Thursday, April 19, 2007

Fadroma rrafshon në Jal (Panorama)

Drejtori i Ndërtimores: Nuk ka legalizime në plazhe QEMAL BIRAKU/ VLORE

Prishja e ndërtesave të ngritura buzë detit në zonën turistike të Jalës ka kaluar me tension nga ana e pronarëve.


Ata kanë kundërshtuar nisjen e punës shkatërruese nga fadromat e mbërritura nga Tirana e Vlora, madje nuk kishin hequr asnjë nga orenditë e pajisjet brenda godinave. Megjithatë, aksioni i nisur me qëllim prishjen e 25 ndërtesave, që nga muret rrethues e deri te hotelet e banesat 4-katëshe është mbyllur dje me rrëzimin e 18 prej tyre. Forcat e Policisë Ndërtimore arritën në Jalë, në orët e para të mëngjesit, të shoqëruar nga efektivë të Policisë së Rendit nga Vlora e Saranda. Sipas kreut të kësaj policie në Vlorë, Gëzim Gosturani, operacioni ka nisur në bazë të një plani të hartuar për të gjitha objektet që shtrihen buzë Jonit në mënyrë ilegale. Por, ndonëse të paralajmëruar, pronarët e objekteve kanë reaguar për këtë aksion. Që në momentet e para të punës, kur shënjestër ishte një lokal 2-katësh, pronarët e tij janë munduar të ndalin aksionin, duke u dalë fadromës para. Pas 30 minutash debati, forcat e policisë në vend kanë bindur pronarët që të largohen dhe fadroma të vazhdojë punën. Bashkë me muret janë dëmtuar mjaft orendi dhe pajisje, pasi të zotët e lokalit nuk i kishin nxjerrë, me mendimin se nuk do të lejonin prishjen e lokalit. Kur është rrëzuar lokali i parë dhe është vepruar për të prishur një godinë hoteli trekatësh, sërish policia ka hasur në kundërshtimin e pronarëve.

Por, sipas Gosturanit, plani për prishjen e të gjitha ndërtimeve në bregdet që kanë qenë të përcaktuara në listën e para një viti nga kryeministria, do të çohet deri në fund. Aksioni ka vazhduar më pas me objektet e tjera dhe vetëm atëherë pronarët janë ndërgjegjësuar, duke nxituar që të shpëtojnë materialet e nevojshme që ndodheshin brenda tyre. Përfundimi i aksionit të djeshëm ka qenë shkatërrimi i 18 ndërtimeve, mes të cilave kishte dhe hotele, të cilat shërbenin për strehim nga pronarët. Sipas drejtorit të Policisë Ndërtimore të Vlorës, përgjatë bregdetit të Jalës janë parashikuar se do të prishen 25 ndërtime pa leje. Ky aksion nisi disa ditë më parë në qytetin e Vlorës dhe do të vazhdojë deri në fund të vijës jugore bregdetare me prishjen e 150 ndërtimeve ilegale. Parashikohet që fundi i tij të përkojë me nisjen e sezonit turistik, një muaj më vonë. “Të gjitha këto ndërtime nga 1-katëshe deri në 4-katëshe do të prishen, sepse nuk futen në procesin e legalizimit. Sipas vendimit të qeverisë, të gjitha ndërtimet të ndërtuara përgjatë bregdetit, nuk do të legalizohen, por do të prishen sepse janë të ndërtuara në zonat turistike dhe plazhe”, pohoi drejtori i Ndërtimores. Gosturani ka premtuar se do të merren masa për largimin e mbeturinave inerte, por për të realizuar këtë ka kërkuar një bashkëpunim midis Policisë Ndërtimore dhe pushtetit vendor, pasi ka kosto të lartë financiare. Sipas burimeve të pakonfirmuara pohohet, se mund të vihen në punë forcat xheniere për të bërë transportimin e mbeturinave.

Reagimet
Për aksionin e prishjes së ndërtimeve në Jalë kanë reaguar dje përfaqësuesit politikë. I pari ka qenë kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, sipas të cilit aksioni duhet ndërprerë menjëherë. Ai pohoi se nuk është pyetur fare pushteti vendor, duke shtuar se këto objekte janë në proces legalizimi dhe nuk duhet prekur. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se, “Në vend të një investimi të mëtejshëm dhe të qëndrueshëm, që duhej të niste me rregullimin e infrastrukturës rrugore, qeveria u dhuron pushuesve gërmadha dhe prishje të tjera në një prej perlave të bregdetit të Jonit”.

Ministria
Pas deklaratave të bëra dje për aksionin në Jalë, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka bërë të ditur dje, se ndërhyrja e Policisë Ndërtimore në Jalë është tërësisht e ligjshme dhe ka si qëllim ruajtjen e peizazhit natyror dhe mbështetjen e turizmit. Sipas saj, ligji “Për legalizimet” nuk parashikon legalizimin e objekteve pa leje në zonat bregdetare dhe turistike, ku hyjnë dhe objektet e prishura në aksionin e djeshëm. “Do të ishte një krim që ky zhvillim të pengohej nga masakra urbane me ndërtimet pa leje, në zonat turistike të jugut”, pohohet në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie.

No comments: