Tuesday, April 24, 2007

BERISHA HAP SEZIONIN TURISTIK NE JAL

Jali gërmadhe për "turizëm elitar"

Reportazh/ Si i shkatërruan bizneset dhe shpresat e 5 familjeve për hatër të interesave të pista të investitorëve enigmatikë

(ABC-24-04-07)
Në orën 9 të mëngjesit të djeshëm, fadroma e policisë ndërtimore doli nga sheshi i portit të Himarës dhe u drejtua për më në jug. Zemrat e banorëve të Himarës, të cilët i vëzhgonin ndërsa dilnin nga porti i vogël, rrahën fort. Të gjithë shtruan pyetjen se për ku qenë drejtuar dhe të gjithë patën frikë për shtëpinë e vet. Pak kilometra mbi Himarë, në hyrje të rrugës që të çon në plazhin e Livadhit, banorët kishin bllokuar rrugën me automjetet e tyre, ndërsa ndërsa kishin kaluar natën jashtë në ullishtë nga frika se policia mund të kryente “aksionin e zakonshëm” të pastrimit të peizazhit të bregut nga ndërtimet pa leje.
Fadromat, në fakt dje qenë nisur për në Bunec, në kuadër të asaj që qeveria e konsideron si: “shembja e ndërtimeve të paligjshme që kanë prishur turizmin në jug”.
Zyrtarisht, rreth 80 ndërtime pa leje duhej të prisheshin në këtë aksion. Në realitet, duket qartë se synimi i parë dhe i fundit ishte shkatërrimi i pronave të pak familjeve në plazhin e vogël të Jalit, 6 kilometra nga rruga kryesore.
“Gjatë viteve të fundit, kemi punuar fort gjatë dimrit që të shtonim dhomat në dispozicion për t’i dhënë me qera gjatë verës”, - tregon Jorgua, njëri prej banorëve të Jalit. Në familjen e tij, kishin punuar të gjithë shumë fort për të ngritur ndërtesat tre katëshe, pjesërisht mbi shtëpinë e vjetër, ku gjendet ende tabela ku shkruhet se ka qenë bazë e lëvizjes Antifashiste gjatë luftës së Dytë Botërore.
Gjithçka qe ngritur me shumë mund, për shkak se atje edhe kostot e ndërtimit janë shumë të larta për shkak të largësisë nga pikat e tregtimit të materialeve të ndërtimit dhe pamundësisë për të përdorur mjete të rënda ndërtimi.
“Përgjatë të gjithë dimrit, kemi ngritur me krahë çdo tullë”, - tregon babai i Jorgos.
Në mbi dhjetë vite punë, pesë apo gjashtë familje, të cilat jetojnë aty prej shekujsh, kishin arritur të dilnin nga kasollet ku patën jetuar gjatë 50 viteve të komunizmit për të ndërtuar disa vila, duke hapur kështu një biznes të vogël turistik.
Por javën e kaluar, mjaftuan vetëm dy orë që puna e tyre dhjetëvjeçare, por jo vetëm puna, por edhe shpresat për një jetë më të mirë, u shembën nga një fadromë e policisë ndërtimore të Vlorës.
Shumica dërrmuese e familjeve u rrënuan totalisht. Ajo çfarë i mbeti nga puna e tyre dhjetëvjeçare, ishin shtëpitë e ulëta nga ku kishin dalë në vitin 1991. “Këto shtëpi i mbajmë në këmbë për shkak se janë si tapi”, - na thotë ... mjek ligjor në pension. Banorët janë përpjekur shumë për të ndërtuar biznesin e vet në mënyrë të ligjshme. Disa prej tyre zotëronin edhe leje për shesh ndërtimi të miratuara nga Bashkia e Himarës, por dokumentet e tyre i bënë pak përshtypje fadromës së ndërtimorëve.
Shqiptarët kanë lexuar për plazhin e vogël të Jalit në romanet e disa autorëve, shqiptarë, si Petro Marko dhe Odhise Grillo. Përshkrimet që Petro Marko i bën zonës në romanin për fëmijë “Shpella e Piratëve”, i dhanë një imazh mistik Vunoit dhe Jalit, duke e bërë këtë të fundit një plazh shumë të njohur për shqiptarët, megjithëse aty dikur banonin vetëm pak familje dhe se plazhi është shumë i vogël.
Gjatë kohës së komunizmit, ushtria ndërtoi një kamp pushimi për ushtarakët e lartë në kodrën në të majtë të fshatit, ndërsa vitin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes ngriti një ndërtesë të dytë katërkatëshe mbi kodër. Gjithkush mund ta marrë me mend, por gjithsesi duhet thënë: ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka leje ndërtimi.
Sot në Jal banojnë jo më shumë se 60 banorë. “Gjermanët dogjën të gjithë shtëpitë e fshatit Vuno dy herë, por shtëpitë mbetën sërish në këmbë”, - tregon një i moshuar. “Ato nuk lanë asgjë në këmbë... Asgjë!”.
Ndërtimorët patën vepruar rregullisht në Jal duke shembur të gjitha ndërtimet buzë plazhit, por kjo prishte pak punë, sepse ndërtimet buzë plazhit konsistonin në ndërtesa të improvizuara që shërbenin si kafene për turistët. Rrënojat e shembjeve të viteve të shkuara, do të kishin mbetur aty ku ishin, po të mos qe për banorët, të cilët qenë kujdesur për ta pastruar para sezoneve turistike.

Pse u shembën
Duket se Zoti e mallkoi Jalin me zilinë e njerëzve nga Tirana për bukurinë e plazhit. Llogjikisht apo ligjërisht, nuk ka ndonjë arsye për shkatërrimin e pronave dhe shtëpive të disa familjeve, por angazhimi i drejtpërdrejtë i ministrit Basha, tregon interesim nga lart për ta bërë këtë gjë.
“Ato vijnë dhe na thonë se punojnë për Bankën Botërore, se Jalin e ka blerë një investitor i fuqishëm etj”, - thonë banorët. Dikush tha se për Jalin është i interesuar edhe Roman Abramoviçi, ndërsa në Tiranë qarkullojnë thashetheme për kompani hebraike, etj.
Cilado qoftë e vërteta, po të shkosh në Jal, do të kuptosh se synimi i vetëm i aksionit të qeverisë ishte shkatërrimi ekonomik i banorëve të Jalit. Është e thjeshtë: të falimentuar dhe rrënuar, mund ta shesin më lirë pronën e tyre.
Përzjerja e gjigandëve ndërkombëtarë me mbështetjen e Bankës Botërore, duket se nuk janë aq pa lidhje, por të kemi parasysh se vetë Këshilli i Ministrave ka publikuar një lajm mbi një kompani të quajtur “Oppenheimer”, që interesohet në zhvillimin e të gjithë bregut të jugut me mbështetjen e Bankës Botërore. Njoftimi u publikua në 5 mars. Një ditë më vonë, zyra e BB në Tiranë e përgënjeshtroi atë, duke sqaruar se nuk mbështeste asnjë iniciativë të tillë e as që kishte informacion se për çfarë bëhej fjalë. Zëdhënësi i kryeministrit pëgënjeshtroi dy ditë më parë akuzat e Vangjel Dules që thoshte se Berisha po mbështeste grabitjen e pronës së banorëve të zonës në interes të një kompanie private. Në fakt, duket se nuk është aq pa lidhje, për shkak se kryeministri nuk e ka bërë të qartë se përse gënjeu për lidhjen e Oppenheimerit me Bankën Botërore.
Ministri Basha, i cili na tha se “ndërtimet në Jal prishin panoramën”, nuk na tha gjithashtu se mbi çfarë ankese policia ndërtimore ishte informuar për ekzistencën e ndërtimeve pa leje në këtë zonë.
Mbi z. Basha, rëndon edhe fakti tjetër, ai që përdori policinë ndërtimore për të rrënuar banorët e Jalit pak ditë para se kjo strukturë t’i kalonte për administrim pushtetit vendor.
Aksioni i turpshëm i ndërtimorëve në Jal, po krijon historinë e një “Banana fruit Company”, të njëllojtë me atë të përshkruar nga Gabriel Garcia Marquez zaptoi pronat e banorëve të Amerikës Latine për kultivimin e bananeve. Për banorët e Jalit, ashtu edhe për ato të Nivicë-Bubarit, apo të të gjithë bregut të jugut, duket se ka shumë “United Contruction Company”, të cilat mund të lëvizin ministra dhe kryeministra, që duket se e kanë në xhep kryeministrin e sotëm dhe që nuk kanë turp të shembin shtëpinë e tjetrit për të marrë tokën nën të.
Është e tmerrshme të shohësh se si qeveria e Tiranës vendos në sistem shtetrrethimi një fshat që ka pak a shumë 50 banorë. Ministri Basha na tha dje se ndërtimet e paligjshme të Jalit bllokojnë investimet prej miliona dollarësh, ndërsa përpiqej të na bindte se nuk kishte interesa të tjera përveç ligjit. Ai nuk na sqaroi se për çfarë miliona dollarësh e kishte fjalën ai, sepse banorët e Jalit nuk i kanë këto miliona dollarë.

E Marte, 24 Prill 2007

No comments: