20-05-2007 (Shekulli)
|
Himarë- Prona t’iu kthehet pronarëve të vërtetë. Këtë kanë kërkuar dje përmes një proteste paqësore rreth 300 banorë të Himarës dhe përfaqësuesi të fshatrave të bregut. Të pranishëm ishin Vangjel Llazari, kryetar i shoqatës "Bregdeti", Rrapo Tanushi, kryetar i shoqatës "Pronësi me drejtësi", Thodhori Bollano, kryetar i shoqatës "Himara" dhe deputeti Neranxi si dhe qytetarë të moshave të ndryshme, të interesuar për zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes së pronave. Si zgjidhje më optimale banorët kanë sugjeruar që të aplikohet gjendja kadastrale e vitit 1945, e cila përputhet edhe me natyrën e bregdetit, që nuk është tokë arë, por tokë për zhvillimin e turizmit, gjë që e lejon edhe ligji. Komuniteti dhe pushtetarët vendorë, përmes një rezolute të dalë nga tubimi i djeshëm i Himarës, ia prezantojnë qeveritarëve këtë si model për ta zgjidhur brenda legjislacionit, me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave apo të komisionit të ndarjes së tokës. Ligji i ndarjes së tokës në bregdet ka prodhuar vetëm sherre dhe mbivendosje. Të njëjtën tokë e kanë dy a më shumë pronarë dhe kjo është quajtur "vepër" e komisionerëve, që kanë deformuar ndarjen e tokës. Sipas protestuesve, si rezultat i punës së keqe të tyre, toka ka shkuar tek ai që nuk e punon atë ose tek persona që nuk kanë fare lidhje me bregdetin dhe kjo është arësyeja që ajo ka mbetur djerrë. Vladimir Kumi, kryetar i komunës së Lukovës, deri dje një nga kryesuesit e lëvizjes për mbrojtjen e Gjirit të Kakomesë evidentoi dështimin e politikave qeveritare në lidhje me pronat, sikurse është ligji 7501 etj. "Sot në të gjithë bregdetin nuk ka pronarë të regjistruar në hipotekë»-ka deklaruar Kumi, duke sqaruar se kjo ka bërë që ajo të zaptohet e dhunohet, duke prodhuar konflikte dhe jo mirëqenie. Tubimi i djeshëm pas goditjeve të ndërtimeve në Jalë , Borsh, Dhërmi, Bunec etj po reflekton pakënaqësitë ndaj koalicionit qeverisës, të cilit i besuan votën zgjedhësit në 2 komunat e bregdetit, Likovë dhe Himarë.
No comments:
Post a Comment