Tuesday, May 15, 2007

Comment from Loreta Boti (albanian text

(ABC-15-05-2007)
Bakojanis, Kokosis, deklarata e Bollanos dhe proceset në rajon

Nga Loreta Boti

Kur ambasadori grek në Shqipëri Konstantinos Kokosis u shpreh në mënyrë të mjegullt për deklaratën e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, të paralelizmit mes çështjes së Kosovës dhe Vorio-Epirit, se imagjinonte se ishte e drejtë, por nuk e dinte se ishte e saktë, kjo u duk si një deklaratë në gjuhë diplomatike, që edhe mbështeste Bollanon, edhe distancohej prej tij. Por, deklarata e fundit e ministres së jashtme greke Bakojanis se nuk ka paralelizëm mes Kosovës dhe Epirit të Veriut është një mohim i deklaratës së Kokosis. Kjo tregon se politika e jashtme greke ka hyrë në kaos, në momentin e zhvillimeve vendimtare në Ballkan. Deklarata e ministres së jashtme greke Bakojanis duket të ketë ardhur si rezultat i presionit të jashtëm, në radhë të parë atij amerikan. Kështu duket se po përsëritet një histori e vjetër.
Fati i grekëve në Vorio–Epir është rikthyer ne ciklin e ngjarjeve të kohës së krizave lindore në kohën e pushtimit osman. Atëherë politikën në Ballkan e përcaktonte Britania e Madhe rol qe sot e kanë SHBA. Atëherë Britania e Madhe për shkak të strategjisë së vet të ndalimit të daljes së Rusisë në Mesdhe ruante sundimin turk në Ballkan dhe e ndalonte aleaten e saj Greqinë që të hynte në luftë në momente të favorshme si në 1854 në kohen e Luftës së Krimesë, në 1877 në kohën e Luftës Ruso-Turke për të çliruar territoret greke duke përfshirë dhe Epirin. Kjo çoi në copëtimin dhe humbjen e territoreve greke. Në po të njëjtën mënyrë dhe gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990 qeveritë greke jane influencuar nga SHBA që jo vetëm të mos mbështesin kauzën greke në Vorio-Epir po dhe ta frenojnë atë. Se çfarë ka marrë si shpërblim Greqia nga SHBA mbetet të diskutohet dhe do ta tregojë koha.
Gjërat në Ballkan duket se po shkojnë drejt formulës së lordit Ouen, për një “Kongres të Berlinit” të ri për ndryshimin e kufijve në Ballkan ku çështja greke do të dalë e humbur si në 1878. Kjo është vënë re që më herët. Kujtoni një episod nga vizita e sekretarit amerikan të mbrojtjes Ramsfeld në Athinë në qershor 2001 ku ai luajti atë që nuk kupton kur u pyet nga një gazetar për formulën Ouen duke mos dashur të shprehet kundër ndryshimit të kufijve. Atëherë ky plan u ndalua nga ngjarjet e 11 shtatorit 2001. Politika greke është krejt e papërgatitur për këtë skenar shumë të mundshëm. Sa për politikanët grekë në Shqipëri atyre thjesht nuk ua kap imagjinata këtë aspekt të problemit, pavarësisht deklaratës së Bollanos. Vetë Bollano më vonë e ka mohuar deklaratën e vet, që është jo-serioze, pasi ajo u bë publikisht në media, dhe televizionet e Tiranës nuk munguan t’ia përsërisin. Mohimi i Bollanos shpreh kaosin që ekziston në Athinën zyrtare, ku ministrja e jashtme Bakojanis mohon ambasadorin Kokosis dhe pastaj Bollano mohon vetveten. Një histori e denjë për të dalë një komedi nga pena e Aristofanit.
Zonja Bakojanis-Micotaqis nuk ka faj që mban këtë qëndrim, duke e nxjerrë zbuluar ambasadorin e vendit të saj në Shqipëri, se ajo është mësuar të bëjë karrierë si bija e të atit, prandaj edhe në politikën e jashtme ajo kërkon një “nënë” dhe në këtë rast e gjen këtë tek Kondolesa Rajs, pavarësisht se cilat janë interesat greke. Deklarata e zonjës Bakojanis tregon se Athina zyrtare jo vetëm që nuk po arrin të presë “nyjen gordiane” të qëndrimit të saj për grekët në Shqipëri, por është kapur si në kurth në fijet e kësaj nyjeje, që vazhdon ta ngatërrojë më keq. Gjëja që doli më qartë në këtë histori është se ambasadori grek në Tiranë është më i aftë në diplomaci se shefja e vet, ministrja e jashtme, gjë që duhet t’ i lejë një përshtypje të keqe çdo greku, veçanërisht në Shqipëri. Natyrisht këtu nuk duhet harruar se edhe ambasadori Kokosis, që tanimë është prej një kohe jo të shkurtër në Shqipëri, është tanimë përgjegjës për shumë nga problemet e grekëve në Shqipëri.

E Marte, 15 Maj 2007

No comments: