Sunday, April 22, 2007

Mishta: Ndërtimet në Jal, Berishës i intereson vetëm zbatimi i ligjit

B.Sinani
22-04-2007 (shekulli)
Dritan Mishta
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje lidhur me deklaratën e një dite më parë të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në të cilën ai akuzoi Berishën si "të lidhur drejtpërsëdrejti me interesat e paligjshme që po rrënojnë Jalën këto ditë". Reagimi i kryeministrit Sali Berisha është bërë dje, me anë të një deklarate për shtyp të zëdhënësit të tij, Dritan Mishta. Në këtë deklaratë, Mishta thotë se, interesi i vetëm i kryeministrit Berisha është ligji dhe zbatimi i ligjit. "Bazuar në një deklaratë të kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, disa media në njoftimet e tyre lidhin aksionin e Policisë Ndërtimore në Jalë dhe bregun shqiptar me interesa të caktuara të Kryeministrit në Gjirin e Jalës. Zëdhënësi i Kryeministrit, deklaron se Kryeministri ka një interes dhe vetëm një, ligjin dhe zbatimin e ligjit. Çdo interpretim tjetër jashtë kontekstit ligjor është spekulim dhe i pavërtetë", thuhet në këtë deklaratë, në një kohë që kreu i PBDNJ-së ka qenë mjaft i qartë në akuzën e tij, bërë gjatë një emisioni në televizionin "Alsat". Dule ka thënë se, Berisha është i lidhur drejtpërsëdrejti me interesat e paligjshme që po rrënojnë Jalën këto ditë. Madje ai ka deklaruar se, çështja e ndërtimeve në bregdetin e Jalës, është një çështje që do të ankimohet deri në Parlamentin Evropian.

No comments: