Saturday, April 21, 2007

Dule: Prishjet në Jal(ë), Berisha ka interesa

B. Sinani
21-04-2007 (Shekulli)
Vangjel Dule

Vangjel Dule ka bërë dje të parën akuzë publike ndaj kryeministrit Sali Berisha, për përfshirje të tij në afera të paligjshm

Prishja në Jalë, Dule: Berisha ka interesa personale

"Kryeministri Sali Berisha është drejtpërsëdrejti pas interesave të paligjshme, të cilat rrënojë Jalën këto ditë". Kështu ka deklaruar dje kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. Aleat në koalicionin e djathtë, ku Berisha është kryetar i partisë më të madhe të tij, Vangjel Dule ka hedhur dje akuza të rënda ndaj liderit të mazhorancës. Kreu i PBDNJ-së e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha, si të lidhur drejtpërsëdrejti me ato që ai i quajti aferat e paligjshme, që po shkatërrojnë ndërtimet në bregdetin e Jalës. Duke shprehur kritikën për këto lidhje, të cilat ai i ka denoncuar dhe shpallur publikisht, Vangjel Dule thotë se çështja e ndërtimeve në bregdetin e Jalës do të shkojë deri në Parlamentin Evropian. "Aty fshihen interesa të mbrapshta, siç ishin interesat në Gjirin e Kakomesë gjatë qeverisjes socialiste, por që i paralajmëruam dhe i arritëm ato.

Paralajmëruam që nuk do të realizohen pa vullnetin e banorëve të vendit dhe nuk u realizuan asnjëherë. Paralajmërojmë zotin Berisha, i cili është drejtpërsëdrejti pas interesave të paligjshme, të cilat rrënojnë Jalën këto ditë. Unë jam i pari që do dal të them që, në qoftë se dikush me mbarimin e procesit të legalizimin nuk justifikon të legalizojë objektin do shembet, por jo kështu, sepse nuk mund të realizojnë dot planet e tyre të mbrapshta. Do të ngrihet në këmbë i gjithë opinionin publik, siç është ngritur këtu, gjithë opinionin ndërkombëtar, çështja do të shkojë në Parlamentin Ndërkombëtar",- tha Dule, në një intervistë për "Alsat". Aleat në koalicionin e djathtë përkrah Partisë Demokratike, Vangjel Dule ka bërë dje të parën akuzë publike ndaj kryeministrit Sali Berisha, për përfshirje të tij në afera të paligjshme.

Ndërtimet në Jalë

Debati për ndërtimet në bregdetin e Jalës ka lindur vetëm pak ditë më parë, kur Policia Ndërtimore nisi një aksion për prishjen e të gjitha ndërtesave, si hotele apo lokale. Prishja e ndërtimeve në Jalë është shoqëruar me reagime të ashpra edhe nga politika shqiptare. Qysh në fillim të këtij aksioni të Policisë Ndërtimore, kanë reaguar përfaqësues të forcave politike, si të PBDNJ-së dhe LSI-së. Por, me gjithë këto reagime dhe kundërshtimin e banorëve të zonës, të cilët kanë tentuar që të bllokojnë edhe rrugën, ndërtimorët kanë vazhduar punën me ndihmën e forcave speciale të policisë. Një pjesë e banorëve kanë zgjedhur të reagojnë nëpërmjet bllokimit të rrugës që të çon në fshatin e vogël turistik. Madje, natën vonë, banorë të cilët preken drejtpërdrejt nga prishja e ndërtimeve dhe të afërm të tyre, kanë vendosur makinat në të vetmen rrugë që të shpie për në Jalë. E gjithë kjo është bërë në mënyrë që të bllokohej kalimi i fadromave dhe mjeteve të policisë, të cilat ishin zhvendosur mbrëmjen e djeshme, nga vendi ku janë kryer prishjet e ndërtimeve. Situata është shoqëruar me një sërë tratativash për të liruar rrugën. Ndërkaq, kreu i Policisë Ndërtimore të Vlorës, është shprehur se aksioni do të vijojë dhe të gjitha objektet që janë në hartën e tyre do të prishen. Sipas tij, harta e ndërtimeve që do të prishen do të përshkojë zonën e Livadhjasë, për të vijuar me ndërtime të tjera të paligjshme.


No comments: