Wednesday, July 25, 2007

Gazetat nxisin konflikte etnike.

Në një artikull në numrin e sotëm të “Gazetës Shqiptare”, botohet një artikull me titullin “Volos, Ekstremisti grek vret emigrantin shqiptar”. Në këtë artikull, gazeta i bën një përshkrim të hollësishëm ngjarjes, në të cilën mbeti i vrarë një emigrant nga Lezha.

Autori i këtij shkrimi, që vetëm gazetar nuk mund të jetë, është shumë i vëmëndshëm në detajet e tij, për të nxjerrë sa më shume në pah “barbarinë” e grekut kundër shqiptarit. Ai përshkruan se si tre emigrantë shqiptarë kishin shkuar për tu “dëfryer” në një lokal nate, por sapo kishin mbërritur tek hyrja, rojet e lokalit jo vetëm që nuk i kanë lënë të hyjnë brenda duke u thënë në sy “nuk mund të hyni brenda se jeni shqiptarë”, po edhe kanë filluar ti rahin dhe të ushtrojnë dhunë mbi ta, si pasojë e të cilës mbeti viktimë njëri prej shqiptarëve.

Autori, që me sa duket e ka krijuar kulturën e vet gazetareske jo nëpërmjet studimeve të larta, po në sajë të shikimit të filmave me shpata dhe leximit të librave të tillë si “Kësulkuqja”, “Borëbardha me shtatë xhuxhët” e shumë të tjerë si këta, kërkon me ngulm duke shfrytëzuar gjithë fantazine e tij fëmijënorë, të identifikojë në ngjarjen që po tregon “ujkun e egërr” dhe “kësulëkuqen” ose “shtrigën e keqe” dhe “borëbardhën”. Për ti bërë këto personazhe sa më të skajshme me njëra tjetrën dhe sa më tërheqëse për publikun, ai nuk mjaftohet vetëm me krijimet e fantazisë së tij kur e përshkruan vrasësin si “extstremist i një formacioni të djathtë”, po shton që edhe nga intervista të mara prej emigrantëve shqiptarë ne këtë qytet (Volos), këta të fundit nuk i lënë asnjëhërë të hyjnë nëpër lokale dhe i nxjerrin gjithnjë jashtë me akuzën “jeni shqiptarë”.

Kur e lexova këtë lajm, nuk munda të mos ndjeja nota hidhërimi për ngjarjen. Një minoritari grek, nuk mund ti kalojë nën hundë edhe mënyra dhe mllefi me të cilën shumë gazeta e gazetarë shqiptarë shkruajnë kur bëhet fjalë për tema të tilla. Lexova edhe disa nga komentet kosovo-shqiptare, që në raste të tilla kapin nivele turko-shtazërie në vlera limite dhe me pak mërzitje vazhdova të shfletoja lajmet e tjera.

Duke shfletuar më pas gazetën “Panorama”, me ra përsëri në sy i njëjti lajm vecse me titull tjetër “Greqi, masakrohet dhe vdes nga grushtet emigranti nga Lezha”.
Automatikisht iu vura ta lexoja edhe këtu, me shpresën se ndoshta nuk ishte e vërtetë. Për fat të keq, gjithcka ishte e vërtetë. Emigranti nga Lezha kishte vdekur vërtetë prej rahjes. Natyrisht që kjo është e vërteta më e hidhur në këtë ngjarje, po nuk e di përse, mua shijen me të hidhur ma la tjetër gjë.
Në artikullin e gazetës “Panorama” nuk kishte “grekërracistekstremistidjathtëantishqiptarë” dhe “shqiptarëtëshkretëdhepuntorëqënukilënëtëfutennëpërlokale”, por dy banda keqbërësish dhe vandalesh, që u vinin gjoba lokaleve dhe në luftë midis tyre për zotërimin e territorit, mbeti i vrarë njëri prej antarëve të këtyre bandave, që sic rastisi shqiptar, mund të ishte shumë mirë i cdo kombësie tjetër.

Nuk kisha më fjalë ne fund të leximit po nuk munda të mos i japë notën dhjetë(10), gazetarit të madh të “Gazetës Shqiptare”, për fantazinë dhe “punën e tij patriotike” ne shërbim të …., në
shërbim të….., në shërbim të kujt???!!!

No comments: