• Gjykata i ka dërguar Ministrisë së Jashtme nje njoftim permes se cilit ,shpreh shqetësimin për numrin gjithnjë në rritje të çështjeve me objekt konfliktin e pronësisë
E drejta e pronës në Shqipëri shkelet rëndë. Shqetësimi vjen nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pranë së cilës janë regjistruar një numër i madh çështjesh për pronësinë nga ana e shtetasve shqiptarë. Nëpërmjet një njoftimi që kjo Gjykatë i ka dërguar Ministrisë së Jashtme, jo vetëm shpreh shqetësimin për numrin gjithnjë në rritje të çështjeve të shumta me objekt konfliktin e pronësisë, por kërkon që shteti shqiptar të marrë masa për të respektuar kartën evropiane të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, e cila është nënshkruar nga Shqipëria në vitin 1996. Pas nënshkrimit të ratifikimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, shtetit shqiptar ju vunë disa detyra, mes të cilave dhe respektimi i të drejtës së pronësisë. Por fakti që Gjykata Evropiane i kërkon shtetit shqiptar të marrë masat e nevojshme në këtë drejtim, sipas sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës për “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, nxjerr në pah së në Shqipëri e drejtat e pronës nuk respektohet. Kjo sipas tij, është dhe arsyeja e numrit të madh të çështjeve të pronësisë që janë regjistruar në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, nga shtetasit shqiptarë. Në përgjigjen e tij shteti shqiptar e ka garantuar Strasburgun se po angazhohet maksimalisht për të përmbushur detyrat e vëna në kuadër të MSA-së.
ÇështjetJanë mbi 120 shtetas shqiptarë, të cilët me pretendimin se u është mohuar e drejta e pronës, i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për zgjidhjen e konfliktit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës për “Pronësi me Drejtësi”, Toro, numri i çështjeve ka gjasa të rritet, pasi duke u përballur me mosrespektimin e të drejtës së pronës këtu në Shqipëri, qytetarët e shohin Gjykatën e Strasburgut si rrugën e vetme dhe të drejtë të zgjidhjes. Sipas Toros, të gjitha çështjet janë regjistruar nga Gjykata, e cila do t’i marrë në shqyrtim. Aktualisht, në gjykim në Strasburg janë 4 çështje pronësie dhe paditësit janë në pritje të vendimit. “Beshiri dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, është i pari rast i pranuar nga Gjykata e Strasburgut, për problemet e pronësisë në vendin tone. Shteti shqiptar u detyrua të paguante një gjobë prej 126 mijë euro të vënë nga Gjykata e Strasburgut, e cila i dha të drejtë një familje tiranase që kërkonte pronat e saj në kryeqytet. Dhe nëse do të ketë vendime të tjera në favor të paditësve që kërkojnë pronat në Strasburg, atëherë barra do të bjerë mbi shtetin, i cili do të jetë i detyruar të zbatojë vendimet e Gjykatës, duke paguar shuma të majme parash.
GjykimiTë gjithë qytetarët që pretendojnë se u është mohuar e drejta e pronës, mund t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Por për të mbërritur deri atje, duhet që më parë të ketë ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Paditësit nuk kanë të drejtë t’i drejtohen Strasburgut, nëse kanë kaluar më shumë se 6 muaj që nga dita e përfundimit të gjyqit në Gjykatën Kushtetuese. Ankesa në Gjykatën Evropiane të të drejtave të njeriut mund të bëhet në mënyrë individuale, ose nëpërmjet një avokati. Në momentin që Gjykata e pranon çështjen, atëherë e lajmëron paditësin në adresën që ka lënë dhe jep të dhënat përkatëse. Në këto të dhëna të shpjegon edhe numrin e dosjes dhe disa formularë që duhet të plotësohen. Në përgjigje shpjegohet edhe afati kohor që duhet për të dorëzuar formularët, të cilët janë të gjithë në gjuhën shqipe dhe gjithashtu duhen plotësuar në gjuhën shqipe.
Klodiana Lala
No comments:
Post a Comment