Thursday, April 19, 2007

Banoret e Vunoit revoltohen

19/04/2007 - 08:07 (Gazeta Shqiptare)


Me gjithë protestën e banorëve të Jalës, Policia Ndërtimore ka deklaruar se nuk po bën gjë tjetër, vetëm sa po zbaton ligjin. Kreu i Policisë Ndërtimore ka deklaruar si ligji i legalizimeve nuk përfshin zonat turistike dhe ato bregdetare. Pas situatës së krijuar në Jalë, ku banorët kanë dalë në protestë e u kanë zënë udhën fadromave, kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano ka bërë sërish thirrje që të ndërpritet aksioni i shembjes së këtyre ndërtimeve. Sipas Bollanos, gjendja është e acaruar dhe aspak normale. Jorgo Andoni, njëri prej pronarëve të ndërtimeve të shembura nga Policia Ndërtimore, tha se janë të vendosur të mos e lejojnë më Policinë Ndërtimore t’u shembë ndërtimet që kanë bërë në pronat e tyre. Sipas tij, më shumë se 100 vetë kanë dalë në rrugë e kanë protestuar, por kanë qenë të paaftë të përballojnë dhjetëra forca të Policisë së Rendit, të Forcave Speciale Delta, Policisë Ndërtimore etj. Sipas tij, banorët do të futen në grevë urie, pasi shembja e ndërtimeve të tyre është e jashtëligjshme, dhe se ata janë ende në proces gjyqësor me Policinë Ndërtimore pikërisht për këto ndërtime, të cilat kjo polici i shembi; shumicën e tyre që në orën 04:00 të mëngjesit, pa asnjë paralajmërim.

No comments: