Nga Loreta Boti (militante e PDLNJ)
Në prag të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, partitë e pozitës dhe të opozitës, si dhe grupet e interesit bëjnë llogaritë e tyre, se çfarë do të përfitojnë në këmbim të mbështetjes që do t’ i japin njërit apo tjetrit kandidat për president. Në këtë atmosferë politike, në mënyrë të natyrshme edhe përfaqësuesit politikë dhe ata të shoqërisë civile të minoriteteve etnike dhe kulturore në vend, dhe në kuadrin e tyre dhe të minoritetit grek në Shqipëri, kanë të drejtë që të bëjnë llogarinë e tyre për atë që do të përfitojnë për mbështetjen që do t’ i japin kandidatit që do të zgjidhet si President i Republikës, qoftë për mbështetjen konkrete me anë të votave të deputetëve me origjinë greke në parlament, qoftë për mbështetjen morale të strukturave të shoqërisë civile të minoritetit grek në Shqipëri.
Përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile të minoritetit grek në Shqipëri, para se të japin konsensusin e tyre për Presidentin e ri të Republikës duhet të arrijnë një konsensus mes tyre, për atë që do të kërkojnë për ta dhënë mbështetjen e tyre të çdo lloji për presidentin e ri, si dhe të kërkojnë konsensus nga kandidati i ri dhe nga të gjitha palët e parlamentit shqiptar, partitë e pozitës dhe të opozitës që duhet të arrijnë në një konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri, pra të kërkojnë konsensus për plotësimin e kërkesave të bëra prej kohësh nga minoriteti grek në Shqipëri.
Për të marrë konsensusin për përmbushjen e këtyre kërkesave nuk ka moment më të mirë se zgjedhja e Presidentit të Republikës, e para se presidenti shihet nga të gjitha palët si garant i respektimit të Kushtetutës, dhe e dyta se me rastin e zgjedhjes së tij krijohet atmosfera e përshtatshme për arritjen e konsensusit për çështje të ndryshme, që nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, siç ndodhi edhe në vitin 2002, kur u zgjodh presidenti aktual.
Prandaj, përfaqësuesit politikë të minoriteti grek në Shqipëri, pavarësisht se cilës partie i përkasin, duhet që, për hir të interesit të përbashkët, të mblidhen në një tryezë për të përcaktuar kërkesat që do t’ i paraqesin Presidentit të ri dhe palëve që do ta zgjedhin atë, në këmbim të dhënies së konsensusit dhe më konkretisht të votës nga ana e përfaqësuesve politikë të minoritetit grek në Shqipëri. Më e para nga këto kërkesa është regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare që është një kërkesë e hershme e partive që përfaqësojnë minoritetet në Shqipëri, PBDNJ dhe LDLNJ, por që është dhe një premtim elektoral dhe i mëvonshëm i kryeministrit aktual Sali Berisha. Paraqitja e kërkesës për regjistrimin e popullsisë si kusht për dhënien e konsensusit për zgjedhjen e presidentit, nuk duhet të bëhet vetëm nga deputetët e PBDNJ, por edhe nga deputetë të tjerë, me origjinë nga zona ku popullsia ka shprehur hapur vullnetin për të marrë statusin e minoritetit grek.
Kështu, deputetët socialistë Petro Koçi dhe Stefan Çipa, nuk mund të jene indiferent ndaj aspiratave të vendit të tyre të origjinës, duke mos e lidhur votën e tyre me një kërkesë si regjistrimi i popullsisë, për të cilën në fund të fundit do ta kishte të qetë ndërgjegjen se po kontribuon që të respektohen aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. E njëjta gjë si për Koçin mund të thuhet edhe për himariotin tjetër, Petrit Vasilin, me origjinë nga Vunoi, i cili është një nga liderët e LSI, i cili edhe pse nuk është deputet mund të kontribuojë që konsensusi i partisë së tij për zgjedhjen e presidentit, të kushtëzohet edhe me përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, siç është regjistrimi i popullsisë mbi baza etniuke dhe fetare. Po e njëjta gjë si për Koçin dhe Vasilin vlen dhe për deputetin e LSI me origjinë nga Himara, Nikollaq Nerranxi, apo edhe për deputetin e PDS me origjinë nga Himara, Paskal Milo. Sigurisht që detyrimi është edhe më i madh për deputetin socialist nga Dropulli, Vangjel Tavo. Kjo listë mund të bëhet edhe më e gjatë, me të tjerë ligjvënës të parlamentit shqiptar, që kanë fituar në zona ku popullsia ka shprehur aspirata të ngjashme me ato të Himarës.
Por është detyra e strukturave të shoqërisë civile të minoritetit grek në Shqipëri dhe të minoriteteve në përgjithësi, që të fillojnë të bëjnë lobing në parlament, në të gjitha krahët e politikës, që deputetët që janë veçanërisht të lidhur me pjesët e popullsisë që janë më të ndjeshme ndaj kërkesave të mësipërme, të pranojnë që votën e tyre për presidentin ta kushtëzojnë me premtimin nga ana e kandidatit që do të fitojë se do të bëhet garant për përmbushjen e kërkesave të tyre legjitime dhe në radhë të parë për regjistrimin e popullsisë.
E Premte, 20 Prill 2007
No comments:
Post a Comment