Saturday, June 09, 2007

A na bën vizita e Bush një vend perëndimor?

"Ne rradhe te pare dua t'ju siguroj se Amerika e di qe Shqiperia egziston"-George Bush, fragment nga intervista dhene Andi Bejtjes-

http://www.youtube.com/watch?v=n8eXgAVN47g&mode=related&search=

(shqiptaret kishin nje pagjumesi kolektive duke mos ditur ne se jane ne dijeni pertej Atlantikut per egzistencen e tyre. Lumturisht intervista u risolli gjumin e humbur, tani me planetarku jo vetem e di por i simpatizon keta musilmane paqedashes)

(ABC-9-06-07)

Nga Gjergj Erebara

Kështu ka qenë që nga kohërat që nuk mbahen mend, jo vetëm për ne. Shumë kanë debatuar mbi vendosjen e Shqipërisë mes lindjes dhe perëndimit. Disa e kanë paraqitur si dilemë, disa si fatkeqësi historike, disa si gabim dhe disa, si një realitet. Disa thonë se Shqipëria nuk është vend mes lindjes dhe perëndimit, se është thjeshtë perëndim dhe kaq.
Pozicioni i shqiptarëve si popull, (gjeografikisht, kulturalisht, nga përkatësia fetare e nga identiteti sociologjik), ka ngacmuar penat e shkrimtarëve, intelektualëve, etj. Disa kanë marrë rolin e profetëve. Për të kanë folur politikanët, (kanë folur sepse zakonisht nuk dinë të shkruajnë) dhe shpesh e kanë tepruar.
Vizita e presidentit Bush nesër, nuk i shpëtoi dot, (dhe nuk mund t’i shpëtonte kurrsesi), profetëve të oksidentalizmit shqiptar. Disa e shohin si një pikë kthese në transitin e gjatë të Shqipërisë nga një vend lindor, në një vend perëndimor. Disa të tjerë mendojnë se përkatësia shqiptare në perëndim do të konsolidohet shpejt pasi vendi të bëhet pjesë e NATO-s.
Meternish thoshte 200 vite më parë se “Azia fillon në Landstrasse”, (periferi e Vienës). Gazetat kroate ankoheshin se pse shtypi perëndimor i konsideronte vend Ballkanik, kur ato vetë ndjeheshin Europiano-qëndror. Kjo ndodhi në vitin ’94. Dilema është e vlefshme për të gjithë Ballkanin perëndimor.
Nga pikëpamja gjuhësore, të qenit vend oriental, mbart disa stereotipe, si p.sh, popuj të heshtur që pranojnë sundimtarët e tyre sikur kanë një mandat nga qielli. Sundimtarë që mitizojnë sundimin e vet dhe nuk heqin dorë prej tij përsa kohë nuk janë rrëzuar. Popuj të egjër dhe të prapambetur që e kanë të lehtë të vrasin dhe që sundohen përmes shantazhit dhe frikës. Në ato vende, sheshet dhe rrugët marrin emra udhëheqësish edhe kur këto janë ende gjallë.
Në Ballkan, gjatë kohës së komunizmit, për fat të keq, bashkë me stereotipin e të qenit gjeografikisht dhe kulturalisht as në lindje dhe as në perëndim, u krijua stereotipi i udhëheqësit të mençur, që mund të ndryshojë aleancat strategjike duke përfituar nga konjuktura ndërkombëtare. Ky ishte stereotipi “Tito”.
T’i marrim një nga një: Deri më sot, në më pak se 100 vite histori si shtet i pavarur, Shqipëria ka njohur dy sundimtarë me mandat të përjetshëm. Ka patur edhe shumë politikanë që nuk e pranojnë pensionimin si një zgjedhje për veten e vet dhe për ta lënë rehat popullin. Ka politikanë që besojnë se një mandat nga qielli, ose nga Roma, do t’i garantojë sundim të përjetshëm. Ka gjithashtu ende njerëz që zgjedhin rezistencën anti-perëndimore të Luftës së Dytë Botërore në vend të presidentit Bush.
Stereotipi “Tito” shkakton një problem akoma më të rëndë. Kultivon besimin se jemi qendra e botës. Edhe politikanët e sotëm të vendit kanë tentuar të lëvizin si Tito, duke vizituar Moskën p.sh, ose duke i bërë karshillëk herë Uashingtonit e herë Brukselit. Vetëm se nuk qenë në gjendje të kuptonin se Ballkani nuk është qendra e botës. Dhe diplomacia e tyre thjeshtë shkaktoi habi.
Parë në këtë mënyrë, Bush e ka shumë të lehtë t’i japë pavarësi Kosovës, por jo të kthejë Shqipërinë në perëndim. Në 95 vjet pavarësi, vendi ka njohur sundim absolut të individit në 60 vite. Pjesa tjetër ka kaluar mes kaosit të pushtimeve të huaja dhe sundimit të gjysëm-diktatorëve. Vetëm në dy raste, pushteti është transferuar pa dhunë nga një individ te tjetri. Rasti i fundit që e kemi rrëzuar një kryeministër me protesta të dhunshme ka qenë vetëm nëntë vite më parë. Rasti i fundit kur është tentuar një pushtim i institucioneve nga turma daton për fat të keq në vitin 2004. Vetëm dhjetë vite më parë, ato që sot po i urojnë presidentit Bush mirëseardhjen, përhapnin thashethemin se qenë rrëzuar nga pushteti si pasojë e një komploti greko-amerikan. Pati edhe thashetheme të llojit, “kërkuan Sazanin”. Ose që vetëm para pak muajsh, i bënin karshillëk projekteve amerikane prej miliarda dollarësh në emër të mbrojtjes së ambientit.
Për të qenë të ndershëm me veten, duhet të themi se të ashtuquajturat “sjellje tipike lindore”, konsiderohen sot thjeshtë si stereotipe të krijuara nga kultura popullore apo media. Ka intelektualë në botë që besojnë se të gjithë popujt janë njësoj.
Statistikat historike janë të hidhura gjithsesi për ne. Prirja orientaliste dallohet në gjuhën e përdorur për t’i uruar mirëseardhjen presidentit të tokës së lirisë. Propozimi për të nderuar mikun duke emëruar një rrugë me emrin e tij, megjithëse zakonisht në botën e qytetëruar, ky është një veprim që përdoret për të kujtuar të vdekurit dhe jo për t’i uruar mirëseardhjen mikut, fakti që propozimi erdhi nga një këshill bashkiak, pra përfaqësuesve të mentalitetit të popullit, na bën vend lindor. Edhe pyetja mediatike “pse po vjen Bush në Shqipëri”, e konsideruar nga një televizion si “pyetja e të gjitha pyetjeve”, ngjan me stereotipin e zbulimit të një komploti, ves tërësisht lindor.
Sa mirë do të ishte sikur presidenti Bush të na sillte ndonjë fuçi me ilaç të oksidentalizmit. Por kam frikë se për udhëheqësit tanë, nuk ka ilaç që bën derman.

E Shtune, 09 Qershor 2007

No comments: