Wednesday, April 18, 2007

Γιαλος(Βούνο) Η κυβερνιση γρεμιζει τα παρανομα κτιρια


From "Shekulli", albanian text

Anila Peçi
18-04-2007

Reagojnë banorët e zonës dhe kryetari i bashkisë, Vasil Bollano. "Qeveria të ndalojë prishjen e bizneseve tona"

JALË- Policia Ndërtimore fillon një aksion të gjerë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit të Jonit. Ndalesa e tyre e parë ka qenë Jala ku janë prishur 15 godina. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili e ka konsideruar këtë veprim si të jashtëligjshëm.

Për prishjen e këtyre objekteve policiandërtimore e Vlorës është ndihmuar edhe nga kolegët e saj të kryeqytetit. Një matrapik i madh i dërguar nga Tirana dhe një fadromë nga Vlora kanë nisur aksionin. Madje aksioni në fjalë është shoqëruar edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të policisë së rendit, të cilat kanë ruajtur zonën dhe nuk kanë lejuar banorët që të afrohen. Objektet e shkatërruara dje nga policia ndërtimore janë disa lokale njëkatëshe, hotele trekatësh, por edhe banesa dykatëshe. Në listën që kanë pasur në dorë ndërtimorët e Vlorës ishin shënuar 60 objekte që do të prishen gjatë këtyre ditëve. Sipas ndëtimorëve, parashikohet ndërhyrje edhe në zonën e rivierës, duke filluar me Jalën, e më pas parashikohen ndërhyrje nëQeparo e Dhërmi. Kreu i ndërtimorëve të Vlorës, Gëzim Gosturani, deklaroi dje se nuk do të ketë tolerancë për ndërtimet pa leje. "Ne jemi të angazhuar totalisht në zbatimin e ligjit. Të gjitha ndërtimet e evidentuara të cilat figurojnë të jenë pa leje, do të prishen në ditët në vazhdim. Aktualisht, aksioni ka filluar në zonën e Jalës, ku janë një numër prej 25 vendimesh, të cilat presin të zbatohen",- tha Gosturani. Menjëherë pas tij kanë reaguar banorët e zonës, të cilët e kanë konsideruar këtë veprim si një dëmtim të bizneseve të tyre. "Ne kemi hedhur të gjitha paratë në këto ndërtime. Sot mua më prishën lokalin, ndërsa do të më prishin nesër edhe shtëpinë, ku do të shkojmë ne të rrimë mes katër rrugëve. Të gjitha paratë që kemi punuar në emigracion i kemi investuar te këto ndërtime. Tani nuk po na mbetet më asgjë dhe nuk dimë ku të përplasemi",- thotë një prej banorëve të Jalës. Aksioni ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të kreut të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili ka kërkuar ndërprerjen e operacionit. Sipas tij, pushteti vendor nuk është konsultuar për marrjen e vendimit për prishjen e ndërtimeve në bregdetin e Jalës, ndërsa thekson se objektet janë në proces legalizimi. "5-6 muaj muaj më parë, u miratua ligji për legalizimin e objekteve pa leje, por pa përfunduar ky proces, policia ndërtimore merr këtë aksion për rrëzimin e objekteve. Këtu theksoj se pjesa me e madhe e objekteve ndodhet në pronat e tyre. Ky aksion nuk duhet të kryhet dhe duhet të ndalohet menjëherë nga kryeministri, i cili eshte lajmëruar me telegram në datën 13 por nuk është marrë asnjë përgjigje", tha Vasil Bollano.

MINISTRIA

Prishja konform ligjit

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacion ka reaguar me një deklarate për shtyp në lidhje me aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje në Jalë. Në këtë deklaratë ministria ka sqaruar se "tërësia e veprimeve të ndërmarra nga Policia Ndertimore për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare jugore është një ndërhyrje krejtësisht e bazuar në ligj dhe ka për qëllim ruajtjen e peisazhit natyror dhe mbështetjen në zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në këto zona". Sipas saj, ligji për legalizimet nuk parashikon objektet pa leje që janë ngritur në zonat bregdetare dhe turistike. Ministria e ka konsideruar turizmin në këtë zonë si një objektiv për të ardhmen, i cili pengohet nga ndërtimet pa leje.

LSI

Qeveria nuk ka projekt

Prishja e ndërtimeve në bregdetin e Jonit ka sjellë edhe reagimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nëpërmjet një deklarate për shtyp Sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, ka thënë se veprimi më i fundit i qeverisë Berisha dhe agresioni i saj ndaj një prej pikave turistike apo perlave të bregdetit shqiptar si plazhi i Jalës, është "dhurata" që kjo qeveri i bën pushuesve shqiptare në prag të hapjes së sezonit turistik. "Në vend të një investimi të mëtejshëm dhe të qëndrueshëm, investim i cili duhet të bëhej në rregullimin e infrastrukturës rrugore, qeveria i dhuron pushuesve gërmadha dhe prishje të tjera në një prej perlave të bregdetit të Jonit. Ky është një veprim në mungesën të një strategjie të plotë të qeverisë Berisha, të abuzivizmit me pushtetin dhe të nëpërkëmbjes që ajo i bën qytetarit por dhe të pushtetit vendor të zgjedhur nga ky qytetar" u shpreh Vasili.

PBDNJ

Berisha të ndalojë prishjet

Veprimet e djeshme të policisë ndërtimore të Vlorës dhe Tiranës në zonën e Jalës kanë sjellë edhe reagimin e PBDNJ-së. Pas çarjes së maxhorancës për ligjin e gjobave të biznesit dje ka ardhur edhe goditja e dytë nga një prej aleatëve të qeverisë. Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Leonard Solis, i kërkoi kryeministrit Sali Berisha të ndërhyjë për të ndaluar prishjen e ndërtimeve, një veprim ky, që sipas kësaj force, bie në kundërshtim me ligjin e legalizimeve. Madje Solis deklaroi se ka kontaktuar me kreun e ALUIZNIT, Shaban Meminë, i cili i ka shpjeguar se veprimi i policisë ndërtimore për prishjen e ndërtimeve në zonën e Jalës është i jashtëligjshëm.

No comments: