Friday, June 29, 2007

Shqipëria, jashtë standardeve europiane në fushën e pronësisë

I pari delegacion europian që zbarkoi në Tiranë pas marrëveshjes për fillimin e negociatave të Asociim-Stabilizimit konstatoi, në formën e vërejtjes, se ligji i pronësisë mbi tokën nuk është, të paktën, i standardeve evropiane. Një nga dy çështjet madhore të ngritura nga ky delegacion në
takimin me partnerët shqiptarë, përveç kriminalitetit, ishte pikërisht problemi i pazgjidhur, ose i zgjidhur keq, i pronësisë mbi tokën.

Pra, në qoftë se ne duam të integrohemi në gjirin e familjes së madhe europiane, duhet që legjislacionin bazë ta përafrojmë me atë të vendeve të kësaj familjeje. Në BE mund të tolerohet që disa vende të mbeten jashtë sistemit Shengen, ose sistemit monetar Euro, por askush
nuk mund të tolerojë që të hynte në të një vend, ku regjistrimi i pasurive të ishte i parregullt e i pasaktë, ku ekzistojnë hapësira të shumta për abuzime. Në fakt, që më përpara se ta ngrinin këtë problem europianët, disa nga partitë politike shqiptare, të cilat problemin e pronësisë e kanë kthyer në një flamur politik, dhe më pas edhe vetë presidenti i Republikës, e ngritën problemin në nivelin e tryezës së rrumbullakët të partive parlamentare, që konkludoi në një plan veprimesh, një projektligj dhe një kalendar, duke filluar nga viti 2002.

Tejkalimi i çdo mase kohore për miratimin e zgjidhjes përfundimtare për pronat, solli natyrshëm edhe angazhimin e OSBE-së në “rikujtimin” e shtetit shqiptar se ditët e muajt ikin, por zgjidhja ende nuk po duket në horizont. Që nga kjo kohë, gati të gjithë delegacionet europiane, që kanë ardhur për të marrë në analizë situatën e zbatimit të kërkesave të MSA-së, kanë theksuar se
shtyrja pafundësisht në kohë e problemit të përcaktimit të pronësisë mbi të patundshmen po e mban vendin tonë larg Europës.

(Gazeta Shqiptare)

No comments: