Sunday, April 22, 2007

Cilin president do preferonte Himara

Shkruan Edvin Qirici

Zgjedhja e presidentit mund të konsiderohet pa frikë, si procesi më i politizuar . Nuk mund të themi të njëjtën gjë në shkallë rëndësie apo efekti të drejtpërdrejtë, që ky proces ka, në krahasim me procese te tjera, si krijimi i një qeverie, zgjedhje lokale etj.. dhe kjo për vetë faktin se figura e presidentit nuk ka aq shumë “fuqi” sa mund të ketë në një republikë të mirfilltë presidenciale në kornizën e ndërtimit te shtetit, edhe pse flitet per një fuqizim të rolit që duhet te ketë presidenti. Fakti që aktualisht të drejtat ligjvënëse të presidentit janë deri diku të kufizuara nuk mund të quhet as si diçka pozitive e as negative, pasi ky fakt, në vetvete i përmban të dyja këto mundësi. Mendoni për një moment, se çfarë grade iracionaliteti, mund të shprehin vendimet e një presidenti në kushtet e politikës shqiptare, ku kulti i individit ka qenë dhe me aduket do të mbetet për shumë kohë akoma një mënyrë e pashmangëshme e politikëbërjes. Nga ana tjetër, shohim se sa energji, kohë dhe strategjira, janë çliruar në eter nga qeveria aktuale, për të luftuar, cënuar dhe injoruar ato pak të drejta që i jep kushtetuta presidentit të vendit. Gjithsesi, me ose pa shumë te drejta, figura e presidentit është ekuibruesi i vetëm i politikës shqiptare, nëse ky e kryen këtë punë me karakterin dhe dinjitetin që duhet të ketë një president, ashtu sikurse në të kundërt, mund ta çojë gjilpërën e peshores drastikisht në njërën ose në tjetrën anë të politikës, duke krijuar kështu situata që historia e këtij vendi i ka akoma të freskëta me ngjarjet e vitit 1997.

Po për Himarën ç’rëndësi ka individualiteti i nje emri te presidentit të Shqipërisë?
Si çdo proces politik që ndodh në Shqiperi, pyetja më e saktë në lidhje me Himarën dhe popullsinë minoritare që e përbën atë, do të ishte “Cili president nuk do ti bënte keq Himarës?” Sikurse e thamë më lart, vendin e parë në politikën shqiptare e luan kulti i individit, kështu që, nëse pyetja e mësipërme do të do merrte një përgjigje, kjo nuk do të ishte kurrë e sakta nëse nuk shqyrtohet çdo kandidat i mundshëm ashtu siç shihet nga syri i një Himarioti në rastin konkret te këtij shkrimi.

Pa u zgjeruar shumë në të gjithë emrat që janë dëgjuar deri më sot, kandidaturat që seriozisht kanë një farë konfirmimi nga palët janë:
1 Alfred Moisiu
2 Fatos Nano
3 Bamir Topi
4 Sabri Godo

Në një shikim të përgjithshëm, kemi një numër të barabartë kandidatësh midis dy palëve politike. Ajo që menjëherë bie në sy, është fakti se të djathtët, japin dy kandidatura të besimit myslyman, ndërsa të majtët dy orthodoksë duke konfirmuar kështu edhe një herë faktin, që e majta shqiptare, është më e lidhur me pjesën vorio-epiriote të popullsisë, ndërkohë që e djathta mbështetet si gjithnjë në popullsinë e përtej Shkumbinit. Edhe pse kjo është e para gjë që vihet re, dhe që një Himariot mund të distancohet që në këtë pikë, është interesante ti kapim këto figura një e nga një pasi kjo nuk është e vetmja karakteristikë e tyre. Himariotët e shquar avokat Ilia Likoka dhe Jorgji Bollano, më 1943 ja thanë hapur gjeneral Ibrahim Dervishit, mospëlqimin e Himariotëve për liderët e besimit myslyman, po e mbajtën dhe e trajtuan atë, si shoke të vjetër i pari dhe si mik të vërtetë i dyti. Gjithashtu po të përmendim fakte të tjera historike, në paktin e Korfuzit, kishte disa pika ku Himariotët distancoheshin hapur nga drejtues dhe gjykues që i përkisnin një besimi te ndryshëm nga ai i tyre.
Gjithsesi, fakti që në 2007 e djathta shqiptare, nuk ka një kandidat kristian, le jo pak për të dëshiruar.
Le ti shqyrtjmë secilin prj tyre.

Bamir Topi
Kur kam parë për herë të parë në TV z.Topi, i pari mendim që më erdhi ishte “po të kisha fatin të kisha kaq shumë flokë sa ka ai, do hidhja në gjyq berberin, për modelin e prerjes dhe të qethjes se tyre”. Nuk dija se cili ishte, nuk dija se ishte nje djalë nga familje e vjetër tiranase, nga e cila kishte trashëguar shumë prona, madje nuk e dija edhe se ishte i vellai i doktorit të nderuar dhe simpatik të ekranit te TVSH, Flamur Topit. Ndërhyrjet dhe batutat e tij në parlament, më dukeshin tejet të rëndomta. Pra edhe pse djalë kryeqytetas dhe nga familje me të kaluar të mirënjohur, ky djalosh mund të ishte per mua fotokopje e një deputeti të një zone të thellë e të humbur malore.

Po koha kaloi dhe me z.Topi ndodhi diçka. Flokët dhe modeli i krehjes se tyre, linin të kuptoje hapur se kishte ndëruar "lok". Edhe me rrobaqepësin duhet të kishte ndodhur e njëjta gjë. Qëndrimi i tij në parlament, ishte krejt ndryshe si ndaj opozites ashtu edhe ndaj vetë partisë të cilës z.Topi i përkiste. Ndërhyrjet e tij, ishin sa të llogaritura aq edhe më me vend. Jo në pak rrethe shoqërore dhe politike, menjëhere pas fitores së PD në zgjedhjet e 2005, filluan të dilnin zëra se z.Topi dhe znj.Topalli, ishin alternativat PD-iste për një rrëzim të afërt të Berishës. Ndërkohë që Berisha as nuk ra dhe as nuk ka ndërmend të bjerë, ndërkohjë që znj.Topalli u tregua kokë e kembë një bisht i politikës Berishane, z.Topi, vazhdonte të ishte personi që mblidhte epitetet “politikan korrekt”, “njeri i ekuilibruar”, “figurë konsensusi” etj.. etj.. Dukej hapur se z.Topi kishte filluar të skicohej dhe të vazhdonte vizatimi i tij për një kandidaturë të mundshme presidenciale. Shpesh bëja analogji midis z.Topi dhe politikanit të qendrës së djathtë italiane Casini, dhe edhe pse ky i fundit nuk arriti të behej presidenti i Italisë në zgjedhjet e fundit për shkak të moshës ende të re për traditën presidenciale Italiane, mbahet ende edhe sot e kësaj dite, si një prej presidenteve të ardhshem nga mbarë opinioni. Po kush e ka projektuar z.Topi për president? Cili është autor i shndërimit të tij, ndërkohe që personalisht e shoh shumë te dobët dhe të pasigurtë për një hap të tillë në karierën e tij politike?

Z.Topi është politikani i djathtë që u dërgua në Himarë për fushatën e kanditatit të PD për postin e kryetarit të bashkisë, ndërkohe që Topalli e anulloi vizitën e saj me këtë rast, ndërsa Berisha, që nuk linte fshat me më shumë se 5 banorë pa shkuar për fushatë, në Himarë nuk u duk fare. Z.Topi ishte personi që u shpreh kundër Bollanos dhe rrugës së ndjekur prej tij për mbrojtjen e pronave tona, edhe pse faktet dhe rezultatet e dukshme të punes së bërë prej kryetarit të bashkisë në këtë aspekt, nuk e e lejonin z.Topi të mbante tone të ashpra. Z.Topi ishte ai që dha premtimin se Himara do të bëhej nënprefekturë, po që atje u tha dhe atje u la ky premtim.
Si përfundim për z.Topi, i parë me syrin e një Himarioti, do të thoja nuk është një figurë presidenciale prej së cilës Himara duhet të jetë e përmbajtur.

Sabri Godo
Emri i tij nuk mungon kurrë nga çdo listë zgjedhjesh presidenciale, po kjo pikërisht për faktin se çdo listë është gjithnjë e përbërë nga persona që kanë një farë mundësi arritje për postin ku kandidojnë dhe nga emra që shumë mirë mund të cilesohen si “anët e trupit gjykues”, d.m.th nga persona që plotësojnë listën e kandidatëve. Megjithatë, edhe pse mundësia e zgjedhjes së z.Godo në postin e presidentit të Shqiperisë është relativisht zero, nuk mund të ri pa thënë se figura e z.Godo është nga ato më negativet në sytë e Himariotëve dhe këtë ai nuk ka lënë rast pa e vërtetuar në çdo dalje televizive te tij. Jo me kot, hija e zezë e nacionalizmit shqiptar, nuk vonon kurrë ti japë fjalën këtij personi, për çdo ngjarje që sado pak mund të ketë lidhje me Himarën. Në shpirtin e çdo
Himarioti(mendoj) besoj se një personazh i tillë është i deklaruar “persona non grata”. Nëse besimi myslyman i z.Topi mund edhe të anashkalohet për një Himariot, ai i z.Godo është mishërimi i atij myslymanizmi kundër të cilit Himara gjithnjë ka luftuar dhe gjithnjë ka fituar.
Këto pra ishin dy figurat që e djathta shqiptare ka paraqitur si kandidatë të mundshëm për president, këto janë pra “mbushësi” dhe “Topi” i listës së djathtë, një listë shumë larg Himariotëve.

Alfred Moisiu
Z.Moisiu, ishte presidenti konsensual i propozuar nga e djathta shqiptare, po që me ardhjen në pushtet të kësaj të fundit, ekuilibri i dukshëm politik i z.Moisiu, nuk do të shihej me sy kaq të mirë prej propozuesve të tij. Kjo ndoshta për të vërtetuar që e djathta shqiptare, është më realiste dhe bën zgjedhje të goditura, vetëm nëse ndodhet në opozitë dhe është gati të shkelë me këmbë mbi këdo dhe mbi çdo gjë, menjëherë sa vërteton se ky dikush ose kjo diçka, nuk është gati të thotë “amen” pas çdo fjale që i del nga goja numrit një të saj.
Z.Moisiu, është presidenti i vetëm që me vendimet e tij (pa gjykuar drejtësine e tyre), i dha një kuptim ekzistencës së këtij posti në hierarkinë e shtetit shqiptar. Presidenti Moisiu nuk ka bërë asnjë prononcim dhe nuk ka asnjë qëndrim të tijin për cështje që i përkasin Himarës. Është për të ardhur keq që në sytë e një Himarioti, një figurë si ajo e presidentit, duket e mirë kur nuk është ndjerë asnjëherë për ta, as në të mirë e as në të keqe. Besoj se ky nuk është një problem i Himariotëve po nje rrjedhshmëri llogjike e të gjitha veprimeve anti-Himarë, që politika nuk ka reshtur dhe nuk resht ti ndërmarë. Mund të duket qesharake po thirrja Enveriste “të jetojmë, të mendojmë dhe të punojmë si ne rrethim”, me gjithë falsitetin që përmban, ndoshta ka gjetur zbatim vetëm në Himarë dhe tek Himariotët. Jemi në vitin 2007 dhe ne Himariotëve jemi akoma objekt sulmesh të çdo qeverie e të çdo politike në Shqipëri dhe kjo vetëm per faktin se jemi Greko-Himariotë edhe pse kemi treguar realisht se dimë të jetojmë krah për krah, si vëllezër të vërtetë me shqiptarët. Në një vend të vërtetë demokratik, do ishim bërë lapidar i bashkëjetesës multietnike, ndërsa në Shqipëri, jemi një tabelë e vërtetë për qitje.
Po për tu kthyer tek z.Moisiu, mund të themi se ndër të papriturat e pakëndëshme që mund të sjellin dy kandidatët e parë, z.Moisiu është aq burrë sa të na i evitojë ne Himariotëve veprime me shije të keqe që mund të na vijnë nga ky post i shtetit.

Fatos Nano
Z.Nano është figura më e folur deri më sot për postin e presidentit. Edhe pse ngjarjet e fundit në të majtën shqiptare e kanë zbehur disi kandidimin e tij, z.Nano mbetet ende një prej kandidatëve më të mundshëm për postin e presidentit. Ç’mund të themi si himarjotë për z.Nano?! Shumë shqiptarë e akuzojnë z.Nano si agjent të grekëve, që ia shiti Shqipërinë Greqisë, por a ka bërë ndonjë gjë pozitive z.Nano për Himarën dhe Himariotët? Nuk mund të mohojmë që z.Nano, është shumë më pozitive si figurë nga të tjerët në lidhje me Vorio-Epirin në përgjithësi, duke qënë vetë ai një vorio-epiriot, po nuk duhet të harrojmë se ishte z.Nano që pranoi aleancë në vitin 2000 me kundërshtarin e tij, personin që e burgosi atë, vetëm e vetëm për të mos e lënë Himarën në dorë të Himariotëve. Ishte qeverisja lokale e z.Nano ajo që bëri dëmet më të mëdha në gjithë zonën e Himarës në lidhje me pronësitë tona, dëme që vazhdojnë të kenë konseguencat e tyre edhe sot, ishte z.Nano ai që dërgonte autobuzat me militantë në Himarë për të dhunuar votën e Himariotëve, ishte z.Nano artificieri i grabitjes së Kakomesë. Pra z. Nano, edhe pse i jepet epiteti “Grek-dashës-filogrek”, në Himarë ka shumë zullume dhe është larg pranimit të tyre. Ndoshta kohët ndryshojnë dhe njerëzit bashkë me to ndërgjegjësohen gjithnjë e më tëper, por z.Nano nuk na lë të kuptojmë një gjë të tillë.

Për ta mbyllur, mund të themi se në procese ku Himariotët kanë të drejtë vote, kanë treguar se dinë ta mbrojnë veten e tyre, ndërkohe që zgjedhja e presidentit, nuk është një proces i tillë. Por nuk e humbim shpresën në një ndërgjegjësim të mundshëm kundrejt gjithçkaje që është himariote, ndërgjegjësim që e mirëpresim nga partitë politike duke shpresuar që në paltformat e tyre politike të zënë vend të drejtat dhe trajtimi i minoritetit, e mirëpresim nga çdo politikan dhe i cilido krahu qoftë që të flasë hapur dhe të mbrojë hapur të drejtat e Himarioteve, pa pasur frikë se do ta quajnë filogrek, e mirëpresim nga politika në përgjithësi, që të heqë dorë nga planet e ulëta për grabitje pronash dhe të na japin ligjërisht atë që me të drejtë kemi pasur dhe na takon, dhe pse jo, mirëpresim edhe një president largpamës që një ditë të flasë dhe të thotë “larg duart nga Himara, ajo është e Himarjotëve”.
Edvin Kirici .

2 comments:

Anonymous said...

Me vjen te vjell kur i lexoj paragjykimet tuaja me baza fetare.Jetojme ne shekullin e XXI dhe njeresit si ju mendojne dhe gjykoje si ne kohen e bizantit.Sa per himarjotet e thjeshte dhe ponetore kam patur dhe kam shume respekt,por kur shkrimet lexoj shkrimet e tuaja me duket sikur lexoj shkrimet e nje shovinisti te mirefillte grek.Nuk e ngritet njehere kunder zerin zoteri per bashkeqytetaret tuaj qe Shqiperine e krahasuan me alqaeden.Ndoshta nje dite do ta kuptoni se shqiptaret nuk jane nje popull ultrafetare sic jane greket.Jeni lindur dhe rritur ne Shqiperi dhe kete vecori te shqiptareve duhet ta keni hasur cdo dite.Tek e fundit feja eshte per qetesi shirterore dhe jo per politike e ideologji si ne Greqi.Kur do te dilni nga kthetrat e ketyre ideve?Turp nuk keni!!!!Mos i fyeni shqiptaret ortodoks zoteri sepse eshte turp turp kur i njehesoni ata me grek dhe "VORIO-EPIRIOT" ME RESPEKT TROPOJANI nga Gjermania ponari@t-online.de

Edvin said...

Zoteri, po te kishe deshiren e mire ta lexoje me realitet kete shkrim, atehere do ta kuptoje me se miri se besimi fetar eshte permendur ketu per aq sa e ka rendesine e vetm madje dhe i kategorizuar nga personat e vecante qe e mbartin ate. Ne lidhje me besimin fetar, ketu eshte vene gishti tek persona, qe nje nga figurat me barbare dhe gjakesore me te cilen eshte ndeshur historia e Himares, ata e trajtojne edhe sot e kesaj dite si hero. Gjithsesi, nese tek feja duhet te gjejme pajtimin dhe qehtesine shpirterore, ne preferojme ta gjejme tek ajo e jona. Sa per turp, zoteri i dashur, besoj se duhet te mendoheni para se ta kerkoni tek ne, se te vetmet faqe turpi, i ka shkruar dhe po i shkruan politika shqiptare ne lidhje me ne. Ne i njohim shume mire shqiptaret. Te them te drejten, njohim me mire shqiptaret e dikurshem qe nuk na i mohonin te drejtat tona, nderkohe qe sinqerisht jemi te zhgenjyer me ata te sotmit qe na gjykojne a priori, pa na degjuar, pa e vene veten ne vendin tone per te pare realisht problemet dhe kerkesat tona. Kjo nuk ben gje tjeter vecse na izolon gjithnje e me teper me njeri tjetrin, duke vene ne vend te llogjikes instiktin, ne vend te njohjes se vjeter midis nesh absurditetin e nje gjitonije gjithnje e ne prishje dhe ne vend te mirkuptimit konfliktin. Ne i njohim politikes shqiptar edhe problemet dhe vuajtjet qe i ka sjelle vete shqiptareve dhe nuk pajtohemi me kete gje, po padyshim qe e veme gishtin tek ajo pjese e keqberjes qe na perket ne menyre te drejtperdrejte, ndersa ju e shani politiken shqiptare nga mengjesi deri ne darke, nderkohe qe bashkoheni ne sjelljet e saj mbi Himaren dhe sinqerisht na vjen keq qe shohim nje reagim te tille prej personash qe pak a shume, vuajne te njejten gje qe vuajme edhe ne. Une nuk do tju thosha "t'ju vij turp" per kete, ashtu sic me drejtoheni ju, po qendrimi juaj, le vertete shije te hidhur sepse ne cfaredo konteksti, ne cfaredo gjuhe qe te flasim, ne cfaredo etnie te bejme pjese, jemi te destinuar te jetojme afer njeri tjetrit. Mos beni krahasime paradoksale duke vene ne krye te cdo gjeje, mllefin e injektuar qe keni per Greqine, po perpiquni te komunikoni me ne nese vertete ju interesojme, se me menyren se si po silleni me ne, nuk beni gje tjeter vecse mbeshtesni planet famekeqe te klaneve te politikes shqiptare, te asaj politike qe shkel cdo dite edhe mbi ju. Une te falenderoj per nderhyrjen tuaj edhe pse nuk pajtohem shume me tonet e saj.