disa vite librat e historisë së vendeve Ballkanike.Me ngurim dhe pak nga pak. Jo të ndryshojnë historinë. Thjesht të heqin epitetet. Atë që arritën me pak fjalë Francezët dhe Gjermanët. Në fakt 'patriotëve', kudo që janë në Ballkan, nuk i intereson aspak historia. Ata thjesht nuk duan që popujt e ballkanit të harrojnë urrejtjet e hershme, epitetet e frikshme për tjetrin.

Dhe kanë lëndë të parë sa të duan. Kanë të kaluarën. Në disa vende, si në Turqi, Serbi, Shqipëri, kanë aleate edhe varfërinë. Dhe dihet që 'patriotët' janë llogaritarë të zotët, janë Ekonomistët, Shefat e Marketingut të Urrejtjes...

*** Ushtarët grekë që këndonin atë këngën e publikuar në një link në YouTube, padyshim janë pjesë e historisë së djeshme të Ballkanit. Më dërgonin e-mail disa lexues, ditari im i dashur, dhe më pyesnin se si u ndjeva kur dëgjova vjershat e urrejtjes kundër Shqiptarëve. Si gjithkush, neveri. Ashtu siç ndjej neveri për vjershat e urrejtjes kundër Grekëve, Turqve, Serbëve apo Bullgarëve. E-mailet e lexuesve me kalimin e ditëve u pakësuan. Në adresën time elektorinike filluan të mbërrinin disa e-mail-te të tjera, të çuditshme. Ato bënin analizën e 'rracës së degraduar greke'. Ishin të përmbytura nga shprehje të tipit: 'do t'i djegim të gjallë Grekët', 'Grekët racë e keqe', 't'a zhdukim Greqinë nga harta', 'sa keq që nuk është gjallë Enveri', 'minoritarët dhe ortodoksët janë kollona e pestë e asfalias greke' etj. Ndoshta disa nga këta 'analistë' u mësojnë histori fëmijëve në shkolla.

Pasonin vjersha 'patriotike' të tipit 'provoje o Grek i ndyrë ndaç me Turkun ndaç me ne' (mirë sharjet raciste, po ne çfarë lidhje kemi me Turkun pyesja vehten dhe nuk e gjeja dot përgjigje). Mandej, një listë për bojkotin e mallrave greke në Shqipëri (një listë të tillë, por me mallra amerikane dhe gjermane, ndajnë akoma 'patriotët' e Sheshelit në Serbi). Hyra në faqet online. Mbizotëronin fjalët 'rraca', 'flaka', 'lufta'. Dhe këto shkruhen pa teklif, lirshëm. Në Shqipëri, dihet, kemi demokraci tani. Dhe sidomos kemi zbulur fjalën treg. Dhe tregu i urrejtes primitive është nga më të begatët. Lash kompjuterin dhe hapa televizorin. Në disa panele, duke marrë shkasë nga video, diskutohej për Revolucionin e 1821-it, për Himarën, për Ali Pashën dhe Suliotët, për Kolokotronin dhe Homerin.. I gjithë pejsazhi më trishtoi pa masë, ditari im i dashur. Sepse të kujtonte Korenë e Veriut dhe Libinë.

Vetëm në Korenë e Veriut të Kim il Sungut dhe në Libinë e Gadafit mund të ndodh që video neveritëse e disa ushtarëve, të trajtohet si shpallje lufte.Por nuk mjaftonte kjo. Pas disa ditësh, u derdhën në rrugë disa dhe vendosën të digjnin flamujë grekë. Dhe këta nuk ishin në YouTube. Ishin në mes të shesheve, në mes të njerëzve. Ushtarët grekë që këndonin se do bëjnë zorrët e Shqiptarëve lidhëze këpucësh, në se u jepet rasti ndoshta mund të bëjnë lidhëze këpucësh edhe zorrët e bashkëatdhetarëve të tyre, atyre që ata i quajnë 'Grekë të padenjë' ose 'shërbëtorë të të huajve'. Dhe 'trimat' që dogjën flamuj, po t'u jepet rasti nesër, me të njëjtën lehtesi, mund të djegin libra dhe dyqane. Pasnesër edhe njerëz.... Por më e keqja, ditari im i dashur, është se të gjitha këto bëheshin nën heshtjen shurdhuese të njw pjese tw medias në Shqipëri. Madje kjo pjesë e nxiste situatën. Zërat e kundërt censuroheshin.

Një miku im, gazetar i njohur në Shqipëri, më shkruante se u vërdallos nga gazeta në gazetë për të botuar një koment kundër histerisë anti-greke. 'Rreziku helen' për Shqipërinë sjell reklama, sjell unanimitet, shet? Ashtu siç shiste dikur 'rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë'? Dhe më e bukura është segjithë kjo nuk quhet 'nacionalizëm'. Duket se ne shqiptarët e kemi të shkruar në ADN të mos jemi nacionalistë. Madje, thonë disa 'analistë', nuk jemi aq sa duhet nacionalistë. Kemi nevojë për doping nacionalizmi. Megjithëse në librat e historisë botojmë harta të 'Shqipërisë natyrale' nga Podgorica e Malit të Zi deri në Artë të Greqisë, nuk jemi nacionalistë. Nacionalistë janë të tjerët. Megjithëse i kemi mbushur forumet dhe blogjet me teori fashiste e komente për raca të pastra dhe të degraduara, nuk jemi nacionalistë. Nacionalistë janë të tjerët. Megjithëse djegim simbolin kombëtar të të tjerëve, nuk jemi nacionalistë. Nacionalistë janë të tjerët. Ne thjesht provokohemi dhe mbrohemi. Po, vërtet, simboli më ipërkryer i 'nacionalizmit mbrojtës' është bunkeri

*** Bunkeri është simboli më i trishtë që do t'a shoqërojnë gjithmonë brezin tim, ditari im i dashur. Simboli i ksenofobisë, çmendurisë, armiqësimit dhe izolimit total nga gjithë bota. Në shkollë mësonim se ne Shqiptarëve na kishte rënë diçka si 'bingo botërore'. Mbaj mend i vogël bëja habi me vehten time se si është e mundur që në 28.ooo kilometra katrorë mbizëtoronte burrëria, drejtësia, bukuria, fati dhe në gjithë pjesën tjetër të rruzullit tokësor mbizotëronte fatkeqësia, uria, egërsia. Dhe sigurisht qysh të vegjël, në librat e historisë, na mësonin që populli ynë është i lavdishëm, që e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë, që ka qenë gjithmonë viktimë e fuqive, të mëdha dhe të vogla bashkë.

Ne ishim të vegjël, të lavdishëm dhe viktima. Një popull i vogël dhe i lavdishëm që priste çdo moment armiqtë: nga deti, nga ajri, nga toka. Për t'u mbrojtur nga armiqtë, në emër të mbrojtes së etnosocializmit, regjimi mbolli me mijëra bunkerë. Bunkerët u bënë pjesë e lojërave tona të fëminërisë. Dhe ndërkohë rriteshim duke pritur armikun. Kalonin vitet dhe armiku nuk dukej gjëkundi. Prisnim e prisnim. Më kot, asgjë në horizont. Dhe kur pamë se nuk kishte ndërmend të vinte, atëherë vendosëm ne të mësynim në vendet e armiqve tanë. Jo si ushtarë, si emigrantë klandestinë, të paftuar, që mbartnim me vehte vetëm zhgënjimin, rrobat dhe një pasion të madh për të kaluar kufijtë e një atdheu që u katandis në burg.

Dhe kur kaluam kufirin zbuluam, në mënyrën më tragjike, se e keqja ishte brenda dhe jo jashtë nesh. Zbuluam se pas propagandës patriotike fshihej shkatërrimi i Shqiptarit prej Shqiptarit. Fshihej loja e pushtetit të një klike diktatorësh mediokër. Për mos të parë skamjen tonë, digjnim flamujtë e armiqve tanë. Për mos t'u përballur me plagët e vetvehtes, vizatonim potrete aqmiqsh, pa fund, pa pushim.
Ne ishim zotëruesit e të mirës absolute, të tjerët ishin e keqja absolute. Zbuluam që në emër të histerisë patriotike dhe 'dinjitetit kombëtar' kishim mbetur jashtë kohës dhe hapësirës: pa miq, pa aleatë, pa të tashme as të ardhme... Prandaj, duke parë ata njerëz që digjnin flamujtë, atë histeri që shpërtheu në Shqipëri, ata deputetë që diskutonin gjithë patriotizëm, në një vend ku pas një muaji nuk kanë dalë ende rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, ato vjersha primitive dhe raciste, që lëçiteshin publikisht nën vështrimin miratues të mediave, ato listat e zeza me mallrat greke, atë dizinfomarcion në media dhe heshtjen shurdhuese të mendimit kritik, m'u kujtua bunkeri. Bunkeri reloaded, ditari im i dashur...

post by E.Q

No comments: