Sunday, June 10, 2007

Bush ne Shqiperi


http://www.balkanweb.com/sitev4/index.php
Derguar me: 10/06/2007 - 11:56

Sipas agjencise se lajmeve ANSA Shqiperia eshte nje nga vendet me pro-amerikane ne planet. Bush do te shohe neper rruget e Tiranes, spektakel, krejt ndryshe nga cfare pa ne Samitin e G8 ku u prit me protesta

Ora 12:04 Ka perfunduar ne kryeministri takimi me dyer te mbyllura mes Presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha dhe tashme pritet nga momenti ne moment te mbahet konferenca e perbashket per shtyp

Ora 11:30 Presidenti amerikan ka mberritur pak me pare ne godinen e kryeministrise ku edhe ka nisur takimi me kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Ai pritet të garantojë kryeministrin Sali Berisha se mbështetja e Washingtonit për pavarësinë e Kosovës vazhdon të jetë e fuqishme, pavarësisht nga kundërshtimi i Moskës. Nderkaq sipas zedhenesit te kryeministrise, ne takimin dypalesh, qe do te zhvillohet pa pranine e mediave, do te diskutohet per anetaresimin e Shqiperise ne NATO dhe reformat e qeverise shqiptare.

Ora 11:10 Ka perfunduar takimi mes presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe presidentit shqiptar Alfred Moisiu. Pas daljes nga Pallati i Brigadave, Bush dhe Moisiu jane pershendetur ne menyre miqesore mes tyre. Pas ketij takimi, eskorta e presidentit Bush eshte nisur drejt godines se kryeministrise ku presidenti i SHBA do te takohet me kreun e qeverise, zotin Sali Berisha. Ne takimin mes tyre do te jene te pranishem edhe ministra te kabinetit qeveritar. Nderkaq pas takimit Berisha e Bush do te japin nje konference te perbashket per shtyp.

Ora 10:15
Ka nisur takimi mes presidentit Moisiu dhe Presidentit Bush. Takimi mes personaliteteve do te realizohet pa pranine e medias. Nderkaq ceremonia e mberritjes se presidentit Bush ne Shqiperi eshte transmetuar edhe nga mediat e huaja.

Ora 10:10 Ka mberritur ne Pallatin e Brigadave presidenti amerikan Xhorxh Bush. Ai eshte pritur nga homologu shqiptar Alfred Moisiu dhe se bashku kane degjuar hymnet e Shqiperise dhe SHBA-se. E pranishme ne ceremonine e pritjes se Bush ka qene edhe ambasadorja amerikane ne Shqiperi Marsi Ris si dhe shume personalitete te tjera. Gjate takimit Moisiu ka dekoruar presidentin Bush me “Urdhrin e Flamurit”. Dekorimi i Presidentit Bush u bë me motivacionin: “aleat i madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve - në shenjë mirënjohjeje të thellë për rolin historik në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave kombëtare, në të mirë të kombit shqiptar dhe mbarë rajonit. Për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e vendosur të qeverisë dhe popullit amerikan në zhvillimin e proçeseve demokratike dhe të integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike”.

Ora 9:50 Pas mberritjes ne aeroportin “Nene tereza”, eksorta e presidentit amerikan eshte nisur drejt Pallatit te Brigadave, ku do te zhvillohet edhe ceremonia zyrtare e pritjes per Bushin. Ne Pallatin e Kongreseve do te jene te pranishem personalitete nga fusha e politikes, kultures dhe shoqerise civile. Takimin e pare presidenti i SHBA do ta zhvilloje me kreun e shtetit shqiptar, Alfred Moisiu.

Ora 9:30 Mberrin ne Shqiperi presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush. Avioni presidencial Air Force One, me te cilin udhetonte presidenti i SHBA i shoqeruar nga bashkeshortja e tij Laura, eshte ulur para pak minutash ne aeroportin “Nene Tereza”. Kjo eshte vizita e pare, njekohesisht historike, e nje presidenti amerikan ne Shqiperi. Bush dhe bashkeshortja e tij kane shkelur token shqiptare rreth ores 9:30. Ata jane pritur nga ambasadoret, Marsi Ris dhe Aleksander Sallabanda, si dhe nga ministri i jashtem Lulezim Basha, dhe kreret e grupeve parlamentare te Partise Demokratike dhe asaj Socialiste, Bamir Topi dhe Ben Blushi.
Vizita 7 orëshe shoqerohet me masa të larta sigurie. Rreth 10 500 punonjes policie jane angazhuar per te garantuar sigurine, ndersa snajperistet do te pozicionohen ne kullat me te larta ne Tirane.
Nderkaq gazetarë nga e gjithë bota kanë mbërritur në Tiranë për të ndjekur nga afër vizitën 7-orëshe të presidentit amerikan, Xhorxh Bush.

2 comments:

Anonymous said...

(ballkan-web)

• Emri i 25 vjeçarit nga Kruja ka qenë në listën e personave të skeduar të paraqitur nga CIA, si një person që duhet mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë

Vizita e presidentit amerikan Xhorxh Bush e planifikuar për sot në mesditë në rrethin e Krujës ka bërë që agjentët e antiterrorit të SHISH-it dhe policisë të kenë nën vëzhgim 24 orë pa ndërprerje qysh prej 48 orësh ish-imamin e qytetit Olsi Veseli. Pavarsisht faktit se Veseli nuk përbën ndonjë kërcënim serioz për vizitën e presidentit amerikan në provincën në periferi të Tiranës, strukturat e specializuara antiterror e kanë përfshirë dhe atë në planin e masave të rrepta. Në të vërtetë emri i 25 vjeçarit nga Kruja ka qenë dhe në listën e personave të skeduar të paraqitur nga shërbimi inteligjent amerikan, si një person që duhet mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë. Veseli banon me prindërit e tij në një shtëpi të thjeshtë në periferi të qytetit të Krujës, pikërisht në lagjen që ndodhet poshtë kalasë historike. Ai mbetet deri tani i vetmi shqiptar, emri i të cilit është publikuar si ish-pjestar i një formacioni luftarak të militantëve islamikë dhe luftëtarëve talebanë në Afganistan. Ish-imami i xhamisë së Krujës është mbajtur nën survejim nga agjentët e Shërbimit Informativ Shqiptar edhe para se në Shqipëri të lajmërohej vizita e presidentit Bush, madje qysh në momentin kur ai u riatdhesua. Agjentët e shërbimit të Luftës Kundër Terrorit u njoftuan gati dy vjetë më parë shërbimi inteligjent amerikan se në periferi të Kandaharit, gjatë një operacioni të marinsave ishte kapur mes një grupi militantësh afganë dhe imami i xhamisë së Krujës. Hetimet u kryen paralelisht nga agjentët në terren të zyrës së Antiterrorit në Ministrinë e Brendëshme dhe nga agjentët e zyrës së Antiterrorit në SHISH. Veseli ishte rekrutuar si një i ri me besim të fortë në fenë islame dhe më pas ishte dërguar me pretekstin për studime teologjike në një universitet fetar në kryeqytetin e Jemenit San’a. Imami i Krujës dhe një grup islamikësh të tjerë nga vendet arabe u stërvitën për luftë guerrile nga 4 deri në 6 muaj në Jemen. Kur përfundoi trajnimi i plotë, rekrutët e rinj islamikë u nisën fillimisht me linjë ajrore drejt Pakistanit, nga ku kaluan kufirin dhe iu bashkuan luftëtarëve talebanë në Afganistan. Veseli mendohet të ketë vepruar për gati një vit në radhët e luftëtarëve talebanë deri sa u kap nga marinsat amerikanë në rrethinat e Kandaharit.
Qysh nga ai moment imami i Krujës iu nënshtrua një hetimi special në burgjet famëkeqe të Afganistanit, të njohura për trajtimin e ashpër që u bëjnë të dyshuarëve si militantë islamikë apo mbështetës të talebanëve dhe Al-Kaeda-s. Pas një viti në burgjet afgane Veseli u riatdhesua nën kujdesin e shërbimeve inteligjente amerikane nëpërmjet linjës ajrore me Turqinë në fundin e qershorit 2006. Gjatë hetimit rezultoi se ai s’ka patur ndonjë rol të rëndësishëm në radhët e militantëve talebanë dhe se kishte rënë viktimë e radikalëve islamikë për shkak të moshës shumë të re.

Anonymous said...

Reflektim për një vizitë historike

Nga Romeo Gurakuqi
10-06-2007 (shekulli)
Vizita e parë e një Presidenti të SHBA-ve në Shqipëri është pritur nga të gjithë ata shqiptarë që aspirojnë një ri-integrim të vendit arbnor në hapësirën evropiane, si një mbështetje e fuqishme drejt demokratizimit të njëmendtë të Shqipërisë, fuqizimit të strukturave të shtetit ligjor dhe përparimit të mëtejshëm drejt Perëndimit.

Vizita duhet kuptuar, që ne nuk jemi një vend dhe një popull i harruar, por një popull që meritojmë një qeverisje më të mirë, një sistem politik të konsoliduar dhe tërësisht të laicizuar, një politikë të jashtme jo rastësore, por plotësisht të orientuar, serioze dhe të qartë, një vend që gjendet para provës së lirisë dhe orientimit të drejtë në hapësirën e vet verilindore, një vend që ka nevojë për paqe të brendshme, si kusht paraprak për një ardhmëni të sigurt.

Çfarë përfaqëson vendi që Presidenti më i fuqishëm i botës ka zgjedhur të vizitojë? Arbëria është vendi i fundit i rezistencës evropiane, kundrejt dyndjeve barbare të ardhura këtu në fund të Mesjetës, një popull që ruajti për gati 5 shekuj identitetin e vet kombëtar dhe kulturor evropian, në kushtet më të vështira të fillimeve dhe vijimeve të epokës moderne në Evropën Juglindore, për t'u ringjallur në shekullin XIX përsëri, me aspiratën e madhe të lirisë dhe përparimit, që është një prej përbërësve kryesorë të vetëkushtimit të ri të këtij populli, Shqiptarizmës, ose siç e emërtojnë studiuesit anglishtfolës, dhe jo vetëm ata, ALBANIANISM. I themeluar nga Rilindësit e mëdhenj të këtij kombi, ky vetëkushtim kombëtar u ngrit mbi situatën e ridimensionuar fetare të përbërë nga katër besime të shqiptarëve, si një ideologji përbashkuese dhe udhërrëfyese në situatën e re, si besim i pacenueshëm dhe i shenjtë, që mund ta garantonte të ardhmen e këtij vendi, në paqe e liri. Albanianismi ka qenë dhe mbetet edhe sot, në situatën e ndryshuar post-diktatoriale, vetëkushtimi përbashkues i shqiptarëve. Përbërësit e këtij vetëkushtimi janë: besimi në Shqipërinë, si pjesë e Evropës mëmë, besimi në lirinë, besimi në demokracinë dhe përparimin e shtetit të së drejtës, një besim i bazuar mbi paqen, besimi në ndërtimin e një shteti serioz dhe strikt laik, që respekton dhe mbron besimet fetare. Albanianismi ka qenë dhe mbetet për shqiptarët që dëshirojnë paqen dhe progresin në liri, një aksiomë e paprekshme, udhërrëfyese për ndërtimin e politikave të brendshme dhe politikës së jashtme. ALBANIANISM-i është gjëja e parë që më bie ndërmend si shqiptar, është ideali më i shtrenjtë që me jep motiv dhe besim, për të jetuar në këtë vend të të parëve të mi, është forca më e madhe që më bën mua të jetoj në paqe dhe dashuri me bashkëkombësit e vellëzërit e mi të besimeve të tjera tradicionale, dhe besimeve të reja të ardhura rishtazi pas vitit 1991, si dhe shqiptarët afetarë.

Albanianism-iështë filozofia orientuese e shqiptarëve, por që në këta 100 vjet të indipendencës shtetërore, nuk e ka pasur të lehtë të triumfojë mbi izmat e tjera, që shpesh ia kanë kthyer, madje kundër rrymës, udhën drejt përparimit dhe yllit të përcaktuar nga Rilindësi

Albanianism-ibesoj se duhet të ketë qenë baza e parë që analistët e State Departament kanë konstatuar në projektimin e Shqipërisë në koalicionin anti-terror dhe si një vend dhe popull që duhet të përkrahet në rrugën drejt lirisë së vërtetë, çlirimit nga zgjedha pushtuese në Verilindje më 1999, dhe përparimit e përkrahjes në rrugën e konsolidimit të institucioneve demokratike dhe integrimit Euro-Atlantik. Një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë rreshtim, padyshim që ka luajtur diaspora shqiptare në SHBA dhe veçanërisht disa prej figurave më të spikatura akademike të këtij komuniteti.

Mirëpo, për ta pasur gjithmonë të qartë këtë orientim të shqiptarëve dhe vetëkushtimit të tyre kombëtar, nuk mjafton vetëm vullneti teorik dhe analiza e politikëbërësve perëndimorë, duhet edhe qëndrueshmëria jonë në politikën e jashtme dhe serioziteti ynë në politikën e brendshme ndërtimore. Jo rrallëherë rrëshqitjet orientuese të udhëheqësisë shqiptare, mbarsjet dështake të kësaj udhëheqësie, kanë pasur reflekse mjaft të pasakta në perceptimin e të tjerëve ndaj qenies sonë.

Po si paraqitet politika jonë e jashtme në vitin 2007? Si paraqitet politika e jashtme shqiptare, në prag të vizitës së Liderit të një shteti që Udhëheq Botën e Lirë? Për të bërë një analizë të tillë, në fakt, nuk do të mjaftonin rreshtat e një artikulli të shkurtër. Sidoqoftë, i shtyrë nga disa "vuajtje" të herëpashershme që kjo politikë na ka krijuar në rrjedhën e viteve (krahas pozicionimeve shpresëdhënëse), po përpiqem të ripërpunoj në një kontekst të ri, disa shënime të shkruara gati dy vjet më parë.

Më së pari, do të dëshiroja të bëja dallimin midis termave "politikë e jashtme" (strategji) dhe "diplomaci" (taktikë), jo vetëm sepse nganjëherë këta terma përdorën si sinonime, por edhe sepse këto dy institucione sot, kanë nevojë urgjente për një stabilizim paralel. Ndërsa termi "diplomaci" i referohet mënyrës me të cilën drejtohen marrëdhëniet me jashtë të një vendi, termi "politikë e jashtme" i referohet drejtpërdrejtë çështjes nga pikëpamja e strategjisë dhe vendimmarrjes. Ndërsa, ndërtimi i politikës së jashtme është një biznes ekskluziv i qeverisë, Parlamentit dhe Presidentit, implementimi i saj është detyrë e departamentit të veçantë të kësaj qeverie, Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjithsesi, hartimi dhe zbatimi i politikës së jashtme, janë dy aspekte që nuk mund të ndahen lehtësisht. Diplomacia, si një aktivitet i qeverisjes, kështu i referohet jo vetëm një instrumenti të veçantë të politikës, por gjithashtu të gjithë procesit të bërjes së politikës dhe zbatimit të saj.

Për arsye të trashëgimisë së vjetër dhe më të re të zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të vendit tonë, dobësisë së shtetit ligjor dhe kontrollit të paqëndrueshëm demokratik të bërjes së politikës së jashtme, të rezervave të kufizuara profesionale në bërjen e analizave politike, vendi ynë hyn, për fat të keq, në radhët e shteteve me të meta në zhvillimin e makinerisë së vet diplomatike. Për këtë arsye, mendoj së objektivi kryesor i diplomacisë shqiptare, të pas vitit 2005, duhet të kishte qenë dalja nga listat e diplomacive të vendeve në zhvillim. Siç dihet tashmë, vende të tilla karakterizohen nga me mangësi në të qenët aktorë efektivë në arenën ndërkombëtare, për shkak të zotërimit të një makinerie të nënzhvilluar diplomatike dhe rrezes së kufizuar të instrumenteve politike. Pa mohuar përpjekjet pozitive, të bëra në periudhën para vitit 2005 dhe pas vitit 2005, sidomos në disa nivele dhe segmente të përfaqësimit të vendit, ende shërbimi ynë i brendshëm dhe i jashtëm diplomatik, nuk është gjerësisht i përcaktuar si plotësisht profesional dhe i depolitizuar. Ky sistem, sidomos gjerësisht në nivele të dyta, por shumë të rëndësishme të tij, nga informacionet që kam mbledhur gjatë vizitave të mia të shpeshta të punës jashtë, vuan nga mungesa e profesionistëve, për shkak të ndërhyrjeve që politika dhe tarafi fisnor ka ushtruar në këto nivele. Mungesa e profesionistëve në këto nivele, pastaj, dëmton drejtpërdrejtë rëndë funksionet themelore të makinerisë diplomatike: funksionin e mbledhjes së informacionit të domosdoshëm dhe të vlefshëm, për një vend si i yni me sfida të mëdha integruese; ndërtimin e sistemit të këshillimit të politikave, përfaqësimin profesional dhe qytetar të përfaqësive tona; aftësinë negociuese; shërbimin profesional dhe qytetar konsullor.

Është e dëshirueshme që diplomacia shqiptare e pas vitit 2005, e drejtuar nga forcat e qendrës së djathtë, të bëhet një ndër përbërësit më të mëdhenj të fuqisë së këtij shndërrimi politik, një instrument i aktivitetit e orientimit të ri politik të vendit, i mirëfurnizuar me rezerva profesionale njerëzore, që do të mundësojë qeverisjen e të siguronte objektivat themelore në politikën e jashtme: afrimin e mëtejshëm dhe të njëmendtë të integrimit Euro-Atlantik të vendit, dhënien e një dinamike të re, procesit të shndërrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në një faktor paqeje dhe sigurie në Evropën Juglindore, duke gërshetuar procesin e emancipimit të plotë politik, të një pjesë të mirë të shqiptarëve jashtë shtetit amë, me proceset e mësipërme të integrimit në strukturat e mendimit dhe veprimit perëndimor; vazhdimin e rreshtimit të Shqipërisë në Koalicionin Antiterror, duke përcaktuar një rol stabël dhe fleksibël, në sfidat në politikat e sotme globale. Kjo sfidë, siç dihet, është kornizuar në mes pozicionimit të përshtatshëm ndërmjet dy prirjeve kryesore që vërehen në qëndrimet Euro-Atlantike sot: prirjes që synon përdorimin e instrumenteve të ashpra dhe asaj që synon përdorimin e instrumenteve të buta të pushtetit, për arritjen e objektivave. Qeverisja e qendrës së djathtë, ka edhe një provim të rëndësishëm për të kaluar. Provimi e ka emrin qëndrueshmëri dhe vijueshmëri e kursit fillestar të përcaktuar në programin qeveritar. Kjo gjë përjashton veprimet dyfaqëshe apo edhe lajthitjet e paarsyeshme, që përvoja e viteve 1990 ia ka lënë mbi shpinë, Shqipërisë në përgjithësi dhe politikës së jashtme në veçanti. Kësisoj, për vendin tonë, ende të pa konsoliduar dhe jo aq të besueshëm në pikëpamje të orientimeve strategjike afatgjata, një rëndësi të veçantë merr kontrollimi demokratik, d.m.th., institucional, parlamentar, bipartizan, i veprimit diplomatik, në mënyrë që të shmangen precedentët e padëshiruar. Krijimi i një Komisioni të Përhershëm Shtetëror të Politikës së Jashtme, të kontrolluar në mënyrë dypartiake nga Parlamenti, ndoshta do të duhet të përbëjë një prej ndërmarrjeve me urgjente të udhëheqësisë së Kuvendit shqiptar. Nga ana tjetër, diplomacia, si implementuese e politikës së jashtme, nuk mund të jetë biznes i njerëzve të rastësishëm, jo të qarte nga pikëpamja e orientimeve strategjike, por fryt i pjekurisë së një klase profesionistësh, të kalitur në shkollën shqiptare të përfaqësimit evropian.

Më shumë sesa drejt shkapërcimeve të politikës së jashtme, që sjellin pasoja shkatërruese për Albanianism-in dhe për Laicitetin e shtetit, politika e jashtme duhet të kyçet në politikën rajonale, nga e cila ne mund të fitojmë një status të veçantë, në prirjet më të gjëra ndërkombëtare. Zhvillimi i regjionalizmit bashkëkohor është një prej çelësave për të kuptuar rendin e ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Marrëdhëniet me vendet e rajonit marrin forma nga më të ndryshmet, që përfshijnë aktivitete ekonomike (tregtinë rajonale), çështje të sigurisë dhe ato kulturore. Intensifikimi i marrëdhënieve rajonale, për ne shqiptarët, duhet të shikohet si një kusht dhe segment i domosdoshëm, për t'u përfshirë seriozisht në rrjedhat e përgjithshme të globalizimit. Ne, aktualisht ndodhemi në një fazë të rëndësishme, të asaj që në literaturën e Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare konsiderohet si "Diplomaci në Ballkan": Kjo "Diplomaci në Ballkan" për shqiptarët, sot, ka dy kuptime dhe dy prioritete imediate: së pari, zgjidhjen diplomatike të problemit të Kosovës, si një shtet i lirë dhe i orientuar evropian; së dyti, hapa të njëmendtë drejt plotësimit të kushteve të vëna për procesin e Stabilizim-Asociimit. E gjithë kjo diplomaci zhvillohet në Perëndim dhe në Veri të Shqipërisë gjeografike. Shembulli i një vendi të vogël fqinj dhe mik i yni, siç është Mali i Zi, në rrugën serioze drejt integrimit evropian, është një provë se, pavarësisht nga masa territoriale shtetërore, mund të fitohet një peshë shumë e madhe në politiken rajonale dhe një vëmendje më e madhe evropiane, kur nisesh nga parime serioze dhe kur karakterizohesh nga qëndrueshmëri strategjike.

Vizita e presidentit Bush në Shqipëri është pjesë e një turneu në Evropën Jugore dhe Juglindore. Evropa Juglindore, me kompleksitetin e problemeve që ajo mbart, është aktualisht në qendër të axhendës së politikës evropiane dhe politikës amerikane në Evropë, për shkak të sfidave integruese dhe planit në të cilin ndodhet çështja e Kosovës. Qëndrueshmëria e këtij rajoni është shumë e rëndësishme për Evropën. Shqipëria dhe shqiptarët, kanë peshën dhe rolin e tyre mjaft të madh në këtë qëndrueshmëri dhe në politikat integruese rajonale. Vizita e presidentit Bush, mund të shpjegojë peshën në rritje të shqiptarëve në rajon dhe rëndësinë që ka liria dhe demokratizimi i njëmendtë i tyre për stabilitetin e rajonit. Kjo vizitë është një mbështetje për lirinë, funksionimin dhe stabilizimin e institucioneve demokratike ndër ne. E tillë duhet kuptuar vizita e udhëheqësit amerikan, që vjen në tokën tonë. Pritja e madhe e shqiptarëve, është që politika jonë e brendshme dhe e jashtme do të mund ta lexojë mirë mesazhin e kësaj vizite historike dhe shpresëdhënëse.