Thursday, April 19, 2007

Revoltohet Jali, bllokohen fadromat

Shenim: gjithe gazetat shqiptare qe nuk e dine prejardhjen e emrit Jal (γιαλός = ane deti) e shkruajane ate gabim here Jala dhe here Jalë).
Kurse banoret vendas e quajne ne gjuhen shqipe thjesht Jal (trajta e shquar Jali).

9/04/2007 - 08:07 (Gazeta Shqiptare)

Enrik Mehmeti

Ndryshe nga aksioni i dy ditëve më parë, ku Policia Ndërtimore e Vlorës shembi 18 ndërtime buzë detit të Jalës, aksioni i djeshëm është shoqëruar me protestë e kundërshti nga ana e banorëve. Policia Ndërtimore arriti të shembë pa protestë 18 ndërtime, pasi aksioni u organizua në fshehtësi të plotë, pa asnjë paralajmërim. Ndërtimorët behën në orën 04:00 të mëngjesit, duke i zënë në befasi pronarët e ndërtimeve që u shembën. Por dje, situata është ndërlikuar. Banorët e Jalës nuk kanë lejuar për disa orë të dalin nga vendi i parkimit fadromat. Vonesa e fillimit të aksionit për këtë shkak ka bërë që Policia Ndërtimore të shembë vetëm 5 objekte dje, ndërsa sot do të vijojë edhe me shembjen e dy objekteve të fundit trekatëshe.
AKSIONI
Policia Ndërtimore ka arritur të shembë dje në Jalë vetëm 5 objekte. Shkaku i vonesës është bërë bllokimi i derës së repartit ushtarak pranë objekteve të prishura, në të cilin kanë qenë të parkuara që prej mbrëmjes së dy netëve më parë mjetet e Policisë Ndërtimore. Rreth 80 persona, pronarë dhe të afërm të tyre, kanë shkuar para portës së repartit, me qëllim mosdaljen e fadromave. Kjo përpjekje e tyre për të shpëtuar atë çka kishte mbetur prej ndërtesave, është nisur dhe si një grevë urie prej banorëve të cilët deklaruan se le të vdisnin, por nuk do të lejonin të prisheshin ato ndërtime që kishin ngelur në këmbë.
NEGOCIATAT
Për disa orë, drejtues të Policisë Ndërtimore kanë tentuar të negociojnë me banorët për të hapur rrugën, në mënyrë që të dilnin fadromat, por personat e grumbulluar nuk kanë pranuar të largohen. Situatën e asistuan forca të shumta policie, të cilët ishin vendosur në 4 furgonë. Por, kur kanë parë revoltën e banorëve, janë përpjekur mos të krijojnë debate. Rreth orës 11:00, në vendngjarje ka mbërritur dhe kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili zhvilloi një takim me kreun e Ndërtimores mbi situatën e krijuar. Pas takimit të zhvilluar, banorët e kanë hapur rrugën dhe dy mjetet kanë vazhduar përreth 6 orë punën, ku prishën 5 ndërtime nga shtatë që kishin ngelur në këmbë. Sipas kreut të Policisë Ndërtimore të qytetit të Vlorës, Gëzim Gosturani, në takim u arrit një marrëveshje që banorët të largoheshin, por pa dhënë detaje për këtë marrëveshje. Pas prishjes përgjatë ditës së sotme të 5 ndërtimeve njëkatëshe dhe dykatëshe, fadromat e Policisë Ndërtimore janë rikthyer përsëri për t’u parkuar në repartin ushtarak, për të rinisur përsëri aksionin dhe përfundimin e prishjes së ndërtimeve pa leje ditën e sotme në Gjirin e Jalës.
VAZHDIMI
Sipas kreut të Ndërtimores së Vlorës, aksioni në Gjirin e Jalës do të përfundojë sot, me prishjen e dy ndërtimeve trekatëshe të mbetura në këtë gji. Ai shtoi se pas përfundimit të aksionit, radhën do ta kenë ndërtime të tjera pa leje, të cilat ndodhen përgjatë bregdetit të Dhërmiut dhe Himarës. Ndërsa në lidhje me mbeturinat inerte që do të ngelen prej prishjeve të ndërtimeve, ai tha se menjëherë pas përfundimit të aksionit do të nisë pastrimi i të gjitha mbeturinave inerte që janë krijuar nga këto prishje.

No comments: