Sunday, May 20, 2007

"44 dite Teleblu"

Te dashur miq,
Jam duke hedhur nepermjet skanerit ne PC, flete per flete, librin tim publicistik "44 dite Teleblu", botuar qysh ne vitin 2000 dhe kam kenaqesine t'i u ofroj per lexim, nje fragment prej tij.
Simbad
----------------

***
Andrew Simmons, senior reporter i "Indepedent Television News Ltd" në Angli, kish ardhur me ngut në Shqipëri. Shefi e kish thirrur në zyrë në mëngjesin e 16 shkurtit dhe i kish thënë të nisej sa më shpejt. Duket se atje po zien diçka dhe do të ketë ngjarje. Të tjerët tashmë kanë shkuar përpara nesh ... , - i kish thënë ai me nxitim dhe pa i dhënë hollësira. - Merr që sot avionin e linjës Londër- Romë, prenoto një kameraman në vend dhe sa më shpejt na dërgo një raport të filmuar për çka po ndodh aty!". Andrew ishte nisur po atë ditë. Kish mbledhur me ngut një tufë informacionesh për ngjarjet në Shqipëri nga agjenci të ndryshme lajmesh evropiane, e vetëm në avion kish pasur kohë t'i lexonte me vëmendje. Për Shqipërinë nuk dinte kushedi se çfarë. Kur ishte i ri, kishte kaluar një muaj pushime në ishullin e bukur të Korfuzit dhe bashkë me të fejuarën, Dianën, kishin menduar të hidheshin për dy-tre ditë edhe në vendin përballë, malet e lartë të të cilit i shihnin çdo mëngjes
nga ballkoni i hotelit.

Por kjo ide rezultoi se ishte e pamundur. Në një agjenci udhëtimesh, ku qenë drejtuar për të pyetur, një djalosh brun grek që punonte si përkthyes, u ishte përgjigjur i habitur: "Pse nuk e dini ju, që në Shqipëri nuk hyn dot asnjë i huaj?" Ata kishin ngritur supet dhe kishin shprehur keqardhjen duke thënë vetëm kaq: "Gjynah! Duhet të jetë vërtet vend i bukur!". Dhe e kishin harruar shpejt këtë ide, të përfshirë nga kënaqësia e banjave në plazhet me ujë të kristaltë blu e mbrëmjet në taverna, ku gatuhej shumë mirë. Rëndom për darkë porosisnin pjata me karkaleca deti, oktapodë, kukurec, sallatë me ullinj e uzo. Pastaj qëndronin në verandën e drunjtë të hotelit deri pas mesnatë, duke dëgjuar meloditë e buzuqit që vinin që poshtë, nga restorantet dhe tavernat buzë plazhit ...

Shumë më vonë, kur An­drea filloi të punonte si gazetar, qe bërë kureshtar të dinte diçka më tepër për këtë vend. Por informacionet, përveç një libri për agjentin anglez Fillbi, i cili duke punuar për llogari të rusëve, kish bërë të dështonin shumë plane të CIA- s dhe "Inteligence Service" për përmbysjen e komunistëve në Shqipëri, ishin të rrallë e të vështirë për t'u gjetur. Pas rënies së "Murit të Berlinit", në ITN, në televizionin ku punonte, patën transmetuar disa kronika për përmbysjen e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, eksodin e shqiptarëve drejt Italisë e më pas për emërimin e Sali Berishës si presidenti i parë demokrat i vendit. Diçka kishin transmetuar gjithashtu gjatë verës së fundit, lidhur me konfliktet e partisë në pushtet dhe opozitës së reformuar komuniste gjatë fushatës së zgjedhjeve.

Kjo qe gjithçka që dinte për këtë vend të izoluar nga bota për dekada me radhë, në mënyrë të pashembullt dhe tepër misterioze, mes gjithë vendeve komuniste të lindjes. Në fakt, në Angli, për këtë gjë vazhdimisht ishte heshtur. Sidomos, pasi Shqipëria e Hoxhës kish dalë nga aleanca ushtarake e Traktatit të Varshavës më 1968. Por, kohët e fundit dukej se diçka kish ndryshuar. Kjo dukej qartë edhe ne buletinet e Foreign Office, ku lajmet nga Ballkani pothuajse qenë të përditshme. Interesimi për atë zonë, me sa dukej qe ringjallur përsëri për interesat strategjike britanike. "Kurora" dëshironte të rikuperonte kohën e humbur, duke qenë prezente në atë rajon, pikërisht në një radhë me amerikanët, të cilët po tregoheshin më aktivë në krejt vendet e Lindjes ish-komuniste, e veçanërisht në pjesën e saj jug-lindore.

Në Romë, me të zbritur në aeroport, Andrew telefonoi ne RAI -n italian dhe kërkoi një kameraman, gjë që e siguroi pa vështirësi. Shefi me të drejtë, nuk kishte dashur të dërgonte një ekip të plotë televiziv në Shqipëri. Ngjarjet mund të zgjasnin në kohë, ose mund të ndodhte e kundërta, të mos kishte asgjë interesante. Atëherë harxhimet do të ishin të tepërta dhe të paefektshme. Edhe herë të tjera, gjatë shërbimeve në Maqedoni, Rusi e gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë, ai kishte punuar me kameramanë vend as apo të marrë nga vendet më të afërta.

Të nesërmen, së bashku me Frankon, kameramanin e RAI-t kishin mbërritur në Tiranë dhe vonë mbasdite qenë nisur për në Vlorë, ku që prej dy javësh kishte protesta të ashpra antiqeveritare. Në qytet arritën pothuaj në mesnatë. Gjithmonë nën një shi dhe erë të fortë. Për fat, makina e marrë me qira kish qëlluar e fortë e rrugës s’patën asnjë problem, megjithëse ajo u qe dukur tepër e gjatë, e vështirë e plot gropa. Vlora qe zhytur e gjitha në terr e ai nuk mundi të shikonte asgjë të veçantë. Qyteti dukej si i vdekur dhe s’të besohej se aty bëhej luftë e rezistencë ndaj qeverisë. Dritat elektrike mungonin dhe, ata mezi e kishin gjetur hotelin, që u patën rekomanduar qysh në Tiranë. Pa ngrënë darkë, fjetën si të vdekur nga lodhja, dhe vetëm të nesërmen Andrew mundi të kuptojë se ku ndodhej ...

Aty, shumë gjëra i kujtonin Orientin, por varfëria i dukej edhe më e madhe. Xhamia në qendër të qytetit, tiparet dhe sjelljet e njerëzve, boritë e makinave që ecnin si të mundnin, mungesa e shenjave të qarkullimit rrugor, tregjet popullore dhe britmat e tregtarëve ambulantë, - të gjitha këto, nuk e bënin të besonte se ndodhej vetëm njëqind kilometra larg, në vijë ajrore, nga një vend perëndimor si Italia. Vetëm vajzat e hijshme shqiptare, një pjesë e të cilave mbanin lirshëm minifunde, i. kujtonin se vërtet ai vend, kishte diçka që e lidhte me shoqërinë e lirë të përtej detit ...

Në qytet zhvilloheshin përditë protesta, kështu që Andrew, pas xhirimeve niste makinën me shoferin shqiptar në Tiranë, për të transmetuar filmimet në qendrën satelitore, që Euro - News kishte në hotel "Tirana International". Demonstratat antiqeveritare ishin vërtet të ashpra dhe masive, ndërsa nga ana e qeverisë nuk jepej asnjë shpresë për rrugëzgjidhje. Arsyeja e revoltës ishte falimentimi i një "firme piramidale" të quajtur "Gjallica" e që ai nuk e dinte përse ishte emërtuar ashtu. Ngjarje të tilla ai kish dëgjuar të ndodhnin edhe në vende të tjera të Lindjes, fill pas rrëzimit të regjimeve totalitare. Pra, Shqipëria, nuk ishte një rast i izoluar. Kishte shfletuar edhe një herë gjithë informacionet e agjencive të lajmeve që kish marrë me vete e mes tyre kish lexuar një fakt interesant. Më 1993, në Beograd, kishin falimentuar dy firma të ngjashme me ato të Shqipërisë. Njëra quhej "Dafiment" dhe tjetra "Jugoskandik". E para pat qenë drejtuar nga një punonjëse banke me
emrin Dafina, ndërsa tjetra nga një person i panjohur me emrin Jezdimir, i cili ishte pilot avioni dhe pretendonte të ishte bërë shumë i pasur jashtë vendit duke u marrë me tregtinë e diamanteve.

Pa qenë ekspertë në fushën financiare, shumë njerëz pyesnin të habitur se si ato "firma" u ofronin huadhënësve të tyre nga 20 përqind interes për çdo muaj. Më vonë u mor vesh se, veprimtaria kryesore e tyre ishte pastrimi i parave. Të dyja ato "firma" kishin përdorur të njëjtat skema funksionimi si "motrat" e tyre në Shqipëri, duke grumbulluar qindra milionë dollarë nën bekimin e autoriteteve të larta zyrtare. Bile mediet qeveritare dhe vetë televizioni shtetëror u kishin dhënë atyre imazhin e "mirëbërësve" të Serbisë, duke i akorduar bile edhe kredi qeverisë së saj. Në maj të vitit 1993, pas falimentimit të tyre të bujshëm dhe "humbjes" së një miliard dollarëve, pre­sidenti i "Jugoskandik" ia mbathi jashtë shtetit, në fillim në Ekuador e pastaj në Izrael e Amerikën e Jugut, ku kish humbur çdo gjurmë. Ndërsa presidentja tjetër Dafina, jetonte në një nga lagjet "shik" të Beogradit, pa shqetësimin më të vogël nga drejtësia edhe pse kishte mashtruar mijëra njerëz ...

Netëve, mbledhur fort me disa batanije nga të ftohtit, Andrew e kish vështirë ta zinte gjumi. Dhomat e hotel "Bolonja" nuk kishin sistem ngrohjeje. Franko e kish më të lehtë. Tymoste dy- tri cigare në ballkon dhe pastaj ia këpuste gjumit e nuk i ndihej fryma. Ndërkohë që ai kalonte në kokë, si në një film gjithë pamjet e ditës. Jehonat e zhurmave, krismave, britmave e thirrjeve të ashpra i gjëmonin në veshë. Patjetër që ngjarjet do të shkonin edhe më keq, - mendonte ai. - Po qe se fenomeni do shtrihej edhe në provincat e tjera, atëherë qeveria, vërtet do ta kish pisk. Shqipëria do të përfshihej në një trazirë e konflikt të madh kombëtar. Që njerëzit të revoltoheshin kundër varfërisë dhe padrejtësisë, këtu s'kish asgjë të keqe, por që t'u besonin paratë e tyre "firmave" mafioze, kjo ishte një gjë e pabesueshme dhe naive. Ai nuk arrinte të kuptonte, nga intervistat që u kish bërë njerëzve, se si ata kishin depozituar shuma marramendëse përkundrejt një copë letre që quhej
"Kontrate-huamarrëse". Mirazhi dehës i fitimeve i kishte verbuar të gjithë. Dhe qeveria që nuk kish ndërhyrë për atë mashtrim të pastër dhe të dukshëm, do të korrte atë që kishte mbjellë ...

Kjo që po shihte aty, qe krejt e pakuptueshme për të ! Edhe shefi i kish thënë në telefon se anglezët nuk arrinin ta kuptonin, se si mund të arrinin njerëzit të besonin kaq shumë. Vërtet, në Angli, kishte pasur eksperienca të tilla, por ato kishin ndodhur para njëqind vjetësh. Ky fenomen në ditët e sotme, as që mund të imagjinohej të ndodhte. Anglezët nuk do të jepnin asnjë edhe një "penny" pa mbrojtje ligjore, qoftë edhe sikur vetë mbretëresha e tyre të dilte garant e ta bënte e para këtë gjest. Kurse shqiptarët e kishin bërë fare kollaj, pa asnjë siguri, pa asnjë garanci. Duke u besuar ca kontratave pa vlerë. Vërtet ishte shumë e çuditshme !

Një mbrëmje e mori në telefon e shoqja, Diana. Ishte e shqetësuar për të dhe i tha të bënte kujdes. Në Bosnje kish shpëtuar mirë nga plumbat e snaiperve serbë. Nuk donte që e njëjta gjë të përsëritej edhe në Shqipëri. Por Andrew nuk e kish për herë të parë që xhironte në kushte të tilla të rrezikshme. Kish përvojë e nuk besonte se mund t'i ndodhte ndonjë e keqe. Pastaj, në Shqipëri të paktën në ato çaste, nuk kishte konflikte të armatosura ...

Një ditë tjetër i telefonoi Bruce Page që punonte në Herald Tribune. "Një reportazh nga Shqipëria paguhet mirë, - i kish thënë ai. - Mundohu të na dërgosh diçka. Është pikërisht momenti". Por ai s'kish ndërmend, hëpërhë, të merrej me gazetat londineze. Ndofta, më vonë do të ishte interesante të shkruante diçka më të gjatë. Ndofta një libër. Por për këtë duhej mbledhur shumë informacion dhe lipsej një angazhim i gjatë dhe serioz. Ajo që i pat ardhur në mend e kish dëshirë të bënte, ishte që krahas kronikave të përditshme, të realizonte një reportazh për televizionin lokal të Vlorës. Me ekzistencën e tij ishte njohur në një mënyrë paksa të çuditshme. Gjatë protestave, ai kish dëgjuar disa herë njerëzit, të thërrisnin në kor: "Teleblu" është me ne! "Teleblu"­ është me ne !" e kish pyetur ca kolegë të "Reuter"­ se cili ishte kuptimi i tyre. Këta të fundit i kishin treguar se "Teleblu", ishte një stacion i vogël privat që transmetonte vazhdimisht lajme, informacione,
reportazhe dhe emisione speciale nga protestat, demonstratat dhe greva e urisë së studentëve. Ndryshe nga stacioni televiziv shtetëror i Tiranës, ai i Vlorës qe i vetmi që pasqyronte gjerësisht ngjarjet në qytet e që banoret e quanin me krenari, "televizioni ynë". Pra, vërtet do të ishte diçka interesante të bënte një reportazh për atë televizion ! ...



Mon Web Site
www.simbadi.com

No comments: