Friday, July 20, 2007

MINORITETET DHE STANDARDET (NGA PANAJOT BOLI)

Autori nuk e përmend Himarën kur flet për të drejtat e minoritetit grek dhe për figurat e shquara të dala prej tij, po pa e paragjykuar në mendimet e tij dhe duke kuptuar në mirëbesim disa probleme, që mund të kishte për botim në shtypin shqiptar dicka e tillë, mendoj se shkrimi i tij është mëse me vlerë dhe realist në përmbajtje. Gjithashtu në foton që shoqëronte këtë artikull në Gazeten Shqiptare, jepej shkolla greke e Korcës me nënshkrimin "Shkolla Greke në Himarë". Pak konfuzion, po jemi mesuar me konfuzionin e shtypit shqiptar kur bëhet fjalë për Himarën.


Çdo shoqëri e civilizuar matet nga qëndrimi që mban ndaj minoriteteve. Ai është një matës demokratik, që tregon shkallën e pjekurisë së një komuniteti, tregon nivelin e bashkëjetesës, simbiozën harmonike, raportin sa më të drejtë ndërmjet llojshmërisë etnike, por edhe racore, fetare, e deri edhe te seksi e të tjera. Edhe në vendin tonë, brenda shtetit shqiptar jetojnë disa minoritete, nga të cilat më i konsiderueshmi është ai grek. Gjatë shekujve ka pasur ulje e ngritje, por në përgjithësi simbioza ndërmjet dy etnive të ndryshme ka qenë shumë e mirë. Amplitudat e ndryshme kanë qenë ndikime të acarimeve të politikave të dy shteteve dhe ka pasur ndikimin e vet në minoritet. Zona të tilla si: Dropulli, Vurgu, Rreza, ku banojnë minoritarë, njihen si zona më me kulturë, tradita dhe folklor të pasur.
Dropulli, Dhroviani, Leshnica e dhjetëra fshatra të tjera të minoritetit grek, kanë rrezatuar në gjithë botën me personalitete të shquara në fushat politike, shkencore e artistike. Nuk do të ndalem te kjo, se vetëm po të citojmë personalitetet nga Dhroviani, do te bindemi për njerëzit e shquar që nxori minoriteti. Kur vjen fjala për minoritetet, po ashtu edhe për minoritetin grek, politikanët shqiptarë thonë me mburrje se në vendin tonë zbatohen të gjitha të drejtat e minoriteteve sipas dokumenteve ndërkombëtare. I referohen në këtë rast bashkëjetesës së shkëlqyer të minoritetit grek me shqiptarët. Në shtetin shqiptar, qytetarët minoritarë janë tatimpaguesit më të rregullt, gjithashtu edhe më korrektë në zbatimin e ligjeve të këtij shteti.

Po shteti dhe politika shqiptare, a janë plotësisht korrekt në respektimin e të drejtave të tyre?

Po t’u hyjmë fakteve, ka shumë për të thënë: Nxënësit e minoritetit grek bëjnë mësim me shënime, transportohen
me mjete shkollore që i paguan konsullata greke në Gjirokastër etj. Asnjë subvencion nga shteti, që e ka detyrim të botojë tekstet shkollore për minoritetin. Tre vjet libra të përkthyer dhe shteti nuk merr mundimin t’i botojë, duke e lënë arsimin në gjendje skandaloze. Edhe shtypi e media minoritare nuk janë të subvencionuara nga shteti, siç do të duhej të ishte në të vërtetë duhet, në bazë të konventave ndërkombëtare, të përdorin dygjuhësinë në institucionet vendore. Por në tabelat e rrugëve në Gjirokastër, Sarandë e Delvinë janë shuar shënimet në gjuhën greke. Një gjë e tillë tregon se ende ka paragjykime nacionaliste dhe nuk jemi zhveshur nga mendësi të tilla. Edhe prona e minoritetit duket e cenuar. Janë qindra hektarë livadhe që janë marrë me gjyqe false. Shumë policë janë shkarkuar nga uniformat blu, ndërkohë që kanë qenë specialistë dhe janë marrë në punë njerëz pa arsimin përkatës. Kështu duhet të thoshim edhe për regjistrimin e popullsisë, apo ndarjen e qëllimshme administrative. Do ta mbyll me një fakt kuptimplotë: Para dy muajve, një shoqatë arsimtarësh pensionistë të minoritetit zhvilloi një aktivitet për arsimin minoritar ndër vite. Në mënyrë cinike, shumë gazeta shkruan se kjo ishte një lloj shpallje autonomie dhe të tjera fantazuan më tej. Atëherë, ku janë standardet si respektohen të drejtat e minoritetit?

(Gazeta Shqiptare)

No comments: