http://www.abc.com.al/mat.php?idm=3847&l=a
Një mendje e ftohtë e kupton tanimë se “deklarata e Bollano” është e padenjë për një konsum mediatik nacionalist kaq të madh
Nga Panajot Barka
Ditët që pasuan “deklaratën Bollano” vërtetuan interesimin në Tiranë për të ricikluar një tymnajë të re anti-greke. Edhe pse në dukje “shkak është faktori grek” ajo sërishmi është e njëanshme. Zhvillohet në Tiranë duke lënë indiferente Athinën. (Atakimi në Tiranë i gazetës greke “Stohos” për referimin e saj në lidhje me “një video me UÇÇ”, nuk do të plotësojë kuadrin e dëshiruar për të futur edhe palën greke në të njëjtën valle.) Si fakte për duhmën e re anti-greke përdoren disa gjëra, gjysmë të pathëna, gjysmë të vërteta, gjysmë të përgënjeshtruara ose gjysmë të distancuar prej tyre. Mjet argumentimi mbetet abuzimi i skajshëm duke shkelur mbi gjithçka:-etikën, profesionalizmin dhe misionin gazetaresk.
Një mendje e ftohtë e kupton tanimë se “deklarata e Bollano” është e padenjë për një konsum mediatik nacionalist kaq të madh. Aq me tepër kur s’ka asnjë korrelacion me realitetin që përjeton komuniteti i minoritetit grek në Shqipëri. Nuk ka njëkohësisht asnjë kuadër real diplomatik, politik, apo ligjor për të mbajtur një qëndrim dhe për ta gjykuar. Mëgjithatë me këtë deklaratë u muar dy herë vet parlamenti. Bile herën e dytë një deputet i mazhorancës, trajtoi Janinën dhe Ambrakinë si pjesë të Shqipërisë. (!!) Kjo është gjuha dhe logjika e shkuarjes në Evropë!? Sipas logjikës në Tiranë Greqia duhet të protestojë ndaj parlamentit Shqiptar se një deputet paraqiti në seancë plenare, ditën e votimit të ministrit të ri të jashtëm, pretendime territoriale ndaj Greqisë. Pas kësaj Perëndimi me siguri do të qeshte me “seriozitetin” grek!
Nga ana tjetër, në mediat e Tiranës u fol shumë se e gjithë kjo ishte një lojë për t’i venë shkopinj nën rrota proceseve në Kosovë. Unë them me bindje se ky rol u shkon këtyre analisteve. Kjo për fakti se institucionet në Kosovë kërkojnë të krijojnë bindje dhe t’i japin garanci Perëndimit për një trajtim ekzigjent minoriteteve aty duke harruar realitetet e afërta. Lind pyetja sa mund t’i besojnë Perëndimorët kur në Shqipëri rimerret pa asnjë shkak një realitet i para një shekulli për t’ia kundërvënë një minoriteti etnik si ai grek. Aq me tepër që ky minoritet historikisht nuk i ka nxjerrë asnjë problem shteti shqiptar!?
Qëndrojmë te fakti tjetër që u “dha të drejtë” nacionalistëve në Shqipëri të shtrijnë përtokë çdo mendje të ftohtë. Bëhet fjalë për përgjigjen e ambasadorit grek në Tiranë K. Kokosit dhenë një gazetareje në lidhje me “deklaratën Bollano”. Plaku i urtë Godo vuri re se “përgjigja e zotit Kokosis ishte aq evazive sa që nuk linte shteg për komente”. Megjithatë, fjalët “e drejtë” dhe “e saktë” në përgjigjen e ambasadorit “i dhanë të drejtë” Godos t’i kërkojë Tiranës t’i heq veshin Athinës se ambasadori i saj në Tiranë po krijon shqetësime. Dhe si zakonisht të gjithë e kuptuan se ky është mendimi i qeverisë. Kaq mjaftoi për të thënë se “deklarata Bollano” ka një prapavijë zyrtare greke. (!!!)
Në të njëjtën ditë u bë promovimi i librit për gjyqin e të pestëve të OMONIAS me 1994-95. Mbi të ranë të gjitha dritat e medias në Tiranë. E çuditshme! Përse një shqetësim kaq i madhe!? Përse ky libër u lidh me kërkesa separatiste të minoritetit grek!? Përse u vu në dyshim e drejta për të ngritur flamurin kombëtar në një aktivitet të tillë!? Përse u quajt përpjekje për helenizimin e jugut të Shqipërisë, konstatimi dhe nënvizimi në ftesë i faktit se një ngjarje e tillë që sensibilizoi gjithë botën përbën një stacion në përpjekjet e këtij minoriteti për të drejtat e tij?! (Ky është përkthimi i saktë i njoftimit në ftesë) Dhe cili është ai komunitet, etnik, kulturor apo shoqëror që nuk do të shfrytëzonte një ngjarje të tillë për ta bërë atë pikë referimi në përpjekjet e tij për fituar të drejtat që i takojnë me ligj!?
Pra, libri bën fjalë për një proces gjyqësor të njohur. Në përkrahje të të akuzuarve në këtë proces më 1994 nuk ishin vetëm minoritarët grek, por edhe media shqiptare, opinioni publik shqiptar, partitë e opozitës, komuniteti ndërkombëtar. Të pestët mbroheshin si njerëz të pafajshëm ose sepse akuzoheshin për bindjet e tyre personale. Ata vetë në gjyq mohuan se ishin “luftëtarë të autonomisë së Vorio Epirit”. Bile, konsiderohej tradhtar çdo dëshmitar që deklaronte në gjyq se vërtet kishte dëgjuar ndonjërin prej tyre të shfaqte si mendim personal “vendosjen e autonomisë”. Ndërsa ishte patriot cilido që deklaronte se të pestët kur nuk kanë folur për “autonomi” (!!) Përse sot ky demonizim i paepur!??
Se mbetet i njëjtë qëllimi. Mbajtja në këmbë i një realiteti të tejshkuar, të krijuar dhe kultivuar me mentalitete nacionaliste të tejshkuara dhe parë me syzat e “shqiptarizmit të fyer” apo të nevojës për plotësinë e tij. Për aktualizimin e këtij realiteti po përdoren gjysmë-thashethemet të tipit “deklaratë Bollano”. Ato shpesh kanë prejardhje nga mjedise shqiptare (institucionale apo të qarqeve të caktuara), ose aplikohen nga individë dhe segmente me origjinë greke për të krijuar një “aureolë heroi etnik” në një krahë dhe mburojë mbrojtëse në krahun tjetër. Pas këtij efekti të dyfishtë fshihen shpesh interesa ekonomike personale apo të një grupi të caktuar që ka marrë përsipër “mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek”. Sidoqë të jenë, ato pasohen nga një stuhi e papërmbajtur nacionalizmi shqiptar i cili në fakt i drejtohet vetës. Herë shfaqet si provë ekzistence, herë si përpjekje për të harruar të gjitha ato probleme që i çojnë shqiptaret në varfëri dhe nga varfëria në braktisjen e vendit, në shitjen e nderit, në vetëvrasje, por edhe për të shpresuar te krijimi i paraleleve me realitete të paqena. Një arsenal thirrjesh patetike nacionaliste që do ta kishin zili moralistët e ushtrive para betejave të të gjitha kohërave.
Përballë kësaj stuhie ndodhet Greqia dhe komuniteti i minoritetit grek. Duke dashur të flasim për Greqinë zyrtare theksoj se ajo e konsideron ulje niveli, meskinitet dhe dalë mode çdo ngasje për të angazhuar politikën e saj të jashtme me qëndrime që i takojnë një periudhe të tejshkuar dhe të një niveli foshnjor, përderisa ato në fund të fundit kanë si pikënisje elementë që nuk arrijnë të prekin nivelin diplomatikë dhe politikë. Pra, kjo do të thotë se ka dalë nga vëmendja e Athinës edhe ai element që përbën detyrim etnik për politikën e saj të jashtëm dhe që është komuniteti i minoritetit grek në Shqipëri. E vërtetë është se pavarësisht se ç’ shkruhet e thuhet në Tiranë, Athina tregon se nuk mund të kuptojë pozicionin e vështirë të komunitetit të minoritetit grek para stuhisë nacionaliste qoftë edhe nga qarqe të caktuara në Shqipëri. Kjo stuhi, kuptohet nuk arrin në Athinë dhe detyrimisht shkarkon në minoritet i cili me shumë “duhet të përgjigjet” për hesap të Athinës apo të qarqeve nacionaliste në Greqi se sa për veprimet reale të vetat. Një situatë e tillë e detyron të përqas praktikën e realitetit të periudhës komuniste, atë këmbimit të identitetit etnik me nevojën për të mbijetuar si “njëri i ri socialist”, ose të braktisjes së trevës së tij.
Kontaktet e ditëve të fundit me pjesëtarë të minoritetit etnik grek në Shqipëri, madje dhe në zonat me popullsi kompakte minoritare greke, treguan se ky minoritet është serishmi nën presion të pashprehur, jeton me frikë dhe është i hutuar. Por nuk mungon dhe mendimi në formë shprese se përderisa pala shqiptare shpreh kaq shumë frikë për “deklaratën Bollano”, dhe harta e Ballkanit po i nënshtrohet ndryshimeve, atëherë lapsi mund të kalojë edhe këtu.I hutuar se “deklarata Bollano” i ngjau një rrufeje në qiell pa re ku mediat shqiptare e bënë më të dukshme dhe më të frikshme. Se udhëheqja e tij politike nuk diti çfarë qëndrimi të mbajë. PBDNJ-ja nuk mbajti një qëndrim zyrtar, por nxori Bollanon në krye të përfaqësuesve të aktivit të saj që u mblodh për të gjykuar qeverinë Berisha. OMONIA e mbrojti duke akuzuar mediat shqiptare se shtrembëruan me qëllim thëniet e tij në përpjekje për të helmuar marrëdhëniet e bashkëjetesës shembullore midis popullit shqiptar dhe minoritetit etnik grek.
Minoriteti është i hutuar se pa udhëheqjen e tij që u distancua, (nuk mori pjesë) në promovimin e librit për gjyqin e të pestëve, nga frika se mos komprometonin vetën tek mediat shqiptare që e kishin pagëzuar këtë aktivitet si shprehje të promovimit të nacionalizmit grek !? (Çudi as shumica e të pestëve nuk vajti aty, as ish të burgosurit politikë të periudhës së monizmit, as ata që shkruajnë libra për të drejtat e minoritetit grek të Vorio Epirit.)
Mëse e qartë! Udhëheqja politike e minoriteti grek vetë-përshtat qëndrimin e vet në përputhje të plotë me dëshirat e faktorit shqiptar. Ato përbejnë pikën e referimit dhe orientimit. Kjo ndodh për faktin se tanimë është Tirana dhe jo Athina që u garanton atyre para dhe pushtet. Janë votat fiktive të elektoratit shqiptar që e çon PBDNJ-në në parlament dhe në qeveri të majta apo të djathta, pavarësisht se kjo bëhet në emer të Greqisë dhe mbrojtës së të drejtave të minoritetit grek. Kujt do t’i mbushi mendjen faktori nacionalist shqiptar që flet për vigjilencë nga “nacionalizmi” i përfaqësuesve politikë të minoritetit grek, kur këta i ka të lidhur me pesëqind zinxhirë? PBDNJ-shi hyri në qeverinë e PD-së pas nënshkrimit të një marrëveshjeje. Dy pikat e saj ishin, regjistrimi popullsisë dhe shkollat në gjuhën amtare. Asnjëra nuk po realizohet. Bile po përgatiten kushtet për kartën e identitetit. Në të serish nuk do të shënohet kombësia. PBDNJ-shi dhe OMONIA heshtin edhe pse në mbrojtjen e tyre për Bollanon thonë se në deklaratën e tij kishte parasysh minoritete etnike në shtet të tjera që gëzojnë të drejta etnike të aspiruara nga minoriteti etnik grek (!!). Po ashtu kritikat e PBDNJ-së ndaj qeverisë Berisha nuk lidhen me këto të drejta por janë mjete presioni që kryeministri të shtojë poste qeveritare për qejfmbeturit e kryetarit të kësaj partie...
E Merkure, 02 Maj 2007
No comments:
Post a Comment