Friday, May 18, 2007

Doce Wele: Interviste me hiresine e tij Anastasio

http://www2.dw-world.de/albanian/Politik_Balkan/1.222971.1.html

Auron Dodi në bisedë në Athinë me kryepeshkopin e Tiranës dhe të Shqipërisë, Anastas Janullatos
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, pozicionohet në një intervistë ekskluzive për programin tonë, dhënë në shtëpinë e tij në Athinë, ndaj zërave kritikë në Shqipëri, se Kisha Ortodokse e Shqipërisë po greqizohet. Kolegut Auron Dodi ai i shpjegon historinë e vërtetë të mbetjes së tij në Shqipëri dhe gjendjen në kishën ortodokse shqiptare

A.Dodi: Gjatë gjithë periudhës kur Ju keni qenë duke kryer një punë të nderuar rindërtimi në Shqipëri, kanë vazhduar të jenë të pranishme te disa kritikë pyetja se pse në krye të kishës shqiptare autoqefale duhet të jetë një grek. Kjo lidhet me një drojë, se kisha ortodokse shqiptare mund të humbasë karakterin e saj autoqefal. Kritikët kanë përmendur kohët e fundit fakte të tilla si metropolitani i rretheve jugore të Shqipërisë është sërish një grek. Tani grekët po përpiqen të vënë njerëzit e tyre në krye të kishës dhe po e greqizojnë plotësisht kishën shqiptare. Cila është përgjigjia Juaj?


A.Janullatos: Kur unë erdha në Shqipëri, erdha në këtë vend si ambasador i Patriarkanës Ikumenike për të parë se çfarë ka mbetur...Pastaj ishin shqiptarët ortodoksë ata që më kërkuan të qëndroj në Shqipëri. Unë nuk qëndrova vetë. Kur erdhi koha që unë të kthehesha në Greqi, sepse tashmë unë isha profesor i rregullt i universitetit të Athinës dhe isha edhe metropolitan, kisha një punë të tërë për të bërë dhe të kandidoja për Akademinë e Athinës, atëherë shqiptarët më thanë: „do të ikni tani, kur Ju i dini hallet dhe vështirësitë tona?“ Kështu që unë u ndodha para një dileme, nuk ishte diçka që e zgjodha vetë. Dhe përgjigja ime ishte: e para, nëse Ju vërtet e doni këtë- dhe unë pyeta vetëm ortodoksët, nuk pyeta të themi myslimanët dhe ateistët- nëse juve ju pëlqen kjo, dhe nëse Patriarkana Ikumenike e pranon vërtet këtë, dhe nëse qeveria e pranon këtë, atëherë këto janë tre predispozita që do të më drejtojnë mua për vendimin tim. Dhe pastaj, një përfaqësi zyrtare e Kishës së Shqipërisë shkuan te Patriarkana dhe i kërkuan që i dërguari i Patriarkanës të qëndrojë te ne dhe të na organizojë ne. Ky ishte fillimi.

Nuk ishte një situatë ku njeriu shkon të marrë pushtet. Dhe kur ti nis këtë crash- dhe nuk gjen asgjë - nuk është një pozitë pushteti, është një pozitë shërbimi dhe sakrifice - kjo ë shtë një gjë që ata nuk e kuptojnë. Ti nuk vjen këtu në Athinë (-intervista me hirësinë e tij Anastasios Janullatos u zhvillua në shtëpinë e tij në Athinë A.D.) ku ke të gjitha mundësitë, financiare e kështu me radhë e të jesh i pushtetshëm, i fuqishëm, ti vjen në Shqipëri për të ndërtuar nga asgjëja. Asgjëja ose ajo që unë përshkrova më parë. Dhe kjo është arsyeja, se pse ortodoksët e Shqipërisë - kur po diskutohej kushtetuta në vitin 1994, e cila përmbante një paragraf jofavorizues për kryepeshkopin ortodoks, ishin shqiptarët që mblodhën mijëra, nuk më kujtohet numri i saktë, por që mblodhën shumë "jo", - që kërkuan që ne nuk duhet të votojmë për këtë kushtetutë.

Kriza shumë herë nuk vjen nga komuniteti ortodoks. Kur ju flisni për autoqefalinë, meqenëse kjo është një fjalë greke, le të shohim se çfarë do të thotë ajo- fjala është "autosefalos", e drejtuar edhe ndaj atyre që nuk janë ortodoksë. Ne nuk mund të pranojmë, që deputetë që janë myslimanë ose ateistë t'i tregojnë rrugën dhe t'i japin këshilla Kishës Ortodokse. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, ka shumë njerëz, shumë patriotikë, shumë të rëndësishëm dhe shumë seriozë. Ata kanë mundësi të vendosin.

Gjithë kjo kritikë që thatë ju vjen nga disa zëra, tipike për zërat radikalë, që shikojnë rreziqe dhe shikojnë armiq. Cila është ekzaktësisht kritika? Kam lexuar disa artikuj jo shumë kohë më parë, në ta thuhej, nuk dëshiroj të përmend emra, në artikull thuhej se ka kaq shumë priftërinj grekë. Sa priftërinj grekë ka tani në Shqipëri? Tre. Janë këta shumë? Tre. Pyet sa ka në Kishën Romane Katolike, sa murgj dhe sa murgesha ka atje. Në Kishën Ortodokse - jo jashtë. Sa shumë mijëra janë nga komuniteti mysliman? Ka një tendencë për të thënë gënjeshtra, gënjeshtra të kulluara. Po pyes sërish, sa priftërinj janë? Dhe kur flasim për kishën, kisha nuk është vetëm kryepeshkopi: kisha janë peshkopët, priftërinjtë- 136 priftërinj shqiptarë, që erdhën prej asgjësë. Kryepeshkopi i edukoi ata, u përpoq t'i mbështesta ata për familjet e tyre gjatë kohë së shkollimit dhe tani ai është një ndihmues, për t'u ofruar atyre një jetë me dinjitet. Atëherë ku është saktësisht problemi? ...dhe për këtë çështje natyrisht- e gjithë kisha ortodokse, ne jemi një e vetme. Kështu që unë nuk i kuptoj frikërat.

Le të jemi pak më të saktë dhe jo provokativë. Natyrisht ka njerëz që shohin sërish në mënyrën e vjetër, me dyshim që kryepeshkopi është një i huaj. Unë asnjëherë nuk i kam bërë bisht të them- është e qartë, që unë nuk kam lindur në Shqipëri. Nganjëherë, me humor unë them se nuk është faji im se ku kam lindur, ishte ndoshta "faji" i prindërve të mi, edhe nëse prindërit e mi, siç mund ta dini, vijnë nga Preveza. Megjithatë, ku qëndron ekzaktësisht problemi? Unë nuk jam në Shqipëri për të krijuar një koloni. Të gjithë njerëzit që kanë qenë këtu e dinë se në kohë kritike unë e kam ngritur i vetëm zërin tim kundër shumë prej këtyre gabimeve që ata dëgjonin këtu. Njerëzit që i dinë punët nga brenda, e kuptojnë shumë qartë, se nuk ka kontribut më të rëndësishëm se i Kishës Ortodokse dhe i këtij kryepeshkopi. Unë jam i vetëm. Vizioni im është saktësisht të shoh brezin e ri të marrë udhëheqjen- kjo është perspektiva. Më thuaj, sa njerëz nga Shqipëria janë graduar si peshkopë në Kishën Romano-Katolike apo tek protestantët- a mund t'i gjesh. Mua nuk më pëlqen të flas për këtë, unë kam një dëshirë dhe respekt të thellë për vëllezërit dhe motrat e mia atje, por e përmend këtë për të vendosur vetëm kontaktin - nuk kemi diçka specifike te Kisha Ortodokse...

Ka njerëz që nuk mund t'i kuptojnë motivet se pse ndodhet këtu kryepeshkopi. E vetmja mundësi që disa po përpiqen të thonë tani është: në mënyrë që të kuptosh kryepeshkopin Anastas ju duhet të studioni qëndrimin e Nënë Terezës. Nënë Tereza e la Ballkanin dhe shkoi në Indi, për cilatdo arsye qoftë. Ajo ishte një person i besimit dhe i dashurisë. Kryepeshkopi la vendin e tij dhe mundësitë e bukura që kishte në Greqi dhe në të gjithë botën dhe erdhi në Shqipëri, për të ndarë me ne vështirësitë, dhimbjen, problemet. Natyrisht, për njerëz që nuk besojnë te Zoti dhe nuk besojnë te dashuria, është e pamundur të kuptojnë, ata përpiqen të bëjnë analizën e të gjithë kësaj me ideologji të analizës marksiste.

A Dodi: Ndoshta një shpjegim për kritikat mund ta gjejmë në histori, me projektimin e një të kaluare historike në situatën e tashme...

A.Janullatos: Ka gjithashtu një shpjegim tjetër: që ata nuk janë shumë të lumtur me zhvillimin e Kishës Ortodokse dhe lidershipin që ajo ka tani në jetën sociale. Shumë nga ata që menduan se Kishës Ortodokse ka vdekur dhe le të ecim në këtë drejtim. Por Kishës Ortodokse është e gjallë dhe ky është një kontribut i madh për Shqipërinë. Sepse tani në Shqipëri ju nuk keni të bëni me një komb tipik mysliman: ne jemi një shoqëri multifetare dhe kjo madje e ndihmon Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. I gjithë ky zhvillim ka qenë një zhvillim shumë i rëndësishëm.

Në fillim të viteve '90 shumë njerëz kuptohet që menduan, që për të pasur një identitet, le të kemi një identitet të ndryshëm nga ai i fqinjëve tanë. Por ishte naive: Shqipëria nuk është në Arabinë Saudite apo në Afrikë, është në Ballkan. Dhe kisha ortodokse është një urë me fqinjët, nuk është kërcënim dhe është bekim. Kur ne shkojmë përshembull në Rumani, dhe ata shohin për herë të parë që gjuha shqipe flitet në Rumani dhe në Rusi nga peshkopi grek, i cili flet shqip kur shkon atje të kremtojë me patriarkun dhe me njerëzit e tjerë. Cdo njeri i di, dhe ortodoksët i dinë shumë mirë këto detaje.

A.Dodi: Sa e fortë nga pikëpamja islamike është Shqipëria në të vërtetë?

A.Janullatos: Ne nuk kemi statistika. Ju e dini që statistikat e fundit zyrtare janë të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë periudhë në burimet italiane jepen këto shifra: 68% myslimanë sunitë e bektashinj, 22% ortodoksë dhe 10-11% romanë-katolikë. Por këto shifra janë shumë relative. Eshtë interesante që në kujtimet e Stalinit ka një diskutim midis Stalinit dhe Hoxhës: Stalini e pyeti Hoxhën se sa ortodoksë jetojnë në vendin tuaj dhe përgjigja e tij ishte "rreth 30%". Ata nuk kanë qenë kaq të saktë me shifra- dhe sot ka njerëz që nuk janë kaq të saktë me shifra. Por është e qartë, që pas periudhës së komunizmit jo çdo njeri u bë një person fetar, që ka shumë njerëz tani që thonë "falemnderit, ne nuk u përkasim komuniteteve fetare“...

A.Dodi: E kam fjalën në qëndrimin e tyre, jo vetëm në shifra, sa myslimanë të fortë janë shqiptarët në vështrimin tuaj?

A.Janullatos: Besoj se për këtë duhet pyetur komuniteti mysliman. Por ajo që dua të them është se gjatë gjithë këtyre viteve, ju folët për kontributin tim, që nga fillimi, në një kohë shumë kritike unë insistova për vëllazërinë midis udhëheqësve të ndryshëm fetarë. Gjatë periudhës që kemi patur gjithë këto shqetësime në Bosnjë- Hercegovinë, Shqipëria përjetonte kushte ekselente, marrëdhënie ekselente. Që prej fillimit ne nisëm të kemi jo vetëm tolerancë - tolerancë tingëllon disi arrogante, çdomethënë tolerancë, të tolerosh të tjerët - pse duhet të flas unë për tolerancë, ne folëm për bashkëpunim, për vëllazërim dhe ky është me të vërtetë një kontribut i madh për shoqërinë shqiptare dhe natyrisht shumë njerëz thonë se ky është i vetmi vend në Ballkan që kemi këto marrëdhënie.

A.Dodi: Cilat janë hapat në vitet e ardhshëm për Kishën Ortodokse Shqiptare, përsa i përket hierarkisë dhe përsa u përket zhvillimeve të ardhshme?

A.Janullatos: Siç ju thashë, ka vetëm pak kohë që votuam për një kushtetutë të re dhe ne duhet ta implementojmë këtë kushtetutë, gjë që do të thotë më shumë pjesëmarrje të njerëzve. Dhe midis të tjerash ju e dini se këta njerëz janë shtetas shqiptarë. Natyrisht në Veri ne kemi komunitetin malazez, në Jug kemi komunitetin grek, në Lindje ne kemi gjithashtu një komunitet tjetër sllav- për ta kuptuar Kishës Ortodokse - ne jemi një mozaik, me njerëz të ndryshëm. Sllogani im ishte prej fillimit: një pyll nuk është më i bukur kur ke vetëm një tip pemësh, çështja është që pylli të jetë i shëndetshëm dhe kjo është ekzaktësisht ajo që po përpiqemi të bëjmë. Të gjitha këto që ju tregova, janë programe me perspektivë: për shembull instituti për trajnimin profesional është një projekt shumë i rëndësishëm që duhet të zhvillojmë, të gjithë elementët e tjerë për shëndetin, duhet t'i zhvillojmë më tej. Ka shumë komunitete në fshatra, ne nuk punojmë vetëm në Tiranë, ne punojmë në të gjithë Shqipërinë, në fshatrat e varfër që nuk i viziton askush, as deputetët nuk shkojnë. Unë jam personi që ka vizituar ndoshta më shumë fshatra në Shqipëri dhe ne kemi projekte të ndryshme për zhvillimin e jetës atje. Nëse ne bëjmë rrugë, bëjmë ura dhe bëjmë përpjekje për elektricitetin, pse? Në mënyrë që të shprehim këtë respekt për dinjitetin e këtyre njerëzve dhe ne e shprehim dashurinë tonë jo me shprehje e veprime të përgjithshme, por me plane konkrete
Intervistoi: Auron Dodi

3 comments:

Anonymous said...

"Në krye të ortodoksëve, një shqiptar"


19-05-2007
Pellumb Xhufi
Nënkryetari i LSI dhe historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, reagojnë për intervistën e Kryepeshkopit Janullatos

"Nuk jam shumë i bindur, se Hirësia e tij është pranuar nga besimtarët"

Z.Xhufi, cili është komenti juaj për intervistën e Kryepeshkopit Janullatos?

Thëniet e Hirësisë së tij, janë të thella dhe si të tilla duhen lexuar me shumë vëmendje. Madje unë jam në dyshim në mund të shprehem për intervistën në tërësinë e saj, pasi kam pasur mundësinë që të bëj një lexim. Por sigurisht, që pas kësaj do i bëj një lexim më të thelluar, megjithatë duke marrë shkas nga disa stereotipe, që janë shfaqur herë pas herë në deklaratat e Kryepeshkopit, pra që përbëjnë një bindje të tij, unë mendoj që edhe mund të komentohet pozitivisht apo edhe mund të shprehen rezervat dhe kjo natyrisht varet nga momenti specifik.

Dhe cilat janë rezervat që ju keni?

Rezerva ime e parë, por që është edhe një lloj zhgënjimi, është se kam përshtypjen që Hirësia i tij, si Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare, nuk ka arritur akoma të njohë shqiptarët ortodoksë, shqiptarët myslimanë apo ata katolikë. Mua më surprizon negativisht thënia e Hirësisë së tij, se shqiptarët nuk janë një komb tipik mysliman. Ndoshta ai niset nga shembulli grek, ku natyrisht kombësia dhe feja janë identifikuar, madje gjenden në Kushtetutë shprehjet e tyre. Në rastin tonë është krejt e kundërta. Një shqiptar, jo se është ose nuk është mysliman, jo se është ose nuk është katolik, apo jo se është ose nuk është ortodoks, por për arsye krejt të tjera, që janë më thelbësore dhe që kanë një karakter shumë të konsoliduar historik, që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën, traditën, kanë të bëjnë me zakonet me historinë e përbashkët e të tjera si këto. Kështu që, më duket se identifikimi i kombësisë në rastin e shqiptarëve, duke u nisur nga nocioni i fesë, përbën një lapsus do të thosha dhe që ndoshta do të uroja që në rastet e tjera të mos shprehet në një mënyrë të tillë, se përbën vërtetë një pasaktësi.

Unë po them se kjo deklaratë është një lapsus, për të mos thënë që është një mosdije nga ana e Hirësisë së tij. Z.Janullatos jeton në një vend që dihet se është i ndarë në disa besime fetare, por që absolutisht nuk do të thotë që përkatësia fetare e njërit grupim ndikon në përkatësinë kombëtare të tyre. Pra, kemi një rast krejt të ndryshëm nga i Greqisë. Ka gjëra të tjera pastaj, që unë gjithashtu kam rezervat e mia. Unë natyrisht mund të quhem musliman, mund të quhem ateist dhe në çdo rast mund të quhem jo ortodoks dhe kjo nuk përbën ndonjë arsye, për të më hequr të drejtën e fjalës për t'u shprehur edhe për probleme të tilla të komplikuara, siç janë ato të fesë. Por, meqenëse kam studiuar diçka edhe unë madje edhe kam shkruar, i lejoj vetes që të shprehem edhe për probleme të tilla.

Z. Xhufi, Hirësia e tij thotë se ka ardhur në krye të Kishës Autoqefale, me kërkesë të besimtarëve shqiptarë. Po kështu, ai tregon edhe arsyet pse ende është në krye të kësaj kishe. A ka ndodhur vërtetë një gjë e tillë?

Në radhë të parë, unë nuk jam shumë i bindur se Hirësia e tij është pranuar nga besimtarët, është pranuar nga Patriakana e Shenjtë e Stambollit, është pranuar nga qeveria shqiptare, që përbëjnë tre kushtet për fronëzim të një kryetari kishe. Të paktën përsa i përket qeverisë shqiptare. Madje më kujtohet mjaft mirë që në kohen e emërimit, (dhe ka qenë data 2 gusht) dhe unë nuk e harroj, se e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë moment, Kryeministri i Shqipërisë mund të fajësohet më të drejtë që u fsheh duke u strukur si struci, u zhduk nga qarkullimi dhe nuk pati asnjë dalje publike për një emërim i cili u kontestua fuqishëm.

U kontestua nga ortodoksët shqiptarë dhe unë mbaj mend se nga regjistrimet televizive të këtyre kontestimeve, kam dalluar mjaft miq të mi që janë ortodoksë dhe që kanës protestuar. Sipas kanuneve të Kishës Ortodokse, me aq sa di unë, në rast se edhe një besimtar shprehet kundër fronëzimit të Kryepeshkopit, atëherë fronëzimi nuk quhet i rregullt. Ndërsa në rastin e Janullatosit, ka pasur mjaft ortodoksë të cilët janë shprehur kundër emërimit të tij. Nga ana tjetër, kur zoti Janullatos thotë se është thirrur nga besimtarët shqiptar, unë jam i prirë për të mos e besuar plotësisht një thënie të tillë, sepse e di se si janë emëruar historikisht mitropolitët grekë të kishës shqiptare edhe në të kaluarën. Kështu, unë mund të përmend emërimin e Mitropolitit të Durrësit, Jakovi, në fillim të shekullit 20-të, apo rreth 10 vjet më vonë, Mitropoliti i Korçës, Kurrilla, dhe mund të siguroj që ka pasur një procedurë të tërë, që ka nisur nga Ministria e Jashtme e Athinës për emërimin e tyre.

Unë nuk mund të paragjykoj dhe të them se në rastin e Hirësisë së tij, Janullatos, ka pasur një implikim të tillë, ka ndërhyrë edhe politika. Kjo mbetet për t'u sqaruar pas disa dekadash ,kur të hapen arkivat, megjithatë janë të dukshme lidhjet e hirësisë së tij me ambientet e politikës greke, kanë qenë evidente. Madje do të thosha se edhe qëndrimet e Hirësisë së tij, çuditërisht, në raste shumë delikate janë puqur me ato të politikës zyrtare të Athinës. Natyrisht, që edhe kjo nuk më lë shije të mirë sepse do të doja që Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të përfaqësojë besimin, interesat dhe të kujdeset për mirëqenien shpirtërore të besimtarëve ortodoksë shqiptarë, por në të njëjtën kohë të hreflektojë edhe ndjeshmërinë jashtë fetare të besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë shqiptarëve, gjë që do ta bënte, sigurisht, sikur në krye të kishës të ishte një shqiptar, siç edhe e kërkojnë kanunet e kishës.

Cili ka qenë reagimi i shtetit shqiptar, në momentet e emërimit të Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?

Mua më kujtohet sez.Berisha, asokohe President, nuk ka bërë asnjë koment në momentin e fronëzimit, por që në momentin më të parë, që ka pasur një takim me të, i ka kërkuar në mënyrë eksplicite që Hirësia e tij të bëhet gati dhe të përgatisë kushtet për t'u zëvendësuar nga një kryepeshkop shqiptar. Këtë e them me siguri dhe një gjë e tillë është përsëritur edhe më vonë, saqë edhe vetë Hirësia e tij, në disa deklarata të hershme publike, jo të kohëve të fundit, ku ai ndihet më i konsoliduar në pushtetin e tij, e ka deklaruar hapur se edhe dëshira e tij do të jetë që, sa më shpjet të lërë fronin e Kryepeshkopit dhe do ta shugurojë atë fron me prelatë shqiptarë.

Më duket se kjo nuk është diçka simbolike, por ka të bëjë me historinë tonë, me ndjenjat shumë të thella të shqiptarëve, që lidhen me rolin që ka paturp kleri grek në historinë tonë, me përplasjet që ka pasur midis ortodoksëve shqiptare dhe Patriarkanës Greke dhe Klerit ortodoks grek, me tentativat për të penguar emancipimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe akoma me keq me implikimin e Klerit grek në aktivitete anti-shqiptare, që në kohën që kur nuk ishte krijuar shteti shqiptar, por edhe më vonë. Pra, janë gjëra të dokumentuara, të publikuara dhe të njohura për të gjithë. Madje do të thosha se këto janë të publikuara edhe nga autorë greke. Në fakt unë i jap të drejtë Hirësisë së tij, kur bën një krahasim me Kishën Katolike Shqiptare. Realisht edhe aty, vitet e fundit ka një tendencë që në postet drejtuese të zgjidhen prelatë joshqiptarë. Ky është një shqetësim që është shfaqur nga intelektualë të besimit katolik në Shqipëri, siç është Pader Zef Pëllumbi, i cili e ka shprehur këtë shqetësim edhe në gazetat e huaja, si "Uashington Post". Pra ka një realitet i cili po përgjithësohet, por që në asnjë mënyrë nuk e justifikon situatën.

Ndaj dhe ka reagime qoftë në krahun e Kishës Ortodokse, qoftë edhe në krahun e besimtarëve katolikë. Jemi krejtësisht të ndërgjegjshëm që infiltrime të tilla, ndodhsha jo me klerikë të huaj, në struktura drejtuese, ka edhe në komunitetet mysliman. Jemi të ndërgjegjshëm, që edhe atje ka pasur infiltrime interesash të dyshimta dhe për këtë, natyrisht, vetë myslimanët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm. Madje edhe tek drejtuesit, aty ka një dialektikë shumë pozitive për të ndaluar infiltrime të tilla. Pra ky problem është i përgjithshëm, por që historia jonë është e ndryshme. Këtu është problemi. Përsa i përket klerit grek, ka ndjeshmëri të ndryshme të justifikuara historikisht dhe përsa i përket Kishës Katolike, për të cilën flet Hirësia e tij, është krejt ndryshe. Shikoni, Kisha Katolike nuk identifikohet me një komb të caktuar, të paktën në Shqipëri. Tek ne, një prift grek i cilitdo nivelit të jetë, e ka shumë të vështirë të abstragojë nga qenia e tij njëherësh edhe prift ortodoks edhe qytetar grek.

Më vjen keq ta them, por shqiptaret dinë rastet e shumta të viteve të fundit, kur bëhet propagandë e një natyre tjetër jo propagandë e natyrës fetare, në ato kisha ku ka klerikë grekë. Me Kishën Katolike është ndryshe sepse e ka ruajtur karakterin universal të saj dhe që nuk sponsorizohet financiarisht, apo qoftë moralisht dhe politikisht, nga një shtet i caktuar, siç ndodh me kishën greke dhe me klerikët grek. Ne e dimë që, gjëja e parë që bëjnë drejtuesit e qeverisë greke është se takojnë Kryepeshkopin Janullatus dhe e takojnë si kryepeshkop grek, dhe jo si kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale. Hirësia e tij nuk i ka shpëtuar tundimit.

Z. Xhufi, brenda Kishës Ortodokse janë shtuar zërat për largimin e Janullatosit nga drejtimi i kishës, ndërkohë që vetë në intervistën e tij, Hirësia deklaron se do punojë për të shuguruar një Kryepeshkop shqiptar. A mendoni ju, se aktualisht ka ardhur koha për largimin e tij nga posti më i lartë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?

Unë do të preferoja që në krye të Kishës Ortodokse shqiptare të ishte një shqiptar, sepse do ta bënte më mirë punën e tij. Ndërkohë që qenia e një kleriku të huaj, sado i ditur, sado i ndriçuar të jetë, siç është rasti i Janullatusit, mosqenia shqiptare në mënyrë automatike e largon atë, të themi, nga përshpirti shqiptar. Madje edhe ajo që unë e përmenda më sipër si lapsus, niset pikërisht nga koncepti që Hirësia e tij ka, duke u nisur nga qenia e tij si grek, duke bërë unifikimin e fesë me kombin dhe kjo është e papranueshme për ne shqiptarët. Por ka dhe deklarata të tjera, të cilat lënë vend për t'u komentuar. Dhe unë jam i bindur se këto nuk do të ndodhnin, në qoftë se do të kishim një Klerik shqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Anonymous said...

Musilmanet apo ateisto-musilmanet Godo-xhufi dhe kompani kunder kishes autoqefale.

Muça: dy gabimet e Janullatosit

Lindita Çela
20-05-2007 (shekullli
Kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, e quan anormale diskutimin e përqindjeve fetare nga kreu i Kishës Ortodoske

“Besimi është një ndjenjë e lirë dhe nuk mund të përcaktojë kurrsesi tiparet e një shteti”

TIRANË- Intervista e kreut të kishës ortodokse autoqefale duket se ka ngjallur reagim jo vetëm tek qarqet politike, por edhe tek komunitetet fetare. Më shumë sesa faktet e përmendura gjatë intervistës së Janullatosit, të kontestuara këto nga politikanë të njohur, duket se lakimi i përqindjeve fetare në Shqipëri nga hirësia e tij ka ngjallur menjëherë reagimin e komunitetit më të madh në vend. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, e ka konsideruar krejtësisht anormale diskutimin e përqindjeve të përkatësive fetare në Shqipëri dhe aq më keq diskutimin nëse Shqipëria është një vend tipik mysliman apo jo. Sipas Selim Muçës, besimi është një ndjenjë e lirë që kurrsesi nuk mund të përcaktojë tiparet e një shteti.
Se si erdhi Janullatosi në Shqipëri dhe se si drejtohet Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk ngjallin aspak kërshërinë e kreut të Komunitetit Mysliman. Duket se për Selim Muçën, këto janë punë të një feje tjetër, tek e cila ai nuk mund të ndërhyjë. Por kur bie fjala te përqindjet fetare të shqiptarëve ai nuk mund të heshtë. Kreu i Komunitetit Mysliman e konsideron anormale diskutimin e një çështjeje të tillë. “Për mua nuk është normale që sot, kur ndërmjet komuniteteve fetare ekziston një tolerancë e admirueshme nga të gjithë, të vihet në diskutim se sa shqiptarë janë myslimanë, katolikë apo ortodoksë”-thotë nëpërmjet linjës telefonike Selim Muça.

Sipas kreut të Komunitetit Mysliman, ky diskutim bie ndesh edhe me deklaratën e bashkëpunimit, të nënshkruar para do kohësh ndërmjet krerëve të katër komuniteteve fetare në vend. Megjithëse thëniet e Janullatosit i konsideron si cënim sado të vogël të tolerancës ndërmjet komuniteteve fetare, Selim Muça shton se nëpërmjet deklaratave nuk ndryshohen besimet e shqiptarëve. “Me deklarata të tilla as nuk ulet dhe as nuk rritet qoftë numri i besimtarëve myslimanë apo edhe i atyre ortodoksë. Besimi është një çështje krejtësisht e lirë dhe nuk ka të bëjë me përcaktimin nëse një përqindje më e madhe myslimanësh e bën Shqipërinë tipike myslimane ose një përqindje më e madhe katolikësh e bën këtë vend një shtet katolik”- thotë kreu i Komunitetit Mysliman. “Unë nuk marr përsipër të diskutoj atë çfarë thotë në media hirësia e tij, pasi nuk janë këto çështje që mund të diskutojë një kryetar i një komuniteti fetar por them me bindje të plotë se mes komuniteve fetare ka një marrëdhënie të admirueshme dhe kjo nuk është e përcaktuar nga përqindjet fetare”- shton më tej Selim Muça.

E ndërsa kreu i Komunitetit Mysliman thotë se diskutimi i përqindjeve fetare cënon tolerancën ndërmjet komuniteteve fetare, intervista e Janullatosit ka ngjallur reagime në opinionin publik. Dy ditë më parë, kreu i kishës Ortodokse Autoqefale shpjegonte se qëndronte në krye të Kishës me kërkesë të shqiptarëve, fakte këto të kundërshtuara nga Pëllumb Xhufi dhe Sabri Godo. Ndërkohë që deputeti Sabri Godo e ka konsideruar emërimin e tij si shkelje të statutit të kishës ortodokse, statut ky i miratuar në vitin 1928. Sipas këtij të fundit, kreu i Kishës Ortodokse duhet të jetë shqiptar.

Pëllumb Xhufi

Rezerva ime e parë, por që është edhe një lloj zhgënjimi, është se kam përshtypjen që Hirësia i tij, si Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Shqiptare, nuk ka arritur akoma të njohë shqiptarët ortodoksë, shqiptarët myslimanë apo ata katolikë. Mua më surprizon negativisht thënia e Hirësisë së tij, se shqiptarët nuk janë një komb tipik mysliman. Ndoshta ai niset nga shembulli grek, ku natyrisht kombësia dhe feja janë identifikuar, madje gjenden në Kushtetutë shprehjet e tyre. Në rastin tonë është krejt e kundërta. Një shqiptar, jo se është ose nuk është mysliman, jo se është ose nuk është katolik, apo jo se është ose nuk është ortodoks, por për arsye krejt të tjera, që janë më thelbësore dhe që kanë një karakter shumë të konsoliduar historik, që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën, traditën, kanë të bëjnë me zakonet me historinë e përbashkët e të tjera si këto.

Sabri Godo

Pëlqimin fillimisht për nisjen e veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri e ka dhënë ish- presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia. Mbaj mend ta kem takuar Hirësinë e tij në fillim të vitin 1991, në Hotel “Dajti”. Pata me të një bisedë dyorëshe dhe kur dola prej andej isha aq i impresionuar nga takimi me këtë personalitet, saqë thashë me vete: “Pse dreqin nuk jam bërë ortodoks!?”. Por mbetet gjithnjë ankesa se në çfarë rruge është bërë emërimi i tij. Kjo është kaluar në heshtje nga Ramiz Alia, dhe Presidenti që erdhi më pas e gjeti një fakt të kryer në pamundësi të ndryshonte këtë, sepse kjo do të krijonte ndofta një reagim të brendshëm, por sidomos mund të provokonte një reagim të fortë nga pala greke dhe ne nuk ia kishim ngenë këtyre punëve në atë kohë. Kështu që, duke kaluar nga një president tek tjetri, u pranua në heshtje qenia e Kryepeshkopit në detyrën që mori përsipër.

Anonymous said...

“Ka mbështetjen e komunitetit ortodoks në Shqipëri”

dorigazet@yahoo.com
22-05-2007
Që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është bërë faktor zhvillimi në shumë aspekte të jetës shqiptare, këtë nuk mund ta mohojë askush. Edhe ata personalitete që prej vitesh dalin me të njëjtat teza, ose njerëz të thjeshtë që nuk e njohin fare besimin ortodoks dhe që pretendojnë se në krye të kishës duhet të jetë një shqiptar, e dinë shumë mirë se kush është autori i gjithë kësaj arritje në kishën shqiptare.

Kryepeshkopi Anastas ka mbështetjen e komunitetit ortodoks në Shqipëri. Është një personalitet që e nderon gjithë bota dhe është për të ardhur keq, që këtë njeri të Perëndisë e përziejnë me çështje politike. Ne ortodoksët e konsiderojmë bariun tonë Kryepeshkopin Anastas.