Saturday, July 21, 2007

New president of Albania

ABC-21-07-2007

Votat e mbështetësve të Nanos zgjedhin Bamir Topin President. Blushi jep dorëheqjen, Rama: Do të qëndroj! Berisha realizon të gjitha synimet, përçan të majtën dhe shmang zgjedhjet (Deputetët firmëtarë dhe ushtarë të bindur të ish liderit socialist Fatos Nano: Taulant Dedja, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Hamit Kosta, Paulin Stërkaj, Durim Lamaj)

Bamir Topi është zgjedhur dje presidenti i ri i vendit. Me 85 vota në raundin e katërt të votimit, nënkryetari i Partisë Demokratike është Kreu i ri i Shtetit duke mbyllur kështu një kapitull të gjatë, tejet të konsumuar nga kriza dhe bllokimet. Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ishin prezent 90 deputetë dhe kjo falë pjesëmarrjes së 6 deputetëve socialistë, të cilët dikur kishin firmosur për kandidimin e Fatos Nanos. Fitorja e Bamir Topit edhe pse me një votë nga limiti kushtetues për tu zgjedhur është një zhvillim i rëndësishëm politik për mazhorancën dhe reformat e premtuara, por dhe një sukses për liderin e mazhorancës Berisha i cili siç e deklaroi dhe vetë dje, konsumoi të gjithë pretendimet e opozitës, që nga tryeza e deri tek kandidati i propozuar prej Ilir Metës dhe më në fund ju kthye rrugës kushtetuese, votimit në Kuvend. Një natë para këtij votimi Bamir Topi kishte premtuar se në kuvend do të kishte opozitarë dhe gjatë gjithë ditës së djeshme u vërejt se fitorja e PD-së ishte e garantuar. Dje pasdite deputetët socialistë pohuan publikisht votën e tyre për Topin dhe kjo për demokratët nuk ishte më surprizë. Berisha, Topi dhe mazhoranca kanë arritur një fitore të dhuruar për herë të dytë nga përçarja e opozitës. Fitorja u garantua me pjesmarrjen e 6 deputetëve socialist të cilët deklaruan votën për Bamir Topin. Deputetët të cilët morën pjesë në votim ishin firmëtarë dhe ushtarë të bindur të ish liderit socialist Fatos Nano që tashmë ka dalë nga gara. Deputetet Taulant Dedja, Durim Hushi, Bukurosh Stafa, Hamit Kosta, Paulin Stërkaj, Durim Lamaj (qe ka deklaruar hapur voten e tij për Bamir Topin) bënë realitet premtimin e ish liderit të tyre për një ndryshim të politikës së opozitës nëse ai nuk zgjidhej president. Dhe hakmarrja e Nanos e ka emrin Bamir Topi. Në 2005 ndarja e PS dhe LSI-së i sollën mazhorancës pushtetin dhe tashmë dy vjet me pas kanë kontrollin e 3 shtyllave të shtetit shqiptar përsëri për ndarjet e së majtës, krizat e saj të brendshme, inatet deri në ekstrem.
Kandidimi i Bamir Topit u kundërshtua që në momentin e parë nga e gjithë opozita por ishte ajo që në fund i dhuroi atij presidencën. Dhe gjithë kjo për hir të inateve të brendshme në opozitë, futjes së Nanos në garë përjashtimit të tij nga LSI dhe Rama dhe inatit të ish liderit i cili humbi gjithçka dhe që faturën ja dërgoi menjëherë Edi Ramës duke i shkaktuar atij një krizë të vërtetë politike, një ndarje të PS-së.
Bamir Topi fitoi dje përballë kandidatit Neritan Ceka, i cili hyri në garë për të nxjerrë Fatos Nanon nga gara. Nëse në raundin e tretë të votimit Ceka mori 32 vota edhe pse opozita nuk ishte në sallë, në raundin e katërt ai mori vetëm 5 vota. Bamir Topi hyri në garë dhe luajti deri në fund për të fituar. Shumëkush e shihte të pamundur fitoren e tij pikërisht sepse opozita premtoi se nuk do të lejonte të zgjidhej një president nga PD. Po dje më Fitoren e Topit, PS ka humbur përfundimisht lidershipin e opozitës dhe mazhoranca ka marrë më në fund formatin e saj qeverisës, me emërimin e Presidentit dhe pse ko me një zgjerim të qeverisjes, me futjen e Neritan Cekës në qeverinë e Berishës.
Dhurata e Nanos
Ish kryetari i PS-së kishte paralajmëruar se nëse nuk do të zgjidhej president do të realizonte një ndarje të PS-së nga lidershipi i saj aktual. Firmëtarët e tij i dhuruan dje Bamir Topit votën për president dhe ky në fakt ishte një premtim i bërë nga Nano për Berishën në takimin e 11 Janarit 2007, kur mes të tjerash kishin rënë dakort të bashkëpunonin për të kapërcyer zgjedhjen e presidentit, e cila që në janar paralajmërohej si krizë politike e vështirë.
Topi: Kjo fitore nuk u arrit me atribute personale. Neritan Ceka i dha me kandidimin e tij, vlerë procesit. Ne sinkronizuam vullnetin e respektimit të Kushtetutës. Un do të vazhdoj të jem garant i Kushtetutës dhe i ligjit për të realizuar dy objektivat e mëdha, integrimin në NATO dhe në BE.

E Shtune, 21 Korrik 2007

No comments: